Shkaqet kryesore të shpalljes së Kuranit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një nga karakteristikat e Kuranit është gradualiteti, pra ai nuk është shpallur përnjëherë, por në mënyrë graduale përgjatë gjithë periudhës profetike (për 23 vite). Pjesa më e madhe e Kuranit është shpallur pa ndonjë shkak të caktuar, ndërsa disa pjesë të tjera të tij janë shpallur në varësi të disa shkaqeve dhe rrethanave. Disa nga këto shkaqe janë:

1- Sqarimi i një ngjarjeje apo një gabimi të ndodhur në mesin e muslimanëve. Shembull: Çifutët dhe hipokritët mundoheshin me të gjitha mënyrat, që të fusnin grindje mes ensarëve dhe muhaxhirëve. Në një rast, ata e ndezën grindjen mes tyre, aq sa të dy palët thanë: “Armët, armët”. Allahu i Madhëruar shpalli: “O besimtarë! Nëse i bindeni një grupi prej atyre që u është dhënë Libri, ata do t’ju kthejnë në jobesimtarë, pasi patët besuar”.([1]) Në një rast tjetër, një ensar piu alkol, derisa u deh dhe në këtë gjendje goditi me kërbaç Sad ibn Ebi Uekasin (r.a), i cili iu ankua të Dërguarit të Allahut (a.s). Allahu i Madhëruar zbriti ajetin, që ndalon alkolin: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë armiqësi e urrejtje midis jush dhe t’ju shmangë nga përkujtimi i Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?”([2])

2- Sqarimi i një dispozite të caktuar që është në dobi të familjes apo shoqërisë. Shembull: Shoqëria paraislame nuk i jepte të drejtë trashëgimie femrës dhe djemve të vegjël. Kur Eus ibn Thabiti (r.a) ndërroi jetë, ai la pas bashkëshorten – Umu Kehatin – dhe tre vajza. Dy djemtë e xhaxhait të tij – Suejdi dhe Arfadhe – ia morën bashkëshortes së Eusit të gjithë pasurinë e burrit të saj, duke përjashtuar atë dhe vajzat e saj nga e drejta e trashëgimisë. Umu Kehati (r.a) iu ankua të Dërguarit të Allahut (a.s), duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! Eusi ka lënë tre vajza dhe unë nuk kam mundësi të shpenzoj për to. Allahu i Madhëruar shpalli: “‎Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë ajo pak apo shumë, si pjesë e caktuar dhe e detyruar‎”.([3])

3- Sqarimi i problemeve bashkëshortore. Këtu përmendet trajtimi i divorcit me të gjitha llojet dhe fazat e tij, mallkimi mes çiftit, neglizhimi që bashkëshorti i bën bëshkëshortes etj. Shembull: Rafia ibn Khadixh Ensariut (r.a) nuk i pëlqeu një sjellje e bashkëshortes së tij – mospërfillje apo diçka tjetër – prandaj mendoi ta divorconte. Ajo i tha: “Mos më divorco dhe më bëj çfarë të duash”. Allahu i Madhëruar shpalli: “Nëse gruaja druan nga burri i saj, se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre”.([4])

4- Sqarimi i çështjeve të trashëgimisë. Shembull: Xhabir ibn Abdullah ibn Ensari (r.a) u sëmur dhe i Dërguari i Allahut (a.s) e vizitoi. Xhabiri (r.a) tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam njeri pa njeri! Nuk kam as baba dhe as fëmjë. Si të veproj me pasurinë që kam”? Allahu i Madhëruar shpalli: “Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë (dhe prindër), ndërkohë që ka një motër, atëherë asaj i takon gjysma e trashëgimisë”.([5])

5- Saktësimi i një bindjeje të gabuar, përmirësimi i sjelljeve morale, ligjësimi i dispozitave dhe orientimi i muslimanëve. Shembull: Disa sahabë u shprehën, se do të bënin një jetë të ashpër. Ata thanë, se do agjëronin çdo ditë, do faleshin çdo natë, nuk do flinin natën, nuk do hanin mish, do të bëheshin murgjër dhe do të tredheshin. Allahu i Madhëruar shpalli: “O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes gjërat e mira, të cilat Allahu jua ka lejuar dhe mos e kaloni kufirin! Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kapërcejnë kufirin”.([6])

 Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

 

([1]) – Kurani: Ali Imran, ajeti: 100.

([2]) – Kurani: Maide, ajeti: 90-91.

([3]) – Kurani: Nisa, ajeti: 7.

([4]) – Kurani: Nisa, ajeti: 128.

([5]) – Kurani: Nisa, ajeti: 176.

([6]) – Kurani: Maide, ajeti: 87.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *