Gruaja është krijuar nga Allahu i Lartësuar për të qenë qetësi, strehë, siguri dhe frymëzim për mendimet, si dhe burim i dashurisë. Për shkak të natyrës dhe krijimit të saj, ajo është një qenie emocionale, me shqetësime që përputhen me tiparet e saj të brendshme. Për këtë arsye, marrëdhënia me të kërkon aftësi, art dhe finesë.
Profeti (a.s) e ka krahasuar gruan me një enë të brishtë dhe na ka urdhëruar të sillemi me butësi me të, duke thënë: “Silluni me butësi me enët e qelqta”. Ajo është e ndjeshme, e brishtë, e hijshme dhe e bukur, dhe nëse thyhet, është e vështirë të bashkohet përsëri. Thyerja e saj ndodh kur ajo fyhet, i bëhet padrejtësi, dhunohet, neglizhohet ose ndahet pa të drejtë.
Janë kryer shumë studime mbi gratë dhe shqetësimet që ato mbartin. Njëherë, kam realizuar një sondazh për të zbuluar se cilat janë dy gjërat më të rëndësishme që një grua i dëshiron nga një burrë, dhe rezultati ishte: vëmendja dhe ndjenja e sigurisë.
Nëse një burrë – qoftë ai bashkëshorti, babai apo vëllai i saj – arrin t’ia ofrojë asaj këto dy gjëra, ajo do të jetojë mjaft e lumtur.
Cilat janë fjalët që një grua pëlqen t’i dëgjojë?
Që këto domethënie dhe nocione të shndërrohen në një realitet praktik, po ju prezantoj shtatë fjalë që një grua pëlqen t’i dëgjojë, fjalë të cilat tregojnë se atyre po iu kushtohet vëmendje dhe siguri.
Kam bërë një eksperimen me këto fjalë tek çiftet e sapomartuara, tek ata që kanë probleme me bashkëshorten, motrën apo edhe nënën e tyre, dhe rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme. Ju ftoj edhe juve t’i provoni!
1 – Të lavdërosh inteligjencën dhe mënyrën e të menduarit të saj duke i thënë në disa raste: “Je shumë e zgjuar dhe ideja jote më ndihmoi ta kaloj këtë problem.” Kjo fjali bën që një grua apo vajzë ta kuptojë se ka një rol të rëndësishëm në jetën tënde, gjë që e rrit besimin dhe dëshirën për të dhënë më shumë. Këtë e quajmë “bukuria intelektuale”
2 – Të flasësh për bukurinë e saj, veçanërisht për pamjen e saj fizike, që quhet “bukuria trupore” Një grua kujdeset shumë për trupin e saj, e vështron shpesh dhe i intereson mendimi i të tjerëve për të. Mund ta lavdërosh pamjen, trupin, veshjen apo parfumin e saj, sepse këto fjalë i japin kënaqësi dhe e bëjnë të ndihet e vlerësuar.
3 – Të shprehësh rëndësinë e marrëdhënies suaj dhe t’i konfirmosh asaj se je krenar për të. Tregoji sa shumë e vlerëson ndihmën dhe mbështetjen e saj, qoftë në kujdesin ndaj prindërve të tu, ndihmën financiare, përkushtimin ndaj fëmijëve apo çdo sakrificë tjetër që ka bërë për ty. Këto fjalë e bëjnë të ndihet e çmuar dhe e vlerësuar.
4 – Trego sa e rëndësishme është për ty dhe quaje “shoqja jote më e mirë” Një burrë më tregoi se si gruaja e tij e kishte mbështetur për 20 vjet dhe tha me sinqeritet: “Pa të, do të isha humbur në këtë botë.” Ajo dëgjoi dhe u ndje e lumtur. Gratë duan të ndihen të domosdoshme në jetën e partnerëve të tyre.
5 – Vlerëso iniciativat e saj. Thuaji: “Ke një mënyrë shumë të bukur për të bërë gjërat,” ose “Gatimi yt është i mrekullueshëm,” apo “Propozimi yt është i vlefshëm dhe nuk më kishte shkuar mendja.” Një fjalë e vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për të. Flit për marrëdhënien tuaj dhe lavdëro feminitetin e saj!
Kur një burrë vlerëson anën femërore të gruas së tij dhe e bën të ndihet e dëshiruar, ajo ndihet më e lumtur dhe më e sigurt në veten e saj.
6 – Bëje të ndiejë që e mbron edhe pse mund të mbrohet vetë, ajo dëshiron të ndihet e sigurtë. Prandaj, nëse ndodh një situatë në familjen tënde apo në rrethin tuaj shoqëror, ku ajo ka nevojë për mbështetje, qëndro përkrah saj! Momente të tilla nuk harrohen kurrë.
7 – Dëgjoje pa e ndërprerë! Shpeshherë, ajo nuk ka nevojë për zgjidhje, por për dikë që e dëgjon dhe e kupton. Nëse tregon interes për fjalët dhe ndjenjat e saj, ajo do të ndiejë dashurinë dhe respektin tënd.
Ajo që u përmend më sipër kërkon një qasje edukative në mënyrë të atillë që t’i mësojmë fëmijët tanë, në mënyrë që të mos kemi një brez që kënaqet duke keqtrajtuar, poshtëruar apo përqeshur gratë. Në të vërtetë, gruaja duhet të edukohet me butësi, dashuri dhe bukuri. Allahu i Lartësuar thotë: “A duan ata për Allahun një krijesë (femrën) e cila rritet në stoli , e cila në ndonjë mosmarrëveshje nuk mund ta mbulojë veten, edhe po të jetë e pastër”[1] Në këtë ajet bëhet fjalë për gratë, të cilat rriten në bukuri dhe përkujdesje. Prandaj, ato kanë një metodë edukimi ndryshe nga burrat.
Gabimi më i madh që një burrë mund të bëjë është ta trajtojë një grua si burrë, sepse kjo është një gjuhë që ajo nuk e njeh, nuk e kupton dhe madje e bezdis.
Sjellja e Profetit (a.s) me gratë e tij
Profeti Muhamed (a.s) na dha shembullin më të mirë në sjelljen ndaj grave. Ai:
E mbrojti Aishen kur babai i saj donte ta ndëshkonte.
Tha hapur se ajo ishte personi më i dashur për të.
Qeshi, bisedoi dhe e dëgjoi me vëmendje.
E ka ndihmuar Safijen të hipte në deve duke i ofruar gjurin e tij si mbështetje.
Ia fshiu lotët me dorën e tij kur ajo qau.
Vazhdonte të respektonte mikeshat e Hatixhes edhe pas vdekjes së saj.
Të gjitha këto veprime tregojnë fjalët dhe gjestet që gratë dëshirojnë të dëgjojnë e të ndiejnë. Gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë dhe lindin gjysmën tjetër, ndaj në thelb, ato përfaqësojnë të gjithë shoqërinë. A nuk e meritojnë atëherë të trajtohen me mirësi dhe dashuri?
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Zuhruf: 18