Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne po të tregojmë ty rrëfimin më të bukur, me atë që të kemi shpallur në këtë Kuran”[1]. Edhe pse për të gjitha tregimet kuranore mund të thuhet se janë “më të bukurat e tregimeve”, veçimi i tregimit të Jusufit (a.s) me këtë cilësim është edhe më i theksuar, pasi kjo përmendet që në fillim të sures.
Vërtet, besimi – e më pas arsyeja – dhe pastaj njohuria mbi artin e tregimit, e pohojnë me bindje se rrëfimi i Jusufit në Kuran përmban elementet e tregimit ideal dhe madje edhe më shumë; dhe asnjë studiues i kujdesshëm, e jo më thjesht një vëzhgues, nuk mund ta përfshijë të gjithë këtë përmbajtje në një artikull, punim shkencor apo libër.
Sikur pemët të ishin pena dhe deti të ishte bojë, nuk do të shteronin ato kuptime, pamje, meditime dhe sinjale (domethënie). Prandaj, Allahu është ndihmësi për të përmendur vetëm një pikë nga ky det i vrullshëm, ku do të tregojmë një shikim të shkurtër mbi përsosmërinë e kësaj historie madhështore dhe atë që e dallon nga të gjitha tregimet që kanë prodhuar mendjet njerëzore.
Natyra e lindur e artit tregimtar, thelbi dhe qëllimet e tij
Prirja drejt artit të tregimit ka qenë gjithmonë një domosdoshmëri psikologjike, për të cilën njerëzit janë pajtuar dhe e kanë trashëguar brez pas brezi, aq sa nuk gjendet ndonjë komb i njohur pa të. Dëshmi për këtë janë tregimet e shkurtra dhe të gjata që gjenden në trashëgiminë e persëve, asirianëve, romakëve dhe grekëve. Qëllimet dhe synimet e tregimit ndryshojnë sipas mendimit, rrethanave dhe objektivit.
Tregimi përkufizohet si një art letrar në prozë, që mbështetet në rrëfimin e ngjarjeve të kryera nga personazhe, ka një fillim, një mes dhe një fund, të lidhura mes tyre me një njësi.
Edhe pse tregimet kuranore përmbajnë këto elemente, ato nuk kufizohen vetëm në to; përkundrazi, ato dallohen në dy aspekte:
Së pari: paaftësia e njerëzve për të sjellë diçka të ngjashme me tregimet e tij në të gjitha elementet e veçantisë së tyre;
Së dyti, fisnikëria e qëllimeve dhe synimeve të tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë të vërtetën kur thotë: “Rrëfe tregimet, që ndoshta ata të mendojnë!”[2]
Elementet e tregimit ideal dhe prania e tyre në historinë e Jusufit (a.s)
Historia e Jusufit (a.s) në Kuran përmban elementet themelore të tregimit: personazhe, ngjarje, vende, kohë dhe një kontekst tematik të përkryer.
1- Personazhet:
Në të ka personazhe kryesore, skenat e të cilëve përsëriten në rrëfim: protagonisti Jusufi (a.s), babai i tij Jakubi (a.s), vëllezërit e Jusufit, gruaja e Azizit. Ka gjithashtu edhe personazhe dytësore që shfaqen e largohen: si karvani që e gjeti në pus dhe e shiti në Egjipt, Azizi, dëshmitari nga familja e gruas së Azizit, gratë që prenë duart e tyre, dy shokët e burgut dhe mbreti.
Veçoria e paraqitjes së personazheve në këtë tregim është një kulm i retorikës: ajo që shfaqet nga secili personazh është vetëm ajo që ka dobi brenda vetë tregimit. Nuk ka asnjë tepricë që nuk i shërben ndërtimit të rrëfimit apo qëllimit të tij.
2- Koha:
Ngjarjet e tregimit janë zhvilluar në kohë të ndryshme dhe të njëpasnjëshme. Fillojnë me kohën e parë, kur Jusufi (a.s) pa ëndrrën dhe ia tregoi Jakubit (a.s), pastaj vijon pas pak koha e ngjarjes së hedhjes së tij në pus, më pas gjetja e tij nga karvani dhe udhëtimi drejt Egjiptit ku u shit. Pastaj vjen një tregues për kohën e rritjes dhe nderimit të tij në pallatin e Azizit, më pas koha e arritjes së pjekurisë, pastaj koha e sprovës së tij me burgun, dhe në fund koha e fuqizimit të tij në tokë.
Elementi i kohës në këtë tregim dallohet për renditjen e tij të rregullt, në mënyrë që njeriu nuk e ndien ndryshimin e gjendjes pa i kuptuar mirë arsyet e tij. Jusufi (a.s) nuk kalon nga jeta e thjeshtë në kulmin e qytetërimit pa një arsye të qartë dhe të pranueshme; po ashtu, nuk kalon nga burgu në pozitë të fuqishme në tokën e Egjiptit pa qenë kjo e justifikuar. Në ngjarje nuk ka asnjë sforcim që do t’ia humbte tregimit realizmin e tij.
3- Vendi:
Vendet janë të shumta: duke filluar nga mjedisi beduin ku u rrit në fëmijërinë e tij, pastaj pusi ku u hodh, më pas udhëtimi me karvanin nga toka e beduinëve drejt Egjiptit, pastaj kalimi i tij në pallatin e Azizit, më pas burgu ku qëndroi disa vite, dhe në fund fuqizimi i tij në tokën e Egjiptit, ku vendosej aty ku dëshironte.
Përmendja e vendeve në këtë tregim dallohet nga fakti se gjithmonë shoqërohet me gjendjen e protagonistit në secilin prej tyre. Marrësi i rrëfimit e sheh skenën përmes gjendjes së heroit dhe ndërveprimit të tij në këto vende të ndryshme. Kështu, njeriu nuk përjeton një befasi të pakëndshme nga kalimi i shpejtë i skenave, por jeton me heroin në të gjitha gjendjet e tij; sheh atë që ai sheh dhe ndien atë që ai ka ndier.
4- Ngjarjet:
Në to shfaqet lidhja e fortë tematike e elementeve të kontekstit, në atë mënyrë që asnjë hallkë e tregimit nuk është e shkëputur nga ajo që i paraprin dhe ajo që vjen pas saj. Po ashtu, vijimi i skenave është i mrekullueshëm, pa e bërë marrësin të ndiejë lodhje apo bezdi, siç ndodh në shumë tregime të tjera. Gjithashtu, thellësia e dialogut dhe shprehjet e tij paraqesin me një retorikë të lartë gjendjen e personazhit që flet dhe të ngjarjes, herë me përmbledhje të qartë e herë me zgjerim të këndshëm.
Po ashtu, dallohen qartë tre fazat kryesore: Faza e fillimit, kur Jusufi (a,s ) ishte i qetë nën kujdesin e babait të tij; pastaj sprova në pus dhe përshkallëzimi i krizës në mes të tregimit, nga tundimi i gruas së Azizit deri te burgu për disa vite; dhe më pas zgjidhja graduale e situatës së tij, nga dalja e tij nga burgu, tek përzgjedhja e tij nga mbreti, fuqizimi i tij në tokë dhe ribashkimi i tij me familjen e tij.
Veçantia e tregimit kuranor dhe zbatimi i saj në historinë e Jusufit (a.s)
Tregimet kuranore në përgjithësi, dhe historia e Jusufit (a.s) në veçanti, përmbajnë elemente të një veçantie të pakrahasueshme; nuk ka asgjë që i ngjan atyre në ekzistencë, e jo më të bashkohen të gjitha këto cilësi në një tregim të vetëm si në këtë histori. Ndër këto veçori janë:
1 – Është një histori e vërtetë, pa asnjë grimcë iluzioni, imagjinate apo trillimi që zakonisht e imponon ndërtimi dramatik; megjithatë, lexuesi gjen në të kënaqësinë më të madhe.
2 – Është një histori që vështirë se mund të klasifikohet në një qëllim të vetëm; ajo është njëkohësisht histori reale, historike, politike, shoqërore, emocionale dhe morale. Çfarëdo që të thuhet për këto aspekte, do të jetë e saktë.
3 – Kënaqësia dhe dobia në të nuk kufizohen vetëm në bukurinë e strukturës dhe madhështinë e ngjarjeve; ato vijnë të paraqitura në një formë të lartë shprehjeje që nuk mund të arrihet. Të dyja janë në një harmoni të tillë, sa nuk dihet cili është qëllimi më i lartë i tregimit: as bukuria e ngjarjeve nuk e largon vëmendjen nga lartësia e shprehjes, e as lartësia e shprehjes nuk e zbeh madhështinë e ngjarjeve.
4 – Tregimi e paralajmëron fundin e tij që në fillim: “Dhe kështu Zoti yt do të të zgjedhë dhe do të të mësojë interpretimin e ëndrrave dhe do ta plotësojë mirësinë e Tij mbi ty dhe mbi familjen e Jakubit, ashtu siç e plotësoi më parë mbi etërit e tu, Ibrahimin dhe Is’hakun. Vërtet, Zoti yt është i Dijshëm dhe i Urtë”[3] (Jusuf: 6). Megjithatë, historia mbetet tërheqëse dhe e këndshme, dhe arrin në një përfundim që, megjithëse i paralajmëruar, përjetohet si i mrekullueshëm dhe mbresëlënës.
5 – Historia përfshin shumë mësime që formojnë pika kyçe për çdo fazë të saj. Disa shembuj janë: armiqësia e djallit ndaj njeriut që e shtyn drejt të këqijave: “(Ai) tha: O biri im, mos ia tregoni vëllezërve tuaj ëndrrën tuaj, që të mos kurdisin për ju ndonjë dredhi; me të vërtetë, djalli është armik i qartë i njeriut”[4]. Dhe gjithashtu, se urdhri i Allahut është gjithmonë mbizotërues, edhe nëse njerëzit nuk e kuptojnë: “Dhe Allahu është mbizotërues mbi urdhrin e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë”[5]
Gjithashtu, përmendet disa herë mirësia dhe shkathtësia e Jusufit (a.s): një herë nga shokët e tij të burgut, një herë nga vëllezërit që nuk e njihnin, një herë nga Allahu i Lartësuar që e begatoi me profeci, dhe një herë në rrëfimin e tij, si dhuratë nga Allahu që e shpëtoi nga çdo sprovë dhe e fuqizoi në tokë:
“(Ata) thanë: A je ti me të vërtetë Jusufi? Ai tha: Unë jam Jusufi dhe ky është vëllai im. Me të vërtetë, Allahu ka qenë i mirë ndaj nesh. Kush ruhet dhe duron, Allahu nuk humb shpërblimin e të mirëve”[6] Ka shumë të tjera të ngjashme.
6 – Në rrëfimin e tregimit shfaqen shumë konflikte: midis djallit dhe atyre që ai i tundon, midis të zullumqarëve dhe të shtypurve, midis të dashuruarës dhe atij që ajo deshi, midis rojtarëve dhe të burgosurit, midis të devijuarve dhe të udhëzuarit; këto konflikte nuk lënë mendjen të qetësohet, as shpirtin, përveç në lehtësimet që Zoti i gjithësisë i mundëson heroit të tregimit.
7 – Ai ndryshon midis shpjegimit të hollësishëm dhe përmbledhjes. Detajet mbi kohët dhe vendet e tregimit nuk e largojnë vëmendjen nga tema kryesore, por janë pjesë e kontekstit. Detajet që nuk përmenden, si emrat e shumicës së personazheve apo hollësitë e vendeve të skenave, nuk janë thelbësore për arritjen e qëllimit të tregimit.
8 – Qëllimi i tregimit është i qartë dhe i shpallur në vetë tekst: “Me të vërtetë, në tregimet e tyre ka mësim për njerëzit që kanë mend. Nuk është tregim i trilluar, por vërtetim i asaj që ishte përpara tij dhe shpjegim i çdo gjëje, dhe udhëzim dhe mëshirë për ata që besojnë”[7]. Në këtë tregim ka mësim për të mençurit, konfirmon vërtetësinë e Kuranit që përputhet me librat e mëparshëm të profetëve, dhe udhëzon dhe jep hollësi të dobishme që njerëzit të pranojnë besimin,
9 – Megjithëse fundi i lumtur paralajmërohet që në fillim të tregimit, ai mbetet një surprizë që tejkalon pritshmëritë. Ishte i lumtur për të gjithë personazhet: Allahu fuqizoi Jusufin në tokë, i dha familjen e tij, shpëtoi Egjiptin nga uria, udhëzoi vëllezërit e tij, gruaja e Azizit u pendua, dhe Allahu e shëroi babain e tij Jakubin (a.s) nga verbimi, duke ia rikthyer shikimin dhe duke u ribashkuar me të si njeri i nderuar dhe i sigurt.
Allahu i Madhëruar ka thënë të vërtetën kur e quajti atë “tregimin më të bukur”, dhe i Dërguari i Tij e ka i ka komonikuar njerëzve këto ajete të mrekullueshme.
Autor: Muhamed Hadad
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Jusuf: 13.
[2] – Sure A’raf: 176.
[3] – Sure Jusuf: 6.
[4] – Sure Jusuf: 5.
[5] – Sure Jusuf: 21.
[6] – Sure Jusuf: 90.
[7] – Sure Jusuf: 111.



















