Koha profetike është koha e shpalljes së Kuranit dhe komunikimit të shpalljes. Të gjitha çështjet e kohës profetike ishin të trajtuara me tekst kuranor, ose me veprimin, fjalën apo miratimin e Profetit (a.s). Në rastet kur për një çështje nuk kishte shpallje, atëherë shikohej çështja:
– nëse kishte të bënte me besimin, Profeti (a.s) priste shpalljen,
– nëse çështja kishte të bënte me përditshmërinë, pra me çështje ekonomike, politike, shoqërore, etj, Profeti (a.s) priste shpalljen, por nëse për këto çështje nuk zbriste shpallje, atëherë Profeti (a.s) bënte ixhtihad dhe jepte përgjigje. P.sh: Ibn Abasi (r.a) tregon: “Një grua nga fisi Xhuhejne erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “Nëna ime ka qenë zotuar, që të bënte Haxhin, mirëpo vdiq pa e bërë atë. A ta bëj Haxhin për të”? Profeti (a.s) i tha: “Bëje Haxhin për të. Nëse nëna jote do të kishte një borxh dhe ti ia shlyen, a bie detyrimi për të? Lani borxhin ndaj Allahut, pasi borxhi ndaj Allahut ka më përparësi të shlyhet”.([1]) Janë të shumta rastet, kur Profeti (a.s) ka bërë ixhtihad, mirëpo për çështjet fetare që përfshihen nga kategoritë e ligjit sheriatik, ixhtihadi i tij (a.s) ka qenë i mbrojtur nga gabimi. Kjo gjë pasqyrohet me faktin, se shpallja hyjnore ose e miratonte, ose e korrigjonte ixhtihadtin e Profetit (a.s).
Përsa i përket ixhtihadit të tij (a.s) në lidhje me çështjet e përditshmërisë së jetës dhe që ka qenë në përputhje me traditat e popullit të tij, apo sipas eksperiencave të ndryshme jetësore, ai ishte rezultat përvojash dhe nuk përfshihet nga mbrojtja hyjnore. Në kohën profetike, sahabët kanë bërë ixhtihad, për shkak se në situatën që janë ndodhur, nuk e kanë pasur Profetin (a.s) afër, mirëpo më pas kanë lajmëruar Profetin (a.s) për ixhtihadin e bërë dhe ai (a.s) ose e ka miratuar, ose e ka korrigjuar ixhtihadin e tyre. P.sh: Ibn Umeri (r.a) tregon: “Pas betejës së Ahzabëve, Profeti (a.s) na tha: “Askush prej jush të mos e falë namazin e ikindisë, vetëm se tek fisi Benu Kurejdha”. Koha e namazit na zuri përgjatë rrugës. Disa thanë: “Ne do ta falim namazin, vetëm kur të arrijmë tek fisi Benu Kurejdha”, ndërsa disa të tjerë thanë: “Falemi këtu, pasi nuk ka qenë ky qëllimi i fjalëve (të Profetit a.s)”. Kur i treguan Profetit (a.s), ai nuk qortoi asnjërin prej tyre”.([2])
Edukimi dhe trajnimi i sahabëve për të bërë ixhtihad
Profeti (a.s) i ka mësuar sahabët (r.a) të bëjnë ixhtihad. Ai (a.s) i ka trajnuar ata në praktikë dhe i ka nxitur që të bëjnë ixhtihad, madje edhe në prezencë të tij. P.sh: Aliu (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) më dërgoi në Jemen si gjykatës, i thashë: “Ti po më dërgon atje, por unë jam i ri dhe nuk di të ndaj gjyqe”. Ai (a.s) më tha: “Allahu do ta udhëzojë zemrën tënde, do ta bëjë të qëndrueshme gjuhën tënde. Kur të ulen para teje dy palët, mos gjyko pa dëgjuar edhe të dytin, ashtu siç ke dëgjuar të parin, pasi kjo të ndihmon që të jesh sa më i qartë në gjykim”. Unë e kam ushtruar për një kohë të gjatë këtë detyrë dhe nuk kam dyshuar në vendimin që kam marrë për asnjë çështje që kam gjykuar”.([3])
Në disa raste, ai (a.s) ka kërkuar nga shokët e tij, që të bënin ixhtihad në prezencë të tij. Abdullah ibn Amri (r.a) tregon: “Dy persona kishin konflikt dhe ia parashtruan konfliktin Profetit (a.s). Ai më tha: “Gjyko mes tyre”. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Të gjykoj mes tyre në prezencën tënde”?! Ai (a.s) më tha: “Po”.([4])
Profeti (a.s) ka vendosur një metodologji unike në nxitjen për të bërë ixhtihad, por për atë që përmbush kriteret e ixhtihadit. Ai (a.s) ka thënë: “Kur gjykatësi përpiqet në maksimum dhe gjykon drejt do të shpërblehet dyfish. Kur gjykatësi përpiqet në maksimum dhe gabon në gjykimin që jep, do të marrë vetëm një shpërblim”.([5])
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Buhariu (1852); Muslimi (1148).
([2]) – Buhariu (946); Muslimi (1770).
([3]) – Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ebu Daudi (3582); Ibn Maxheh (2310).
([4]) – Hakimi, v. 4, f. 88; Darakutni (511) me varg të dobët.



















