Fikhu i davetit dhe lëvizjes sipas Dr. Mustafa Sibait

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Fikhu i davetit dhe lëvizjes tek Dr. Mustafa Sibai përfaqëson kulmin e pjekur në rrugëtimin e veprimtarisë islame bashkëkohore, ku përvojës së tij i janë bashkuar kuptimet e argumenteve të shëndosha sheriatike me një vetëdije të thellë për ligjet e realitetit. Mendimi teorik u përzien me praktikën në një tablo të plotë të reformës graduale, e cila synon ndërtimin e njeriut në thellësi, ringjalljen e shoqërisë në vlerat e saj dhe ngritjen e jetës publike mbi themelet e udhëzimit hyjnor.

Dr. Sibai nuk ishte një mendimtar i izoluar pas mureve të teorisë, por një burrë i terrenit, i provuar nga eksperiencat dhe i njohur me ndërlikimet e realitetit. Kjo u pasqyrua në metodën e tij të thirrjes, e cila karakterizohej nga fleksibilitet i vetëdijshëm, realizëm i thellë dhe mendim i thelluar që prek thelbin e transformimeve, pa u ndalur te sipërfaqja e tyre.

Perceptimi i Dr. Sibait për thirrjen buron nga besimi i tij i thellë në gjithëpërfshirjen e Islamit; ai nuk e sheh atë si rituale të ndara ose adhurime të kufizuara, por si një sistem jetese i plotë, ku besimi ndërthuret me adhurimin, morali me rendin shoqëror, politika me ekonominë, duke formuar një strukturë të integruar që riformëson njeriun, botën dhe jetën.

Prandaj, për Dr. Mustafa Sibain thirrja nuk është një fjalim kalimtar moralizues, as një aktivitet i pjesshëm me ndikim të kufizuar, por një projekt qytetar që rindërton njeriun sipas metodës hyjnore dhe themelon një shoqëri të balancuar, ku sundojnë vlerat dhe ruhet dinjiteti njerëzor.

Për këtë arsye, ai theksonte nevojën që thirrësi të zotërojë një vetëdije gjithëpërfshirëse mbi natyrën e këtij besimi dhe të jetë i aftë të adresojë njeriun në të gjitha dimensionet e tij, sepse kufizimi i thirrjes në një kënd të ngushtë sjell vetëm deformim të së vërtetës së saj dhe zvogëlim të mesazhit të saj.

Ky fikh i davetit bazohet në një themel hyjnor, ku thirrja merr pastërtinë e saj nga shpallja dhe udhëhiqet në rrugën e saj nga Kurani dhe Suneti, duke mos u tërhequr pas epsheve apo pas presioneve ideore të paqëndrueshme.

Megjithatë, ky dimension hyjnor nuk është i ndarë nga realizmi; ai merr formë në një vetëdije të hollësishme mbi ndërlikimet e jetës dhe në një kuptim të thellë të natyrës së shoqërive. Për këtë arsye, Dr. Sibai tërhiqte vëmendjen dhe ishte kundër trajtimit idealist të ndarë nga realiteti dhe shihte se suksesin e thirrjes e përcakton aftësia e thirrësit për të lexuar mjedisin e tij me një vetëdije që kupton kontekste politike, sociale dhe kulturore, dhe më pas për të vepruar mbi të me mençuri dhe largpamësi.

Në këtë kuadër, del në pah dimensioni human i fjalimit të tij, ku ai i drejtohet njeriut si një qenie e nderuar, jo si objekt për dënim apo përjashtim. Ai e flet me gjuhën e mëshirës dhe butësisë, duke tërhequr zemrën e tij para mendjes, dhe kjo i dha thirrjes së tij një fuqi të jashtëzakonshme për ndikim dhe përhapje.

Një nga elementët qendrorë në fikhun e tij të thirrjes është besimi i palëkundur në ligjin e gradualitetit, ku ai shikon se ndryshimi i vërtetë nuk realizohet me vendime të papritura apo me tronditje të ashpra, por rritet në një rrugë të qetë dhe graduale: fillon me ndërtimin e individit të vetëdijshëm, më pas shtrihet te familja, pastaj te shoqëria, derisa të formohet një mjedis i aftë të përqafojë vlerat islame dhe t’i përkthejë ato në realitet të gjallë.

Ky gradualitet për të nuk është një zgjedhje e përkohshme, por një ligj i ndryshimit, të cilin e konfirmon përvoja profetike dhe historia islame. Për këtë arsye, ai paralajmëronte fuqishëm kundër ngutjes që shkel mbi ligjet natyrore ose kundër përpjekjeve për të imponuar ndryshimin me forcë para se të plotësoheshin kushtet e tij, për shkak të pasojave negative që mund të dëmtojnë thirrjen dhe ta deformojnë imazhin e saj.

Ky parim lidhet me konceptin e mençurisë, që përbën thelbin e metodës së tij të thirrjes, dhe manifestohet në vlerësimin e saktë të situatave, zgjedhjen e metodave të përshtatshme, renditjen e prioriteve dhe largimin nga detajet drejt çështjeve të mëdha që prodhojnë ndryshim të vërtetë.

Sa i përket fikhut të lëvizjes, Dr. Sibai kaloi kufijtë e veprimit individual dhe shikoi horizontin e veprimit të organizuar kolektiv, duke kuptuar se ndryshimi i përgjithshëm nuk mund të arrihet nga përpjekjet individuale, pavarësisht sa të mëdha qofshin, por kërkon një kornizë institucionale që kordinon energjitë dhe i drejton ato drejt qëllimeve të qarta. Për këtë arsye, ai kontribuoi në ndërtimin e veprimit organizativ mbi baza të shurësë dhe disiplinës; refuzoi vendosjen e pushtetit mbi mendimin dhe theksoi se shura nuk është vetëm një procedurë formale, por një frymë që rrjedh në trupin e lëvizjes, ruan ekuilibrin e saj dhe siguron maturinë e vendimeve. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe disiplinës si garanci për çdo veprim kolektiv, në kontrast me kaosin që çon në shpërndarje të përpjekjeve dhe humbje të qëllimeve.

Megjithatë, ai nuk e shihte organizimin si një formë të ngurtë, por theksonte nevojën për fleksibilitet dhe aftësi për t’u përshtatur me transformimet, në mënyrë që të mbetet i gjallë dhe i rifreskuar, në gjendje të përgjigjet ndaj sfidave të realitetit në ndryshim.

Në këtë mënyrë, përvoja e Dr. Sibait tregon tipare të një fikhut të davetit dhe lëvizjes të integruar, që kombinon pastërtinë e referencës me thellësinë e vetëdijes, qëndresën ndaj parimeve me fleksibilitetin e mjeteve, duke ofruar një model të lartë për veprimin islam të urtë, të aftë të kuptojë ndërlikimet e realitetit pa humbur busullën e tij, dhe të krijojë ndryshim pa u përplasur me ligjet e tij, në një rrugë reformuese të gjatë, që merr forcën nga ekuilibri, efektivitetin nga mençuria dhe autenticitetin nga lidhja me burimin e shpalljes hyjnore të përjetshme.

Një nga aspektet më pjellore në fikhun e Dr. Sibait është aftësia e tij e mrekullueshme për të ndërthurur mesazhin fetar me politikën pa e lejuar njërën të mbizotërojë mbi tjetrën ose të zërë vendin e saj. Ai nuk e konsideronte politikën si një fushë të ndotur nga e cila duhet të ikësh, as si një qëllim që justifikon sakrificën e parimeve; përkundrazi, ai e shihte atë si një arenë të mesazhit fetar, nëse udhëhiqej nga etika islame dhe vlerat e tij.

Ky koncept u konkretizua në përvojën e tij praktike kur u angazhua në punën parlamentare në Siri. Prania e tij politike ishte një vazhdim i misionit të tij fetar, jo një ndarje prej tij, duke synuar përmes saj mbrojtjen e çështjeve të umetit, ruajtjen e vlerave dhe realizimin e reformave brenda institucioneve të shtetit me një frymë përgjegjësie që bashkonte guximin në qëndrim me mençurinë në veprim.

Megjithatë, njëkohësisht, ai vendosi kufij të qartë për këtë angazhim. Ai paralajmëroi kundër shndërrimit të politikës në një qëllim që monopolizon përpjekjet dhe mbizotëron mbi synimet, ose rrëshqitjes drejt intrigave që prishin pastërtinë morale të mesazhit. Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen mbi rrezikun e përfshirjes në konflikte të kota që shterojnë energjitë pa sjellë reforma të vërteta.

Ekuilibri shihet qartë në fikhun e tij, pasi ai përfaqësonte një imazh të lartë të mësimeve islame që mban të dy anët e ekuacionit: qëndrueshmëri të fortë mbi parime dhe fleksibilitet të vetëdijshëm në mënyrat e veprimit.

Ai nuk ishte nga ata predikues të ashpër që ngushtojnë horizontet, as nga mbështetësit e lëshimeve që zbrazin vlerat nga përmbajtja e tyre; përkundrazi, ndiqte një rrugë të mesme që bashkonte vendosmërinë me mëshirën, qartësinë me hapësirën për dialog. Nga kjo rrjedh që mesazhi i tij ishte në gjendje të fliste njëkohësisht për mendjet dhe zemrat, duke përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe duke ndërtuar ura komunikimi me të tjerët, pa u dorëzuar ndaj parimeve të tij ose duke u tretur në të tjerët.

Ai besonte se fuqia e thirrjes nuk qëndron në zhurmën e saj, por në ekuilibrin e saj; nuk qëndron në ashpërsinë e saj, por në mençurinë e saj. Të qenurit i mesëm nuk është një qëndrim gri, por një zgjedhje e vetëdijshme që bashkon të vërtetën me mëshirën.

Dimensioni social në mendimin e Dr. Sibait nuk ishte një aspekt periferik, por qëndronte në thelbin e vizionit të tij fetar. Ai kuptoi se thirrja që ndahet nga dhimbjet dhe shpresat e njerëzve mbetet një fjalim i pezulluar në boshllëk.

Prandaj, ai i shërbeu shoqërisë si pjesë integrale e misionit të predikuesit. U përqendrua në çështjet e varfërisë, punoi për të konsoliduar parimet e drejtësisë sociale, dhe inkurajoi përhapjen e arsimit dhe zhvillimin e individit, duke besuar se reforma e realitetit nuk mund të arrihet pa adresuar disbalancat jetësore. Ky qëndrim u shpreh qartë në librin e tij “Socializmi i Islamit”, ku ai tentoi të paraqesë një model islam që arrin ekuilibrin midis drejtësisë dhe lirisë, dhe që përballet me tendencat materialiste që reduktojnë njeriun vetëm në dimensionin ekonomik.

Ai gjithashtu theksonte se dinjiteti njerëzor është një qëllim themelor i Sheriatit, dhe se largimi i padrejtësisë nga njerëzit dhe punimi për të mirën e tyre nuk është një punë dytësore, por bërthama dhe shpirti i thirrjes.

Përmes këtyre udhërrëfyesve, vlera e fikhut të davetit dhe lëvizjes te Dr. Sibai bëhet e qartë si një burim i gjallë që mund të shfrytëzohet për të kuptuar realitetin bashkëkohor. Ai ofron një fikh që tejkalon dypolaritetin e trilluar midis traditës dhe modernitetit, duke bashkuar qëndrueshmërinë e referencës me fleksibilitetin e zbatimit, dhe besnikërinë ndaj të qëndrueshmëve me hapjen ndaj ndryshimeve. Në thelb, kjo është një metodë reformuese e durueshme, që shmang nxituarin që shkatërron më shumë sesa përmirëson, paralajmëron për përplasje të paarsyetuara që shterojnë përpjekjet, dhe përqendrohet në ndërtimin e thellë që rrënjos vlerat në zemra para se të kërkojë shfaqjen e tyre në sistemet shoqërore.

Në një kohë kur krizat janë të ndërlikuara dhe sfidat të shumta, lind nevoja urgjente për të ndjekur këtë model të balancuar, që bashkon dijen, mençurinë dhe organizimin, dhe që rikthen veprimin e thirrjes drejt qëllimeve të mëdha: ndërtimin e individit, reformimin e shoqërisë, dhe arritjen e një rilindjeje të umetit në udhëheqje të jetës dhe kuptim të qartë të realitetit.

Autor: Ahmed Sheuki Afifi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.