Sovraniteti absolut dhe relativ

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Unë e kuptoj parullën “sovraniteti i Allahut” ashtu siç e kuptonte imami Ali ibn Ebu Talibi (r.a) dhe jo ashtu siç e kuptuan havarixhët, të cilët e ngritën këtë parullë, duke pretenduar se sovraniteti hyjnor është alternativa që e mohon dhe e rrëzon sovranitetin njerëzor!

Asokohe, imam Aliu (r.a) tha: “Po, vërtet gjykimi i takon Allahut, por njerëzit patjetër duhet të kenë një prijës, qoftë i mirë apo i keq, i cili administron çështjet e njerëzve.”

Ky kuptim i saktë dhe i thellë i sovranitetit hyjnor na tërheq vëmendjen te domosdoshmëria e dallimit – sipas Islamit – ndërmjet “absolutes” dhe “relatives”.

Havarixhët u ndalën te kuptimi absolut i sovranitetit hyjnor (që i takon vetëm Allahut, pa ortak), ndërsa laikët dhe perëndimorët e kohës sonë ndalen te kuptimi relativ i sovranitetit (sovraniteti i njeriut), duke përjashtuar kuptimin e tij absolut (që është gjykimi sipas asaj që ka shpallur Allahu).

Ndërsa koncepti i kësaj parulle që unë përqafoj është ai që i bashkon kuptimin e saj absolut me kuptimin e saj relativ. Pra:

Gjykimi i takon Allahut, në mënyrë absolute, në krijim, gjykim dhe legjislacion;

Ndërsa njeriut i takon një sovranitet relativ: në zbatimin e gjykimit të Allahut mbi realitetin; në ushtrimin e ixhtihadit për çështjet e reja; në krijimin dhe zhvillimin e fikhut (shkencës së dispozitave praktike), brenda kornizës së filozofive, parimeve të përgjithshme dhe objektivave të Sheriatit Islam; në zhvillimin e shkencës së politikës sheriatike në çështjet për të cilat nuk ka tekst të drejtpërdrejtë, me synimin për realizimin e interesave sheriatike të konsiderueshme dhe për t’i bërë masat politike sa më afër së drejtës dhe sa më larg korrupsionit.

Pra, sovraniteti në çështjet themelore dhe të pandryshueshme i takon Allahut të Lartësuar, ndërsa sovraniteti në dispozitat praktike dhe zbatimet i takon njeriut.

Dhe pikërisht kjo e bën Sheriatin hyjnor një të vetëm, ndërkohë që shumëllojshmëria shfaqet në politikat dhe ixhtihadet juridike.

Me këtë kuptim të sovranitetit, i cili dallon ndërmjet asaj që është “absolute” dhe asaj që është “relative”, është i ngjashëm edhe: kuptimi sipas të cilit besohet se “lavdia” (në kuptimin e saj absolut) i takon e tëra Allahut, duke besuar njëkohësisht se njeriu ka “lavdi relative”, pasi “lavdia i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve”.

Po me të njëjtin kuptim bëjmë dallimin, pa i ndarë, ndërmjet: “fuqisë” (në kuptimin e saj absolut), e cila i takon e tëra Allahut, duke besuar njëkohësisht se njeriu ka “fuqi relative”, e cila e bën besimtarin e fuqishëm më të dashur tek Allahu sesa besimtarin e dobët.

Dhe pikërisht me këtë kuptim, i cili dallon, pa i ndarë, ndërmjet: sovranitetit në kuptimin e tij absolut (i cili është veçori e Vetë Hyjnores), dhe sovranitetit në kuptimin e tij relativ (i cili është veçori njerëzore),

Kjo është mënyra e perceptimit të këtij koncepti nga ana jonë që ndryshon nga ajo e havarixhëve dhe laikëve. Në lidhje me këtë, imami Ibn Hazmi ka thënë një fjalë të goditur: “Pjesë e gjykimit të Allahut është që Ai e ka vendosur gjykimin në duart e dikujt tjetër përveç Allahut!”

Këtë çështje e kam trajtuar gjerësisht në shkrimet e mia për “Islamin dhe politikën”, si dhe për “Kritikën e ekstremizmit fetar dhe jofetar” dhe kritikën e laicizmit në mendimin tonë bashkëkohor.

Sa i përket lidhjes së kësaj çështjeje me demokracinë, e kam trajtuar atë në shkrimet e mia për “shurën islame” dhe qëndrimin e saj ndaj “demokracisë perëndimore”.

Demokracia perëndimore ia jep sovranitetin dhe pushtetin kombit (të gjithë kombit), ndërsa politika sheriatike dhe shura islame ia japin sovranitetin Sheriatit hyjnor dhe e bëjnë umetin burim të pushteteve në sistemin politik.

Demokracia perëndimore e konsideron pushtetin e umetit të pavarur nga kriteret fetare të hallallit dhe haramit, ndryshe nga shura islame, e cila e kufizon pushtetin e umetit me hallallin dhe haramin fetar.

Demokracia perëndimore ia jep pushtetin masave dhe shumicës së umetit, ndërsa shura islame u përket “ehlu’l-hali ue’l-akdit”, domethënë njerëzve të mendimit dhe autoritetit, prej dijetarëve dhe prijësve, të cilëve umeti u jep autoritetin e udhëheqjes në çështjet e mendimit dhe të shoqërisë.

Prandaj, shura është – nëse lejohet të shprehemi kështu – “demokracia e matur” dhe jo “demokracia e masave”.

Përtej këtyre dallimeve, përvojat demokratike janë përvoja njerëzore, ndaj myslimani qëndron ndaj tyre me të njëjtin qëndrim që mban ndaj urtësisë. Urtësia – në kuptimin absolut – është më e denjë për t’u përvetësuar nga kushdo që e gjen atë.

Dhe nëse zbatimet e demokracisë kanë njohur forma të ndryshme të saj (demokracinë liberale, demokracinë popullore dhe demokracinë socialiste), atëherë çdo formë e këtyre demokracive është më e mirë se despotizmi.

Autor: Muhamed Imare

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *