Nëse dikush pyet: Cila është e drejta e Allahut ndaj robërve?, menjëherë do të përgjigjej kushdo që ka studiuar shkencën e akides ose ka marrë njohuri rreth saj. Jemi plotësisht të sigurtë se përgjigjja e vetme për këtë pyetje është: Ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë në adhurim. Kjo përgjigje është marrë fjalë për fjalë nga hadithi i të Dërguarit të Allahut (a. s).
Po kështu, nëse do të pyeteshim: Cila është e drejta e myslimanit ndaj myslimanit?, përgjigjja do të ishte e vetëkuptueshme: përmendja e gjashtë të drejtave të njohura, si kthimi i selamit, lutja për atë që teshtin, përcjellja e xhenazeve dhe të drejta të tjera…
E gjithë kjo është e njohur dhe e kuptueshme, veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për parime themelore fetare dhe doktrinore, të cilat janë përcaktuar shprehimisht në shpalljen hyjnore, në atë mënyrë që nuk kërkojnë as nxjerrje përfundimesh, as ushtrim të arsyetimit njerëzor.
Por, ç’mund të themi për një çështje që i përket botës së gajbit, e cila ka zënë një vend të rëndësishëm në të gjitha Shkrimet e shpallura hyjnore dhe lidhet me krijesa që njerëzit nuk do të kishin mundësi t’i shihnin apo t’i vëzhgonin, përveçse nëse Allahu do të dëshironte ndryshe? Bëhet fjalë për krijesa që kanë një lidhje të fortë e të qëndrueshme me besimtarët, për shkak të përputhjes së plotë mes natyrës së tyre dhe asaj të besimtarëve në adhurimin e Allahut (xh.sh) dhe në bindjen ndaj Tij.
Fjala është, pra, për engjëjt fisnikë. Pyetja, më konkretisht, është kjo: Cila është e drejta e engjëjve ndaj nesh, bashkësisë së besimtarëve, të cilën jemi të detyruar ta përmbushim?
Është e vështirë t’i përgjigjesh në çast një pyetjeje kaq të madhe, sepse elementet e përgjigjes janë të rrënjosura në degët e besimit dhe në metodologjinë e së vërtetës. Për t’i nxjerrë në pah ato, nevojitet një shqyrtim i kujdesshëm dhe një analizë e thelluar, në mënyrë që të mund të heqim velin që mbulon këtë çështje të rëndësishme.
Ndoshta, e drejta e parë që kemi ndaj tyre është pikërisht të arrijmë t’i identifikojmë këto të drejta dhe t’ua bëjmë të njohura njerëzve.
Më pas vjen një e drejtë madhore që lidhet me akiden, madje me një nga shtyllat e saj themelore. Këtë e gjejmë në hadithin e njohur të Xhibrilit (a.s), kur ai erdhi në formën e një njeriu për t’ua mësuar njerëzve fenë e tyre. Në këtë hadith thuhet: “Besimi është të besosh Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, takimin me Të dhe të besosh në ringjalljen e fundit.”[1]
Pra, një nga të drejtat që engjëjt kanë ndaj nesh është të besojmë në ekzistencën e tyre në mënyrë të përgjithshme. Kush e shkel këtë të drejtë në themel, duke mohuar ekzistencën e engjëjve – siç bëjnë disa filozofë dhe pretendues të racionalizmit, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me arsyen e shëndoshë – del nga feja islame. Argument për këtë është ajeti kuranor: “Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, ka humbur larg së vërtetës.”[2]
Taberiu thotë: “Mohimi i njërës prej këtyre gjërave nënkupton mohimin e tërësisë së tyre, sepse besimi i askujt prej krijesave nuk është i vlefshëm pa besuar në atë që Allahu e ka urdhëruar të besojë. Mohimi i qoftë edhe njërës prej tyre është mohim i të gjithave.
Ky është besimi në engjëjt në mënyrë të përgjithshme. Sa i përket besimit në mënyrë të hollësishme, një nga të drejtat e tyre ndaj nesh është të besojmë në realitetin dhe thelbin e qenies së tyre, domethënë se ata janë qenie reale dhe jo entitete abstrakte apo metaforike, si dhe se janë krijuar nga drita.
Po kështu, duhet të besojmë në atë që na është përcjellë lidhur me ta dhe me veprimtarinë e tyre, si ngarkimi i tyre me detyrën e sjelljes së shiut, ruajtja e Zjarrit të Xhehenemit, marrja e shpirtrave, si dhe aftësia që Allahu u ka dhënë për t’u shndërruar e për t’u paraqitur në forma të ndryshme. Duhet të besojmë gjithashtu se ata nuk hanë, nuk pinë dhe nuk shumohen; se e madhërojnë Allahun natë e ditë pa u lodhur e pa ndërprerje; si dhe në të gjitha çështjet e tjera që na janë përcjellë rreth tyre.
Po ashtu, duhet të besojmë në emrat e engjëjve që janë përmendur në burimet fetare, si Xhibrili, Mikaili, Israfilit, Engjëlli i Vdekjes dhe Maliku, rojtar i Xhehenemit. Mbi të gjithë ata qofshin paqja dhe bekimet e Allahut!
Kalojmë te e drejta e dytë, e cila konsiston në marrjen e engjëjve si shembull për t’u ndjekur. Fushat në të cilat mund t’i marrim ata si shembull janë të shumta, por më e rëndësishmja, pa dyshim, është edukata e mirë në raportin me Allahun (xh.sh), në komunikimin dhe bisedën me Të.
Allahu (xh.sh) thotë: “Ata (engjëjt) thanë: “I Lartësuar qofsh! Ne nuk dimë asgjë tjetër, përveç asaj që na ke mësuar Ti. Vërtet, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti.”[3]
Po kështu, në fjalën e Tij: “Ata (engjëjt) do të thonë: “I Lartësuar qofsh! Ti je Mbrojtësi ynë, jo ata. Përkundrazi, ata adhuronin xhinët dhe shumica e tyre besonin në ta.”[4]
Një aspekt tjetër është përkushtimi i tyre i bukur në adhurimin e Allahut (xh.sh), si dhe përulësia dhe përkushtimi i thellë me të cilin qëndrojnë para Tij. Këto aspekte janë trajtuar më hollësisht në një temë tjetër.
Ndër aspektet e tjera të marrjes së tyre si shembull është fakti se engjëjt nuk flasin para Zotit të tyre, të Bekuarit dhe të Lartësuarit, por veprojnë sipas urdhrit të Tij dhe nuk e kundërshtojnë as me fjalë, as me vepra. Allahu (xh.sh) thotë: “Ata nuk flasin para Tij dhe veprojnë sipas urdhrit të Tij.”[5]
Kjo edukatë e lartë na është kërkuar edhe neve që ta zbatojmë, siç thuhet në suren Huxhurat: “O ju që keni besuar! Mos dilni para Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.”[6]
Një tjetër aspekt i marrjes së engjëjve si shembull është dërgimi i salavateve për Profetin (a.s) dhe shpeshtimi i tyre. Allahu (xh.sh) thotë: “Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë salavate për Profetin. O ju që keni besuar, dërgoni salavate për të dhe përshëndeteni me selam të plotë!”[7]
Prej udhëzimit profetik është se ne duhet t’i marrim engjëjt si shembull gjatë rreshtimit për namaz. Xhabiri ibn Semure (r.a)) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “A nuk rreshtoheni ashtu siç rreshtohen engjëjt para Zotit të tyre?” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut, si rreshtohen engjëjt para Zotit të tyre?” Ai u përgjigj: “I plotësojnë rreshtat e parë dhe qëndrojnë ngjitur me njëri-tjetrin në rresht.”[8]
Kalojmë tani te një aspekt tjetër i rëndësishëm i të drejtave të engjëjve: të mbajmë qëndrim besnik ndaj të gjithë engjëjve, pa përjashtuar asnjërin prej tyre. Në kuptimin e saj themelor, besnikëria ndaj dikujt lidhet me dashurinë dhe përkrahjen.
Arsyeja përse kjo besnikëri theksohet shprehimisht është se disa tradita të lashta fetare, si judaizmi, kanë bërë dallime ndërmjet engjëjve dhe kanë mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj tyre. Kështu, ata e konsideruan Xhibrilin (a.s) armik.
Në jetëshkrimin e Profetit (a.s), të përcjellë nga Ibn Is’haku, thuhet se një grup rabinësh hebrenj erdhën te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe zhvilluan me të një bisedë të gjatë. Gjatë saj, Profeti (a.s) i pyeti: “Ju kërkoj në emër të Allahut dhe të marrëdhënies së Tij me bijtë e Israilit: A e dini se ai është Xhibrili, i cili vjen tek unë? Ata u përgjigjën: “Po, për Allahun! Por, o Muhamed, ai është armiku ynë. Ai është engjëll që sjell ashpërsi dhe derdh gjak. Sikur të mos ishte kështu, do të të pasonim.” Atëherë Allahu (xh.sh) shpalli këto ajete: “Thuaj: “Kushdo që është armik i Xhibrilit, le ta dijë se ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde, me lejen e Allahut, si vërtetues të Shkrimeve të mëparshme, si udhërrëfyes dhe si përgëzim për besimtarët. Kushdo që është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, le ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve.”[9]
Nga kjo kuptojmë se dashuria dhe besnikëria ndaj të gjithë engjëjve janë ndër të drejtat e detyrueshme që duhet të përmbushim dhe që nuk lejohet t’i shpërfillim.
Këto janë disa nga të drejtat që çdo besimtar duhet t’i ketë vazhdimisht parasysh. Për përmbushjen e tyre, ai shpërblehet dhe merr sevape, nëse i zbaton dhe i vë në jetë siç duhet, veçanërisht ato që lidhen me marrjen e engjëjve si shembull për t’u ndjekur. Shpërblimin për këtë do ta shohë nga Zoti i tij në Ditën e Gjykimit. Allahu është Ai që jep suksesin dhe udhëzon drejt asaj që është e drejtë.
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu dhe Muslimi.
[2] – Sure Nisa: 136.
[3] – Sure Bekare: 32.
[4] – Sure Sebe: 41.
[5] – Sure Enbija: 27.
[6] – Sure Huxhurat: 1.
[7] – Sure Ahzab: 56.
[8] – Muslimi.
[9] – Sure Bekare: 97 – 98.



















