A e kthen tesbihu kaderin?
Lexova diçka që ma tërhoqi vëmendjen dhe desha të ta tërheq edhe ty, nëse e përfundon leximin e asaj që vijon, ndërkohë që ne shpesh jemi të pavëmendshëm.
E ndoqa temën e tesbihut në Kuran dhe gjeta diçka të mrekullueshme: gjeta se tesbihu e kthen kaderin, si në historinë e Junusit (a.s). Allahu i Lartësuar thotë: “Po të mos ishte ai prej atyre që e madhërojnë (Allahun), do të qëndronte në barkun e tij deri në Ditën kur do të ringjallen.”[1] Tesbihu që Junusi (a.s) bëri ishte: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje, i Lartësuar je Ti! Vërtet, unë kam qenë prej zullumqarëve.”[2]
Tesbihu është përmendja që e përsërisnin malet dhe shpendët me Davudin (a.s). Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe i nënshtruam me Daudin malet që bënin tesbih dhe shpendët.”[3]
Tesbihu është përmendja e të gjitha krijesave. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e sheh se Allahun e madhërojnë të gjithë ata që janë në qiej dhe në tokë?”[4]
Kur Zekerijja (a.s) doli nga mihrabi i tij, e urdhëroi popullin e vet për tesbih, Allahu i Lartsuar thotë: “Doli para popullit të tij nga mihrabi dhe u dha shenjë atyre që ta madhëronin (Allahun) në mëngjes e në mbrëmje.”[5]
Edhe Musa (a.s) iu lut Zotit të tij që ta bënte vëllanë e tij Harunin ministër për ta ndihmuar në tesbih dhe përkujtim. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe më bëj një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim. Forcoje me të shpinën time dhe bëje pjesëmarrës në çështjen time, që të të madhërojmë shumë dhe të të përmendim shumë.”[6]
Ajo që unë gjeta për tesbihun është fakti se ajo është përmendja e banorëve të Xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Lutja e tyre aty do të jetë: I Lartësuar je Ti, o Allah! dhe përshëndetja e tyre aty është: Selam!”[7]
Tesbihu është edhe përmendja e melaikeve. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe melaiket e madhërojnë me falënderim Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në tokë.”[8]
Vërtet, tesbihu ka një pozitë madhështore dhe ndikim të thellë, deri në atë masë sa Allahu me të e ndryshoi kaderin, siç ndodhi me Junusin (a.s).
O Allah, na bëj prej atyre që të madhërojnë shumë dhe të përmendin shumë.
“I Lartësuar qoftë Allahu dhe me falënderimin e Tij, sa numri i krijesave të Tij, sa kënaqësia e Tij, sa pesha e Arshit të Tij dhe sa boja e fjalëve të Tij.”
Tesbihu dhe kënaqësia shpirtërore
Këto dy dukuri (tesbihu dhe kënaqësia shpirtërore) nuk kanë qenë të lidhura qartë në mendjen time, por më kaloi një ajet nga Libri i Allahut sikur ma zbuloi sekretin e këtij kuptimi dhe se si tesbihu gjatë gjithë ditës bëhet shkak për kënaqësi shpirtërore.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe madhëroje me falënderim Zotin tënd para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij; dhe gjatë orëve të natës madhëroje, si dhe në skajet e ditës, që të arrish kënaqësinë.”[9]
Vëre si tesbihu e përfshin tërë ditën: para lindjes, para perëndimit, gjatë natës, në fillim e në fund të ditës. Çfarë mbetet nga dita që ky ajet të mos e ketë përfshirë me nxitjen për tesbih? Dhe kënaqësia në këtë ajet është e përgjithshme, në këtë botë dhe në botën tjetër.
Po ashtu, në fund të sures Hixhr thuhet: “Ne e dimë se gjoksi yt ngushtohet nga ajo që thonë ata. Prandaj madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe bëhu prej atyre që bëjnë sexhde!”[10]
Shiko si ky ajet madhështor na udhëzon drejt ilaçit me të cilin shërohet ngushtica e gjoksit dhe antidotit me të cilin qetësohen shpirtrat.
Ndër informacionet më të mahnitshme që na ka dhënë Kurani është se ne jetojmë në një botë që gumëzhin nga tesbihu:
Në suren Ra’d, Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe bubullima e madhëron me falënderim.”[11]
Në suren Enbija, Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe i nënshtruam me Davudin malet që bënin tesbih dhe shpendët.”[12]
Në suren Isra, Allahu i Lartësuar thotë: “E madhërojnë Atë qiejt dhe toka dhe kush është në to; nuk ka asgjë që të mos e madhërojë me falënderim, por ju nuk e kuptoni tesbihun e tyre.”[13]
I Lartësuar je Ti, o Zot! Tani e kuptojmë sa shumë çaste të jetës na kanë kaluar kot, pa i shfrytëzuar me tesbih!
Allahu na bëftë mua dhe juve, të dashur, prej atyre që e madhërojnë shumë Allahun. Amin.
Përçojeni te të dashurit tuaj dhe shumëfishoni shpërblimet tuaja; në regjistrat tuaj do të jetë tesbihu juaj dhe tesbihu i tyre, me lejen e Allahut.
Allahu i bëftë të lumtura kohët tuaja me përmendjen e Tij.
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Saffat: 143 – 144.
[2] – Sure Enbija: 87.
[3] – Sure Enbija: 79.
[4] – Sure Nur: 41.
[5] – Sure Merjem: 11.
[6] – Sure Taha: 29 – 34.
[7] – Sure Junus: 10.
[8] – Sure Shura: 5.
[9] – Sure Taha: 130.
[10] – Sure Hixhr: 97 – 98.
[11] – Sure Ra’d: 13.
[12] – Sure Enbija: 79.
[13] – Sure Isra: 44.



















