Kush lexon suren “Enbija” dhe mediton në thesaret e saj, do të gjejë se Allahu i Lartësuar i është përgjigjur lutjeve të Profetëve.
Le të lexojmë së bashku këto ajete, pastaj të themi sekretin e përgjigjes së lutjeve të tyre.
Ja se çfarë thotë Allahu i Lartësuar në një sërë ajetesh:
“(Përkujto) Edhe Nuhun kur më parë – pat thirrur (Zotin) e Ne ia pranuam atij (edhe lutjen) e atë dhe familjen e tij e shpëtuam nga ai tmerri i madh.”[1]
“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit! Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.”[2]
“(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësira ai tha se: Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejt vetes! Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.”[3]
“(Përkujto) Edhe Zekirijain kur e luti Zotin e vet: Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues. Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjain dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij.”[4]
Me të drejtë, pas leximit të këtyre ajeteve kuranore na lind një pyetje: Cili është shkaku i përgjijgjes së lutjes së Profetëve?
Menjëherë pas këtyre ajeteve, Allahu i Lartësuar e tregon shkakun e përgjigjes së lutjeve të tyre duke thënë:“Ata përpiqeshin për punë të mira, luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, e ishin respektues ndaj Nesh.”[5]
Kështu pra, përpiqu të bësh gjithmonë punë të mira, lute Allahun duke shpresuar dhe duke u frikësuar, e ji respektues i ligjeve të Allahut në çdo moment, në mënyrë të atillë që Allahu i Lartësuar t’i përgjigjet lutjes tënde.
Autor: Ismail Kibsi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Enbija: 76.
[2] – Sure Enbija: 83 – 84.
[3] – Sure Enbija: 87 – 88.
[4] – Sure Enbija: 89 – 90.
[5] – Sure Enbija: 90.