Nga Xhafer ibn Burkan, nga Mejmun ibn Mihran, transmetohet se ka thënë: “Ka tri gjëra në të cilat besimtari dhe jobesimtari janë të barabartë: amaneti, që duhet t’ia kthesh atij që ta ka besuar, qoftë mysliman apo jobesimtar; mirësjellja ndaj prindërve; dhe përmbushja e marrëveshjes ndaj atij me të cilin ke lidhur besë, qoftë mysliman apo jobesimtar.”[1]
Këto janë vlerat mbi të cilat ngrihet njerëzimi në format e tij më të larta, sepse ato u takojnë të gjithë njerëzve pa marrë parasysh fenë, ngjyrën apo gjininë e tyre.
Rëndësia e të drejtave njerëzore në peshoren e Islamit
Islami nuk e mohon jomyslimanëve të qënurit njerëz si edhe myslimanët, përkundrazi, ua garanton të drejtat e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftojnë për shkak të fesë dhe nuk ju dëbojnë nga shtëpitë tuaja. Vërtet, Allahu i do të drejtët.”[2]
Të drejtat njerëzore janë manifestim i objektivave universal themelore të Sheriatit islam, pasi Sheriati përcakton se morali i lartë në shoqëri është para së gjithash detyrim njerëzor dhe nuk kufizohet vetëm brenda përkatësive fetare.
Po ashtu, ato theksojnë rëndësinë e kuptimit të drejtë të universalitetit dhe drejtësisë së Islamit, i cili nuk bën dallim mes njerëzve mbi bazën e fesë apo bindjes, por i bashkon ata në kuadër të vlerave të përbashkëta.
Këto të drejta gjithashtu tregojnë refuzimin e Islamit ndaj shumë koncepteve të gabuara dhe ideve të shtrembëruara që e kufizojnë moralin në rrethe të ngushta e të kufizuara. Islami refuzon gjithashtu që marrëdhënia ndërmjet myslimanit dhe tjetrit të ndërtohet mbi konfliktin dhe armiqësinë.
1 – Kthimi i amanetit myslimanit dhe jobesimtarit
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni zotëruesve të tyre.”[3]
Ky ajet përmban thirrjen për kthimin e amaneteve tek pronarët e tyre, pa bërë dallim nëse janë myslimanë apo jomyslimanë. Amaneti është virtyt me të cilin urdhërohet çdo mysliman në raport me të gjithë njerëzit.
I Dërguari i Allahut (a.s) njihej mes njerëzve si “Besniku i sinqertë”. Një nga shembujt e amanetit të tij me myslimanët dhe jomyslimanët është ajo që ka përmendur Ibn Hishami në biografinë profetike: gjatë hixhretit për në Medinë, Profeti (a.s) i kërkoi Ali ibn Ebi Talibit (r.a) të flinte në shtratin e tij dhe të qëndronte pas tij në Mekë derisa t’u kthente njerëzve amanetet që ndodheshin tek ai. Në Mekë nuk kishte njeri që kishte diçka të çmuar dhe kishte frikë për të, veçse e linte tek Profeti (a.s), për shkak të besnikërisë dhe sinqeritetit të tij.”[4]
Në Musnedin e Ahmedit transmetohet me zinxhir “Hasen” nga Safuan ibn Umejje (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) huazoi prej tij disa mburoja në ditën e Hunejnit. Safuani tha: “A po i merr me forcë, o Muhamed?” Ai (a.s) u përgjigj: “Jo, por si hua e garantuar.” Kur disa prej tyre humbën, Profeti (a.s) i ofroi kompensim, por Safuani tha: “O i Dërguari i Allahut, sot unë kam dëshirë më të madhe për Islamin.”
2 – Mirësjellja ndaj prindërve, qofshin myslimanë apo jobesimtarë
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun të sillet mirë me prindërit e tij. Nëna e ka bartur me mundim pas mundimi dhe ndarja e tij nga gjiri bëhet për dy vjet. Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj prindërve të tu, sepse tek Unë është kthimi. Por nëse ata përpiqen të të bëjnë të më shoqërosh Mua diçka për të cilën ti nuk ke dije, atëherë mos iu bind atyre, por shoqëroji në këtë botë me mirësi.”[5]
Këto ajete theksojnë se respekti dhe mirësia ndaj prindërve, qofshin myslimanë apo jobesimtarë, janë të urdhëruara në Islam.
Ato sqarojnë edhe mënyrën e realizimit të kësaj mirësie: duke ua përmbushur të drejtat, duke treguar dashuri dhe bamirësi ndaj tyre, por pa iu bindur në mëkat. Myslimani duhet gjithashtu t’i ftojë prindërit e tij tek Allahu me urtësi dhe butësi. Shembulli më i mirë në këtë drejtim është profeti Ibrahim (a.s) për të cilin Allahu thotë: “Dhe përmende në Libër Ibrahimin. Ai ishte njeri shumë i sinqertë dhe profet. Kur i tha babait të tij: “O babai im, përse adhuron atë që nuk dëgjon, nuk sheh dhe nuk të sjell asnjë dobi?…”[6]
Megjithëse babai i tij e kërcënoi dhe e refuzoi, Ibrahimi (a.s) iu përgjigj me butësi: “Paqja qoftë mbi ty! Do t’i kërkoj Zotit tim falje për ty.”[7]
3 – Përmbushja e marrëveshjeve me myslimanin dhe jobesimtarin
Allahu i Madhëruar thotë: “Përmbusheni besën e Allahut kur të lidhni marrëveshje dhe mos i prishni betimet pasi i keni forcuar ato.”[8] Po ashtu thotë: “Dhe përmbusheni marrëveshjen, sepse për marrëveshjen do të jepet llogari.”[9] Dhe gjithashtu: “O ju që besuat! Përmbushni kontratat.”[10]
Këto ajete tregojnë qartë se përmbushja e marrëveshjeve është detyrim pa bërë dallim ndërmjet myslimanit dhe jomyslimanit.
Një nga cilësitë e Profetit (a.s) ishte se ai gjithmonë e mbante fjalën dhe nuk tradhtonte, madje as me jomyslimanët. Për këtë dëshmuan edhe politeistët. Në hadithin e transmetuar nga Ibn Abasi, Ebu Sufjani tregoi bisedën e tij me Herakliun, ku ky i fundit e pyeti për Profetin (a.s): “A tradhton ai?” Ebu Sufjani u përgjigj: “Jo.”
Përmbushja e marrëveshjeve nuk ishte vetëm cilësi e Profetit (a.s), por ai edukoi edhe shokët dhe umetin e tij me këtë moral, duke i paralajmëruar nga tradhtia dhe thyerja e besës.
Në Sunenin e Nesaiut dhe Ibn Maxhes transmetohet me zinxhir “Sahih” nga Amr ibn el-Hamik el-Huzaij se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i jep siguri një njeriu për jetën e tij dhe pastaj e vret, ai do të mbajë flamurin e tradhtisë Ditën e Kiametit.”
Ndërsa në Sahihun e Ibn Hibbanit transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që i jep siguri një njeriu për jetën e tij e më pas e vret, unë jam i pastër prej vrasësit, edhe nëse i vrari është jobesimtar.”
Ndër zbatimet bashkëkohore më të rëndësishme të përmbushjes së marrëveshjeve me myslimanët dhe të tjerët janë: respektimi i kontratave tregtare, respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe shmangia e tradhtisë ndaj kundërshtarëve, edhe në rast mosmarrëveshjesh, përderisa ata vetë nuk e prishin marrëveshjen.
Aspektet qytetëruese të garantimit të të drejtave njerëzore për myslimanin dhe jomyslimanin janë:
Krijimi i besimit ndërmjet njerëzve.
Sundimi i drejtësisë në shoqëri.
Realizimi i bashkëjetesës paqësore.
Refuzimi i thirrjeve për urrejtje dhe përplasje.
Burimi: mugtama.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – “Hiljetul Eulijai” fq: (4/87).
[2] – Sure Mumtehine: 8.
[3] – Sure Nisa: 58.
[4] – “Siretu Ibn Hisham” fq: (1/485).
[5] – Sure Lukman: 14 – 15.
[6] – Sure Merjem: 41 – 46.
[7] – Sure Merjem: 47.
[8] – Sure Nahl: 91.
[9] – Sure Isra: 34.
[10] – Sure Maide: 1.



















