Nëse një person i le ato (vaxhivatet) qëllimisht, namazi I tij bëhet i pavlefshëm, mirëpo nëse një person harron një nga Uaxhibet e namazit, ai nuk e përsërit rekatin, por në fund të namazit bën dy Sexhde Sehui.
Vaxhibatet e namazit janë:
1- Thënia “all`llahu ekber”: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk është i plotë namazi i dikujt, përderisa nuk merr abdes siç duhet dhe nuk thotë: “All`llahu Ekber”[1] Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të ngrihesh për t`u falur, merr abdes dhe kthehu nga Kibla, më pas thuaj “All`llahu Ekber”[2]
2- Leximi i sures Fatiha: Ubadeh Ibn Samit (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk lexon në të suren Fatiha”[3]
3- Leximi i një sureje pas Fatihasë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka namaz për atë person, i cili nuk lexon Fatihanë dhe një sure tjetër në namazin Farz dhe në namazet e tjera”[4]
Jezid El Fakir thotë: “E dëgjova Xhabir Ibn Abdullahun (r.a) duke lexuar në dy rekatet e para Fatihanë dhe një sure, kurse në dy rektet e fundit vetëm Fatihanë. I thashë: “A nuk kemi thënë, se nuk ka namaz pa Fatiha? A mos duhet të shtojmë edhe sure të tjera”? Xhabiri (r.a) tha: “Nuk ka më tepër se kjo që bëra unë”. Bejhakiu thotë: “Këtë gjë e kemi përcjellë edhe nga Aliu, Aishja dhe Ibn Mes’udi (r.a)”
4- Leximi i sures në dy rekatet e para: Ebi Katade (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) lexonte Fatihanë bashkë me një sure në dy rekatet e para, kurse në dy rekatet e fundit lexonte vetëm Fatihanë”[5]
Ebu Said Khuderiu (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na ka urdhëruar që të lexojmë suren Fatiha dhe çfarë të na vijë më lehtë nga suret e tjera”[6]
5- Plotësimi i rukusë dhe i sexhdes: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Plotësoni rukunë dhe sexhden. Pasha Allahun unë ju shikoj edhe pas shpine, nëse nuk plotësoni sexhden dhe rukunë tuaj”[7]Ebu Katade (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Më i keqi i njerëzve është ai që vjedh namazin e tij”. E pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Si e vjedh njeriu namazin e tij”? Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Nuk plotëson rukunë dhe sexhden”[8]I Dërguari i Allahut (a. s) ka thënë: “Allahu i Madhëruar nuk e shikon namazin e atij, që nuk drejton kurrizin në ruku dhe sexhde”[9]I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të bësh sexhden, vendos pëllëmbët e duarve në tokë dhe ngriji bërrylat”[10]
Enes ibn Maliku (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Drejtojeni trupin në sexhde dhe mos i shtrini krahët në tokë, ashtu siç vepron qeni”[11]
6- Qetësimi në namaz: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ishte në xhami, kur një burrë u fut dhe u fal. Më pas ai i dha selam të Dërguarit të Allahut (a.s). I Dërguari i Allahut (a.s) ia ktheu selamin dhe i tha: “Kthehu falu, pasi nuk je falur (siç duhet)”. Ai u kthye dhe u fal, më pas erdhi tek i Dërguari I Allahut (a.s) dhe i dha selam. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha përsëri: “Kthehu falu, pasi ti nuk je falur siç duhet”. Kjo ndodhi tre herë. Më pas personi tha: “Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, unë nuk mund të falem më mirë, prandaj më mëso”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Kur të ngrihesh për namaz, merr tekbir, pastaj lexo çfarë të të vijë më lehtë nga Kurani, bjer në ruku dhe qetësohu në të, pastaj ngrihu nga rukuja derisa të drejtohesh, pastaj bjer në sexhde dhe qetësohu në të, pastaj ngrihu nga sexhdeja dhe qetësohu në ulje. Këto veprime bëji në të gjithë namazin”[12]
Duke u bazuar në këtë hadith, imam Ebu Jusufi thotë, se qetësimi në të gjitha pozicionet e namazit, si: në ruku, ngritja prej saj, në sexhde etj është uaxhib për namazliun, ndërsa Ebu Hanife dhe Muhamedi janë të mendimit, se qetësimi në të gjitha këto është sunet i fortë. Dihet se suneti i fortë tek dijetarët e medh`hebit hanefi, në praktikë është uaxhib.
7- Bërja e sexhdes me shtatë pjesë të trupit: Ibn Abasi (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Jam urdhëruar të bëj sexhde me shtatë gjymtyrë: me ballë (dhe bëri shenjë edhe nga hunda), me pëllëmbët e duarve, me gjunjë, me majat e gishtave dhe jam urdhëruar që të mos i tërheq rrobat (gjatë rënies në sexhde) dhe të mos i lidh flokët”[13]
8- Vendosja e hundës në tokë gjatë sexhdes: Ibn Abasi (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk i vlen namazi atij personi, i cili nuk e vendos hundën bashkë me ballin e tij në tokë”[14] EbuXhuhajfe (r.a) thotë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke e vendosur hundën në tokë, ashtu siç vendoste ballin”[15]
9- Ulja mes dy sexhdeve: Ebu Humejd Sadiu (r.a) e përshkruan namazin e të Dërguarit të Allahut (a.s) duke thënë: “Më pas i Dërguari i Allahut (a.s) ra në sexhde duke thënë “All`llahu ekber”, u ngrit dhe hapi gishtërinjtë e këmbës, e ngriti (drejtoi) këmbën e majtë dhe u ul në të, u drejtua derisa çdo gjymtyrë u kthye në vendin e saj”[16] Ky qëndrim është ulja kur kryen dy sexhde për çdo rekat.
10- Ulja e parë (pas dy rekatesh) nëse namazi ka 3 apo 4 rekate: Rifa’ate IbnRafia (r.a) tregon fjalët, që i Dërguari i Allahut (a.s) i tha atij që u fal keq: “Kur të ulesh në mes të namazit tënd, shtrije këmbën e majtë dhe thuaj teshehudin…”[17]
Abdullah Ibn Buhajneh (r.a) thotë: “Një ditë i Dërguari i Allahut (a.s) fali dy rekate të disa namazeve (4 rekatëshe) dhe u ngrit pa u ulur në Teshehud, prandaj edhe njerëzit u ngritën bashkë me të. Ata pritën që ai të jepte selam, mirëpo i Dërguari i Allahut bëri dy sexhde (sehui, sexhde harrese) para selamit dhe më pas dha selam”[18]
11- Thënia e fjalëve të Teshehudit: Semurah (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na urdhëronte, që kur të jemi në mes të namazit apo në fund të tij, para se të japim selam, të fillojmë me Et`tehijatun”[19]
Ibn Mes’udi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të uleni mes dy rekateve, thoni Et`tehijatun (teshehudin)”[20]
12- Selami në të dy krahët: Ibn Mes’udi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) jepte selam nga e djathta dhe nga e majta, duke thënë:“es selamu alejkum ue rahmetull`llah”[21]
13- Leximi me zë në namazet që lexohet me zë dhe leximi pa zë në namazet që lexohet pa zë: Ata ibn Rabbah tregon, se Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Ne lexojmë në namaz atë që ka lexuar i Dërguari i Allahut (a.s). Nëse ai (a.s) lexonte me zë, edhe ne ju lexojmë juve me zë e nëse ai lexonte pa zë, edhe ne ju lexojmë juve pa zë”[22]
Ebu Muamar thotë: “E pyetëm Hab`bab Ibn Eret (r.a): “A lexonte Kuran I Dërguari i Allahut (a.s) në namazin e Drekës dhe Ikindisë”? Ai tha: “Po”. E pyetëm: “Po si e dallonit”? Ai tha: “Nga lëvizja e mjekrës”[23]
Nëse imami është duke falur namazin e Sabahut, dy rekatet e para të Akshamit dhe dy rekatet e para të Jacisë, namazin e Xhumasë dhe namazin e Bajramit, ai e lexon me zë suren Fatiha dhe suret e tjera. Leximi i sureve me zë në këto namaze është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (a.s). Kurse namazi i Drekës dhe Ikindisë, si dhe rekati i fundit i Akshamit dhe rekatet e fundit të Jacisë lexohen pa zë. Ibn Shihabi thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ka bërë traditë që në dy rekatet e para të Sabahut të lexohet me zë, në dy rekatet e para të Drekës të lexohet Fatihaja bashkë me një sure në heshtje, ndërsa në dy rekatet e fundit të lexohet vetëm Fatihaja po përsëri në heshtje. Në namazin e Ikindisë veprohet njësoj si për namaz Dreke. Në dy rekatet e para të namazit të Akshamit, për çdo rekat lexohet Fatihaja dhe një sure me zë, ndërsa në rekatin e fundit lexohet vetëm Fatihaja por në heshtje. Në namazin e Jacisë, në dy rekatet e para, për çdo rekat lexohet Fatihaja dhe një sure me zë, ndërsa në dy rekatet e fundit, për çdo rekat lexohet Fatihaja pa zë. Kur
imami lexon, pasuesi hesht dhe dëgjon atë që këndon imami, askush nuk duhet të lexojë bashkë me imamin. Teshehudi thuhet në namaze, atëherë kur imami ulet pas dy rekateve të para, ndërsa xhemati qëndron pas tij”
Nëse personi nuk është imam, nuk lexon pasi i mjafton leximi i imamit. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni”[24]
Ibn Abasi (r.a), Ebu Hurejra (r.a) dhe një grup i madh mufesirësh (komentuesish Kurani) thonë: “Ky ajet ka zbritur posaçërisht për namazin, sepse sahabët lexonin pas të Dërguarit të Allahut (a.s) në namaz, derisa zbriti ky ajet”
Ebu Hurajra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imami është bërë për t`ju plotësuar juve namazin, prandaj kur ai të lexojë, ju heshtni”[25] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush është lidhur pas imamit, leximi i imamit mjafton edhe për të”[26]Ebu Uaili tregon, se një person e pyeti Abdullah ibn Mesudin (r.a): “A të lexoj pas imamit në namaz”? Abdullahu i tha: “Namazi kërkon përkushtim. Ty të mjafton leximi i imamit”.(520)
Kjo vlen për imamin, ndërsa kur personi falet vetëm, ai është i lirë të zgjedhë mes leximit me zë dhe leximit pa zë. Mirëpo më e mira është që namazliu të lexojë me zë.
14- Sexhdja e harresës/korrigjimit: Abdullahu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush dyshon në namazin e tij, le të zgjedhë më të saktën dhe le ta plotësojë namazin e tij, le të japë selam dhe më pas të bëjë dy sexhde”[27] Sexhdja e harresës [Sexhde Sehui] korrigjon dhe rregullon gabimet që bëhen gjatë faljes së namazit. Nëse një person harron një veprim, që është rukn në namaz, apo veprim që është Uaxhib, atëherë dy sexhdet janë uaxhib për t’u bërë. Nëse gabimi është në veprime sunete të namazit, atëherë edhe Sexhdja Sehui është sunnet.
15- Sexhdja e tilavetit – ajeteve që përmbajnë sexhde: Ebu Rafia thotë: “Kemi falur namazin e Jacisë me Ebu Hurejran (r.a). Ai lexoi suren ‘Inshikak” dhe gjatë leximit ra në sexhde. Pas namazit i thashë atij: “Ç`është kjo sexhde”? Ai tha: “Kam rënë në sexhde pas Ebu Kasimit (a.s) dhe do ta vazhdoj këtë sexhde, derisa ta takoj atë (a.s)”[28]
16- Ndjekja e imamit në veprime përveç leximit: Enes Ibn Malik (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imami është vendosur për të plotësuar namazin. Kur falet në këmbë, faluni edhe ju në këmbë, kur bie në ruku, bini edhe ju në ruku, kur të ngrihet nga rukuja, ngrihuni edhe ju me të, kur të thotë “Semia All`llahu limen hamideh”, thoni “Rab`bena ue lekel hamdu”, kur ai të ulet, uluni edhe ju me të”[29]
Bera ibn Azib (r.a) thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) ngrihejnga rukuja, thoshte: “Semia All`llahu limen hamideh”. Më pas ne qëndronim të gjithë në këmbë, derisa ai (Paqja qoftë mbi të) vendoste fytyrën në sexhde dhe pastaj ne binim në sexhde pas tij (Paqja qoftë mbi të)”
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Taberaniu. Hadithi është i saktë.
[2] – Buhariu dhe Muslimi.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.
[5] – Buhariu dhe Muslimi.
[6] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[7] – Buhariu dhe Muslimi.
[8] – Ibn Hibani. Hadithi është i saktë.
[9] – Ahmedi. Hadithi është i saktë.
[10] – Muslimi.
[11] – Buhariu dhe Muslimi.
[12] – Buhariu dhe Muslimi.
[13] – Muslimi.
[14] – Darakutni. Hadithi është i saktë.
[15] – Tabareniu. Hadithi është i dobët, pork a dëshmi përforcuese.
[16] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[17] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[18] – Buhariu dhe Muslimi.
[19] – Ebu Daudi. Hadithi është i dobët.
[20] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[21] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[22] – Buhariu dhe Muslimi.
[23] – Buhariu.
[24] – Sure A’raf: 204.
[25] – Buhariu dhe Muslimi.
[26] – Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.
[27] – Buhariu dhe Muslimi.
[28] – Buhariu dhe Muslimi.
[29] – Buhariu dhe Muslimi.



















