Bisedë me ftohtësinë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ndërkohë që po hidhja hapat krejt i qetë në rrugë, ma tërheq vëmendjen zëri i një konflikti. Pasi u sigurova nga burimi i zërave, renda me vrap në vendin e ngjarjes ku dallova dy burra duke u zënë me njëri-tjetrin.

U orvata të ndërhyj, por nuk pata sukses. Sakaq, një burrë i tretë që ishte bashkë me ta, qëndronte pranë tyre duke i parë. Unë iu afrova dhe e pyeta: “Kush janë këta të dy?!”

Ai mu përgjigj: “Ky këtu është entuziazmi, ndërsa ai tjetri është ftohtësia.”

Unë e pyeta: “Po përse zihen?”

Mu përgjigj: “S’di ç’të them, por dëgjoji çfarë thonë!”

Ftohtësia: “Ç’ke që më akuzon?”

Entuziazmi: “Unë s’po të akuzoj, thjesht po them të vërtetën.”

Ftohtësia: “Kjo është akuzë. Ti pretendon se unë i ftoh ftuesit dhe i largoj nga ftesa.”

Entuziazmi: “Po, këtë të thashë dhe sipas meje, kjo është e vërtetë.”

Në atë çast, ndërhyn ftuesi dhe u thotë: “Mos u ngatërroni! Nëse ky është shkaku që po ziheni, le ta diskutojmë me objektivitet këtë çështje!” Mandej shtoi: “Uluni bashkë me mua dhe më lejo o Entuziazëm, të debatoj pak me Ftohtësinë.”

Entuziazmi: “Urdhëro!”

Ftuesi i drejtohet Ftohtësisë dhe i thotë: “Cilat janë shkaqet e ftohtësisë tek ftuesit?”

Ftohtësia: “Shkaqet janë të shumta, por mund të përmblidhen në shkaqe ftese, besimi dhe shpirtërore.”

Ftuesi: “Mirë. Shkaqet e besimit e dimë që janë: Ekstremizmi, harresa e vdekjes, neglizhimi i veprave të mira çdo ditë, shpërdorimi i gjërave të lejuara dhe rendja pas karrierës dhe kënaqësive të kësaj bote. Po ashtu, dimë që shkaqet e ftesës janë: Dobësimi i aspektit edukativ, kur ftuesit nuk vendosen në vendin e përshtatshëm, konfliktet e brendshme dhe mungesa e ndjekjes së tij. Të gjithë ne i dimë këto, prandaj, ç’mendon sikur të na flasësh për shkaqet shpirtërore?”

Ftohtësia: “Shkaqet shpirtërore janë shkaqet më të rrezikshme që e ftohin Thirrësin nga rruga që ka zgjedhur. Kjo, pasi ai nuk e kupton sa i dobët është, veçse pasi të ketë kaluar një periudhë kohe.”

Ftuesi: “E si ndodh kjo?”

Ftohtësia: “Eh, sëmundja për shembull, hyn tek shkaqet shpirtërore. Nëse ftuesi sëmuret nga një sëmundje kronike, e cila e detyron të zërë shtratin, ai mësohet me rehatinë dhe qëndrimin në shtëpi. Kështu, edhe pasi të shërohet, ai preferon rehatinë.

Por, sëmundja mund ti shkaktojë dhe komplekse dhe vesvese, të cilat e largojnë nga aktiviteti i përditshëm për shkak të dyshimeve patologjike që ka.”

Entuziazmi: “Është hera e parë që më dëgjojnë veshët diçka të tillë.”

Ftuesi: “A nuk të thashë ta diskutojmë këtë çështje me objektivitet?”

Entuziazmi: “Ashtu është.”

Ftuesi: “Tani, na thuaj nëse ka shkaqe të tjera!”

Ftohtësia: “Po, është joshja dhe tundimi. Ftuesit në rrugë të Zotit janë të ekspozuar ndaj karrierës, pasurisë, banesës, femrave, makinave luksoze, famës etj…

Kur gjendet para tundimeve të tilla, ftuesi i thotë vetes: Të gjithë kolegët e mi kanë rënë pre e këtyre tundimeve dhe të gjithë i lëvdojnë. E përse u dashka që unë si ftues, të heq dorë?!” Kështu, këto biseda me veten shpeshtohen dhe shndërrohen në një kazmë shkatërrimi shpirtërore.”

Entuziazmi: “Në fakt, kjo ndodh shpesh.”

Ftohtësia: “Më lër ta mbaroj fjalën! Shkaku i tretë, është jeta luksoze, gjë e  cila haset rëndom në shtresat aristokrate. Ndodh që ftuesi të ketë lindur dhe të jetë rritur me të gjitha të mirat, me stil jetese të lartë, me ushqime të llojllojshme, etikë komunikimi të caktuar, veshje të shtrenjta etj. Më vonë, ata angazhohen me çështjet e ftesës, ku konstaton se shumë gjëra bien ndesh me formimin e tij. Në shtëpi, fjala nuk i kundërshtohej, sakaq në udhën e ftesës dikush e këshillon, një tjetër e saktëson, një i tretë e kundërshton. Në shtëpi, ai është mësuar me shërbëtorë, sakaq në ftesë duhet tu shërbejë vëllezërve të tij. Ai fillon të flasë me veten dhe më pas mban qëndrime individuale, gjë e cila ndikon në kontributin e tij.”

Ftuesi gjithë entuziazëm: “Po…po.. Unë njoh një vëlla i cili u ftoh nga ftesa për këtë arsye.”

Ftohtësia: “Unë po të tregoj realitetin, pasi jam eksperte e atyre që ftohen nga ftesa”.

Sakaq, shkaku i katërt, ka të bëjë me emocionet. Për këtë, do të sjell dy shembuj:

I – Kur edukuesi e trajton keq ftuesin, i cili nga ana e tij zemërohet dhe mban qëndrim. Kjo bën që atij ti dobësohet dhe ftohet vendosmëria.

II – Kur vonohet ndihma dhe triumfi. Në këtë rast, ftuesi fillon të bëjë analiza emocionale dhe flet me veten, derisa ta pranojë gjendjen dhe ti dorëzohet asaj. Kjo bëhet shkak që ai të ftohet me aktivitetin e ftesës, pasi mendon se nuk ia vlen.”

Entuziazmi: “Fjalët që sapo the janë të drejta, por unë doja të shtoj dhe një shkak të pestë, i cili ka të bëjë me sprovën. Me këtë, dua të them që shumë ftues janë torturuar, arrestuar, u janë konfiskuar pasuritë, janë akuzuar dhe ofenduar, janë përndjekur dhe syrgjynosur, janë lënë pa ngrënë, janë poshtëruar, janë kërcënuar me ekzekutimin e familjarëve, përdhunim të bashkëshorteve etj… gjë e cila ka ndikuar në gjendjen e tyre psikologjike, e për rrjedhojë janë ftohur nga ftesa.”

Ftohtësia: “Ashtu është, edhe ky është shkaku i pestë.”

Ftuesi: “Kam një pyetje të cilës nuk po i jap dot përgjigje. Teksa ti flisje unë po mendoja nëse ftohtësia është një fenomen pozitiv apo negativ?”

Ftohtësia: “Emri im (në arabisht futur) ka dy kuptime:

I pari, ndërprerja totale nga puna dhe angazhimet.

I dyti, plogështia që mbërthen njerëzit herë pas here, por që i kthehen sërish aktivitetit, vendosmërisë dhe angazhimeve të përditshme.

Lidhur me kuptimin e parë, do të thoja se është patologjik, pra negativ.

Kurse lidhur me kuptimin e dytë, them se është diçka normale. Prandaj, Ibnul Kajim El-Xheuzije ka thënë: “Zemrat përjetojnë momente shpërthimi dhe ftohtësi. Prandaj, i shfrytëzoni momentet e shpërthimit dhe hiqni dorë nga momentet e ftohjes.”

Entuziazmi: “Të them të drejtën, Ftohtësia nuk më la vend të flas.”

Ftohtësia: “Po të ishe treguar gjakftohtë që në fillim, nuk do të kishte ndodhur ajo zënkë mes nesh.”

Entuziazmi: “Mos më qorto, pasi entuziazmi është pjesë e natyrës time.”

Ftuesi: “Sido që të jetë, Zoti ua shpërbleftë me të mira.”

Mandej, Ftuesi iu drejtua Entuziazmit dhe i tha: Ky diskutim objektiv, më bëri të kuptoj shkakun e ftohtësisë së disa ftuesve.

Megjithatë, kam një pyetje të fundit lidhur me Entuziazmin edhe pse është një pyetje jashtë kontekstit.

Entuziazmi: “Urdhëro e fol!”

Ftuesi:””Si mund ta kultivojmë Entuziazmin në zemrat e ftuesve, pa i lënë të ftohen kurrë?”

Entuziazmi: “Së pari, duke e kuptuar Islamin si fe gjithëpërfshirëse dhe të vlefshme për njerëzimin.

Së dyti, duke medituar rreth aktualitetit të hidhur, në të cilin jetojmë, si mund ta ndryshojmë dhe reformojë!

Së treti, duke studiuar historinë Islame, e cila i fisnikëron myslimanët e parë.

Së katërti, nevoja akute e njerëzimit për Islamin.

Së pesti, të kuptuarit e Islamit në detaje, gjë e cila nxit novatorizmin dhe gjenialitetin e ftuesit.

Së gjashti, besimi i thellë, i cili është një themel i fortë mbi të cilin qëndron entuziazmi.”

Ftuesi: “Në fakt, këto ishin disa pika shumë të vlefshme. Nëse ato tregojnë diçka, tregojnë për entuziazmin e ekuilibruar.”

Entuziazmi: “Po, e vërtetë është. Entuziazmi është e mesmja e artë mes të qenit i rrëmbyer dhe ftohtësisë. Prandaj, shejh Jusuf Kardavi thotë në një nga librat e tij se: Deri tani, është parë shpenzimi i pasurisë dhe flijimi i jetës si gradat më të larta të besimit, pa u menduar gjatë nëse këto janë dobiprurëse.

Prandaj, vlera e Entuziazmit nuk qëndron tek qëllimi për më shumë sevap. Ky entuziazëm, duhet të bazohet në studim dhe dije, me qëllim që të jetë i dobishëm e për rrjedhojë të garantojë dhe sevapin dhe rezultatin njëkohësisht.”

Ftohtësia dhe Ftuesi njëzëri: “Zoti ta shpërbleftë me të mira o Entuziazëm!”

Mandej, të dy u ngritën dhe u larguan. Ftuesi vendosi të shkojë të blejë librin: “Rruga e ftesës Islame” si dhe librin tjetër “Rizgjimi Islam”.

Autor: Xhasim Mutaua

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *