Arsyeja nuk është gjithçka tek njeriu, as dija nuk është gjithçka në jetë.
Arsyeja ka fushën e saj, të cilën nuk e tejkalon; po ashtu edhe dija ka sferën e vet, përtej së cilës nuk shtrihet. Pas kësaj, arsyeja dhe dija nuk mund të japin as edhe një përgjigje. Sekreti i ekzistencës, qëllimi i jetës, fillimi i gjithësisë dhe përfundimi i saj, çështja e jetës dhe e vdekjes, si dhe problemet e mëdha ekzistenciale që lidhen me to, nuk mund të përfshihen nga arsyeja e vetme, as dija nuk mund ta shtrijë autoritetin e saj mbi to; sepse autoriteti i dijes kufizohet në atë që i nënshtrohet vëzhgimit dhe përvojës, pra në çështjet materiale dhe të prekshme.
Prandaj është e domosdoshme një njohje tjetër, që buron nga një burim tjetër, për të përcaktuar pozitën e njeriut dhe qëllimin e tij, misionin e tij në këtë tokë, marrëdhënien e tij me universin dhe jetën, si dhe me Krijuesin e universit dhe të jetës. Ky burim nuk është tjetër veçse shpallja hyjnore, dhe nuk ka rrugë për ta pranuar atë veçse përmes besimit. Disa mendimtarë njerëzorë, në epoka të ndryshme, u përpoqën të arrinin te të vërtetat e mëdha vetëm me arsyet e tyre dhe të zgjidhnin problemet e ekzistencës me mendimet e tyre, por nuk ia dolën; përfunduan në rezultate kontradiktore, që as nuk e qetësojnë zemrën, as nuk e rregullojnë jetën. Vetëm besimi është rruga e sigurt.
Besimi është ai që i shpjegon çështjet madhore të ekzistencës, që e lidh njeriun me ekzistencën e madhe, me përjetësinë e fillimit dhe të mbarimit, dhe që i jep jetës shije, qëllim dhe mision.
Njëkohësisht, besimi është ai që e mbron dijen nga devijimi dhe e pengon përdorimin e saj për të keqen dhe agresionin. Prandaj e shohim Sulejmanin (a.s.), kur iu soll froni i Belkisës përmes atij “që kishte dije nga Libri”, t’ia kthejë meritën Allahut dhe të mos bëhet mendjemadh apo i vetëkënaqur, por të thotë, siç rrëfen Kurani: “Kur e pa të vendosur pranë tij, tha: “Kjo është nga mirësia e Zotit tim, që të më sprovojë nëse do të falënderoj apo do të mohoj; e kush falënderon, falënderon për veten e tij, e kush mohon, atëherë Zoti im është i Pavarur, Bujar.”
Po ashtu, në rrëfimin e Dhul Karnejnit, pasi përfundoi ndërtimin e digës, ai shprehet me përulësinë e besimtarëve: “Kjo është mëshirë nga Zoti im; e kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta bëjë atë rrafsh, dhe premtimi i Zotit tim është i vërtetë.”
Kështu pra dija e udhëhequr nga besimi, në kuadrin e qytetërimit islam, ndërtoi dhe zhvilloi, punoi për shërbimin e njeriut, për pastrimin shpirtëror të tij dhe për lumturinë e tij.
Ne kemi vënë re se kur dija, në Perëndim – për shkak të rrethanave historike me kishën – u ngrit larg udhëzimit të Allahut dhe e shkëputur nga besimi në Të, rezultati ishin armët kimike dhe biologjike, mjetet e shfarosjes dhe të shkatërrimit, të cilat e bënë njerëzimin të flejë me ëndrra të ankthshme dhe të zgjohet me frikëra tronditëse. Dija u dha atyre mjetet, por nuk u dha qetësinë shpirtërore. Me të triumfuan mbi natyrën, por nuk triumfuan mbi veten dhe epshet e tyre.
Prandaj ishte e domosdoshme besimi i dijetarëve dhe dija e besimtarëve. Mbi këtë ndërtohet jeta islame e plotë dhe e ekuilibruar.
Pikërisht për këtë arsye, ajeti i parë i shpallur nga Kurani bashkoi mes dijes dhe besimit: “Lexo në emër të Zotit tënd, i Cili krijoi”. Leximi – që është çelësi i dijes – në Islam kërkohet të jetë në emër të Allahut Krijues. Dhe nëse çelësi i Islamit është dija dhe kuptimi, atëherë thelbi i Islamit është besimi, ndërsa thelbi i besimit është njëshmëria (teuhidi). Madje ky është thelbi i të gjitha shpalljeve qiellore; prandaj thirrja e parë në çdo mision profetik ka qenë: “O populli im, adhuroni Allahun; ju nuk keni zot tjetër përveç Tij”
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















