Në ditën e rënies së Kalifatit Osman, më 3 mars 1924, Parlamenti Turk votoi për shfuqizimin e sistemit të Kalifatit, pasi Mustafa Kemal Ataturku kishte shpallur themelimin e Republikës Turke. Me këtë gjë, iu dha fund faqes së historisë që kishte filluar rrugëtimin e saj qysh në kohën kur i Dërguari i Allahut (a.s) mbërriti në Medine dhe themeloi shtetin e parë islam, i cili e vazhdoi rrugëtimin edhe pas vdekjes së tij duke u njohur me emrin Kalifat. Kalifati ka qenë simbol i unitetit të Umetit Musliman dhe kujdestar i çështjeve të fesë dhe dynjasë. Muslimanët nuk i përkisnin asnjë kombësie, nacioanaliteti dhe nuk ishin në flamurin e dikut tjetër përveç Kalifatit, derisa erdhën perëndimorët dhe pushtuan pjesën më të madhe të vendeve islame. Ata u angazhuan maksimalisht për ta shfarosur këtë simbol, i cili përfaqsonte forcën e muslimanëve, madje edhe në momentet më të dobëta të tij.
Ndodhi ajo që asnjë muslimanit nuk ia kishte marrë mendja se do të ndodhte. Mustafa Kemal Ataturku mori përsipër detyrën për të shfuqizuar sistemin e Kalifatit dhe në anën tjetër të angazhohej për ndryshimin rrënjësor të fytyrës së Turqisë deri aty sa ajo mos të kishte asnjë lidhje me Islamin dhe gjuhën arabe. Gjëja e parë që bëri pasi u vendos si president i republikës turke ishte shpallja e Ankarasë si kryeqytet në vend të Stambollit. Më pas, ai ndërmori masa të rrepta për të realizuar synimet e tij. Ai shpalli luftë të hapur ndaj fesë, vendosi themelet e shtetit laik dhe rivendosi “identitetin turk” për kombin e tij për të shpëtuar njëherë e mirë nga ndikimi arab. Në vitin 1925 ai e imponoi veshjen e kapeleve për burrat në vend të festeve si manifestim i divorcit nga zakonet islame për t’i adoptuar me zakonet perëndimore. Të gjithë këtë ai e bëri në emër të demokracisë e cila respekton jetën private dhe lirinë e zgjedhjes. Ai ngriti lart sloganin e demokracisë duke fshehur nën petkun e tij armiqësinë dhe urrejtjen që kishte për fenë e Allahut dhe gjuhën e Kuranit. Ai ndaloi veshjen e hixhabit dhe veshjen e të gjitha rrobave tradicionale për burrat dhe gratë dhe urdhëroi që ezani të thirrej në gjuhën turke. Sa gjë e shëmtuar ishte të dëgjoje thirrjen e ezanit në gjuhën turke, veçanërisht shehadetin?!
Xhaminë e “Aje Sofjes” në Stamboll e ktheu në muze, riktheu të shkuarën e Turqisë ashtu sikur ka qenë para Islamit, zëvendësoi kalendarin Hixhri me atë Gregorian, gërmat arabe të alfabetit i shndërroi me gërma latine, e Djela u bë pushim zyrtar në vend të ditës së Xhuma, barazoi midis mahkullit dhe femrës duke rrëzuar të gjitha kriteret dhe rregullat që ka vendosur sheriati në lidhje me gruan.. Të gjitha këto i bëri për ta nxjerrë Turqinë nga errësira në dritë. Me dritë ai nënkuptonte prishjen e figurës së personalitetit islam dhe për ta asimiluar atë me qytetërimin perëndimor, me të mirat dhe të këqijat e tij. Kështu pra, ai ndërmori masat më të rrezikshme duke i shfuqizuar dispozitat e sheriatit dhe në vend të tyre miratoi ligjet laike. Ai miratoi Kodin Civil të Zvicrës, Kodin Penal të Italisë dhe Kodin Tregtar të Gjermanisë. Kjo ishte hera e parë kur muslimanët – në historinë e tyre – u gjykuan me ligjet jo hyjnore.
Në fushatën e tij të ashpër për të fshirë gjurmët e islamit dhe gjuhës arabe, Mustafa Kemal Ataturku u mbështet në një politikë brutale dhe represive, e cila në rradhë të parë synonte dijetarët e fesë dhe këdo që kundërshtonte politikën e tij. Fushata e tij u shoqërua me vrasje, burgosje, shpërngulje si dhe përçmim e përbuzje – në formë zyrtare – të të gjitha manifestimeve fetare duke shkelur kështu lirinë e individit. Më e çuditshmja është se të gjithë këto masa ai i ndërmori në emër të demokracisë. Sot e kësaj dite, Perëndimorët dhe të gjithë pasuesit e tyre në vendet arabe, vazhdojnë ta glorifikojnë figurën e Mustafa Kemal Ataturkut si njeriun e ndritur i cili e nxori Turqinë nga errësira e mesjetës për ta çuar atë në dritën e qytetërimit dhe prosperitetit. Megjithëse ata e dinë fort mirë se ai nuk ishte gjë tjetër vetëm se një tiran, i cili nuk e respektonte mendimin ndryshe, veçanërisht atë muslimanëve dhe se ai nuk kishte aspak lidhje me demokracinë.
Pasi e shfuqizoi autoritetin e Kalifatit, e ngushtoi rrezen e kryerjes së ritualeve fetare, i ndërpreu lidhjet e Turqisë me të kaluarën e saj islame, e ktheu Turqinë në një shtet të dobët, vasal të Perëndimit dhe hebrenjve, vuri kontrollin e vendit nëpërmjet ushtrisë, vendosi në kushtetutë parimet e laicitetit, emëroi të gjithë përkrahësit e tij në të gjitha organizmat e shtetit dhe mendoi se i dha fund njëherë e përgjithmonë Islamit, Mustafa Kemal Ataturku vdiq më 10 nëntor të vitit 1938 nga një sëmundje që i preku mëlçinë për shkak të konsumimit të tepërt të alkolit. Ataturku, babai i Turqisë moderne, ashtu sikur e quajnë pasuesit e tij ringjalli nacionalizmin panturqizëm ose turanizëm. Në këtë formë ra Kalifati pas 1292 vitesh duke bërë që Umeti të rrezikojë humbjen, por shpresa për ringjalljen e tij nuk ka humbur. Tashmë Turqia është rikthyer në Islam dhe inshallah ky është një lajm i mirë për rikthimin e Kalifatit.
Autor: Abdul Aziz Kehil
Përktheu: Elton Harxhi