Kur vëzhgon çfarë transmetohet në seriale, filma madje edhe në programet për fëmijë, vëren se përmbajtja e tyre fokusohet në disa koncepte dhe ide që forcojnë idenë e madhërimit të simboleve të çuditshme, si syri i vetëm, madhërimi i fuqive mbinatyrore që sfidojnë Krijuesin, apo forcave që sundojnë tokën dhe njerëzit dhe që i kontrollojnë ata. Shpesh këto figura kanë pamje të çuditshme dhe fuqi të jashtëzakonshme, duke u paraqitur si shpëtimtare të botës apo si forca që e dominojnë atë.
A mos vallë këto filma dhe seriale po promovojnë idenë e Mesihut të rremë (Dexhalit)? Dhe a bëhet kjo qëllimisht apo jo? Nëse vëzhgojmë vlerat që mbillen te të rriturit dhe fëmijët përmes këtyre përmbajtjeve, do të vëmë re se ato përqendrohen në admirimin e fuqisë absolute, pavarësisht padrejtësisë së saj, në rebelimin kundër vlerave fetare dhe familjare, si dhe në njollosjen e imazhit të profetëve dhe vlerave etike.
Madje, gjatë shikimit të filmit apo vizatimit të animuar, shpesh ndodh që të ndiesh simpati për djallin dhe personazhin e keq më shumë se për atë të mirin. Zakonisht personazhi i keq paraqitet si viktimë dhe i zgjuar, ndërsa ai i mirë si shtypës dhe budalla. Shfaqja e shpeshtë e personazheve me një sy dhe paraqitja e tyre si simbol heroizmi, në kombinim me ndërveprimin emocional të shikuesve me ta, kontribuon në pranimin e figurës së Dexhallit kur ai të shfaqet në fundin e kohës, i cili do të ketë fuqi të jashtëzakonshme, megjithëse ai është qorr nga syri i djathtë dhe mes syve të tij është e shkruar fjala “jobesimtar”.
Le të marrim një shembull: personazhi “Mike Wazowski”, me një sy të vetëm, është një hero i dashur dhe i fuqishëm, edhe pse paraqitet si qesharak dhe i këndshëm. Kështu, syri i vetëm është bërë i njohur dhe i pranueshëm për fëmijët, dhe ata e shohin atë si diçka normale dhe pozitive. Madje, ai paraqitet si shpëtimtari dhe heroi. Ky është pikërisht roli që do të luajë Mesihu i rremë (Dexhali) në fundin e kohës.
Të rriturit dhe fëmijët sot janë mësuar të pranojnë pamje jo të zakonshme pa u ndjerë të çuditur ose të neveritur nga to, dhe janë edukuar me idenë se ai që ka fuqi të jashtëzakonshme – qoftë edhe me pamje të çuditshme dhe me një sy – është hero. Këto filma, në fakt, përgatitin mendjen për pranimin e Dexhalit. Prandaj, nëse Dexhali del, ata që janë rritur me këto filma do të jenë të parët që do ta ndjekin, pasi në mendjen e tyre të pavetëdijshme është mbjellë ideja se ai është shpëtimtari dhe sunduesi i tokës.
Për më tepër, Dexhali nuk është vetëm pjesë e besimit islam, por edhe të krishterët besojnë në “Antikrishtin”, i cili do të dalë në fundin e kohës dhe përshkruhet si mashtrues dhe devijues i njerëzve. Edhe në besimin hebre ekziston koncepti i “Mesias” – një shpëtimtar që do të krijojë një mbretëri tokësore për hebrenjtë dhe do t’i udhëheqë drejt lavdisë.
Në të kaluarën, prindërit paralajmëronin fëmijët e tyre që të mos ndikonin nga veshjet, sjelljet apo fjalët e aktorëve që shfaqeshin në filma e seriale, për shkak se binin ndesh me kulturën dhe fenë tonë. Por sot çështja është shumë më serioze se thjesht devijimi në sjellje, tashmë është në rrezik vetë besimi. Mesazhet e rrezikshme transmetohen përmes aktorëve që duken të rregullt, me veshje të mbuluara dhe paraqitje të hijshme, por përmbajtja e tyre shkatërron besimin dhe bindjet fetare të brezit të ri.
Këta filma dhe programe përdorin simbole masonike si syri i vetëm, piramida dhe numra të çuditshëm. Ndonjëherë, këto mesazhe përçohen edhe përmes reklamave të futura midis filmave që duken “të mirë”. Kujtoj një bisedë mes dy personash ku njëri paralajmëronte tjetrin që të mos lejonte fëmijët e tij të luanin në lojën “Roblox”, sepse në një skenë, lojtari ngjitej përmes një shkalle me faqe nga Kurani dhe hynte në Qabe për të urinuar aty. Tjetri iu përgjigj se është thjesht një lojë për fëmijë dhe nuk ka rëndësi. Ky lloj arsyetimi është ai që shkatërron mendjen dhe besimin e fëmijëve. Ide të rreme dhe shkatërruese fillojnë me një lojë ose serial dhe përfundojnë me urrejtje ndaj fesë, Zotit dhe mungesë respekti për profetët dhe udhëzimet hyjnore.
Njoh një fëmijë që i përsëriste gjithmonë nënës së tij se kur të rritej, do të bëhej i keq, sepse “i keqi është gjithmonë i fortë”. Ka shumë raste që njohim për dëmtimin e identitetit dhe besimit të pastër. Prandaj, nuk duhet të nënvlerësojmë kurrë çfarë shfaqet në filma dhe seriale. Pyetja mbetet: A është Dexhali në shtëpitë tona? Përgjigjja është: Po, ai është i pranishëm përmes ekraneve brenda shtëpive tona. Dhe kjo e bën më të lehtë ndjekjen e tij kur ai të dalë vërtet. Prandaj, të jemi të vetëdijshëm për çfarë shohim dhe çfarë u lejojmë fëmijëve tanë të shohin.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi