Abbasi, shefi i policisë së El-Me’mun-it, tregon:
“Një ditë hyra në kuvendin e prijësit të besimtarëve në Bagdad dhe para tij ishte një burrë i lidhur me zinxhirë.
Kur prijësi i besimtarëve më pa, më thirri: O Abas!
Unë i thashë: Urdhëro, o prijës i besimtarëve!
Ai më tha: Merre këtë burrë të lidhur me zinxhirë, ruaje me kujdes dhe sillma atë nesër herët në mëngjes. Dhe bëj shumë kujdes se mos arratiset.
Abasi vazhdon tregimin:
“Unë thirra disa njerëz që ta ngrinin burrin e lidhur, sepse ai nuk ishte në gjendje të lëvizte. Me vete thashë: Përderisa prijësi i besimtarëve më porositi për ta ruajtur atë, atëherë më mirë është që ta ruaj në shtëpi dhe jo në burg. Kështu që i urdhërova shoqëruesit e mi që ta linin në një dhomë në shtëpinë time. Unë e pyeta atë se si ishte puna e tij dhe nga vinte?
Ai tha: Unë jam nga Damasku.
Unë thashë: Allahu e begatoftë Damaskun dhe banorët e tij. Po ti cili je?
Ai tha: Për kë po pyet?
Unë i thashë: A e njeh filanin?
Ai tha: Nga e njeh ti filanin?
Unë i thashë: E njoh sepse me të mua më ka ngjarë një ndodhi të cilën nuk e harroj.
Ai tha: Nuk kam për të treguar se kush jam derisa të më tregosh historinë tënde.
Unë thashë: Kam qenë në Damask me disa prej guvernatorëve, mirëpo banorët e zonës u rebeluan dhe u ngritën kundra nesh. Guvernatori zbriti nga kalaja nëpërmjet një arke dhe arriti të arratisej bashkë me shokët e tij dhe prej atyre që u arratisën isha edhe unë. Teksa po arratisesha, në një rrugicë hasa në një grup rebelësh të cilët më ndoqën. Dhe unë fillova të vrapoja për të shpëtuar prej tyre derisa në pragun e një porte pashë njeriun për të cilin të fola.
Unë i thashë: Më ndihmo, Allahu të ndihmoftë ty.
Ai tha: Po, hyr brenda në shtëpi! Dhe unë hyra.
Kur edhe ai hyri në shtëpi, gruaja e tij më tha: Hyr tek kjo dhomë dhe unë hyra. Kurse burri
qëndroi tek porta e shtëpisë. Nuk vonoi shumë dhe njerëzit që po më ndiqnin erdhën tek shtëpia, hynë brenda dhe thanë: Njeriu që po kërkojmë është këtu.
Ai tha: Bujrum, hyni brenda dhe kontrolloni.
Njerëzit filluan të kërkonin në çdo qoshe të shtëpisë derisa mbërritën tek dhoma ku isha fshehur unë. Ata thanë: ai (për mua) është këtu. Por në atë çast gruaja e tij bërtiti dhe ata u frenuan, nuk hynë brenda në dhomë dhe pastaj u larguan.
Më pas burri doli jashtë tek dera e shtëpisë, qëndroi disa minuta për t’u siguruar. Sakaq, unë isha brenda dhe po dridhesha i tëri saqë këmbët nuk më mbanin.
Gruaja më tha: Ulu dhe mos ki frikë!
Unë u ula. Dhe pas pak çastesh burri hyri brenda në shtëpi dhe tha: Mos ki frikë! Allahu e largoi të keqen nga ti dhe tani je i sigurtë inshallah.
Unë i thashë: Allahu ta shpërbleftë me të mira.
Burri filloi të më trajtonte me mirësjellje dhe më ofroi që të qëndroja në shtëpinë e tij. Unë qëndrova tek ai katër muaj, asgjë nuk më mungoi dhe ai gjithmonë interesohej për mua derisa trazirat përfunduan dhe situata në qytet u normalizua.
Unë i thashë: A më jep leje që të dal e të kërkoj shërbëtorët e mi, sepse ndoshta mund të marr vesh ndonjë lajm për ta.
Ai tha: Po, por me kusht që të kthehesh përsëri tek unë.
Unë dola dhe fillova kërkimin, por nuk gjeta asnjë gjurmë të tyre. Pastaj u ktheva në shtëpi.
Gjatë gjithë kohës që kam qëndruar në shtëpinë e tij, ai nuk e dinte kush isha dhe asnjëherë nuk më pyeti për emrin.
Ai më tha: Çfarë ke vendosur të bësh?
I thashë: Kam vendosur të shkoj në Bagdad.
Ai më tha: Karvani do të niset pas tre ditësh.
I thashë: “Ke qenë shumë bujar me mua gjatë kësaj kohe, dhe unë zotohem para Allahut që nuk do ta harroj kurrë këtë të mirë tënden dhe do të ta shpërblej sa më shumë që të mundem.”
Më pas ai thirri një shërbërtor të tijin që ishte i zi dhe i tha: Përgatit ushqim për kalin dhe bëji gati mjetet e udhëtimit! Me vete thashë: ai do të shkoj në ndonjë fshat a diku gjetkë. Gjithë natën ata u morën me përgatitjen për udhëtimin. Kur erdhi koha që karvani do të nisej, ai erdhi tek unë në agim dhe më tha: “O filan, ngrihu, sepse karvani do të niset tani dhe unë nuk dua që të mbetesh pas.”
Me vete mendova: “Si do t’ia bëj, pasi nuk kam ushqim dhe as nuk kam mundësi të marr një mjet udhëtimi?! U ngrita dhe ai dhe gruaja e tij po sillnin një valixhe me rroba të shtrenjta, këpucë të reja dhe mjetet e udhëtimit. Më solli një shpatë dhe një brez dhe i lidhën rreth belit tim, pastaj më solli një gomar dhe e ngarkoi me dy kuti mbi të cilat kishte qilima, dhe më dha pesë mijë dirhem. Më solli edhe kalin që e kishte bërë gati dhe më tha: “Hip dhe ky djalë i zi do të të shërbejë dhe kujdeset për mjetin tënd.” Ai dhe gruaja e tij erdhën duke më kërkuar falje për çdo mangësi që mund të kenë pasur ndaj meje. Ai hipi me mua për të më shoqëruar derisa unë u nisa për në Bagdad. Prej kohësh kam pritur lajme prej tij për ta mbajtur premtimin ndaj tij dhe për t’ia shpërblyer, por u zhyta në punët me prijësin e besimtarëve dhe nuk pata mundësi të dërgoja dikë për të marrë lajme prej tij. Prandaj, po të pyes ty nëse ke dëgjuar diçka rreth tij.
Kur i burgosuri e dëgjoi këtë bisedë, tha: Allahu të ka mundësuar që të mbash premtimin dhe ta shpërblesh atë për veprën e tij dhe ta shpërblesh për mirësinë e tij, pa asnjë mundim dhe pa asnjë shpenzim nga ana jote.
Unë e pyeta: Si?
Ai tha: Unë jam personi, në shtëpinë e të cilit ti ke qenë në Damask. Mirëpo duke qënë se fytyra ime ka ndryshuar për shkak të dëmtimeve ti nuk më njohe. Pastaj ai vazhdoi të më përmendte disa detaje dhe unë e kuptova se ishte ai, dhe nuk mund të rrija pa u ngritur dhe i puthur kokën.
Unë e pyeta: Çfarë të shtyu të bësh këtë që shoh?
Ai tha: Në Damask shpërtheu një trazirë si ajo që ndodhi në kohën tënde, dhe ma lanë mua fajin. Prijësi i besimtarëve dërgoi ushtritë për të vënë rendin në qytet. Ushtarët erdhën tek unë më kapën, më rrahën për vdekje, më lidhën dhe më sollën tek prijësi i besimtarëve. Prijësi i besimtarëve ka marrë një vendim të tmershëm ndaj meje. Kur erdhën ushtarët dhe më kapën, nuk pata mundësi të lajmëroj askënd nga familja. Një shërbëtor më ndoqi nga mbrapa dhe është tek filani. Nëse e gjen atë, dërgo dikënd që ai të vijë tek unë dhe t’i jap porositë e fundit. Nëse e bën këtë e ke përmbushur premtimin tënd.
Unë i thashë: Për hajër qoftë.
Unë thirra një farkëtar i cili ia hoqi hekurat dhe prangat, e futa në banjën e shtëpisë sime që të lahej. I dhashë rroba dhe dërgova dikënd që të sillte shërbëtorin e tij. Kur e pa shërbëtorin, ai filloi të qante dhe i dha disa amanete.
Unë thirra zëvendësin e tim dhe i thashë: Sill kalin këtë e këtë, mushkën këtë e këtë, duke numëruar dhjetë kuaj dhe mushka, pastaj dhjetë arka, veshje të caktuara, ushqim të caktuar dhe më pas ai më solli dhjetë mijë dirhem dhe një qese me pesë mijë dinarë. Dhe pastaj i thashë zëvendësit tim të: Merre këtë njeri dhe përcille deri në kufirin e Al-Anbarit!
Ai (njeriu nga Damasku) tha: Faji im ndaj prijësit të besimtarëve është i rëndë dhe çështja ime është e madhe. Nëse ai e kupton se jam arratisur e kam ikur, ka për të dërguar ushtarët, të cilët kur të më kapin do të më dërgojnë tek ai dhe pastaj ai do të më vrasë.
Unë i thashë: Shpëto njëherë veten dhe më lër mua të merrem me këtë punë!
Ai tha: Pasha Allahun, nuk do të largohem nga Bagdadi derisa të mësoj se çfarë do të ndodhë me ty. Nëse ke nevojë për mua, unë do të vij.
Unë i thashë zëvendësit: Dërgoje atë në një vend të fshehtë! Nëse shpëtoj nesër, do ta njoftoj, dhe nëse vritem, e kam mbrojtur atë me jetën time, siç më mbrojti ai me të tijën. Të lutem për hir të Allahut, mos lejo që t’i humbasë as edhe një dirhem nga pasuria e tij dhe përpiqu ta largosh atë nga Bagdadi.
Zëvendësi im e mori atë dhe e çoi në një vend që askush nuk e dinte.
Unë u përgatita për të vdekur, vesha qefinin dhe sipër tij rrobat. Të nesërmen pasi fala namazin e sabahut, prijësi i besimtarëve më thirri që të shkoja tek ai dhe bashkë me mua të sillja dhe të burgosurin.
U nisa për të shkuar tek pallati i prijësit të besimtarve dhe e gjeta atë të ulur, i veshur dhe duke pritur. Kur më pa vetëm, tha: Ku është i burgosuri?
Unë heshta.
El-Me’muni tha: Mjerë ti! Ku është ai njeri?
Unë i thashë: O prijës i besimtarëve, më dëgjo mua!
El-Me’muni tha: Pasha Allahun, nëse më thua se ai ka ikur, do të të vras!
Unë thashë: Jo, për Allahun, o prijës i besimtarëve, ai nuk ka ikur. Por dëgjo historinë time dhe atë të tijën, pastaj bëj çfarë të duash me mua.
El-Me’muni tha: Fol!
Unë i tregova El-Me’munit të gjithë historinë dhe i shpjegova se dëshiroja ta përmbushë premtimin tim dhe ta shpërbleja atë burrë për të mirën që më kishte bërë.
Më pas thashë: Unë dhe prijësi i besimtarëve jemi para dy zgjedhjeve: ose të më falësh mua dhe atë burrë që të mund ta përmbush premtimin tim dhe ta shpërblej atë, ose të më vrasësh mua dhe kështu unë do ta mbroj atë me jetën time. Unë tashmë jam përgatitur për këtë dhe ja ku është qefini im, o prijës i besimtarëve.
Kur El-Me’muni dëgjoi historinë, tha: “Mjerë ti! Allahu mos të shpërbleftë për veten tënde! Ai veproi kështu për ty pa të njohur fare, dhe ti e shpërblen pas njohjes së tij vetëm kaq?! Pse nuk më tregove për të që unë ta shpërbleja në vendin tënd?!”
Unë i thashë: O prijës i besimtarëve, ai ndodhet ende në Bagdad. Ai është betuar të mos largohet derisa të sigurohet për jetën time. Nëse të duhet prania e tij, ai do të vijë.
El-Me’muni tha: Pasha Allahun, kjo është më e madhe se e para! Shko tani tek ai, qetësoje dhe siguroje, pastaj ma sill këtu që të kujdesem personalisht për ta shpërblyer.
U nisa drejt tij dhe i thashë: Mos ki më frikë, sepse prijësi i besimtarëve tha kështu e kështu.
Ai tha: Falënderimi i takon Allahut për gjithçka. Pastaj u ngrit, fali dy rekate namaz dhe më pas u nisëm për tek El-Me’muni.
Kur qëndroi përballë prijësit të besimtarëve, El-Me’muni e mirëpriti me nderime, e afroi pranë dhe bisedoi me të. Kur erdhi koha e drekës, e ftoi të hanin së bashku. Pas kësaj, e shpërbleu me një rrobe nderimi dhe i ofroi përgjegjësinë e administrimit të Damaskut. Por ai e refuzoi postin.
El-Me’muni i dha dhjetë kuaj me shalët dhe frerët e tyre, dhjetë mushka me pajisjet e tyre, dhjetë arka me dhurata, dhjetë mijë dinarë dhe dhjetë shërbëtorë me kuajt e tyre. Përveç kësaj, ai i shkroi një letër guvernatorit të Damaskut duke e urdhëruar që ta trajtonte atë me respekt, ta lironte nga taksat dhe të raportonte rregullisht për gjendjen e tij.
Sa herë që El-Me’muni merrte një letër nga ai burrë, kthehej nga unë dhe duke buzëqeshur më thoshte: O Abas, kjo është letra e mikut tënd.
Përktheu: Elton Harxhi