Aishe bintu Ebu Bekr 2

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Thelbi i artikullit:

Aisheja (r.a) luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet e emigrimit dhe ishte pjesë e familjes që u bashkua me Profetin a.s. në Medine. Martesa e saj me të dërguarin e Allahut ndodhi pas betejës së Bedrit, duke qenë një lidhje e bekuar dhe e thjeshtë, pa shpenzime të tepërta. Ajo ruajti një natyrë të gjallë dhe të gëzueshme edhe pas martesës, duke dëshmuar se përkushtimi fetar mund të shoqërohet me gëzim dhe sukses. Jeta e saj me Profetin (a.s) u karakterizua nga dashuri e thellë dhe respekt i ndërsjellë, ku Profeti shpesh tregonte publikisht dashurinë për të. Dhomat e tyre ishin modeste, por të mbushura me ndjenjë, fe dhe thjeshtësi. Ajo është shembulli më i mirë që një vajzë mund të jetë njëkohësisht fetare, e dashur dhe e lumtur.

Për një pasqyrë më të gjerë dhe të argumentuar, ju ftojmë të lexoni tekstin e mëposhtëm:

Aisheja gjatë emigrimit të Profetit (a.s) dhe Ebu Bekrit

Myslimanët e fundit që emigruan nga Meka për në Medine, nuk ishte Profeti (a.s) me Ebu Bekrin, por familjet e tyre, gratë dhe fëmijët. Nga familja e Ebu Bekrit, ishte Esmaja, Aisheja, Abdullahu dhe nëna e Aishes, Umu Ruman. Kurse nga familja e Profetit a.s ishte Ali ibnu Ebi Talib, Fatimeja, Umu Kulthum dhe gruaja e Profetit a.s Sude bintu Zem’a.

Me të çuar në vend amanetet që i kishte lënë Profeti a.s, Ali ibnu Ebi Talib u nis menjëherë për në Medine.

Pasi arriti Profeti (a.s) në Medine, dërgoi Zejd ibnu Harith për në Mekë, me qëllim që të shoqërojë familjen e tij gjatë rrugës për në Medine. Kurse Ebu Bekri i çoi fjalë Abdullahit që të nisej me familjen për në Medine.

Martesa e Profetit (a.s) me Aishen

Profeti (a.s) do të martohet me vajzën e mikut të tij, pas betejës së Bedrit, në vitin e dytë hixhri. Ata u martuan në muajin Sheval dhe kjo konsiderohej si një ogur i mirë tek arabët. Thotë Aisheja r.a:”Vura kurorë me Profetin (a.s) në Sheval dhe u martuam në Sheval.”

Fjala Sheval, e cila tregon një nga muajt hënorë, është e ngjashme me fjalën shival, kuptimi i së cilës është thes. Disa të rinj, e kanë keqkuptuar hadithin e mësipërm dhe muajin Sheval, e kanë kuptuar si thes. Kështu, natën e martesës marrin një thes dhe hyjnë brenda bashkë me bashkëshorten. Këtë e bëjnë gjoja për të respektuar deri në detaje, traditën e Profetit (a.s). Njerëz të tillë duhet t’u kthehen dijetarëve kompetentë për të kuptuar hadithet e Profetit (a.s).

Fetar dhe i lumtur

Shumë prindër frikësohen nga përkushtimi fetar i fëmijëve të tyre. Me të parë djalin, ose vajzën të shkojnë në xhami dhe të falen, prindërit i mbërthen një panik dhe frikë e pajustifikuar. Kjo, pasi mendojnë se të qenit fetar, do jetë barrierë për suksesin dhe karrierën e tyre. Në fakt, ky shqetësim ka lindur pasi ne të rinjtë myslimanë, e kemi të vështirë të harmonizojmë mes përkushtimit fetar dhe suksesit në jetë. Ka shumë vajza të shkathëta, gazmore, të dashura etj… por që me të filluar të falen dhe të përkushtohen në fe, sikur ndryshojnë me dorë. Ata sikur e fshijnë nga truri se duhet të vazhdojnë t’i duan atë tjerët dhe të duhen (brenda normave).

Mos është e pamundur që një vajzë të jetë gazmore, e dashur dhe e suksesshme dhe në të njëjtën kohë fetare dhe e bindur ndaj urdhrave të Zotit? A është e mundur që ne të jetojmë siç duam, por si fetarë dhe të bindur ndaj Zotit?

Duke njohur më thellë Aishen, ti o motër do zbulosh se është e mundur t’a shijosh jetën siç duhet dhe njëkohësisht të jetosh si myslimane dhe e përkushtuar ndaj vullnetit të Zotit.

Dita e martesës

Tregon Aisheja: “Duke qenë se isha e dobët fizikisht, nëna më jepte ushqime të ndryshme që të përmirësohem për martesë.”

Për ditën e martesës, ajo thotë: “Teksa isha me disa shoqe të miat duke u kolovatur, nëna doli dhe më thirri:”Eja! Eja!”

Dikush mund të pyesë: Përderisa thamë më lart se Aisheja ishte grua dhe e pjekur, edhe pse e re në moshë, si është e mundur që ajo vazhdonte të luajë dhe kolovitet?

Edhe pse ishte e pjekur dhe konsiderohej grua, si çdo njeri tjetër, edhe ajo dëshironte të dëfrehej dhe argëtohej. Sot, po të shkosh të vizitosh qytetet e lojërave, do të gjesh gra pesëdhjetë vjeçare të cilat pëlqejnë aventurat dhe lojëra nga më të çuditshmet. Lojërat moderne të sotme, në kohën e Aishes ishin kolovarset.

Tregon Aisheja: “Pasi më thirri nëna, unë vajta me vrap duke gulçuar. Ajo më mori dhe më çoi në një nga shtëpitë e Medines. Aty kishte gra medinase, të cilat filluan të më përgatisin nuse. Pasi erdhën njerëzit, Profeti (a.s) u ofroi për të pirë qumësht dhe ushqime.”

Edhe pse ishte profeti i gjithë njerëzimit dhe i dërguari i Zotit, dasma e tij ishte e thjeshtë dhe pa shpenzime të shumta. Jo siç ndodh rëndom në dasmat e sotme, ku shpenzohet miliona pa asnjë kriter.

Profeti (a.s) merrte ushqim dhe ua jepte fëmijëve, të cilët ndodheshin rreth e rrotull. Tregon një nga këta fëmijë:”Kur u afrua Profeti a.s dhe na ofroi ushqim për të ngrënë, ne i thamë:”Nuk duam.”

Ai na tha:”Mos e bashkoni urinë dhe gënjeshtrën!”

Pasi u larguan të gjithë njerëzit, në shtëpi nuk mbeti veçse Aisheja dhe floktorja e saj, Esma bintu Zejd. Profeti (a.s) vajti pranë Aishes dhe i ofroi një gotë qumësht.

Tregon Aisheja:”Mua më erdhi zor dhe ktheva kokën mënjanë.” Esmaja më tha:”Merre gotën nga Profeti (a.s)!” Atëherë e mora gotën, piva pak qumësht dhe e lashë përsëri mënjanë.”

Siç e shohim, ishte një martesë e thjeshtë dhe normale, por ku nuk mungonte gazi e hareja. Në këtë gëzim merrnin pjesë gjithë njerëzit e afërm.

Shtëpia e re

Për sa i përket mobilieve dhe pajës, ato ishin tejet të thjeshta. Gjithçka që gjendej në dhomën e tyre të martesës, përbëhej nga një jastëk dhe dyshek të mbushur me gjethe, një rrogoz dhe një shtambë për ujë.

Me këtë, nuk duam t’ju themi njerëzve që të jetojnë në fukarallëk dhe jetë plot vuajtje, por duam t’ju themi që të mos e ekzagjerojnë me kërkesa. Ne sot jemi dëshmitarë që mosha e martesës tek vajzat është rritur dhe një ndër shkaqet janë edhe kërkesat e shumta. Prindërit duhet t’i martojnë fëmijët dhe të mos kenë shumë pretendime për të mira materiale.

Tregon nipi i Profetit (a.s), Hasani: “Kur hyja në shtëpinë e Profetit (a.s), prekja me dorë tavanin (pasi ishte i ulët).”

Seid ibnu Musejib thotë: “Ah sikur t’i kishit parë dhomat ku banonte i dërguari  i Allahut, me qëllim që të mos e teproni me kërkesa të kësaj bote! I dërguar i Zotit kënaqej nga kjo botë me pak gjëra, edhe pse e kishte në dorë të posedojë të gjithë botën me të mirat e saj.”

Prika që Profeti (a.s) i dhuroi Aishes përbëhej nga pesëqind dërhemë. Thotë Profeti (a.s) lidhur me prikën dhe dhuratën martesore:”Gratë më të bereqetshme, janë ato që kërkojnë dhuratën më të vogël.”

Dashuria mes Profetit (a.s) dhe Aishes

Mesruk, një transmetues hadithesh i brezit të tabi’inëve, sa herë që transmetonte ndonjë hadith nga Aisheja, thoshte: “Më ka thënë e dashura e të dashurit të Allahut…”

Thotë Enes ibnu Malik: “Dashuria e parë në islam, ishte ajo e të dërguarit të Zotit për Aishen.”

Enes ibnu Malik, është nga banorët e Medines dhe kur Profeti (a.s) u vendos në Medine ishte i vogël në moshë. Kështu, ai nuk e ka parë sa e donte Profeti (a.s) gruan e tij të parë Hadixhen.

Njëherë, Amar ibnu Jasir dëgjoi dikë duke folur keq për Aishen. Menjëherë, ai ndërhyri dhe i tha:”Pusho Zoti të shëmtoftë! A po shan gruan e dashur të dërguarit të Zotit (a.s)?!”

Amr ibnul As-in, e kishte dërguar Profeti (a.s) si komandant në një betejë (Dhatu Selasil). Ai bashkë me ushtrinë u kthyen triumfues. Kur u takua me Profetin (a.s), ky i fundit e priti si hero dhe e nderoi. Duke parë këtë pritje, Amr ibnul As, mendoi se nëse do e pyesë Profetin (a.s) cili ishte njeriu që donte më shumë, do të përgjigjej:”Ty o Amr.”

Pasi ishin grumbulluar dhe disa myslimanë të tjerë, Amr ibnul Asi, shfrytëzoi rastin ta pyesë, me qëllim që ta dëgjojnë dhe të tjerët. Kështu, iu drejtua me fjalët:”O i dërguar i Allahut! Cili është njeriu më i dashur për ty?”

Profeti (a.s) iu përgjigj:”Aisheja.”

A ke dëgjuar ndonjë njeri të famshëm, që të shkruajë në ndonjë libër, ose të deklarojë në një gazetë se njeriu që do më shumë është gruaja e tij? Edhe nëse ka njerëz të cilët e duan gruan më shumë se gjithçka tjetër, u vjen zor që ta deklarojnë. Kurse Profetit (a.s) nuk i erdhi zor nga kjo.

Amr ibnul As, duke mos marrë përgjigjen që priste i tha:”Jo o i dërguar i Allahut, unë nuk të pyes për gratë, por nga burrat.”

Atëherë Profeti (a.s) i tha:”Nga burrat është babai i saj.”

Amr ibnul As pyeti sërish:”Po pas tij, kush është?”

Profeti (a.s) u përgjigj:”Është Omeri.”

Amr ibnul As:”Po pas Omerit?”

Profeti (a.s) u përgjigj:”Othmani.”

Amr ibnul Asi:”Po pas Othmanit?”

Profeti (a.s) u përgjigj:”Aliu.”

Amr ibnul As e pyet:”Po pas Aliut?”

Profeti (a.s) u përgjigj:”Është Talha.”

Amr ibnul As:”Po pas tij?”

Profeti (a.s) u përgjigj:”Zubejri.”

Tregon Amr ibnul As:”Profeti (a.s) më numëroi njëzet emra. Pas emrit të njëzetë unë heshta dhe nuk e pyeta më. Me vete thashë: “Unë do të jem i njëzet e njëshi.”

Duke qenë se Profeti (a.s) e deklaronte kudo që ishte i dashuruar pas Aishes, të gjithë e dinin këtë.

Një herë, Aisheja e pyeti Profetin (a.s):”Si e përshkruan dashurinë tënde për mua o i dërguar i Zotit?”

Profeti (a.s) ia ktheu:”Si nyjën e litarit.”

Tregon Aisheja:”Pas disa kohësh e pyeta sërish:”Si është nyja o i dërguar i Zotit?”

Ai më tha:”Siç ka qenë.”

A keni parë bashkëshortë qe e duan njëri-tjetrin në këtë masë? A kanë përfituar skenaristët myslimanë nga jetëshkrimi i Profetit (a.s)?

Kjo dashuri u ruajt e pastër dhe e pa cenuar, pasi marrëdhëniet mes Profetit (a.s) dhe Aishes, kishin të përbashkët dashurinë për Zotin dhe për t’a kënaqur Atë.

Ngaqë të gjithë e dinin dashurinë që ndjente Profeti (a.s) për Aishen, sa herë që donin t’i bëjnë një dhuratë, ia bënin ditën kur qëndronte në shtëpinë e Aishes. Kjo shkaktoi xhelozinë e grave të tjera të Profetit (a.s), të cilat u mblodhën dhe i kërkuan Umu Selemes – si më e mençura – t’i flasë Profetit (a.s). Ajo vajti tek Profeti (a.s) dhe i tha:”O i dërguar i Zotit! Gratë e tua kërkojnë që t’i porositësh njerëzit që dhuratat të mos i bëjnë vetëm në një ditë të javës, por edhe ditët e tjera.”

Kjo tregon që edhe ato ishin njerëz me ndjenja dhe nuk ishin engjëj të zbritur nga qielli.

Profeti (a.s) ia ktheu:”O Umu Seleme! Zoti e ka rrënjosur në zemrën time dashurinë për Aishen. O Umu Seleme! Asnjëherë nuk ka ndodhur që të më shpallet zbulesa hyjnore në shtratin e ndonjërës prej jush, kurse me Aishen ka ndodhur.”

Ngaqë Xhibrili shkonte dhe i shpallte Kuranin shpesh herë në dhomën e Aishes, kjo dhomë filloi të njihej me emrin “dhoma e shpalljes hyjnore”.

Po shtëpia jote o vëlla dhe oj motër, a njihet si vend ku lexohet Kuran dhe ku flitet për fenë? A njihet shtëpia jote si vend ku mblidhen besimtarët e lagjes?

Umu Seleme vajti tek gratë dhe u rrëfeu gjithçka që i kishte thënë Profeti (a.s). duke ndjerë se problemi i tyre nuk ishte zgjidhur, gratë vajtën tek vajza e Profetit (a.s), Fatimeja. Kur Fatimeja ia transmetoi hallin e grave, Profeti (a.s) i tha:”O bija ime! A më doni mua?”

Fatimeja ia ktheu:”Po.”

Profeti (a.s) e pyeti:”A e do atë që dua unë?”

Fatimeja iu përgjigj:”Po.”

Profeti (a.s) i tha:”Atëherë duaje këtë (Aishen).”

Përse duhet të frikësohesh prej islamit o motër? Nëse mendon se islami të privon nga ndjenjat e dashurisë, je e gabuar. Islami vetëm sa i orienton këto ndjenja në drejtim të duhur dhe hallall. Ata të rinj që duan të përjetojnë emocionet e dashurisë, le të durojnë derisa të martohen. Psikologët dhe sociologët pohojnë se 70 % e divorceve, ndodhin për shkak të lidhjeve paramartesore. Kushdo që ka pasur lidhje paramartesore, edhe pas martesës me dikë tjetër, do të ruajë kujtimet më të bukura në kujtesë.

Fatimeja u kthye tek gratë e tjera dhe u tha: “Për Zotin nuk do i flas më për Aishen.”

Lidhjet e Fatimes me Aishen u forcuan edhe më shumë nga kjo ditë. Ajo që e tregon këtë është se Fatimeja i tregoi vetëm Aishes një sekret që ia kishte thënë Profeti (a.s) ditën që vdiq.

Ditën që vdiq Profeti (a.s), hyri vajza e tij, Fatimeja, të cilës i tha:”Afrohu o Fatime!” Kur ajo u ul pranë Profetit (a.s), ai i pëshpëriti diçka në vesh dhe ajo qau. Kur e pa që qau, i kërkoi që të afrohej përsëri dhe i pëshpëriti diçka në vesh dhe ajo qeshi.”

Pasi vdiq Profeti (a.s), e pyeti Aisheja  Fatimen, se çfarë i kishte thënë në vesh, atë natë. Ajo u tha:”Herën e parë më tha:”Unë do të vdes sonte” dhe unë qava. Kurse herën e dytë më tha:”Ti do të jesh njeriu i parë që do të më bashkëngjitësh, nga familja ime” dhe unë qesha.

Dikush mund të pyesë: A nuk ka porositur Zoti në Kuran që gratë të trajtohen me drejtësi? A nuk është padrejtësi që Profeti (a.s) të dojë Aishen më shumë se gratë e tjera?

Në fakt, drejtësia e kërkuar në ajet është drejtësia në gjëra materiale dhe në ato gjëra që njeriu mund t’i kontrollojë. Kur Profeti (a.s) u jepte grave të tij të holla për shpenzime thoshte:”O Zot! Kjo është drejtësia ime aty ku mund t’a kontrolloj. Unë të kërkoj mos më kritikosh  për ato raste kur nuk mund ta kontrolloj veten.”

Si e trajtonte Profeti (a.s) Aishen?

Shumë çifte i thonë njëri-tjetrit “të dua” dhe fjalë të ngjashme, por nëse sheh marrëdhëniet e tyre dhe sjelljen, lë shumë për të dëshiruar.

Profeti (a.s) përpiqej me sa mundësi kishte që ta dëfrejë Aishen. Kështu, ditën e bajramit, teksa në xhami po luanin etiopianët, ai e mori Aishen dhe e lejoi t’i shohë nga dera. Tregon Aisheja:”Profeti (a.s) më pyeste:”A mjaft? A u ngope?”

Unë i thoja:”Edhe pak o i dërguar i Allahut. Në fakt, unë isha mërzitur duke i parë, por doja ta provoj sa shumë më do.”

Një ditë, Profeti (a.s) i kërkoi Aishes të bëjnë gara vrapi. Edhe pse Profeti (a.s) ishte i moshuar, kërkonte t’i bëjë qejfin qoftë dhe duke bërë gara vrapi.

Tregon Aisheja: “Unë e fitova garën dhe fillova t’i them:”Ta kalova o i dërguar i Allahut!” Gjatë gjithë javës së ardhshme, Profeti (a.s) më ushqente me mish dhe ushqime të tjera, si asnjëherë më parë. Në fund të javës, më mori dhe dolëm në shkretëtirë ku më kërkoi të garojmë sërish, por këtë herë ma kaloi. Pasi e pa që ma kaloi, më tha:”O Aishe! Tani jemi barazim.”

Edhe kur i thërriste në emër, Profeti (a.s) i thërriste me përkëdheli “O Aish!”

Gjatë ciklit mujor, zakonisht gratë ndjejnë lodhje dhe depresion. Kur Aisheja ishte me të përmuajshmet, Profeti (a.s) përpiqej me çdo kusht që t’a qetësojë dhe t’i bëjë qejfin. Kështu, kur e shihte duke pirë ujë nga gota, Profeti (a.s) e merrte gotën dhe pinte ujin e mbetur nga i njëjti vend ku kishte pirë Aisheja.

Një herë, gruaja e tij Hafsa i kishte përgatitur diçka për të ngrënë atij dhe shokëve që i kishin ardhur për vizitë. Kjo gjë e gëzoi pa masë të dërguarin e Zotit (a.s). Ajo që po e ndiqte këtë skenë nga dhoma e saj ishte dhe Aisheja. Ajo u bë xheloze që Hafsa kishte pregatitur ushqim dhe i dërguari i Zotit ishte gëzuar. Kështu, doli nga dhoma e saj dhe teksa Hafsa po u ofronte enën me ushqim, ajo e goditi enën me bërryl dhe ena ra përtokë duke u thyer dhe shpërndarë ushqimin.

Të gjithë shokët e Profetit (a.s) u shtangën nga kjo sjellje e Aishes. Vallë si do të reagonte i dërguari i Zotit?

Profeti (a.s) morri një pjatë tjetër, u ul përtokë dhe filloi të mbledhë ushqimin e derdhur. Pasi e vendosë në pjatën tjetër, Profeti (a.s) i pa shokët e tij që kishin mbetur gojëhapur dhe u tha duke buzëqeshur:”Nëna juaj u bë xheloze!”

Më pas, Profeti (a.s) u ngrit dhe vajti tek dhoma e Aishes të cilës i tha:”O Aishe! Ti ia theve pjatën Hafsas, prandaj duhet t’ia kompensosh atë me një pjatë tjetër.”

E ndjerë keq, Aisheja i tha Profetit (a.s):”Kërkoji Zotit falje për mua o i dërguar i Allahut!”

Një herë tjetër, mes Profetit (a.s) dhe Aishes kishte lindur një konflikt. Duke dashur që t’a bindë, Profeti (a.s) i tha:”Kë dëshiron të marrim si gjykatës mes nesh? A e pranon Ebu Ubejde ibnu Xherrahun?”

Aisheja i tha:”Jo, ai është shumë zemërmirë.”

Profeti (a.s) e pyeti:”Mos dëshiron Omer ibnul Hattabin?”

Aisheja i tha:”Jo, Omerin nuk e dua.”

Profeti (a.s) e pyeti:”Atëherë kë dëshiron?”

Aisheja i tha:”Ebu Bekrin, babanë tim.”

Me të ardhur Ebu Bekri, Aisheja iu drejtua Profetit (a.s) me fjalët:”Tregoji si qëndron puna, por mos thuash veçse të vërtetën.”

Kjo e nervozoi së tepërmi Ebu Bekri i cili i tha:”Po a mund të flasë veçse të vërtetën i dërguari i Zotit?!” dhe u mat t’a qëllojë Aishen.

Profeti (a.s) ndërhyri dhe e mbajti Ebu Bekri, duke i thënë:”O Ebu Bekr, nuk të ftuam për këtë.”

Pasi Ebu Bekri doli jashtë, Profeti (a.s) i tha Aishes:”A e pe si të mbrojta prej tij?”

Këto fjalë e bënë Aishen të qeshë dhe bashkë me të dhe Profeti (a.s). Ebu Bekri e dëgjoi të qeshurën e tyre dhe u kthye përsëri. Pasi hyri brenda dhe i gjeti duke qeshur u tha:”Më bëni dhe mua të qesh, siç më bëtë të nervozohem.”

Një ditë, Profeti (a.s) i tha:”Unë e kuptoj kur je e kënaqur me mua dhe kur je e zemëruar.”

Aisheja e pyeti:”Si e kupton?”

Profeti (a.s) iu përgjigj:”Kur je e kënaqur me mua dhe betohesh, thua:”Për Zotin e Muhamedit!” Kurse kur je e zemëruar me mua dhe betohesh, thua:”Për Zotin e Ibrahimit!”

Aisheja ia tha:”Po o i dërguar i Allahut, kjo është e vërtetë. Por nuk mundohem të shmang veçse emrin tënd.”

Një dashuri e tillë lindi dhe nuk vdiq gjatë gjithë jetës së tyre bashkëshortore. Kjo, pasi ishte një dashuri e bazuar në kritere dhe objektiva sa të përbashkët aq edhe madhore. Ajo nuk ishte dashuri e bazuar në romantizëm dhe emocione të çastit.

Një natë, Profeti (a.s) pasi kishte fjetur i thotë Aishes:”O Aishe! Më lejo t’i falem Zotit tim!”

Aisheja ia ktheu:”Më pëlqen të qëndroj pranë teje, por do të lë të veprosh ç’të duash.”

Tregon Aishja:”Ai falej, kurse unë isha e shtrirë para tij. Sa herë që binte në sexhde, ai i shtynte këmbët e mia (ngaqë vendi ishte i ngushtë).”

Pas vdekjes së Profetit (a.s), Aisheja dëgjon ditë të thotë se gjërat që ta prishin namazin, janë tre: Qeni, gomari dhe gruaja (kur të dalin para).”

Aisheja u zemërua shumë nga këto fjalë dhe i tha:”A po na barazoni me qentë dhe gomerët?! Kur i dërguari i Zotit falej natën, unë qëndroja e shtrirë mes tij dhe drejtimit të kibles. Sa herë që binte në sexhde, më prekte tek këmbët dhe unë i mblidhja ato. Kur ngrihej nga sexhdeja, unë i shtrija sërish këmbët.”

Nuk ka të fshehta në jetën e Profetit (a.s)

Çdo njëri prej nesh, nga njerëzit më të thjeshtë gjer tek presidentët dhe njerëzit më të famshëm, ka një jetë intime dhe private brenda në familje. Marrëdhëniet e tyre në familje dhe brenda shtëpisë, mbahen sekret. Kjo vlen për këdo tjetër, përveç jetës familjare të profetit Muhamed (a.s). Përderisa ai ishte në rolin e ligjvënësit, nuk ka përse të ketë sekrete dhe jetë private. Ne kemi informacion mbi detaje shumë private të jetës bashkëshortore dhe familjare të Profetit (a.s). Këto detaje janë përcjellë tek ne nga vetë gratë dhe familjarët e Profetit a.s.

Tregon Aisheja:”Unë dhe Profeti (a.s) laheshim nga e njëjta enë. Ai më thoshte:”Ma lër mua (ujin) kurse unë i thosha “ma lër mua”.

Në një hadith tjetër të gjatë, që për leximin e plotë të tij të duhet çerek ore kohë, thuhet që një natë, Aisheja i tregonte Profetit (a.s) ndodhi dhe histori të njëmbëdhjetë grave, të cilat i dhanë fjalën njëra-tjetrës që të rrëfejnë gjithçka rreth burrave të tyre. Në këtë hadith, shpaloset qartë oratoria e Aishes. Hadithi është nga më të vështirët për t’u kuptuar. Gjatë rrëfimit, ajo i tregon dhe për një çift, ku burri, Ebu Zer e donte shumë gruan e tij Umu Zer. Edhe pse jetuan gjatë bashkë, patën fëmijë dhe e donin shumë njëri-tjetrin, në fund, Ebu Zer e divorci Umu Zer. Kur e tregoi divorcin e tyre, Aisheja u prek.

Profeti (a.s) e pa në fytyrë dhe i tha:”Për ty, unë jam si Ebu Zer për Umu Zer, veçse unë nuk të divorcoj.”

Kjo dashuri mes tyre, vazhdoi e tillë edhe pse atmosfera përreth dhe situata ishin të ngarkuara me luftra, konflikte dhe probleme nga më të ndryshmet.

Tregon Aisheja:”Kalonin muaj të tërë pa u ndezur zjarr në shtëpinë e të dërguarit të Allahut.” Kjo do të thotë që nuk kishin çfarë të gatuanin.

Dikush e pyeti:”Po si jetonit?”

Aisheja u përgjigj:”Ushqeheshim vetëm me hurma dhe ujë. Ndonjëherë, disa komshinj të Medines, i sillnin të dërguarit të Zotit qumësht, nga i cili ushqeheshim të gjithë.”

Kjo gjendje, jo se i dërguar i Zotit a.s ishte i varfër dhe fukara, por sepse gjithçka që kishte ai ua jepte të varfërve ose e shpenzonte në rrugë të Zotit.

Autor: Amr Halid

Përktheu: Elmaz Fida

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *