Besimi në shenjat e Kiametit është prej shtyllave të besimit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe lavdërimi më i mirë e përshëndetja më e plotë qofshin për profetin tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Allahu i Lartësuar tregon nga gjuha e besimtarit nga familja e Faraonit:  “O populli im! Kjo jetë e kësaj bote është vetëm një kënaqësi e përkohshme, kurse Ahireti është vendbanimi i qëndrueshëm. Kush bën një të keqe, nuk do të shpërblehet veçse me të ngjashmen, por kush bën vepra të mira – qoftë mashkull apo femër – duke qenë besimtar, ata do të hyjnë në Xhenet dhe do të furnizohen atje pa hesap (pa kufi).”[1]

Allahu e ka quajtur jetën e kësaj bote “kënaqësi” (metaa’), e (metaa’) është ajo prej së cilës njeriu e shfrytëzon për një farë kohe, pastaj ajo i mbaron. Pra, është një kënaqësi dhe mirësi që nuk zgjat për njeriun; dhe nëse zgjat për të, njeriu vetë nuk zgjat për të.

Nuk ka qortim më të madh për këtë botë sesa fakti se ajo është kalimtare dhe ndryshimet e gjendjeve brenda saj, që janë treguesi më i qartë për zhdukjen e saj. Jeta e njeriut në këtë botë është e paqëndrueshme: nga shëndeti në sëmundje, nga pasuria në varfëri, nga fuqia në dobësi, nga ekzistenca në zhdukje, nga ndërtimi në rrënim, nga bashkimi në ndarje – dhe çdo gjë që është mbi dhe, bëhet vetë dhe.

Të gjithë ne do të vdesim ashtu sikurse thotë Zoti i Plotfuqishëm: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe shpërblimi juaj do të jetë i plotë në Ditën e Ringjalljes. Pra, kushdo që tërhiqet nga Zjarri dhe futet në Xhennet, ai e ka arritur (dëshirën e tij). E çfarë është jeta e kësaj bote përveç kënaqësisë së mashtrimit.”[2] Vdekja nuk është një zhdukje e përjetshme, por një kalim nga një vendbanim në tjetrin, nga vendbanimi i veprave në vendbanimin e shpërblimit dhe të llogaridhënies, dhe kjo do të ndodhë pasi të ketë ardhur Ora, dhe Ora po vjen. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Me të vërtetë, Ora e Kijametit do të vijë. Unë pothuajse e fsheh atë, që çdo njeri të shpërblehet për atë që ka bërë.”[3] Ora është e vërtetë, koha e saj është e panjohur, fshehja e saj është për një arsye dhe shpërblimi për veprat është i vërtetë: “Kushdo që bën të mirë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, dhe kushdo që bën të keqe sa një thërrmijë, do ta shohë atë.”[4] Prandaj, Zoti i Plotfuqishëm tha: “Atëherë, mos lejoni që ai që nuk beson në të dhe ndjek epshin e vet t’ju largojë prej saj, në mënyrë që të shkatërroheni.”[5]

Besimi në Ditën e Kiametit dhe në shenjat e saj është një shtyllë nga shtyllat e besimit:

Besimi në Ditën e Kiametit dhe në shenjat e saj është një shtyllë nga shtyllat e besimit. Besimi në ringjalljen, ngritjen prej varrezave, Xhenetin, Zjarrin dhe në shpërblimin e veprave është themeli i besimit. Ai i cili beson në Ditën e Kiametit do të shpëtojë në Dynja dhe Ahiret dhe ai cili nuk beson do të humbasë të dyja botët. Allahu i Lartësuar thotë: “Mjerë për ata që mashtrojnë në peshim! Të cilët kur marrin masë prej njerëzve, e marrin plot. Por kur u matin atyre apo u peshojnë, ua bëjnë me mangësi. A nuk besojnë këta se do të ringjallen për një Ditë të madhe, ditën kur njerëzit do të ngrihen për të qëndruar para Zotit të botëve?”[6]

Besimi në Ditën e Gjykimit është një shtyllë nga shtyllat e besimit, dhe ai që e mohon atë është mohues. Besimi i njeriut nuk është i plotë pa të. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, dhe në Librin që Ai i ka zbritur të Dërguarit të Vet, dhe në Librat që i ka zbritur më parë. Kush mohon Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, ai ka humbur shumë larg.”[7]

Shenjat e Kiametit dhe treguesit e saj

Besimi në Ditën e Kiametit, në shenjat dhe treguesit e saj që i paraprijnë, është pjesë e besimit në të fshehtën (gajb). Allahu i Lartësuar e ka veçuar vetëm për Veten dijen për momentin e saktë të Kiametit,  askush tjetër nuk e di se kur do të ndodhë. Por Zoti ynë, i Lartësuar qoftë, na ka lajmëruar për ardhjen e shenjave të Kiametit në mënyrë të përgjithshme, kurse Profeti (a.s) na ka folur më në detaje rreth tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “A po presin tjetër, përveçse të vijë Ora papritur? Po, tashmë kanë ardhur shenjat e saj! Po ç’dobi do të kenë nga përkujtimi i tyre kur ajo t’ju vijë?! Prandaj dije se s’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe kërko falje për mëkatin tënd, për besimtarët e besimtaret. Allahu e di lëvizjen tuaj dhe vendqëndrimin tuaj.”[8]

Zoti ynë, i Lartësuar qoftë, nuk i ka përmendur me hollësi shenjat e Kiametit në Librin e Tij të Madhërishëm, por ia ka lënë sqarimin e tyre të dashurit të Tij më të madh, Muhamedit (a.s). Allahu thotë: “Ne ta kemi zbritur ty përkujtimin (Kur’anin), që t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur, në mënyrë që ata të mendojnë.”[9]

Nxitja për të bërë vepra të mira para shfaqjes së sprovave që i paraprijnë Kiametit

Nga kujdesi i madh i Pejgamberit (a.s) për umetin e tij, ishte që ai i nxiste ata të nxitojnë me vepra të mira para se të shfaqen sprovat dhe trazirat, sepse njeriu nuk e di si do të jetë gjendja e tij kur të përballet me to: çfarë do të veprojë, me çfarë do të sprovohet, dhe nëse do të qëndrojë apo do të rrëzohet.

Ebu Hurejra (r.a) transmeton se se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nxitoni me vepra të mira para sprovave (fitneve), të cilat do të jenë si nata e errët. Njeriu zgjohet besimtar dhe në mbrëmje bëhet jobesimtar, ose në mbrëmje është besimtar dhe zgjohet jobesimtar. E shet fenë e tij për pak nga kjo botë.”[10]

Gjithashtu po ashtu në një hadith tjetër të transmetuar po nga Ebu Hurejra (r.a.) tregohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nxitoni me vepra të mira para gjashtë gjërave: para se të lindë dielli nga perëndimi, para daljes së tymit, para shfaqjes së Dexhalit, para daljes së bishës, para vdekjes së ndokujt prej jush, ose para çështjes së përgjithshme (Kiametit).”[11]

Dhe po ashtu në një hadith tjetër të transmetuar  nga Ebu Hurejra (r.a.) tregohet se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nxitoni me vepra të mira para shtatë gjërave: A po prisni ndonjë varfëri që të ju harrojë, ose ndonjë pasuri që ju mashtron, ose ndonjë sëmundje që ju shkatërron, ose ndonjë pleqëri që ju bën të pafuqishëm, ose vdekje të papritur, ose Dexhalit – i cili është sprova më e keqe që pritet – ose vetë Kiametin – e Kiameti është më i rëndë dhe më i hidhur.”[12]

Epilog:

Të gjithë ne fundin e kemi vdekjen, dhe përfundimin e kemi tek Dita e Kiametit. Të gjithë do të japim llogari për fjalët dhe veprat tona. A ka ndonjë që do të nxitojë me vepra të mira, sidomos në kohët e trazirave, për shkak të fjalës së tij (a.s): “Adhurimi në kohët e trazirave është si të bësh hixhret tek unë.”[13]

O Allah, na mundëso të bëjmë vetëm vepra që të kënaqin Ty. Amin!

Autor: Ahmed Sherif Na’san

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Gafir: 39 – 40.

[2] – Sure Ali Imran: 185.

[3] – Sure Taha: 15.

[4] – Sure Zelzele: 7 – 8.

[5] – Sure Taha: 16.

[6] – Sure Mutafifin: 1 – 6.

[7] – Sure Nisa: 136.

[8] – Sure Muhamed: 18 – 19.

[9] – Sure Nahl: 44.

[10] – Muslimi.

[11] – Muslimi.

[12] – Tirmidhiu.

[13] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *