Formimi i “qenies së njeriut” sipas Kuranit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Librat që flasin për zhvillimin personal të njeriut e kanë trajtuar këtë temë, por për fat të keq, shumica e tyre mbeten vetëm teori pa zbatimin në praktikë. Për më tepër, ato kanë anashkaluar shumë aspekte të rëndësishme të kësaj çështjeje dhe nuk e kanë trajtuar atë si një metodologji islame. Përkundrazi, e kanë shkëputur plotësisht nga kontektsi islam, duke u frymëzuar kryesisht nga librat perëndimorë dhe nga përvoja personale.

Kjo është arsyeja që më shtyu të trajtoj këtë temë duke u bazuar në parimet e Kuranit, dhe pikërisht për këtë do të flas në këtë artikull.

1 –Qenia njerëzore është një tokë pjellore, ku pema e saj rritet nëse ujitet nga burimi i pastër i Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij (a.s)

Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk shohin ata se ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre prej qiellit dhe tokës? Nëse duam, i fundosim në tokë ose u lëshojmë mbi ta copëza nga qielli. Me të vërtetë, në këtë ka një shenjë për çdo rob që kthehet tek Allahu me pendim.”[1]

A nuk e shohin këta jobesimtarë, të cilët nuk besojnë në botën tjetër, madhështinë e fuqisë së Allahut në gjithçka që ndodhet para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë, gjëra që mahnitin mendjet? Dhe a nuk e kuptojnë se qielli dhe toka i kanë rrethuar ata nga çdo anë?

2 – Në kulturën tonë islame ne hasim thesare të çmuara që flasin për formimin e qenies njerëzore, dhe kjo vjen pas një meditimi të thellë në Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij.

Allahu i Madhëruar thotë: “Betohem në Atë që krijoi nefsin. Dhe e frymëzoi për të keqen dhe për të mirën.”[2]

Formimi i qenies njerëzore është thelbi i xhihadit në rrugën e Allahut në këtë jetë; formimi i vetes duhet të bëhet në fushën e besimit, mendimit, kulturës, adhurimit, moralit dhe mënyrës së udhëheqjes.

3 – Kur përgatitesh për të hyrë në një betejë kundër armiqve, lindin mendimet dhe idetë e shumta që burojnë nga thellësia e shpirtit njerëzor në përpjekjen për fitore dhe mbizotërim, duke patur parasysh shkaqet dhe pasojat që ndodhin gjatë konfliktit midis të vërtetës dhe të kotës.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është, as pasuria juaj, as fëmijët tuaj ajo që u afron pranë Nesh, është vetëm besimi dhe veprat e mira. Të tillët shpërblehen shumëfish për atë që vepruan dhe ata janë në dhoma të larta të shpëtuar.”[3]

Pasuritë dhe fëmijët tuaj nuk janë ato që ju afrojnë më shumë pranë Allahut dhe ju lartësojnë në grada. Por ata që besojnë në Allahun dhe bëjnë vepra të mira, për ta do të ketë shpërblim të shumëfishtë, sepse një vepër e mirë shpërblehet dhjetëfish ose më shumë me lejen e Allahut. Ata do të jenë të sigurt në shkallët më të larta të Xhenetit, të mbrojtur nga dënimi, vdekja dhe pikëllimi.

4 – Formimi i qenies njerëzore në fenë tonë përfaqësohet, së pari, nga xhihadi në rrugën e Allahut – dhe me këtë nënkuptoj si xhihadin e vërtetë, ashtu edhe luftën e brendshme të njeriut kundër vetes në këtë botë. Së dyti, ai qëndron në edukimin dhe formimin e individit brenda familjes së tij, ku qenia njerëzore gjen qëllimin e saj dhe arrin majat e dëshirave më të larta duke ecur me udhëheqësit e filozofisë mendore drejt përsosjes së sistemit të saj dhe strukturës së legjislacionit islam.

Këto dy qasje përbëjnë thelbin e formimit të qenies njerëzore në Islam, dhe të gjitha përparësitë që librat perëndimorë të zhvillimit personal përmendin, në thelb, rrjedhin prej tyre.

Formimi i qenies njerëzore fillon qysh në fëmijëri, me edukimin e tyre. Ai është një proces shkallë-shkallë që çon drejt përparimit dhe suksesit të vazhdueshëm, përmes një edukimi të mirë, që përfshin si çështjet madhore ashtu edhe ato të vogla. Ai – në të vërtetë – është një laborator formimi, nëpërmjet të cilit mendja e njeriut është e hapur dhe njohuritë akumulohen dhe zhvillohen në një atmosferë urtësie, lirie dhe tolerance.

Allahu i Madhëruar thotë: “Është e vërtetë se ai (Kurani) është një fjalë që dallon – gjykon.”[4]

5 – Kultura jonë islame në formimin e qenies njerëzore  është magjepsëse. Ajo është një kulturë e frymëzuar nga legjislacioni hyjnor, duke e bërë individin pjesë të elitës së mendimit islam në botë dhe duke e afruar atë si me individin ashtu edhe me shoqërinë.

Argumentimi islam i tejkalon mundësitë e zhvillimit personal që ofron qasja bashkëkohore. Ai është metoda e besimit tonë, e marrë nga madhështia e shpalljes hyjnore.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ka shpëtuar ai që është pastruar.”[5]

Ka shpëtuar ai që e ka pastruar veten nga sjelljet e këqija, ka përmendur Allahun, e ka njësuar dhe e ka lutur Atë, ka vepruar sipas asaj që e kënaq Atë dhe ka falur namazin në kohën e tij, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe duke iu bindur ligjit të Tij. Padyshim ky është një udhëtim që formon mendimin e njeriut për t’u pajisur me atë që sjell përmirësimin e vetes dhe për ta paralajmëruar nga amullia dhe pengimi për të avancuar drejt kënaqësisë së Allahut. Kjo metodologji kuranore i flet njeriut – në këtë formë me qëllim që qenia e tij të avancojë përpara dhe të largohet nga amullia ose kthimi pas.

6 – Medito rreth fjalëve të Allahut të Lartësuar në Kuran: “Dhe ndër ne ka të bindur, e ka edhe të padrejtë. Pra, kush i është dorëzuar Allahut, ata janë ata që kanë zgjedhur rrugën e drejtë.”[6]

Ky stil i përmendur në këtë ajet është brilant e i mrekullueshëm, sepse fillimisht përshkruan realitetin dhe më pas e sqaron atë duke përcaktuar qartë objektivin për të ardhmen. Kjo metodë zgjon vetëdijen dhe ndihmon në formimin e saj në mënyrën më të përsosur, duke marrë parasysh ndikimet mjedisore, shoqërore, kulturore dhe ekonomike. Në këtë mënyrë, personaliteti njerëzor bëhet i dalluar përballë realitetit dhe arrin të formësojë qartë objektivin e tij të dëshiruar.

7 – Varietetet e ajeteve kuranore që flasin për formimin e nefsit të njeriut janë të shumta, si për shembull në ajetin kuranor: “Dhe ne zhyteshim në të kota me ata që zhyteshin.”[7] Që do të thotë se ne përfshiheshim në biseda të kota e të pavlera me njerëzit që nuk dinin të bënin vetëm se këto biseda të pavlera. Në këtë ajet, ne vërejmë se si Kurani na ka treguar se cila është ajo rrugë e cila na pengon për të formuar nefsin, e ajo është rruga e argëtimit, lojrave, bisedave të pavlera e të kota që të shmangin nga e vërteta.

8 – Ajetet kuranore që flasin për formimin e “qenies njerëzore” janë më tepër se 403, ç’ka tregon se ajo është një program i mirëfilltë që lips si nevojë një studim sa më të hollësishëm.

9 – Allahu i Madhëruar thotë: “E ata që përpiqen t’i kundërshtojnë argumentet Tona duke i sfiduar, për ta do të ketë një dënim të dhembshëm.”[8] Kundërshtimi dhe mohimi i profetëve, Kuranit dhe argumenteve të Zotit, jo vetëm që nuk ndihmon në formimin e qenies së njeriut, por ai është shkak që një njeri i tillë të ndëshkohet në botën tjetër me dënimin më të ashpër dhe më të dhembshëm.

A e sheh se si metodologjia kuranore i drejtohet vetes kokëfortë, e cila nuk ngrihet drejt të vërtetës dhe nuk përpiqet të arrijë majat më të larta? Kjo, sipas perceptimit perëndimor, nënkupton mungesën e një vizioni të qartë për objektivat e saj në këtë jetë.

Ajo është një qenie njerëzore që është e ngërthyer në traditat e etërve dhe gjyshërve, pa bërë as edhe një hap drejt shpëtimit dhe suksesit.

Ajetet e Kuranit që flasin për formimin e qenies njerëzore kanë ndikuar tek unë, kanë forcuar mendimin tim, kanë ushqyer zemrën dhe shpirtin tim, duke më bërë të meditoj rreth tyre. Ato janë përgjigjja më e mirë ndaj metodologjive të çoroditura të Perëndimit.

Kurani është udhëzimi më i fuqishëm për formimin e qenies njerëzore në mënyrën më të mirë, qoftë në stilin e tij, apo të ligjeve të tij madhështore. Ai është një det i rrjedhshëm që nuk shteron kurrë, një kopsht i begatë që shëron sëmundjet, dhe male të palëkundura dijeje dhe kulture, të cilat ndriçojnë realitetin tonë bashkëkohor me larminë e ideve dhe pasurinë e përmbajtjes së tij për çdo njeri besimtar e monoteist.

Miku im, metodologjia e Kuranit është si një ujë i ëmbël dhe i freskët, nga i cili mund të pish për t’u ngopur dhe për të larë errësirën e zemrës dhe shpirtit tënd, derisa të arrish besimin, mirësinë dhe shëndetin shpirtëror me drejtësi dhe sinqeritet.

Sikur të mos kisha frikë se po e zgjas shumë, do të sillja shumë më tepër ajete që dëshmojnë për mënyrën e formimit të qenies njerëzore, ajete të cilat do t’i bënin përshtypje çdo lexuesi.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Autor: Nebil Muhamed Subhi Harexhi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Sebe: 9.

[2] – Sure Shems: 7 – 8.

[3] – Sure Sebe: 37.

[4] – Sure Tarik: 13.

[5] – Sure A’la: 14.

[6] – Sure Xhin: 14.

[7] – Sure Mudethir: 45.

[8] – Sure Sebe: 5.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.