Hadithet e Rijadus Salihin (301 – 400)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

301 – Amër ibn Shuajb transmeton prej babait të tij, prej gjyshit se ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj të falin namazin kur të jenë shtatë vjeç. Rrihini ata kur të jenë dhjetë vjeç (nëse nuk dëshirojnë të falen) dhe mos i lini të flenë bashkë në shtrat.”[1]

302 – Ebu Thurejjete Sebrete ibn Ma’bedi el Xhuhenij (r.a) ka thënë: i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mësojini fëmijës tuaj të falë namazin kur ai është shtatë vjeç dhe goditeni atë (nëse refuzon të falë namazin) kur ai është dhjetë vjeç.”[2]

Kurse në transmetimin e imam Ebu Daudit lexojmë: “Urdhërojini fëmijët tuaj të falin namazin kur të mbushin shtatë vjeç.”

Kapitull: i të drejtës së fqinjit dhe rekomandimit për të

303 – Ibn Omeri (r.a) dhe Aishja (r.a) kanë thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Xhibrili vazhdimisht më ka porositur për fqinjin, saqë mendova se ai (Xhibrili) do t’i jepte të drejtë atij (fqinjit) për të trashëguar.”[3]

304 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “O Ebu Dherr! Nëse gatuan çorbë (ushqim) shto sa më shumë ujë dhe kërko që të vijnë fqinjët.”[4]

Dhe në një transmetim tjetër, po nga Ebu Dherri (r.a) transmetohet se ka thënë: Vërtet, miku im (a.s) më këshilloi që nëse gatuaj çorbë ta shtoj ujë në të (të gatuaj më shumë), pastaj shiko një familje nga fqinjët e tu dhe jepu prej saj me mirësi!”

305 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Pasha Allahun! Nuk ka besuar (besim të plotë), Pasha Allahun nuk ka besuar! Pasha Allahun nuk ka besuar! Kush, o i Dërguar i Allahut – pyetën? Ai tha: Ai person, fqinji i të cilit nuk është i sigurtë nga të këqijat e tij.”[5]

Dhe në një transmetim tjetër tek imam Muslimi thuhet: “Nuk ka për të hyrë në Xhenet ai person, fqinji i të cilit nuk është i sigurtë nga të këqijat e tij.”

306 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Oj ju gra muslimane! Asnjëra prej jush nuk duhet ta nënçmojë fqinjën e saj qoftë edhe për një thundër deleje (që ajo ia ka dhuruar).[6]

307 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari I Allahut (a. s) ka thënë: “Askush prej jush mos ta ndalojë fqinjin e tij të ngulë një dërrasë në murin e tij! Pastaj Ebu Hurejra (r.a) tha: Përse po ju shoh që po shmangeni nga kjo gjë? Pasha Allahun, do ta hedh atë mes shpatullave tuaja.”[7]

308 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit nuk duhet ta lëndojë fqinjin. Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të respektojë mysafirin. Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira, ose përndryshe le të heshtë.”[8]

309 – Ebu Shurejh El Khuzai (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të sillet mirë me fqinjin e tij. Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të respektojë mysafirin. Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira, ose përndryshe le të heshtë.”[9]

310 – Aishja (r.a) ka thënë: Unë thashë: O i Dërguar i Allahut! Unë kam dy komshije, cilës prej tyre duhet t’i japë një dhuratë? Ai (a.s) tha: “Jepi asaj që kë më pranë derës tënde!”[10]

311 – Abdulla ibn Omer (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shokët më të mirë tek Allahu i Lartësuar janë ata të cilët janë më të mirët për shokun e tyre. Fqinjët më të mirë tek Allahu i Lartësuar janë ata të cilët janë të mirë me fqinjin e tyre.”[11]

Kapitull: sjellja e mirë me prindërit dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore

312– Abdulla ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: e pyeta Profetin (a.s): Cila është vepra më e dashur tek Allahu i Lartësuar? Ai tha: Namazi i falur në kohën e vet. Po pastaj – pyeta (përsëri)? Ai tha: Sjellja e mirë me prindërit. Po pastaj – pyeta (përsëri)? Ai tha: Xhihadi në rrugë të Allahut.”[12]

313 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Djali nuk mund ta shpërblejë të atin vetëm se në rastin kur e gjen atë skllav, e blen dhe pastaj e liron atë nga skllavëria.”[13]

314 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të respektojë mysafirin. Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të mbajë lidhjet farefisnore. Kushdo që beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të thotë fjalë të mira, ose përndryshe le të heshtë.”[14]

315 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar i ka krijuar krijesat. E pasi i krijoi ato, lidhja farefisnore është ngritur dhe ka thënë: Ky është vendi atij që e kërkon mbrojtjen nga këputja e lidhjeve farefisnore. Ai tha: Po, a je e kënaqur që Unë të mbaj atë që të mban ty dhe të mos jem me atë që të ndërpret ty? Ajo tha: Po dua. Ai tha: Kjo gjë të takon ty. Pastaj Profeti (a.s) tha: Lexoni nëse dëshironi: A pritet prej jush që nëse merrni sundimin të bëni trazira në tokë dhe të ndërprisni lidhjet farefisnore. Të tillët janë që Allahu i mallkoi, i bëri të shurdhër dhe ua verboi shikimin.”[15]

Dhe në një transmetim tjetër tek imam Buhariu, lexojmë: “Allahu i Madhëruar thotë: Kush i mban lidhjet me ty (të farefisit), Unë do t’i mbaj lidhjet me të. Dhe kush i ndërpret lidhjet me ty, Unë do t’i ndërpres lidhjet me të.”

316 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Kush është njeriu më meritor që të sillem mirë me të? Ai tha: nëna jote? Ai tha: Po pastaj? Ai tha: nëna jote. Ai tha: po pastaj? Ai tha: nëna jote. Ai tha: po pastaj? Ai tha: babai yt.”[16]

Në një transmetim tjetër thuhet: O i Dërguar i Allahut! Kush është njeriu më meritor që të sillem mirë me të? Ai (a.s) tha: “Nëna jote, pastaj nëna jote, pastaj nëna jote, pastaj babai dhe pastaj më të afërmit e tu.”

317 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “I Përbuzur, i përbuzur, i përbuzur është ai njeri i cili arrin pleqërinë e njërit apo të dy prindërve dhe nuk hyn në Xhenet.”[17]

318 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Unë kam të afërt, me të cilët i mbaj lidhjet, kurse ata i shkëpusin, unë sillem mirë me ta, por ata më trajtojnë keq, jam i durueshëm me ta, kurse ata sillen me injorancë ndaj meje. Profeti (a.s) tha: “Nëse (çështja) është kështu siç thua ti, atëherë është sikur ti po i ushqen ata me hi të nxehtë dhe do të kesh nga Allahu gjithmonë një ndihmës kundër tyre, për sa kohë vazhdon të veprosh kështu.”[18]

319 – Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush dëshiron që t’i çelet risku dhe të ketë jetë të gjatë, atëherë le të mbajë lidhjet farefisnore!”[19]

320 – Enes (r.a) ka thënë: Ebu Talha kishte më shumë se gjithë ensarët e Medines pasuri me pemtore hurmash dhe kopshti më i dashur për të ishte Bejruha, i cili ndodhej përballë xhamisë. I Dërguari i Allahut (a.s) shkonte aty dhe pinte nga uji i tij mjaft i mirë. Enesi thotë: Kur zbriti ajeti: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim derisa të mos e jepni më të dashurën e pasurisë tuaj.”[20] Ebu Talha shkoi te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Allahu i Lartësuar ka zbritur ajetin “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim derisa të mos e jepni më të dashurën e pasurisë tuaj dhe padyshim që kopshti Bejruha është gjëja më e dashur nga pasuria ime, kështu që unë dua ta jap atë sadaka për hir të Allahut të Lartësuar. Mirësinë e shpërblimin për të, e pres nga Allahu i Lartësuar. O i Dërguar i Allahut! Shpenzoje atë atje ku Allahu të bën që ti ta mendosh më me vlerë!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Bravo! Kjo është pasuri e vlefshme. E kam dëgjuar çfarë ke thënë (o Ebu Talha) dhe unë mendoj që t’ua japësh atë të afërmve të tu.” Ebu Talha tha: “Kështu do të bëj, o i Dërguari i Allahut!” Pastaj ai e ndau atë ndërmjet të afërmve të tij dhe fëmijëve të xhaxhai të tij.”[21]

321 – Abdulla ibn Amër ibn El As (r.a) ka thënë: Një njeri erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: Të jap besën ty (o i Dërguar i Allahut) për të emigruar dhe për të marrë pjesë në luftë duke kërkuar shpërblimin tek Allahu i Madhëruar. Ai (a.s) e pyeti: A ke ndonjërin prej prindërve gjallë? Ai tha: Po, i kam gjallë që të dy. Ai (a.s) tha: A kërkon që Allahu i Madhëruar të të shpërblejë? Ai tha: Po. Ai (a.s) tha: Kthehu tek prindërit e tu dhe sillu mirë me ata!”[22]

Dhe në një transmetim tjetër po tek Buhariu dhe Muslimi lexojmë: Një burrë erdhi (tek Profeti) dhe kërkoi leje prej tij që të merrte pjesë në luftë. Ai (a.s) e pyeti: A i ke gjallë prindërit? Ai tha: Po. Ai (a.s) tha: Tek ata të dy (sjellja jote me ta) është lufta jote.”

322 – Abdulla ibn Amër El As (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk konsiderohet mbajtës i lidhjeve farefisnore ai cili i mban ato reciprokisht, por mbajtës i lidhjeve farefisnore konsiderohet ai i cili kur farefisi i shkëput lidhjet me të, ai mban (fort) ato.”[23]

323 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Lidhja farefisnore është e varur në Arsh. Ajo thotë: Kush i mban lidhjet me mua, Allahu i mban lidhjet me të. Dhe kush i shkëput ato prej meje, Allahu i shkëput lidhjet me të.”[24]

324 – Nëna e besimtarëve, Mejmune bintu Harithe (r.a) i dha lirinë një robëresheje, por pa i marrë leje Profetit (a.s). Në ditën që ishte rradha në të cilën Profeti (a.s) do të qëndronte tek ajo, ajo i tha: A nuk e ke marrë vesh o i Dërguar i Allahut se unë e kam liruar robëreshën. Ai (a.s) pyeti: A vërtet e ke bërë një gjë të tillë? Ajo tha: Po. Ai (a.s) tha: “Nëse ti do t’ia kishe dhënë atë dajallarëve të tu do të fitoje më shumë shpërblim.”[25]

325 – Esma bintu Ebu Bekrin (r.a) ka thënë: Në periudhën kur i Dërguari i Allahut (a.s) bëri marrëveshjen e Hudejbijes me idhujtarët, tek unë erdhi mamaja ime e cila ishte idhujtare. Unë kërkova prej tij një sqarim duke i thënë: Më ka ardhur mamaja dhe ajo ka dëshirë të më pyesë (për diçka). A t’i mbaj lidhjet me mamanë time? Ai (a.s) tha: Po, mbaji lidhjet me mamanë tënde!”[26]

326 – Zejnep eth Thekafije, bashkëshortja e Abdulla ibn Mes’udit (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Oj ju gra, jepni sadaka qoftë edhe nga stolitë e juaja!” Ajo thotë: Unë u ktheve tek Abdulla ibn Mes’udi dhe i thashë: Ti je një njeri që posedon një pasuri të vogël, e i Dërguari i Allahut (a.s) na ka urdhëruar që të japim sadaka. Shko tek ai dhe pyete nëse më lejohet që sadakanë të ta japë ty, ose përndryshe mund t’ia jap dikujt tjetër! Abdullahu tha: Jo, më mirë shko ti! Unë shkova dhe tek dera e të Dërguarit të Allahut (a.s) gjeta një grua prej ensarëve, e cila kishte të njëjtin hall si i imi. Për shkak të personalitetit të Dërguarit të Allahut, ne nuk hymë brenda për ta pyetur atë. Kur nga (dera) doli Bilali, ne (të dyja) i thamë atij: Shko tek i Dërguari i Allahut dhe njoftoje se në derë janë dy gra të cilat kanë dëshirë me të pyetur se a është e lejueshme për ne të dyja që sadakanë t’ia japim bashkëshortëve tanë dhe jetimave që i kemi nën kujdesin tonë! Bilali hyri tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe ia drejtoi pyetjen (tonë). Ai (a.s) e pyeti atë: Kush janë ato të dyja? Bilali tha: Një nga gratë e ensarëve dhe Zejnepja. I Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti: Cila prej Zejnepeve? Ai tha: Bashkëshortja e Ibn Mes’udit. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Ato të dyja do kenë dy shpërblime: shpërblimin për të afërmit dhe shpërblimin e sadakasë.”[27]

327 – Nga Ebu Sufjan, Sahr ibn Harb (r.a.), transmetohet hadithi i tij i gjatë në ngjarjen e Herakliut, se Herakliu pyeti: Për çfarë ju urdhëron? d.m.th. Profeti (a.s.). Ebu Sufjani tha: Unë i thashë: Ai thotë: “Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim, lëreni atë që thonë baballarët tuaj. Na urdhëron për të falë namaz, për të thënë të vërtetën, të jemi të dëlirë dhe të mbajmë lidhjet farefisnore.”[28]

328 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ju do të çlironi atë tokë (vend) ku përmendet Kirati (monedhë).”[29]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ju do të çlironi Egjiptin dhe ajo tokë quhet toka e Kiratit. Prandaj silluni mirë me banorët e saj, sepse ju keni detyrime ndaj tyre dhe keni lidhje farefsinore me ta”

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Kur ju do ta çlironi atë, silluni mirë me banorët e saj sepse keni detyrime ndaj tyre dhe keni lidhje farefisnore” ose “keni detyrime ndaj tyre dhe i keni dhëndurë”

Dijetarët kanë thënë: lidhjet farefisnore për shkak të Haxheres, nënës së Ismailit. Kurse dhëndurët, për shkak të Maries, nënës së Ibrahimit, birit të Dërguarit të Allahut (a.s).

329 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Kur është shpallur ajeti: “Paralajmërore farefisin tënd më të afërt!”[30] i Dërguari i Allahut (a.s) i thirri kurejshët e ata u mblodhën dhe ju drejtua atyre në përgjithësi dhe në veçaniti, (a.s) tha: O fisi i Abdu Shemsit, o fisi i Ka’b ibn Lueji shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri! O fisi Murreh ibn Ka’b shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri! O fisi Abdu Menaf shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri! O fisi Hashimit shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri! O fisi i Abdul Mutalibit shpëtojeni veten tuaj nga Zjarri! Oj Fatime shpëtoje veten tënde nga Zjarri! Pasi unë nuk kam asgjë në dorë tek Allahu për ju, përveç faktit që unë kam me ju lidhje farefisnore të cilat do t’i mbaj dhe do t’i respektoj.”[31]

330 – Ebu Abdulla, Amër ibn el As (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) të thërrasë publikisht e jo në fshehtësi: “Familja e filan fisi nuk janë miqtë e mi, sepse Miku dhe miqtë e mi është Allahu dhe besimtarët e mirë, por me ata (të fisit) kam lidhje farefisnore të cilat do t’i mbaj dhe do t’i respektoj.”[32]

331 – Ebu Ejub, Halid ibn Zejd El Ensarij (r.a) transmeton se një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Më trego për një punë, të cilën nëse e veproj është shkak që të hyj në Xhenet dhe (njëkohësisht) është shkak që të më largojë nga Zjarri? Profeti (a.s) tha: “Adhuroje Allahun duke mos i shoqëruar askënd në adhurim, fale namazin, jepe zekatin dhe mbaji lidhjet farefisnore!”[33]

332 – Selman ibn Amir (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse dikush prej jush dëshiron të çelë iftarin, atëherë le ta çelë atë me hurmë (arabe), sepse ajo është bereqet. E nëse nuk gjen hurmë, atëherë le ta çelë me ujë, sepse ai është i pastër. Ai (a.s) ka thënë: Sadakaja që i jepet të varfërit konsiderohet sadaka, kurse ajo që i jepet një pjestari të farefisit konsiderohet e dyfishtë; sadaka dhe mbajtje e lidhjeve farefisnore.”[34]

333 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Kam pasë qenë i martuar me një grua të cilën e doja, kurse Omeri (babai) nuk e ka pasë pëlqyer. Ai më tha mua: Divorcoje! Mirëpo unë e refuzova. Omeri shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tregoi se çfarë ndodhi. Profeti (a.s) tha: Divorcoje!”[35]

334 – Ebu Darda (r.a) tregon se një burrë erdhi tek ai dhe i tha: Unë jam i martuar me një grua dhe nëna më urdhëron që ta divorcoj atë? Ai (Ebu Darda) tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: Prindi është dera e mesme e Xhenetit, nëse do lëshoje atë (derën) ose ruaje atë.”[36]

335 – Berra ibn Azib (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Tezja gëzon statusin e nënës”[37]

Kapitull: Ndalimi i sjelljes së keqe ndaj prindërve dhe shkëputjes së lidhjeve farefisnore

336 – Ebu Bekrete, Nufej ibn Harith (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë tre herë: “A doni t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha? Të pranishmit thanë: Patjetër o i Dërguar i Allahut. Ai tha: Vurja shok Allahut, mosbindja ndaj prindërve. Ai ishte i mbështetur pastaj u ul dhe tha: “a nuk është mëkat i madh edhe fjala dhe dëshmia e rremë?! Ai e tha këtë shumë herë saqë ne thamë: Ah sikur të heshtë.”[38]

337 – Abdulla ibn Amër ibn el As (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Mëkate të mëdha janë: vurja shok Allahut, mosbindja ndaj prindërve, vrasja e një nefsi (padrejtësisht) dhe betimi në rrenë.”[39]

338 – Abdulla ibn Ammër ibn el As (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Një mëkat i madh është kur njeriu shan prindërit e tij. Të pranishmit thanë: O i Dërguar i Allahut! A është e mundur që njeriu të shajë prindërit e tij?! Ai tha: Po është e mundur. Dikush shan babain e një burri dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë. Dikush shan nënën e një burri dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë.”[40]

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Vërtet pre mëkateve më të mëdhaja është kur njeriu mallkon prindërit e tij. Të pranishmit thanë: O i Dërguar i Allahut! Si mundet që njeriu të mallkojë prindërit e tij? Ai (a.s) tha: Dikush shan babain e një burri dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë. Dikush shan nënën e një burri dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë.”

339 – Ebu Muhamed, Xhubejr ibn Mutim (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka për të hyrë në Xhenet ai që i ndërpret lidhjet. Sufjani në transmetimin e tij thotë: d.m.th. ai që i ndërpret lidhjet farefisnore.”[41]

340 – Ebu Isa, Mugire ibn Shu’be (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar e ka ndaluar sjelljen e keqe me nënat, moskryerjen e obligimit dhe kërkimit të asaj që nuk ju takon,dhe varrosjen e vajzave dhe e ka bërë të urryer për ju thashethemet, pyetjet e shumta dhe humbjen e pasurisë.”[42]

Kapitull: Sjellja e mirë me miqtë e babait, nënës, të afërmëve, bashkëshortes dhe ndaj të gjithë atyre që duhet të nderohen

341 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, bamirësia më e mirë është kur njeriu (burri) i mban lidhjet me mikun e babit të tij.”[43]

342 – Abdulla ibn Dinari transmeton prej Abdulla ibn Omer (r.a) se një bedeuin e takoi atë rrugës për në Mekë. Abdulla ibn Omeri i dha atij selam, e hipi atë në gomarin që kishte hipur edhe vetë si dhe i dha atij edhe çallmën që kishte vendosur në kokë. Ibn Dinari tha: Ne i thamë atij: Allahu të dhashtë të mira, ata janë bedeuinë të cilët kënaqen me pak. Abdulla ibn Omeri (r.a) tha: Babai i këtij ka qenë mik i afërt me Omer ibn Hatabin (r.a). E unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet, bamirësia më e mirë është që njeriu të mbajë lidhje me miqtë e babait të tij.”

Në një transmetim tjetër thuhet se Ibn Dinari ka thënë: Kur Ibn Omeri (r.a) shkonte për në Mekë, kur ishte bezdisur nga hipja mbi deve, i hipte gomarit të tij. Ai e lidhte fort edhe çallmën mbi kokë. Një ditë teksa ai ishte mbi gomar, pranë tij kaloi një bedeuin. Ai e pyeti: A nuk je ti filani, biri i filanit. Ai tha; Po, unë jam. Ai i dha atij gomarin dhe i tha: Hip mbi të dhe i dha çallmën e tij dhe i tha: Shtrëngoje me të kokën. Disa shokë të tij i thanë: Allahu të faltë, ia dhe këtij bedeuini gomarin në të cilin kishe hipur vetë ti si dhe çallmën që kishe shtrënguar kokën tënde?! Ai tha: Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet, bamirësia më e mirë është që njeriu të mbajë lidhje me miqtë e babait të tij, pas vdekjes së tij.”  Babai i tij ka qenë mik i Omerit (r.a)”[44]

343 – Ebu Seid, Malik ibn Rebiate Es Saidi (r.a) ka thënë: Ne ishim ulur së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s) kur erdhi një burrë nga fisi Seleme. Ai tha: O i Dërguar i Allahut! A mund të sillem mirë ndaj prindërve të mi, pasi ata kanë vdekur? Ai tha: “Po, të lutesh për ta, të kërkosh falje për ta, të përmbushësh premtimin e tyre pas vdekjes, t’i mbash lidhjet farefisnore të cilat  nuk mund të mbahen përveçse përmes tyre dhe të nderosh miqtë e tyre.”[45]

344 – Aishja (r.a) ka thënë: Nuk kam patur zili ndaj asnjërës prej grave të Profetit (a.s) aq sa kam patur ndaj Hatixhes (r.a) megjithëse nuk e kisha parë asnjëherë, mirëpo Profeti (a.s) e ka pasë përmendur shpesh atë. Kur therrte ndonjë bagëti, ai e ndante atë në pjesë dhe ia dërgonte mikeshave të Hatixhes. E unë i thashë atij: Sikur mos të ketë në Dynja tjetër njeri përveç Hatixhes?! Ai tha: “Ajo ka qenë kush ka qenë dhe prej saj kam edhe fëmijë.”[46]

Në një transmetim tjetër thuhet: Kur ka pasë therrë një dele, ai (a.s) thonte: “Dërgojani atë mikeshave të Hatixhes!”

Në një transmetim tjetër thuhet: Haletu bintu Huejlidin, motra e Hatixhes kërkoi leje për të hyrë tek i Dërguari i Allahut (a.s). Ai (a.s) e njohu mënyrën e saj të kërkimit të lejes, e cila i ngjante asaj të Hatixhes, dhe kjo e preku atë. Pastaj ai (a.s) tha: “O Zot, Haletu bintu Huejlidin.”

345 – Enes ibn Malik (r.a) ka thënë: Dola në udhëtim së bashku me Xherir ibn Abdulla el Bexheli (r.a). Ai më shërbeu. Unë i thashë: Mos e bëj një gjë të tillë! Ai tha: Unë i kam parë ensarët që e kanë bërë një gjë të tillë me të Dërguarin e Allahut (a.s), kështu që jam betuar se sa herë që do të shoqërohem me ndonjërin prej tyre kam për t’i shërbyer.”[47]

Kapitull: Respekti ndaj familjes së të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe sqarimi i statusit të tyre

346 – Jezid ibn Hajjani ka thënë: Unë, Husejn bin Sebrati dhe Amr bin Muslimi shkuam te Zejd bin Erkam (r.a). Kur u ulëm pranë tij, Husejni i tha:”O Zejd! Ti ke pasur shumë mirësi. Ke parë të Dërguarin e Allahut (a.s), ke dëgjuar hadithet e tij, ke luftuar me të dhe ke falur namaz pas tij. Vërtet, ke pasur shumë mirësi! Na trego, o Zejd, çfarë ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (a.s)! Ai tha: O biri i vëllait tim! Pasha Allahun, jam plakur, koha (për të vdekur) po më afron dhe disa nga gjërat që kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (a.s) i kam harruar. Prandaj, çfarë ju tregoj, pranoni atë, e për atë që nuk ju them, mos më ngarkoni. Pastaj tha: Një ditë, i Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit për të mbajtur hutbe te një vend me ujë të quajtur Khumm, midis Mekës dhe Medinës. Ai e lavdëroi dhe e madhëroi Allahun, këshilloi dhe përkujtoi, pastaj tha: O njerëz! Unë jam vetëm një njeri. Së shpejti do të vijë i Dërguari i Zotit tim (Meleku i Vdekjes), dhe unë do t’i përgjigjem (thirrjes së tij). Unë po ju lë mes jush dy gjëra të rënda: e para është Libri i Allahut, në të cilin ka udhëzim dhe dritë. Mbajuni fort pas tij dhe përqafoni atë. Pastaj ai i nxiti njerëzit që të fokusoheshin tek Libri i Allahut dhe të kapeshin pas tij. Pastaj tha: Dhe familja ime! Ju përkujtoj Allahun për të drejtat e familjes sime! Ju përkujtoj Allahun për të drejtat e familjes sime! Atëherë Husejni e pyeti: Kush është familja e tij, o Zejd? A nuk janë gratë e tij pjesë e familjes së tij? Zejdi u përgjigj: Gratë e tij janë pjesë e familjes së tij, por familja e tij (Ehli Bejti) janë ata që u ndalohet lëmosha pas tij. Husejni e pyeti: Kush janë ata? Zejdi u përgjigj: Ata janë familja e Aliut, familja e Akilit, familja e Xhaferit dhe familja e Abbasit. Husejni e pyeti: A u ndalohet të gjithë këtyre lëmosha?”Zejdi u përgjigj: Po!”[48]

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Unë do të lë në mesin tuaj dy gjëra të rënda; njëri prej tyre është Libri i Allahut të Madhëruar. Kush e ndjek atë  ka për të qenë i udhëzuar dhe kush e braktis atë ka për të qenë i devijuar.”

347 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Ebu Bekër Es Sidiku (r.a) në hadithin meukuf  ka thënë: “Nderojeni  dhe kujdesuni për Muhamedin (a.s) tek familjarët e familjes së tij!”[49]

Kapitull: Respektit ndaj dijetarëve, të mëdhenjve dhe të dalluarve: Dhënia e tyre përparësi ndaj të tjerëve, lartësimi i kuvendeve të tyre dhe shfaqja e statusit të tyre

348 – Ukbe ibn Amër (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në namaz duhet të prijë ai që di të lexojë më shumë nga Libri i Allahut. Nëse ata janë të njëllojtë, atëherë duhet të prijë ai që është më i dijshëm rreth Sunetit. Nëse janë të njëllojtë, atëherë duhet të prijë ai që ka emigruar më herët. Nëse kanë emigruar në të njëjtën kohë, atëherë duhet të prijë ai që është më i madh në moshë. Njeriu nuk duhet t’i prijë në namaz një njeriu që është nën pushtetin (autoritetin) e tij dhe as nuk i lejohet që në shtëpinë e tjetrit të ulet tek vendi i preferuar i mikpritësit veçse me lejen e tij.”[50]

Në një transmetim tjetër thuhet: “duhet të prijë ai që ka hyrë më parë në Islam” në vend të shprehjes: “duhet të prijë ai që është më i madh në moshë”

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Në namaz duhet të prijë ai që di të lexojë më shumë nga Libri i Allahut dhe ai që është më i vjetër në lexim. Nëse janë të njëllojtë në lexim, atëherë duhet të prijë ai që ka emigruar më herët. Nëse kanë emigruar në të njëjtën kohë, atëherë duhet të prijë ai që është më i madh në moshë.”

349 – Ukbe ibn Amër (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) i ka pasë prekë supet tona para se me falë namazin dhe na thoshte: “Drejtohuni dhe mos jinni të padrejtuar (në saf) që mos të jenë zemrat e juaja të padrejtuara. Pas meje le të falen më të mençurit dhe më të aftët, pastaj ata që janë në shkallë më të ulët, pastaj ata më të ulët.”[51]

350 – Abdulla ibn Mes’udi (r.a)  ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pas meje le të falen më të mençurit dhe më të aftët, pastaj ata që janë në shkallë më të ulët” Ai (a.s) e përsëriti këtë shprehje tre herë. Dhe pastaj tha: “Ruhuni nga zhurma e tregjeve!”[52]

351 – Ebu Jahja dhe thuhet Ebu Muhamed, Sehl ibn ebi Hathmete el Ensarij (r.a) ka thënë: Abdulla ibn Sehli dhe Muhajjisetu ibn Mes’udin shkuan në Hajber që asokohe ishte nën një marrëveshje paqeje. Pasi u ndanë, Muhajjisetu shkoi dhe e gjeti Abdulla ibn Sehlin të larë me gjakun e tij, të vrarë. Ai e varrosi atë dhe pastaj u kthye në Medine. Abdurrahman ibn Sehli, Muhajjisetu dhe Huajjisa, dy bijtë e Mes’udit shkuan tek Profeti (a.s). Abdurrahmani u përpoq të fliste i pari, por Profeti (a.s) i tha: “Lëre më të madhin (të flasë), lëre më të madhin! Sepse ai (Abdurrahmani) ishte më i riu ndër ta. Kështu ai heshti dhe dy të tjerët folën. Pastaj Profeti (a.s) tha: “A do të betoheni që ta fitoni të drejtën e gjakun e të vrarit tuaj? Dhe vazhdoi me pjesën tjetër të hadithit.”[53]

352 – Xhabiri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) se pas betejës së Uhudit ka pasë varrosur dy luftëtarë në një varr. Ai tha: Cili prej tyre di më shumë Kuran? Kush prej tyre cilësohej si i tillë, ai e fuste të parin në varrin e bërë në formë Lehdi.”[54]

353 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Pashë në ëndërr sikur po përdorja misvakun. Tek unë erdhën dy burra, njëri më i madh se tjetri. Unë ia dhashë misvakun më të voglit. Por dikush më tha: Jepja atë më të madhit dhe unë ia dhashë më të madhit prej tyre.”[55]

354 – Ebu Musa (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Prej madhështisë së Allahut të Lartësuar është nderimi i muslimanit të moshuar me thinja,nderimi i  bartësit të Kuranit jo ekstremist ndaj tij dhe as braktisës së tij si dhe nderimi i pushtetarit të drejtë.”[56]

355 – Amër ibn Shuajb transmeton prej babait, prej gjyshit se ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai cili nuk toleron të vegjëlit tanë dhe nuk i vlerëson të mëdhenjtë tanë.”[57]

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Daudi thuhet: “Dhe nuk i jep të drejtë të mëdhenjve tanë”

356 – Mejmun ibn ebi Shebib (r.a) transmeton se njëherë pranë  Aishes (r.a) kaloi një lypsar dhe ajo i dha një copë bukë. Më pas, kaloi një burrë i veshur mirë dhe me një paraqitje të hijshme, ndaj e uli, e ftoi të hajë dhe ai hëngri. Kur u pyet për këtë veprim ajo u përgjigj: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Trajtojini njerëzit sipas pozitave të tyre!”[58] Këtë hadith e ka transmetuar Ebu Daudi, i cili ka thënë se Mejmuni nuk e ka takuar Aishen.

Po ashtu Muslimi e ka përmendur këtë hadith në fillim të librit të tij – në formë mual-lak – duke thënë: Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut na ka urdhëruar që t’i trajtojmë njerëzit sipas pozitave të tyre.”[59]

357 – Ibn Abasi (r.a) thotë: “Ujejne ibn Hisni erdhi dhe u vendos tek djali i vëllait të tij El Hurr ibn Kajsi, i cili ishte prej atyre njerëzve që Omeri e mbante pranë vetes. Dijetarët dhe adhuruesit e devotshëm ishin pjesëmarrësit dhe këshilltarët e kuvendit të Omerit, pa marrë parasysh nëse ishin të moshuar apo të rinj. Ujejne i tha djalit të vëllait: O djali i vëllait tim! Ti ke afrimitet me këtë udhëheqës, prandaj kërkoi leje për mua që ta takoj. Ai kërkoi leje dhe Omeri i dha leje. Kur ai hyri tha:“Hëm..O biri i Hatabit! Pasha Allahun nuk po na jep me bollëk dhe nuk po gjykon me drejtësi mes nesh”. Omeri u zemërua, saqë tentoi ta rrihte. Mirëpo El Hurri i tha:“O Prijës i besimtarëve! Vërtet, Allahu i Lartësuar iu drejtua Profetit të Tij me këto fjalë:“Trego mëshirë, urdhëro për vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit”. Vërtet ky është nga të paditurit. Pasha Allahun! Omeri nuk e kaloi cakun kur e lexoi atë ajet kuranor. Ai (Omeri) i zbatonte urdhëresat e Librit të Allahut të Lartësuar”[60]

358 – Ebu Seid, Semurete ibn Xhundub (r.a) ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) unë isha një djalosh dhe mësoja prej tij përmendësh. Nuk më ndalonte asgjë që të flisja përveç faktit se këtu ka burra që janë më të moshuar se unë.”[61]

359 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo djalosh që e nderon një të moshuar për shkak të moshës së tij, Allahu ka për të caktuar dikënd që ta nderojë kur ai të jetë i moshuar.”[62]

Kapitull: Vizita e njerëzve të mirë, qëndrimit, shoqërimit dhe dashurisë për ta, thirrja e tyre për vizitë për t’u lutur për ty dhe vizita e vendeve të rëndësishme

360 – Enesi (r.a) ka thënë: “Ebu Bekri (r.a) i tha Omerit (r.a) pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s): “Eja të shkojmë tek Umm Ejmeni (r.a) për ta vizituar, ashtu siç e vizitonte i Dërguari i Allahut (a.s).” Kur arritën tek ajo, ajo filloi të qante. Ata i thanë: “Çfarë të bën të qash? A nuk e di se ajo që është tek Allahu është më e mirë për të Dërguarin e Allahut (a.s)?” Ajo tha: “Unë nuk po qaj ngaqë nuk e di se ajo që është tek Allahu është më e mirë për të Dërguarin e Tij (a.s), por po qaj sepse shpallja është ndërprerë nga qielli.” Këto fjalë i preken ata të dy shumë dhe i ngacmuan për të qarë, kështu që të dy filluan të qajnë bashkë me të.”[63]

361 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Një burrë vizitoi një vëllain e tij, i cili banonte në një fshat tjetër. Në rrugën (që ai do të përshkuante), Allahu caktoi një ëngjëll që do ta mbikqyrte. Kur engjëlli shkoi tek ai e pyeti: Ku po shkon? Ai tha: po shkoj tek një vëllai im që banon në këtë fshat. Engjëlli e pyeti: A ke ndonjë interes dhe dëshiron që të jesh mirënjohës ndaj tij? Ai tha: Jo, përveç faktit që unë e dua atë për hatër të Allahut të Lartësuar. Engjëlli tha: Unë jam i dërguar i Allahut që më dërgoi tek ti dhe të përgëzoj se Allahu të do ashtu sikur e do ti atë për hatër të Tij.”[64]

362 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë apo një vëlla për hatër të Allahut, një thirrës (engjëll) do të thërrasë: Ke fituar mirësi, të ecurit tënd të është shkruar sevap dhe ke fituar një shtëpi në Xhenet.”[65]

363 – Ebu Musa El Esh’ari (r.a) transemton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet shembulli i shoqëruesit të mirë dhe shoqëruesit të keq është si shembulli i bartësit të parfumit dhe atij që i fryn gjyrykut. Bartësi i parfumit ose të parfumos, ose të shet parfum, ose do të kundërmojë erë të mirë. Kurse farkëtari, ose do të të djegë rrobat, ose do të kundërmojë erë të qelbur.”[66]

364 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Një grua martohet për katër arsye: për pasurinë e saj, për pozitën shoqërore të saj, për bukurinë e saj dhe për përkushtimin fetar. Zgjidh atë që është e përkushtuar në fe që mos të jesh i humbur.”[67]

Ky hadith do të thotë se: njerëzit zakonisht kërkojnë tek një grua këto katër cilësi. Prandaj ti përpiqu të zgjedhësh atë që është e përkushtuar në fe dhe përpiqu ta fitosh atë duke u kujdesur për shoqërinë e saj.

365 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) i ka thënë Xhibrilit: “Çfarë të pengon që të na vizitosh më shpesh? Me këtë rast u shpall ajeti: {Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket e tërë çështja e tashme, e ardhme dhe mes tyre.}[68][69]

366 – Ebu Seid El Hudri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Mos u shoqëro veçse me një besimtar dhe ushqimin tënd nuk duhet ta hajë vetëm se një njeri i devotshëm.”[70]

367 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj ju duhet të shikoni se me kë shoqëroheni.”[71]

368 – Ebu Musa El Esh’ari (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Njeriu (në botën tjetër)do të jetë më atë që do.”[72] E në një transmetim tjetër Ebu Musa (r.a)ka thënë: E kanë pyetur Profetin (a.s): Njeriu do një popull, por nuk mund të jetë me ta?! Ai tha: Njeriu do të jetë me atë që do.”

369 – Enesi (r.a) transmeton se në bedeuin e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): Kur është Ora (Kijameti)? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Çfarë ke përgaditur për të? Ai tha: Dashurinë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ai (a.s) tha: “Ti do të jesh me atë që do”[73]

Në një transmetim tjetër po tek imam Buhariu dhe imam Muslimi thuhet: “Nuk jam përgaditur për të pasi nuk agjëroj shumë (agjërim vullnetar), as fal shumë (namaz vullnetar) dhe as jap shumë sadaka, por unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”

370 – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: Një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut (a. s) dhe tha: O i Dërguar i Allahut, çfarë thua për atë njeri që e do një popull, por që nuk ka mundësi të jetë si ai? Ai (a.s) tha: “Njeriu do të jetë me atë që do.”[74]

371 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Njerëzit janë minerale si mineralet e floririt dhe të argjendit. Ata që kanë të përzgjedhur (fisnikë)në periudhën e xhahilijes janë të përzgjedhur (fisnikë) edhe në Islam nëse kuptojnë Islamin ashtu si duhet.  Shpirtrat e njërzve janë palë palë (e të ndryshëm). Kur njihen me njëra-tjetrën miqësohen dhe kur kundërshtojnë njëri-tjetrin përçahen.”[75]

372 – Usejr ibn Amër dhe thuhet ibn Xhabir ka thënë: “Kur vinin njësitë (luftarake) nga Jemeni, Omeri (r.a) pyeste: A është mes jush Uejs ibn Amiri? Derisa një ditë arriti tek ai dhe e pyeti: A je ti Uejs ibn Ai u përgjigj: Po. Ai e pyeti: A je nga fisi Murad prej familjes Karani? Ai tha: po. Omeri e pyeti sërish: Ke pasur lebrozë dhe u shërove prej saj, përveç një vendi sa një monedhë? Ai tha: Po. Omeri vazhdoi: Ke një nënë? Ai u përgjigj: Po. Atëherë Omeri tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s ) të thotë: Do të vijë tek ju Uejs ibn Amiri me njësitë nga Jemeni, nga fisi Murad prej familjes Karan. Ai ka pasë lebrozë dhe u shërua prej saj, përveç një vendi sa një monedhë. Ai ka një nënë dhe është shumë i përkushtuar ndaj saj. Nëse betohet për diçka para Allahut, Ai e realizon atë. Nëse mundesh, që të kërkosh prej tij që ai të lutet që Allahu të të falë bëje. Andaj lutu për mua që Allahu të më falë dhe ai u lut për të. Më pas Omeri e pyeti: Ku ke ndërmend të shkosh? Ai u përgjigj: Në Kufe. Omeri i tha: A dëshiron t’i shkruaj guvernatorit atje që të të trajtojë mirë? Ai tha: Jo, më pëlqen të jem mes njerëzve të zakonshëm. Vitin e ardhshëm, një burrë nga paria e Kufës erdhi për haxh dhe takoi Omerin, i cili e pyeti për Uejsin: Si e le atë? Ai u përgjigj: E lashë në një shtëpi të thjeshtë, me pak sende. Atëherë Omeri tha: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s ) të thotë: Do të vijë tek ju Uejs ibn Amiri me njësitë nga Jemeni, nga fisi Murad prej familjes Karan. Ai ka pasë lebrozë dhe u shërua prej saj, përveç një vendi sa një monedhë. Ai ka një nënë dhe është shumë i përkushtuar ndaj saj. Nëse betohet për diçka para Allahut, Ai e realizon atë. Nëse mundesh, që të kërkosh prej tij që ai të lutet që Allahu të të falë bëje.  Kur ky burrë u kthye në Kufe, shkoi tek Uejsi dhe i tha: Lutu për mua që Allahu të më falë.Uejsi i tha: Ti sapo ke ardhur nga një udhëtim i bekuar, prandaj lutu ti për mua. Ai e pyeti: A e takove Omerin? Uejsi u përgjigj: Po. Pastaj u lut për të. Kur njerëzit e morën vesh këtë, filluan ta kërkonin Uejsin, por ai u largua dhe vazhdoi rrugën e tij.”[76]

Në një transmetim tjetër po tek imam Muslimi transmetohet se Usejr ibn Xhabiri (r.a) ka thënë se banorët e Kufës dërguan tek Omeri një delegacion, në mesin e të cilëve ishte edhe Uejsi të cilin e përbuznin. Omeri pyeti: A është në mesin tuaj ndonjë njeri prej familjes Karani? Një njeri erdhi. Omeri tha: Vërtet, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet ju do t’ju vijë një njeri nga Jemeni që quhet Uejs, në Jemen ai nuk ka lënë askënd përveç nënës, ai ka pasë sëmundjen e lebrozës, i lutet Allahut dhe Allahu ia largon atë përveçse një pjese sa një dinar apo dirhem. Kushdo që e takon prej jush, le të kërkojë prej tij që të lutet që Allahu ta falë atë!”

Dhe në një transmetim tjetër po tek imam Muslimi transmetohet se Omeri (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet, prej tabiinëve më të mirë do të jetë një njeri që quhet Uejs, ai ka një nënë dhe ka pasë sëmundjen e lebrozës, kërkoni prej tij që t’i kërkojë Allahut që t’ju falë juve.”

373 – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: I kërkova leje të Dërguarit të Allahut (a.s) që të shkoj të kryej Umren dhe ai më dha leje. Ai tha: “Mos harro të bësh ndonjë lutje për ne, o vëllai ynë” Ai tha një fjalë që nuk do ta këmbeja me të gjithë botën.”[77]

Në një transmetim tjetër, ai (a.s) tha: “Përfshina në lutjen tënde, o vëllai im”

374 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) e ka pasë vizituar Kubanë i hipur mbi kafshë dhe në këmbë, ai falte aty dy rekate namaz.”[78]

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: Çdo ditë të shtunë Profeti (a.s) vinte në xhaminë Kuba i hipur mbi kafshë dhe në këmbë. Të njëjtë gjë ka pasë vepruar edhe Ibn Omeri.

Kapitull: Vlera e dashurisë për hir të Allahut dhe nxitja për të. Gjithashtu, të njoftosh dikë se e do për hir të Allahut dhe çfarë duhet t’i thuhet kur e informon atë.

375 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush i posedon tre gjëra e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jetë për të më i dashur se kushdo tjetër, që të dojë dikënd vetëm për hatër të Allahut dhe që të urrejë të kthehet në mosbesim pasi Allahu e shpëtoi prej tij, ashtu sikur e urren të hidhet në Zjarr.”[79]

376 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shtatë kategori njerëzish Allahu do t’i strehojë në hijen e Tij, në atë Ditë që nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij: prijësin e drejtë, të riun i cili rritet me frymën e adhurimit të Allahut, personin, zemra e të cilit është lidhur fort me xhaminë, dy persona që duhen për hatër të Allahut, janë bashkuar për këtë qëllim dhe ndahen po për këtë qëllim, personin të cilin një grua me pozitë dhe e bukur e thërret për të kryer marrëdhënie intime, mirëpo ai thotë: Unë kam frikë Allahu, personin i cili jep sadaka dhe e fsheh atë në mënyrë të atillë që dora e majtë nuk e di çfarë ka dhënë dora e djathtë dhe personin i cili e përmend Allahun kur është vetëm dhe nga sytë e tij rrjedhin lot.”[80]

377 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar do të thotë në Ditën e Kijametit: Ku janë atë të cilët janë dashur me njëri – tjerin për hir të madhështisë Time? Sot, unë do t’i vendos në hijen Time, në atë ditë ku nuk ka hije përveç hijes Time.”[81]

378 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Betohem në Atë që shpirti im është në Dorën e Tij se ju nuk do të hyni në Xhenet derira të besoni dhe nuk do të besoni derisa të duheni me njëri – tjetrin. A dëshironi t’ju tregoj për një veprim që nëse e bëni do të duheni? Përhapeni selamin midis jush!”[82]

379 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Një burrë vizitoi një vëllain e tij, i cili banonte në një fshat tjetër. Në rrugën (që ai do të përshkuante), Allahu caktoi një ëngjëll që do ta mbikqyrte.” Ai e përmendi vazhdimin e hadithit derisa (engjëlli i tha): “Allahu të do ashtu sikur e do ti atë për hatër të Tij.”[83]

380 – Bera ibn Azib (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë për Ensarët: “Ata nuk i do askush përveç besimtarëve dhe nuk i urren askush tjetër përveç munafikëve. Kush i do ata, Allahu e do atë dhe kush i urren ata, Allahu e urren atë.”[84]

381 – Muadhi (r.a) ka thënë: kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut se ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata të cilët duhen me njëri-tjetrin për hatër të madhërisë Time do të jenë (në ditën e gjykmit) në podiume të larta me dritë, saqë profetët dhe dëshmorët do t’i kenë zili.”[85]

382 – Ebu Idris el Haulani ka thënë: Hyra në xhaminë e Damaskut dhe pashë një të ri me dhëmbë të bardhë e të shndritshëm, rreth të cilit ishin mbledhur njerëzit. Kur ata kishin ndonjë mospajtim për diçka, i drejtoheshin atij dhe merrnin mendimin e tij. Pyeta për të dhe më thanë: Ky është Muadh ibn Xhebeli (r.a). Të nesërmen, shkova herët në xhami, por ai më kishte paraprirë dhe po falte namaz. Prita derisa përfundoi namazin, pastaj iu ofrova, e përshëndeta dhe i thashë: Pasha Allahun, të dua për hatër të Tij. Ai më pyeti: Për hatër të Tij?! Unë u përgjigja: Për hatër të Allahut. Ai përsëri më pyeti: Për hatër të Zotit?! Unë iu përgjigja: Për hatër të Tij. Atëherë ai më kapi prej rrobe dhe më tërhoqi drejt vetes, pastaj më tha: Lum si ti! Pasi unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: Dashuria ime është detyrim për ata që duhen për hatrin Tim, që ulen së bashku për hatrin Tim, që shkëmbejnë vizita për hatrin Tim dhe që ndihmojnë njëri – tjetrin për hatrin Tim.”[86]

383 – Ebu Kerimete, Mikdad ibn Ma’di Jekribe (r.a) transmeton e Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse dikush e do vëllain e tij, atëherë le ta njoftojë atë se ai e do atë.”[87]

384 – Muadhi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) e kapi për dore dhe tha: “O Muadh, Pasha Allahun, unë të dua ty, dhe unë po të të këshilloj, o Muadh: që pas çdo namazi të mos e lësh pa thënë: O Allah më ndihmo që të të përmend Ty, të të falenderoj dhe të të adhuroj në mënyrën më të mirë.”[88]

385 – Enesi (r.a) tregon se një njeri ishte pranë Profetit (a.s), kur pranë tyre kaloi një person. Njeriu tha: O i Dërguar i Allahut, unë e dua këtë njeri. Profeti (a.s) e pyeti: A ia ke treguar këtë atij? Njeriu u përgjigj: Jo. Profeti (a.s) tha: Shko dhe tregoja! Atëherë njeriu shkoi pas tij dhe i tha: Unë të dua për hatër të Allahut. Dhe ai u përgjigj: Të dashtë Ai, për hatër të Cilit më do.”[89]

Kapitull: Shenjat e  dashurisë së Allahut për robërit e Tij dhe motivimi për t’u pajisur me ato cilësi dhe synimi për t’i përmbushur ato.

386 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar ka thënë: Kushdo që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim, Unë do t’i shpall atij luftë. Gjëja më e dashur me të cilën më afrohet robi Im është ajo që ia kam bërë obligim. Robi im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua, e kur ta dua, bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën vepron dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse ai kërkon prej Meje do t’ia jap atë që kërkon e nëse kërkon prej Meje mbrojtje, do ta mbroj.”[90]

387 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur Allahu i Lartësuar e do robin (e Tij), thërret Xhibrilin dhe i thotë: Vërtet, Allahu i Lartësuar e do filanin, prandaj duaje edhe ti dhe Xhibrili e do atë. Pastaj ai thërret tek banorët e qiellit: Allahu i Lartësuar e do filamin, prandaj duajeni atë dhe banorët e qiellit e duan atë. Më pas ai është i pranuar edhe në Tokë.”[91]

Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, kur Allahu e do një rob. Ai e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti! Atëherë Xhibrili e do atë dhe thërret në qiell: Vërtet Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju! Atëherë banorët e qiellit e duan atë dhe pastaj do ta duan edhe banorët e Tokës. Por, nëse Allahu e urren një rob, Ai e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Unë e urrej filanin, prandaj urreje edhe ti! Atëherë Xhibrili e urren atë dhe thërret në mesin e banorëve të qiellit: Vërtet, Allahu e urren filanin, prandaj urrejeni edhe ju! Atëherë banorët e qiellit e urrejnë atë dhe më pas vendoset për të urrejtje edhe në tokë.”

388 – Aishja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) dërgoi një burrë në krye të një ekspedite. Në namaz ai lexonte – në fund – “Kul huua llahu Ehad”. Kur u kthyen nga ekspedita njerëzit i treguan të Dërguarit të Allahut (a.s) për këtë veprim. Ai tha: Pyeteni se përse ai e bën një gjë të tillë! Ata e pyetën dhe ai tha: Sespse në këtë ajet përmendet atributi i Mëshiruesit dhe unë kam shumë dëshirë që ta lexoj atë. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Njoftojeni se Allahu i Lartësuar e do atë!”[92]

Kapitull: Kujdesi për mos të lënduar njerëzit e mirë, të dobëtit dhe të varfërit

389 – Xhundub ibn Abdulla (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e fal namazin e Sabahut është në mbrojtjen e Allahut. E mos t’ju shohë Allahu që ju t’i bëni keq atij që është në mbrojten e Tij, sepse ai që e bën këtë gjë, Ai e kap atë dhe e kthen me fytyrë përdhe në zjarr të Xhehenemit.”[93]

Kapitulli: Gjykimi i njerëzve në bazë të aparencës kurse brendia e tyre është kompetencë e Allahut të Lartësuar

390 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Nëse ata e bëjnë një gjë të tillë, atëherë unë u garantoj atyre gjakun dhe pasurinë, përveçse nëse ato të dyja u merren  atyre me të drejtën ligjore sipas rregullave të Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu i Lartësuar.”[94]

391 – Ebu Abdulla, Tarik ibn Ushejm (r.a) ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kushdo që thotë nuk ka zot tjetër pëveç Allahut dhe se Muahmedi është i dërguar i Allahut, dhe mohon gjithçka që adhurohet përveç Allahut, atëherë pasuria dhe gjaku i tij është i ndaluar dhe llogaria e tij është te Allahu i Lartësuar.”[95]

392 – Ebu Ma’bed, Mikdad El Es’uedi (r.a) ka thënë: i thashë të Dërguarit të Allahut (a.s): Nëse unë përleshem në betejë më një mosbesimtar, e ai me shpatë godet njërën dorë timen dhe e pret atë, pastaj ai shkon te një pemë për të gjetur strehë dhe thotë: i jam nënshtruar Allahut (jam bërë musliman), a duhet ta vras pasi e thotë atë fjalë, o i Dërguar i Allahut? Ai tha: Jo, mos e vrit. Unë thashë: o i Dërguar i Allahut, por ai ka prerë dorën time dhe pas kësaj e ka thënë atë fjalë?! Ai tha: Jo, mos e vrit se nëse ti e vret atë, ai është në stadin tënd përpara se të luftosh dhe ti je në stadin e tij përpara se ai ta thotë atë fjalë.”[96]

393 – Usame ibn Zejd (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) na dërgoi në Hureka, një lagje në fisin Xhuhejne. Dhe ne shkuam tek burimi i ujit të tyre në të gdhirë. Unë dhe një burrë nga ensarët ndoqëm një burrë prej tyre dhe në momentin që e zotëruam, ai tha: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ensariju u ndal, kurse unë e godita me shtizën time dhe e vrava. Kur shkuam në Medine, Profeti (a.s) e mori vesh se çfarë kishte ndodhur dhe më tha: O Usame, a e vrave pasi tha se nuk ka zot tjetër përveç Allahut?! unë thashë: O i Dërguar i Allahut! Ai e tha atë sa për mbrojtje?! Ai tha: A e vrave pasi tha se nuk ka zot tjetër përveç Allahut?! Ai po vazhdonte ta përsëriste këtë shprehje saqë shpresova që mos ta kisha pranuar Islamin para asaj dite.”[97]

Në një transmetim tjetër thuhet: “A tha: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe ti e vrave atë? Unë thashë: O i Dërguar i Allahut, ai e tha atë (shpehje) nga frika e armës?! Ai tha: “A mos ia hape zemrën që ta dish se për çfarë e tha?! Ai vazhdonte ta përsëriste këtë shprehje saqë unë shpresova që të atë ditë të isha bërë musliman.

394 – Nga Xhundub ibn Abdullahu (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) dërgoi një grup nga muslimanët kundër një fisi nga idhujtarët. Ata u përballën në betejë, dhe një burrë nga idhujtarët, sa herë që donte të sulmonte një musliman, e synonte dhe e vriste. Një musliman e kapi atë në befasi dhe e sulmoi – dhe ne flisnim se ky ishte Usame bin Zejdi. Kur ai ngriti shpatën mbi të, idhujtari tha: “La ilaha il-la Allah” (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), por ai e vrau gjithsesi. Lajmëtari erdhi te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe e informoi për atë që kishte ndodhur, përfshirë historinë e burrit që u vra. Profeti (a.s) e thirri (Usamen) dhe e pyeti: “Pse e vrave?” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, ai i kishte shkaktuar shumë dëme muslimanëve. Ai kishte vrarë filanin dhe filanin” – dhe përmendi disa emra – “Dhe kur e sulmova, ai e pa shpatën dhe tha: ‘La ilaha il-la Allah’.” I Dërguari i Allahut (a.s) tha:”A e vrave atë?”Ai u përgjigj: “Po.” Profeti (a.s) i tha: “Çfarë do të bësh me ‘La ilaha illa Allah’ kur ajo të vijë në Ditën e Gjykimit?” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, kërko falje për mua!”Por Profeti (a.s) vazhdoi ta përsëriste: “Çfarë do të bësh me ‘La ilaha illa Allah’ kur ajo të vijë në Ditën e Gjykimit?” – duke mos thënë më shumë se kaq.”[98]

395 – Nga Abdullah bin Utejb ibn Mes’udi transmetohet se ai ka dëgjuar Omer bin Hattabin (r.a) duke thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s), njerëzit gjykoheshin përmes shpalljes hyjnore. Mirëpo, tani shpallja hyjnore është ndërprerë, ndaj ne do t’ju gjykojmë sipas veprave që shfaqni hapur. Kush na tregon vepra të mira, do ta besojmë dhe do ta afrojmë, dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi për atë që fsheh në zemrën e tij , kurse Allahu do ta llogarisë për qëllimet e tij të fshehta. Por, kush na shfaq vepra të këqija, nuk do ta besojmë dhe nuk do ta konsiderojmë të sigurtë, edhe nëse ai pretendon se qëllimi i tij i brendshëm është i mirë.”[99]

Kapitull: Frika

396 – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahu (a.s) dhe ai është i sinqertë (në fjalët e tij) dhe duhet besuar, na ka treguar: “Vërtet, secili prej jush krijohet në mitrën e nënës së tij dyzet ditë si një pikë uji, pastaj për po aq ditë bëhet si diçka e ngjizur, dhe po për aq ditë bëhet si një copë mishi e përtypur. Pastaj i dërgohet një engjëll i cili i fryn shpirtin dhe urdhërohet për katër gjëra: të shkruajë riskun e tij (të njeriut), jetëgjatësinë, veprat që do të kyrejë dhe a do të jetë i mjerë apo i lumtur. Betohem në emër të Atij që nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, ndonjëri prej jush do të bëjë vepra të banorëve të Xhenetit derisa midis tij dhe Xhenetit të ketë mbetur edhe një kut hapësirë, por do të ngadhënjejë ajo që është e shkruar dhe ai do të bëjë veprat e banorëve të Xhehenemit dhe si rrjedhojë do të futet në të. Po ashtu ndonjëri prej jush do të bë bëjë vepra të banorëve të Xhehenemit, derisa midis tij dhe Xhehenemit të ketë mbetur edhe një kut hapësirë, por do të ngadhënjejë ajo që është shkruar dhe ai do të bëjë veprat e banorëve të Xhenetit dhe si rrjedhojë do të futet në të.”[100]

397 – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në atë Ditë (Ditën e Kijametit) do të sillet Xhehenemi me shtatëdhjetë mijë frerë, në secilin fre do të ketë shtatëdhjetë mijë engjëj që do ta tërheqin.”[101]

398 – Nu’man ibn Beshiri (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet, personi me dënimin më të lehtë në Zjarrin e Xhehenemit në Ditën e Kijametit është një njeri, të cili do t’i vendosen dy prushë në thembrat e këmbëve, dhe nga nxehtësia e tyre do t’i vlojë truri. Ai do të mendojë se askush nuk është duke u ndëshkuar më rëndë se ai, ndërkohë që ai është më i lehti në dënim ndër banorët e Zjarrit.”[102]

399 – Semurete ibn Xhundub (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Ka prej banorëve të Zjarrit që zjarri do t’i arrijë deri në kyçet e këmbëve, disa të tjerë deri te gjunjët, disa të tjerë deri te mesi dhe disa të tjerë deri te klakivula (kocka e qafës).”[103]

400 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të botëve saqë ndonjëri prej tyre do të zhytet në djersën e tij aqsa gjysma e veshëve.”[104]

[1] – Ebu Daudi (495). Hadithi është Sahih.

[2] – Ebu Daudi (494) dhe Tirmidhiu (407). Hadithi është Hasen Sahih.

[3] – Buhariu (6015) dhe Muslimi (2624).

[4] – Muslimi (2625).

[5] – Buhariu (6016) dhe Muslimi (46).

[6] – Buhariu (2566) dhe Muslimi (1030).

[7] – Buhariu (2463) dhe Muslimi (1609) me tekstin në fjalë.

[8] – Buhariu (6136) dhe Muslimi (47) .

[9] – Buhariu (6136) dhe Muslimi (48) me tekstin në fjalë.

[10] – Buhariu (2259).

[11] – Tirmidhiu (1944). Hadithi është Sahih.

[12] – Buhariu (527) dhe Muslimi (85).

[13] – Buhariu (1510).

[14] – Buhariu (6136) dhe Muslimi (48).

[15] – Buhariu (5987) dhe Muslimi (2556).

[16] – Buhariu (5971) dhe Muslimi (2548).

[17] – Muslimi (2551).

[18] – Muslimi (2558).

[19] – Buhariu (2607) dhe Muslimi (2557).

[20] – Ali Imran: 92.

[21] – Buhariu (1461) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (998).

[22] – Buhariu (3004) dhe Muslimi (2549) me tekstin në fjalë.

[23] – Buhariu (5991).

[24] – Muslimi (2555).

[25] – Buhariu (2592) dhe Muslimi (999).

[26] – Buhariu (2620) dhe Muslimi (1003).

[27] – Buhariu (1466) dhe Muslimi (1000) me tekstin në fjalë.

[28] – Buhariu (7) dhe  Muslimi (1773).

[29] – Muslimi (2443).

[30] – Sure Shuara: 214.

[31] – Muslimi (204).

[32] – Buhariu (5990) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (215).

[33] – Buhariu (5983) dhe Muslimi (13).

[34] – Tirmidhiu (658) me tekstin në fjalë, Ebu Daudi (2355) dhe Ibn Maxheh (1699). Hadithi është i dobët.

[35] – Ebu Daudi (5138), Tirmidhiu (1189) dhe Ibn Maxheh (2088). Hadhi është Hasen.

[36] – Tirmidhiu (1900) dhe Ibn Maxheh (2089). Hadithi është Sahih.

[37] – Tirmidhiu (1904). Hadithi është Sahih.

[38] – Buhariu (2654) dhe Muslimi (87).

[39] – Buhariu (6870)

[40] – Buhariu (5973) dhe Muslimi (90).

[41] – Buhariu (5984) dhe Muslimi (2556).

[42] – Buhariu (2408) dhe Muslimi (1715).

[43] – Muslimi (2552).

[44] – Muslimi (2552).

[45] – Ebu Daudi (5142), Ibn Maxheh (3664), Ibn Hibani (418), etj. Hadithi është i dobët.

[46] – Buhariu (3818) dhe Muslimi (2435).

[47] – Buhariu (2888) dhe Muslimi (2513).

[48] – Muslimi (2408).

[49] – Buhariu (3751).

[50] – Muslimi (673).

[51] – Muslimi (432).

[52] – Muslimi (432).

[53] – Buhariu (6142) dhe Muslimi (1669).

[54] – Buhariu (1353).

[55] – Buhariu (246) dhe Muslimi (2271)

[56] – Ebu Daudi (4843). Hadithi është Hasen.

[57] – Ebu Daudi (4943) dhe Tirmidhiu (1920). Tirmidhiu ka thënë: Hadithi është Hasen Sahih.

[58] – Ebu Daudi (4842). Hadithi është i dobët.

[59] – Musimi (1). Hakimi (49) në “Ma’rifetu Ulumul Hadith”.

[60] – Buhariu (4642).

[61] – Buhariu (1332) dhe Muslimi (964).

[62] – Tirmidhiu (2022). Hadithi është i dobët.

[63] – Muslimi (2454).

[64] – Muslimi (2567).

[65] – Tirmidhiu (2008). Hadithi është Hasen.

[66] – Buhariu (5534) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2628).

[67] – Buhariu (5090) dhe Muslimi (1466).

[68] – Sure Merjem: 64.

[69] – Buhariu (3218) dhe Tirmidhiu (3158) me tekstin në fjalë.

[70] – Ebu Daudi (4832) dhe Tirmidhiu (3395). Hadithi është Hasen.

[71] – Buhariu (4813) dhe Tirmidhiu (2378). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.

[72] – Buhariu (6170) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2641).

[73] – Buhariu (6171) dhe Muslimi (2639) me tekstin në fjalë.

[74] – Buhariu (6169) dhe Muslimi (2640).

[75] – Muslimi (2638).

[76] – Muslimi (2542).

[77] – Ebu Daudi (1498). Hadithi është i dobët.

[78] – Buhariu (7326) dhe Muslimi (1399).

[79] – Buhariu (16) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (43).

[80] – Buhariu (1423) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1031).

[81] – Muslimi (2566).

[82] – Muslimi (54).

[83] – Muslimi (2567).

[84] – Buhariu (3783) dhe Muslimi (75).

[85] – Tirmidhiu (2390). Hadithi është Sahih.

[86] – Muueta (2/953). Hadithi është Sahih.

[87] – Ebu Daudi (5124) dhe Tirmidhiu (2502). Hadithi është Hasen Sahih.

[88] – Ebu Daudi (1522).

[89] – Ebu Haudi (5125). Hadithi është Sahih.

[90] – Buhariu (6501).

[91] – Buhariu (3209) me tesktsin në fjalë dhe Muslimi (2637).

[92] – Buhariu (7375) dhe Muslimi (813).

[93] – Muslimi (657).

[94] – Buhariu (25) dhe Muslimi (22).

[95] – Muslimi (23).

[96] – Buhariu (4019) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (95).

[97] – Buhariu (6872) dhe Muslimi (96).

[98] – Muslimi (97).

[99] – Buhariu (2641).

[100] – Buhariu (7454) dhe Muslimi (3643) me tekstin në fjalë.

[101] – Muslimi (2842).

[102] – Buhariu (6561) dhe Muslimi (213).

[103] – Muslimi (2845).

[104] – Buhariu (4938) dhe Muslimi (2862).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.