Ibadijet

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Përkufizimi:

Ibadijet janë një nga degët e havarixhëve, që i atribuohet themeluesit të saj, Abdullah ibn Ibad et-Temimi. Pasuesit e saj pretendojnë se nuk janë havarixh dhe distancohen nga kjo lidhje, ndërkohë që në realitet ata janë të tillë, por nuk janë prej havarixhëve ekstremistë si Ezarikët, për shembull. Megjithatë, ata pajtohen me havarixhët në një sërë çështjesh, si për shembull: Abdullah ibn Ibad e konsideron veten si zgjatim i grupit të parë të el-Muhakimeh, një nga degët e hershme të havarixhëve. Gjithashtu, ata pajtohen me havarixhët qëndrimet e tyre për mohimin e cilësive hyjnore të Allahut, për idenë e krijimit të Kuranit dhe për lejimin e rebelimit kundër udhëheqësve mizorë.

Themelimi dhe figurat më të shquara:

Themeluesi i parë i tyre është Abdullah ibn Ibad nga Benu Murrete ibn Habib ibn Tejmim, i cili i përket fisit të Ibadit. Ai ishte nga fshati El-Arid në Jemame. Abdullah ibn Ibad ka jetuar në kohën e Muauijes dhe ka vdekur në fund të sundimit të Abdulmelik ibn Mervanit.

Disa burime përmendin se ndër figurat më të shquara të tyre është Xhabir ibn Zejd (22-93 h), i cili është ndër dijetarët e parë që transmetuan hadithe duke i marrë ato nga Abdullah ibn Abasi, Aisheja, Enes ibn Maliku, Abdullah ibn Omeri dhe sahabë të tjerë. Thuhet se Xhabiri është distancuar nga havarixhët ekstremistë.[1]

Ebu Ubejde Meslemete ibn Ebi Kerimeh: është nga nxënësit më të njohur të Xhabir ibn Zejdit. Ai u bë referenca kryesore e Ibadijëve pas tij. Ai ishte i njohur me epitetin “El Kafaf”. Ai vdiq në vitin 158 h në provincën e Xha’fer Mensurit.

Er-Rabi ibn Habib el-Farahidi, i cili ka jetuar në mesin e shekullit të dytë hixhri. I atribuohet atij një libër i quajtur “Musned er-Rabi ibn Habib”, që është botuar dhe qarkullon.

Ndër më të famshmit e Ibadijëve në Afrikën e Veriut gjatë epokës së dinastisë Abaside janë: imam el-Harith ibn Telidi, pastaj Ebul- Hattabi Abdul A’la ibn es-Semh el-Meafirij, pastaj Ebu Hatim Jakub ibn Habibi, pastaj Hatim el-Melzuzi.

Ndër ta ishin edhe imamët që pasuan njëri pas tjetrit në shtetin Rustamid në Tahert, në Magribin qendror: Abdurrahmani, Abdul-Vehhabi, Eflahu, Ebu Bekri, Ebul-Jekadhani dhe Ebu Hatim.

Ndër dijetarët e tyre:

Selmeh ibn Sa’d: Ai i ka përhapur mësimet e tyre në Afrikë në fillim të shekullit të dytë hixhri.

Ibn Muktir el-Xhenauni: Ai e mori dijen në Basra dhe u kthye në vendlindjen e tij në malin Nafusa në Libi, ku përhapi mësimet e doktrinës së Ibadijëve.

Abdul-Xhebbar ibn Kajs el-Muradi: Ai ishte kadí në kohën e imam el-Harith ibn Telidit.

Es-Sameh Ebu Talib: një nga dijetarët e tyre në mesin e shekullit të dytë hixhri; ai ishte ministër i imam Abdulvehhab ibn Rustemit, pastaj u bë guvernator i malit Nafusa dhe të gjitha rajoneve përreth Libisë.

Ebu Dherr Eban ibn Uesim: nga dijetarët e tyre në gjysmën e parë të shekullit të tretë hixhri; ai ishte emëruar nga imam Eflah ibn Abdulvehhabit si administrator në krahinën e Tarablusit.

Ideologjia dhe besimi:

1 – Tezat e tyre tregojnë një prirje drejt mohimit të atributeve hyjnore. Ata i afrohen në këtë çështje mendimeve të Mu’tezilive për interpretimin e atributeve, megjithëse pretendojnë se i qasen kësaj çështjeje nga një këndvështrim ideologjik. Ata i interpretojnë atributet e Allahut me një interpretim të largët nga kuptimi i dukshëm i tyre, me arsyetimin se kjo shmang krahasimin me krijesat. Megjithatë, e vërteta e kësaj çështjeje qëndron gjithmonë me Ehli Sunnetin dhe Xhematin, të cilët ndjekin argumentin për vërtetimin e emrave dhe atributeve të larta të Allahut ashtu siç Ai i ka përcaktuar vetë për Veten e Tij, pa mohim, pa pyetje për si-në, pa shtrembërim dhe pa krahasim.

2 – Ata e mohojnë faktin se besimtari do e shikojë Allahu e Madhëruar në botën tjetër.

3 – Në disa çështje të Ahiretit japin interpretime figurative, si për shembull për urën e Siratit dhe peshoren.

4 – Veprat e njeriut janë të krijuara nga Allahu dhe njëkohësisht të fituara nga njeriu. Ata mbajnë një qëndrim të mesëm ndërmjet Kaderijëve dhe Xhebrijëve.

5 – Ata besojnë se atributet e Allahut nuk janë të ndara nga Qenia e Tij, por janë pjesë përbërëse të qenies së Tij.

6 – Besojnë se Kurani është i krijuar, njësoj si Havarixhët.

7 – Personin që kryen një mëkat të madh e konsiderojnë si jobesimtar: kufër për shkak të mohimit të një mirësie, ose kufër hipokrizie.

8 – Sipas tyre njerëzit klasifikohen në tre kategori:

A – Besimtarët, që janë besnikë ndaj parimeve të tyre.

B – Idhujtarët, që janë të hapur në idhujtarinë e tyre.

C – Një grup që e ka shpallur fjalën e teuhidit dhe ka hyrë në Islam, por nuk e kanë përmbushur Islamin në sjellje dhe adhurim. Të tillë njerëz nuk janë idhujtarë, sepse ata e pohojnë teuhidin, por në të njëjtën kohë ata nuk janë besimtarë, për shkak se nuk i përgjigjen kërkesave të besimit. Kështu që ata janë me besimtarë në lidhje me dispozitat e Dynjasë për shkak se pohojnë besimin, dhe janë me idhujtarët në lidhje me çështjet e botës tjetër, për shkak se ata nuk i janë përmbajtur besimit të tyre dhe kanë vepruar në kundërshtim me atë ç’ka i urdhëron teuhidi të veprojnë ose mos të veprojnë. 61

9 – Sipas ibaditëve bashkëkohorë, bota ndahet në territore me statuse të ndryshme, por qëndrimi i bashkëkohërve me të hershmit përputhet në atë se territori i muslimanëve është “Territori i Njësimit” (dar teuhid) përveç kampit të sundimtarit, i cili është “Kampi i mosbesimit” (dar kufri) nëse ai sundon me padrejtësi.

10 – Ata besojnë se kundërshtarët e  tyre nga ithtarët e Kibles janë jobesimtarë, por jo politeistë, martesa me ta është e lejuar; trashëgimia prej tyre është hallall po ashtu; plaçka e pasurisë së tyre – armët dhe kuajt – është plaçkë lufte; dhe çdo gjë që përfshihet në fuqinë e luftës është e lejuar, ndërsa gjithçka përtej kësaj është e ndaluar.

11 – Kryerësi i mëkatit të madh është qafir (jobesimtar). Është e pamundur të hyjë në Xhenet ai person i cili vazhdon të qëndrojë në mëkat apo këmbëngul në të nëse nuk pendohet, sepse Allahu nuk i fal mëkatet e mëdha, përveç nëse robi pendohet prej tyre para vdekjes.

Ai që kryen një mëkat të madh nga mëkatet e mëdha quhet “qafir” sipas tyre, duke e konsideruar këtë si kufër mohimi apo hipokrizie, por jo kufër që të nxjerr nga Islami. Ndërsa Ehli Suneti dhe Xhemati këtë lloj mëkati e quajnë mosbindje dhe të ndaluar, dhe kush vdes në këtë gjendje, është në mëshirën e Allahut: nëse Allahu dëshiron e fal, nëse dëshiron e ndëshkon dhe pastaj e nxjerr nga zjarri dhe e fut në xhenet.

Ibaditët besojnë se kryerja e mëkateve janë shkak që njeriu të rrijë përgjithmonë në Zjarr. Kështu që ata ndajnë të njëjtim mendim me Havarixhët dhe Mu’teziletë se mëkatarët do të qëndrojnë përgjithmonë në Xhehenem.

12 – Ata e mohojnë ndërmjetsimin që do t’i bëhet mëkatërëve të cilët e njehsojnë Allahun, për arsye se mëkatarët – sipas tyre – janë përgjithmonë në Zjarr. Kështu që për ta nuk do të ketë ndërmjetsim që të dalin nga Zjarri.

13 – Ata e përgënjeshtrojnë kushtin se imami (udhëheqësi i muslimanëve) duhet të jetë nga kurejshët, pasi çdo musliman është i aftë të jetë në krye nëse i plotëson kushtet. Imami i cili devijon nga rruga e drejtë duhet të shkarkohet nga posti dhe duhet të zëvendësohet.

14 – Disa prej tyre sulmojnë prijësin e besimtarëve Othman ibn Afanin (r.a), Muavije ibn ebu Sufjanin (r.a) dhe Amër ibn es Asin (r.a).

Lënia e udhëheqësisë me porosi (amanet) është e pavlefshme sipas tyre, sepse imami duhet të zgjidhet vetëm nëpërmjet dhënies së besës. Ata e lejojnë faktin që të ketë më shumë se një imam në më shumë vende.

Ata nuk e obligojnë rebelimin ndaj imamit të padrejtë dhe as nuk e pengojnë, por e lejojnë. Nëse rrethanat janë të favorshme dhe dëmet janë të pakta, ky lejim anon drejt detyrueshmërisë; ndërsa, nëse rrethanat janë të pafavorshme, dëmet janë të shumta dhe rezultatet të pasigurta, ky lejim anon drejt ndalimit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, dalja kundër tij nuk ndalohet në asnjë rast, ndërsa “shiraja” (d.m.th. fshehja/kamuflimi) është e pëlqyer në të gjitha rastet, për sa kohë që imami (sundimtari) është i padrejtë.

15 – Ata e konsiderojnë gjyshin nga babai më të denjë për kujdestarin e fëmijëve se sa gjyshja nga mamaja, në kundërshtim me shumicën e medh’hebeve.

Ata mendojnë se gjyshi është shkak për ndalimin që vëllezërit të përfitojnë nga trashëgimia, ndërkohë që disa prej medh’hebeve të tjera lejojnë që të trashëgojnë bashkë me të.

16 – Nuk lejohet tek ata që dikush të lutet për dikë tjetër që të hyjë në xhenet apo për ndonjë gjë tjetër që ka lidhje me të, përveç nëse ai është mysliman që i bindet fesë së tij dhe i nënshtrohet urdhrave të saj. Ndërsa lutja për çështje të dynjasë dhe për ato që ndodhin në këtë jetë është e lejueshme për çdo mysliman i devotshëm apo mëkatar qoftë ai.

17 – Ata kanë një sistem të quajtur “Halekatu el-Azabeh”, që është një strukturë e kufizuar në numër që përfaqëson më të mirët e banorëve të vendit në dije dhe devotshmëri, dhe ajo kujdeset për mbikëqyrjen e plotë mbi çështjet e shoqërisë ibadite në aspektin fetar, arsimor, shoqëror dhe politik, ashtu siç përfaqëson Këshillin Konsultativ në kohën e shfaqjes[2] dhe vetëmbrojtjes[3]. Ndërsa në kohën e “Shirasë”[4] dhe fshehjes[5], ajo kryen rolin e imamit dhe e përfaqëson atë në detyrat e tij.

Ata kanë një organizatë me emrin e saj (Iruan), që përfaqëson këshillin konsultativ ndihmës për “Halekatu el Azabeh”, dhe përbën fuqinë e dytë pas saj në vend.

Ata formojnë komisione të cila kanë për detyrë për të mbledhur zekatin dhe për t’ia shpërndarë ata të varfërve. Ata i ndalojnë anëtarët e tyre që të kërkojnë zekatin apo të marrin pjesë në ndarjen e tij për të varfrit, dhe po ashtu ndalojnë pranimin e dhuratave apo dhënien e tyre, sepse kjo është një formë e pritjes së ndihmës të dhënies.

Nga Ibaditë kanë dalur një sërë sektesh të cilat janë përhapur. Këto sekte janë:

Hafsijet: pasuesit e Hafs ibn Ebi el-Mikdam.

Hadithijet: pasuesit e Harith el-Ibadi.

Jezidijet: pasuesit e Jezid ibn Enese, i cili pretendonte se Allahu do të dërgonte një profet të huaj dhe se ai kishte zbritur me një libër nga qielli. Si rrjedhojë ai e braktisi fenë e Muhamedit (a.s).

Mirëpo të gjithë Ibaditë janë shmangur prej ideologjive dhe i kanë konsideruar “mosbesimtar”, sepse ata janë larguar dhe dvijuar nga vija kryesore e tyre, që vazhdon të jetë i tillë deri në ditët e sotme.

Rrënjët e ideologjisë dhe besimit të tyre:

Ibadijët mbështeten në Kuran dhe Sunet, si dhe në Musnedin e Rabi‘ ibn Habib dhe  ixhma.

Ata janë ndikuar nga medh’hebi “Dhahirit”, pasi ata ndjekin tekstin fetar fjalë për fjalë dhe e kuptojnë atë sipas kuptimit literal

Ata gjithashtu janë ndikuar nga mu‘tezilitë në parimet e tyre të lidhura me krijimin e Kuranit.

Por disa prej tyre janë mbështetur në librat juridikë të hanefive, malikive, shafi‘ive dhe hanbelive pa paragjykim.

Ndër librat e tyre është “Shifau el-alil” (Shërimi i të sëmurit), të cilin e ka shpjeguar shejhu Muhamed ibn Jusuf Itfijeshi, i cili ka vdekur në vitin 1332 h. Ky libër përmbledh në të jurisprudencën e medh’hebit ibadit dhe bindjet e tij.

Përhapja dhe vendet e ndikimit:

Ata patën një shtrirje dhe qarkullim në jug të Gadishullit Arabik, derisa arritën në Mekë dhe Medine. Sa i përket Afrikës së Veriut, medh’hebi i tyre u përhap ndjeshëm në mesin e berberëve dhe ata patën një shtet që njihej si shteti “Rustumad”, me kryeqytet në Tahert.

Ata qeverisën Afrikën e Veriut me një qeverisje të pavarur që zgjati 130 vjet, derisa i përmbysën Fatimidët (Ubejdijunët).

Ibaditët themeluan një shtet të pavarur në Oman, dhe sundimi u përcoll brez pas brezi deri në epokën moderne nga imamë ibaditë.

Ndër ngjarjet historike të rëndësishme është mali Nafuseh në Libi, pasi ai ishte një qendër e rëndësishme për ta, ku përhapnin medh’hebin ibadit dhe drejtonin çështjet e sektit ibadi.

Ata vazhdojnë të jenë prezentë deri në kohët tona në shumicën e zonave malore të Omanit, në Tunizi, Algjeri, në shkretëtirën perëndimore, si dhe Zanzibar[6] e cila është përfshirë në Tanganikë nën  (juridiksionin) e Tanzanisë.

Nga ajo që është përmendur më lart, del në pah, se :

Ibadijet janë një nga degët e havarixhëve, që i atribuohet themeluesit të saj, Abdullah ibn Ibad et-Temimi. Pasuesit e saj pretendojnë se nuk janë havarixh dhe distancohen nga kjo lidhje, ndërkohë që në realitet ata janë të tillë, por nuk janë prej havarixhëve ekstremistë si Ezarikët, për shembull. Megjithatë, ata pajtohen me havarixhët në një sërë çështjesh, si për shembull: Abdullah ibn Ibad e konsideron veten si zgjatim i grupit të parë të el-Muhakimeh, një nga degët e hershme të havarixhëve. Gjithashtu, ata pajtohen me havarixhët qëndrimet e tyre për mohimin e cilësive hyjnore të Allahut, për idenë e krijimit të Kuranit dhe për lejimin e rebelimit kundër udhëheqësve mizorë.

Burimi: Enciklopedia e Përmbledhur mbi Fetë, Sektet dhe Grupacionet Bashkëkohore

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Për më tepër shih “Tehdhibut Tehdhib”, fq: 2/328.

[2] – Kur komuniteti ka pushtet, imam të dukshëm dhe zbatim publik të ligjit. Sh.pk.

[3] – Kur komuniteti ibadit sulmohet ose kërcënohet drejtpërdrejt dhe për këtë arsye mbrojtja e jetës, fesë dhe bashkësisë bëhet domosdoshmëri, edhe nëse nuk ka imam të dukshëm dhe as pushtet të konsiliduar. Sh.pk.

[4] – Kur pushteti është i humbur, sundimtari është i padrejtë dhe besimtarët jetojnë nën presion. Sh.pk.

[5] – Kur rreziku është i madh dhe dalja sjell shkatërrim, atëherë fshehja, ruajtja e besimit dhe organizimi i brendshëm është rruga e preferuar. Sh.pk.

[6] – Dikur i njohur me emrin Zenxhebar. Sh.pk.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.