Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe salavatet më të mira qofshin për hazreti Muhamedin (a.s), familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Allahu e shpërbleftë për ne hazreti Muhamedin (a.s) me shpërblimin më të mirë që i jepet një profeti nga umeti i tij, sepse vërtet ai na la në rrugën e bardhë e të qartë, nata e saj është si dita e saj; prej saj nuk shmanget askush përveç atij që është i shkatërruar. Allahu e shpërbleftë për ne me shpërblimin më të mirë, sepse ai (a.s) nuk na la asnjë çështje në të cilën është dobia jonë, veçse na e sqaroi, na udhëzoi drejt saj dhe na urdhëroi për të. Dhe nuk na la asnjë çështje në të cilën është shkatërrimi ynë, veçse na e sqaroi dhe na paralajmëroi prej saj. Prandaj Allahu e shpërbleftë nga ne me shpërblimin më të mirë, sepse ai (a.s) e përmbushi atë që iu ngarkua; “Thuaj: Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit; e nëse ktheheni mbrapsht, ai është përgjegjës për detyrën e tij, ndërsa ju për atë që jeni ngarkuar; e nëse i bindeni atij, do të udhëzoheni. I Dërguari ka për detyrë vetëm komunikimin e qartë.”[1]
Prandaj të lutemi, o Zoti ynë, që të na ndihmosh në bindjen ndaj Teje dhe në bindjen ndaj të Dërguarit Tënd, hazreti Muhamedit (a.s), që të arrijmë lumturinë e të dy botëve, me kënaqësinë Tënde ndaj nesh. Dhe ne dëshmojmë, o Zoti ynë, se hazreti Muhamed (a.s) e përcolli mesazhin, e këshilloi umetin dhe e largoi errësirën.
Vëllezërit dhe të dashurit e mi për hir të Allahut: në shkrimin e mëparshëm mësuam se lumturia jonë qëndron në përzgjedhjen e gruas së devotshme për veten tonë, për bijtë tanë dhe për ata burra që duam t’i martojmë, si dhe përzgjedhja e burrit të devotshëm për bijat tona, për motrat tona dhe për ato që duam t’i martojmë nga të afërmet tona dhe gratë e besimtareve.
Duhet ta dimë se përzgjedhja e gabuar e bashkëshortes për veten, për djalin e tij ose për atë që dëshiron ta martohet është mjerim dhe fatkeqësi, dhe e njëjta gjë vlen edhe anasjelltas. Ju ftoj të meditoni në fjalën e Allahut të Lartësuar “Dhe mos u martoni me idhujtare derisa të besojnë; një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse ju pëlqen. Dhe mos i martoni (gratë) me idhujtarë derisa të besojnë; një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ju pëlqen. Ata thërrasin drejt zjarrit, ndërsa Allahu thërret drejt Xhenetit dhe faljes, me lejen e Tij, dhe ua sqaron njerëzve argumentet e Tij, që ata të përkujtohen.”[2]
Një skllave besimtare në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe nëse është e varfër, e përçmuar dhe me ngjyrë, është më e mirë se një grua e lirë idhujtare, sado fisnike të jetë prejardhja e saj, sado të të pëlqejë bukuria, pasuria apo prejardhja e saj; sepse me besimin plotësohen njëkohësisht feja dhe dynjaja. Ndërsa pasuria, pozita dhe bukuria janë përsosje e dynjasë dhe shkatërrim i fesë. Kujdesi për fenë dhe për atë që rrjedh prej saj në dynja është më parësor sesa kujdesi për dynjanë.
Po ashtu, një skllav besimtar në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe nëse është i varfër, i përçmuar dhe me ngjyrë, është më i mirë se një burrë i lirë idhujtar, sado fisnike të jetë prejardhja e tij, sado të të pëlqejnë bukuria, prejardhja, pasuria dhe nderi i tij.
Abdullah ibn Amri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos i martoni gratë për bukurinë e tyre, se ndoshta bukuria e tyre i shkatërron; dhe mos i martoni për pasurinë e tyre, se ndoshta pasuria e tyre i bën arrogante; por martojini për fenë. Dhe një skllave e zezë, e shëmtuar, por me fe, është më e mirë.”[3]
Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush martohet me një grua për shkak të nderit të saj, Allahu nuk i shton veçse poshtërim; kush martohet me të për pasurinë e saj, Allahu nuk i shton veçse varfëri; kush martohet me të për prejardhjen e saj, Allahu nuk i shton veçse përçmim. Ndërsa kush martohet me një grua vetëm për të ulur shikimin, për të ruajtur nderin e tij ose për të mbajtur lidhjet farefisnore, Allahu e bekon atë tek ajo dhe e bekon atë tek ai.”[4]
Ebu Seid el-Hudriu (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ruhuni nga e gjelbra mbi pleh.” U pyet: Çfarë është e gjelbra mbi pleh? Ai tha: “Gruaja e bukur me prejardhje të keqe.”[5]
Ebu Hatim el-Muzeniu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kur t’ju vijë dikush me fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur, martojeni; nëse nuk veproni kështu, do të ketë fitne në tokë dhe shthurrje.” Të pranishmit thanë: O i Dërguar i Allahut, edhe nëse ka diçka (mangësi)? Ai tha: Kur t’ju vijë dikush me fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur, martojeni”, tri herë.[6]
Qëllimi me fenë e burrit dhe të gruas është përkushtimi ndaj fesë së Allahut në sjellje dhe vepra, përkushtimi ndaj virtyteve të saj të larta dhe etikës së saj fisnike, si dhe zbatimi i metodologjisë që solli hazreti Muhamed (a.s): lejimin e hallallit, ndalimin e haramit dhe ndaljen te kufijtë e Allahut.
Me fenë e burrit dhe të gruas nuk nënkuptohet vetëm përkatësia formale dhe shfaqja e Islamit në publik, ndërsa kur njeriu është vetëm e braktis atë. Le të shohim shembullin e hazreti Umerit (r.a), kur ai vlerësonte njerëzit me kandarin e sheriatit:
Një burrë erdhi për të dëshmuar për një tjetër në prani të Umerit (r.a). Umeri i tha: “A e njeh këtë njeri? Ai tha: Po. Tha: A je fqinj i tij, që e di kur hyn dhe del? Ai tha: Jo. Tha: A ke udhëtuar me të, udhëtim në të cilin njihen virtytet morale? Ai tha: Jo. Umeri Tha: A ke bërë tregti me të me dinarë e dirhemë, me të cilat njihet devotshmëria e burrave? Ai tha: Jo. Umeri tha: Ndoshta e ke parë në xhami, herë në këmbë e herë ulur, duke ngritur kokën njëherë e duke e ulur herë tjetër? Burri tha: Po. Umeri (r.a) i tha: Shko, sepse ti nuk e njeh atë. Pastaj iu drejtua tjetrit dhe i tha: Më sill dikë që të njeh.
Kështu pra, hazreti Umer (r.a) na i ka bërë të qarta peshoret e sakta për njohjen e burrave dhe na udhëzoi drejt njohjes së vërtetë të njerëzve të fesë.
Gruaja me fe dhe moral është ajo që e njeh të drejtën e Allahut ndaj saj dhe e përmbush atë, e njeh të drejtën e burrit dhe e përmbush atë, e njeh të drejtën e fëmijës dhe e përmbush atë. Ndërsa gratë që nuk kanë fe dhe moral nuk e njohin as të drejtën e Allahut, as të drejtën e burrit dhe as të drejtën e fëmijës; por njohin vetëm interesat e tyre, dëshirat dhe epshet.
Po ashtu, burri me fe dhe moral është ai që e njeh të drejtën e Allahut dhe e përmbush atë, e njeh të drejtën e bashkëshortes dhe e përmbush atë, e njeh të drejtën e fëmijës dhe e përmbush atë. Ai është që, kur e do gruan, e nderon; e kur nuk e pëlqen, nuk i bën padrejtësi, por jeton me të me mirësi, duke shpresuar në të mirën e madhe që Allahu i Lartësuar e ka premtuar, sipas fjalës së Tij: “Jetoni me to me mirësi; e nëse i urreni, ndoshta urreni diçka, ndërsa Allahu ka vënë në të shumë të mira.”[7]
Po kështu edhe burrat afetarë dhe amoralë nuk e njohin të drejtën e Allahut të Lartësuar, as të drejtën e bashkëshortes dhe as të drejtën e fëmijës; ata janë shpërdorues të të drejtave dhe rendin pas epsheve të tyre. Çfarë lumturie vallë synojnë të realizojnë në jetën e tyre martesore dhe familjare?
Zgjedhja e gabuar e secilit prej bashkëshortëve për tjetrin sjell dëm për palën tjetër dhe për fëmijët, herët a vonë.
Si fillim: Le të shohim pasojat e përzgjedhjes së gabuar të bashkëshortes:
Së pari: ajo nuk ta siguron qetësinë shpirtërore dhe prehjen që ti kërkon, Allahut i Lartësuar thotë: “Dhe nga argumentet e Tij është se Ai krijoi për ju, prej vetes suaj, bashkëshorte që të gjeni prehje tek ato.”[8] Gruaja me fe dhe moral ta siguron këtë qetësi e prehje, ndërsa të tjerat jo, sepse lidhja e tyre me Allahun është e dobët. Ato nuk i kushtojnë shumë rëndësi paralajmërimit: “I Dërguari i Allahut (a.s) i ka mallkuar tre persona: një burrë që u prin njerëzve në namaz ndërsa ata e urrejnë, një grua që e kalon natën ndërsa burri i saj është i zemëruar me të, dhe një burrë që dëgjon ‘Hajje ‘alel-felah’ e nuk përgjigjet”[9]. As nuk i kushtojnë shumë rëndësi fjalës së tij (a.s): “Besimtari, pas devotshmërisë ndaj Allahut, nuk ka përfituar ndonjë të mirë më të madhe sesa një grua e devotshme: nëse e urdhëron, ajo i bindet; nëse e shikon, ajo e gëzon; nëse betohet ndaj saj, ajo ia mban betimin; dhe nëse ai mungon, ajo e ruan veten dhe pasurinë e tij”[10]
Gruaja e keqedukuar nuk mendon për hadithin e të Dërguarit të Allahut (a.s): “Kur gruaja fal pesë namazet e saj, agjëron muajin e saj, e ruan nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, ajo hyn në Xhenet nga cilado derë që të dëshirojë”[11] As për fjalën e tij (a.s): “Cilado grua që vdes ndërsa burri i saj është i kënaqur me të, ajo hyn në Xhenet”[12]
Së dyti: gruaja e pasur, por shumë pak e përkushtuar, nëse shpenzon diçka nga pasuria e saj për burrin ose për fëmijën e saj, ia përmend dhuratën dhe e mban si favor; e bën burrin të ndiejë se dora e saj është mbi të, e shikon me sy përçmimi dhe epërsie, gjë që e vë burrin në gjendje nënçmimi dhe poshtërimi përballë saj. Pasuria, kur nuk shoqërohet me fe, e bën njeriun të tejkalojë kufijtë; ajo bëhet shkak që të përhapet shturrja në tokë, dhe çfarë shturrje?!
Aishja (r.a) ka thënë: “Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s) ishte ulur në xhami, hyri një grua nga fisi Muzejne, e stolisur dhe e hijshme në zbukurimet e saj brenda xhamisë. Profeti (a.s) tha: “O njerëz, ndalojini gratë tuaja nga zbukurimi dhe nga ecja me mendjemadhësi në xhami, sepse bijtë e Israilit nuk u mallkuan derisa gratë e tyre filluan të zbukuroheshin dhe të krekoseshin nëpër xhami.”[13]
Së treti: gruaja e bukur pa fe, bukuria e saj mund ta shkatërrojë, sepse me bukurinë e saj ajo i josh burrat dhe bëhet sebep për shthurrje dhe degjenerim. Ebu Seid el-Hudriu (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka asnjë mëngjes që dy engjëj mos të thërrasin: Mjerë burrat nga gratë, dhe mjerë gratë nga burrat!” Sepse gruaja e bukur pa fe bëhet mjet në dorën e shejtanit për t’i futur burrat në mëkate.”[14]
Abdullah ibn Mesudi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mëkati i rrëmben zemrat; dhe nuk ka asnjë shikim, veçse shejtani ka në të një shpresë.”[15] Kuptimi i “i rrëmben zemrat” është se ai i pushton dhe i mposht ato, derisa njeriu kryen atë që nuk është e hijshme. Sa e sa gra të bukura, por me pak fe, kanë tradhtuar burrat e tyre – Allahu na ruajtë – nën ndikimin e një shejtani prej shejtanëve të njerëzve.
Së katërti: Sa herë që burri përpiqet që ta thërrasë atë që të jetë e pëkushtuar në adhurmin e Allahut, ajo nuk i bindet dhe mosbindja e saj e lodh atë shumë. Disa prej urdhëresave që burri e thërret gruan e tij janë: “Urdhëroje familjen tënde për namaz dhe bëj durim në të”[16], “O Profet, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve që t’i lëshojnë mbi vete rrobat e tyre të gjera, kjo është më e përshtatshme që të njihen dhe të mos shqetësohen”[17], “Thuaju besimtareve t’i ulin shikimet e tyre, ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos shfaqin stolitë e tyre, përveç asaj që duket prej tyre, le t’i mbulojnë kraharorët e tyre me shamitë e tyre”[18], “Qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos u shfaqni me shfaqje të kohës së injorancës së parë; faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij”[19] dhe “Kur t’u kërkoni atyre ndonjë send, kërkojeni prej prapa perdeve; kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe për zemrat e tyre”[20].
Nëse burri dëshiron ta bëjë bashkëshorten e tij shembull të mirë në shoqëri, ai lodhet shumë nëse nuk ka bërë zgjedhje të mirë që në fillim. Për shembull ai mund t’i tregojë asaj hadithin në të cilin i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dy grupe nga banorët e zjarrit nuk i kam parë ende: njerëz me kamxhikë si bishtat e lopëve, me të cilët i rrahin njerëzit; dhe gra të veshura e të zhveshura, që anojnë dhe i bëjnë të tjerët të anojnë, kokat e tyre si gungat e deveve të pjerrëta; ato nuk do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do ta ndiejnë erën e tij, ndonëse era e tij ndihet nga një largësi e madhe.”[21] Ajo ndoshta qesh dhe thotë: “Ne jetojmë në kohë civilizimi dhe përparimi!”, ose tallet nëse nuk del e zbukuruar.
Sa e sa fatkeqësi kanë ndodhur në shtëpi për shkak të guximit të gruas për t’i kundërshtuar urdhrat e Allahut të Lartësuar! Gruaja pa fe e lodh burrin e saj të përkushtuar dhe madje mund të jetë shkak për ta privuar atë nga hyrja në Xhenet, si në rastin e brinarit. Ibn Omeri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre persona nuk do të hyjnë në Xhenet: ai që është i padëgjueshëm ndaj prindërve të tij, brinari dhe burri që i ngjan grave.”[22]
Gruaja pa fe e prish fenë e burrit të saj dhe fenë e fëmijëve të saj; ajo e prish shoqërinë dhe është shkak për shkatërrimin e familjeve. Sepse, po të shikonim me vëmendje konfliktet familjare, do të gjenim se shkaku më i madh i tyre është pikërisht kjo grua e papërkushtuar.
Së pesti: ajo nuk është në gjendje t’i edukojë mirë fëmijët e saj dhe nuk e kryen ashtu siç duhet detyrën që i është ngarkuar nga Profeti (a.s), i cili ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj. Imami është bari dhe përgjegjës për kopenë e tij; burri është bari në familjen e tij dhe përgjegjës për kopenë e tij; gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe përgjegjëse për kopenë e saj; shërbëtori është bari në pasurinë e zotërisë së tij dhe përgjegjës për kopenë e tij.” (Transmetuesi thotë): “Dhe mendoj se ka thënë edhe: burri është bari në pasurinë e babait të tij dhe përgjegjës për kopenë e tij. Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj.”[23]
Kush nuk i edukon mirë fëmijët e saj, fëmijët bëhen fatkeqësi për prindërit, në vend që të jenë begati.
Sa i përket zgjedhjes së gabuar të bashkëshortit dhe pasojave të saj, për këtë mund të flitet pa kurrfarë droje:
Së pari: ajo është shkak për fitne dhe shthurrje. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kurse kur t’ju vijë për martesë dikush me fenë dhe moralin e të cilit jeni të kënaqur, martojeni; nëse nuk veproni kështu, do të ketë fitne në tokë dhe shthurrje të madhe.”[24]
Nga format e kësaj fitneje janë:
1) Ai mund ta detyrojë gruan të zbukurohet dhe të shfaqet, gjë që është e dëmshme për burrat dhe gratë si në dynja ashtu edhe në ahiret, e poshtëron gruan, shkatërron shtëpitë, sjell turp e çnderim, thërret drejt fitnes dhe shkatërrimit, duke e kthyer atë në një grua për të gjithë burrat, sikur të ishte një mall i lirë.
Sa e sa gra myslimane të përkushtuara janë martuar me burra pa fe dhe moral, e këta ua kanë shkatërruar Islamin dhe përkushtimin e tyre?!
2) Ai mund ta ushqejë me haram, e harami është lëndë djegëse për çdo mëkat. Është thënë: “Ha çfarë të duash, ashtu do të veprosh.” Kush ushqehet me hallall, i lehtësohet bindja; kush ushqehet me haram, i bëhet i lehtë mëkati. Ai e ushqen me haram dhe e rrit me haram, duke e privuar atë që t’i pranohet lutja, ashtu sikurse përmendet në hadith “Pastaj përmendi një burrë që zgjat udhëtimin, me flokë të shprishur e të mbuluar me pluhur, që i ngre duart nga qielli dhe thotë: ‘O Zot, o Zot!’, ndërkohë që ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshja e tij haram dhe është rritur me haram; si mund t’i pranohet lutja atij?”[25] E kush ushqehet me haram, ai e ka hak zjarrrin, përveç atij që Allahu e mëshiron. Profeti (a.s) ka thënë: “Kujt i rritet mishi nga harami, zjarri është më i denjë për të.”[26]
Kur burri nuk është i përkushtuar fetarisht, ai e ushqen gruan me haram, e vesh me haram dhe e strehon me haram: përmes kamatës, ryshfetit, vjedhjes, betimeve të rreme në shitblerjes…etj.
Së dyti: burri pa fe dhe moral nuk i njeh detyrimet e tij ndaj bashkëshortes; ai njeh vetëm të drejtat që i takojnë, ndërsa harron detyrimet që ka. Ai nuk e njeh fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe ato kanë të drejta ashtu siç kanë edhe detyrime”[27].
Ai nuk i merr për bazë fjalët e Profetit (a.s), i cili në Haxhin e Lamtumirës tha: “Kini frikë Allahun për gratë; silluni mirë me to, sepse ato janë të varura tek ju. Ju nuk keni ndaj tyre tjetër veçse këtë, përveç nëse bëjnë një imoralitet të hapur; nëse e bëjnë, largohuni prej tyre në shtrat dhe goditini lehtë (pa dhunë të ashpër). Nëse ju binden, mos kërkoni rrugë kundër tyre. Dëgjoni! Ju keni të drejta mbi gratë tuaja dhe gratë tuaja kanë të drejta mbi ju. E drejta juaj mbi to është që të mos lejojnë në shtrat tuajin kë të urreni dhe të mos lejojnë në shtëpitë tuaja kë të urreni; ndërsa e drejta e tyre mbi ju është që t’u silleni mirë në ushqim dhe veshmbathje.”[28]
Po ashtu ai nuk e merr për bazë hadithin tjetër në të cilin Profeti (a.s) ka thënë :“Besimtarët me iman më të plotë janë ata me moralin më të mirë, dhe më të mirët prej jush janë ata që sillen më mirë me gratë e tyre.”[29]
Apo hadithin “Silluni mirë me gratë, sepse gruaja është krijuar nga brinja; pjesa më e shtrembër e brinjës është maja e saj. Nëse përpiqesh ta drejtosh, do ta thyesh; e nëse e lë, do të mbetet e shtrembër; prandaj silluni mirë me gratë.”[30]
Muavije ibn Hajde (r.a) transmeton: Unë thashë: “O i Dërguar i Allahut, cili është e drejta e bashkëshortes së ndonjërit prej nesh?” Ai (a.s) tha: “Ta ushqesh kur ushqehesh, ta veshësh kur vishesh, të mos e godasësh në fytyrë, të mos e poshtërosh dhe të mos e braktisësh veçse brenda shtëpisë.”[31]
Sa shumë padrejtësi i kemi bërë bijave tona me zgjedhjen e gabuar të bashkëshortit për to! Shikuam pasurinë, prejardhjen dhe dynjanë e tij, dhe i martuam me të, ndërkohë që ai nuk i njeh porositë e të Dërguarit të Allahut për bashkëshortet.
Për Allahun, a nuk është humbës ai që nuk martohet mbi bazën e fesë dhe moralit? A nuk është ai i penduar? Ky është Profeti ynë (a.s) , që na mëson të gjithëve ne shkaqet e lumturisë në të dy botët dhe e paralajmëron umetin nga mjerimi në të dy botët.
Lus Allahun e Lartmadhërishëm që të na mundësojë të gjithëve zbatimin e fjalës së Tij: “Martoni të pamartuarit prej jush dhe të ndershmit prej robërve dhe robëreshave tuaja; nëse janë të varfër, Allahu do t’i pasurojë nga mirësia e Tij; Allahu është i Gjithëpërfshirës dhe i Dijshëm.”[32] Falenderojmë Allahun e Madhëruar që e ka zbritur sheriatin e Tij ku secili prej bashkëshortëve i respekton të drejtat e palës tjetër. Të vërtetën, ka thënë Allahut kur ka thënë: “O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret në atë që ju jep jetë”[33].
Autor: Ahmed Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nur: 54.
[2] – Sure Bekare: 221
[3] – Ibn Maxheh (1859). Hadithi është Daif.
[4] – Tabaraniu (2342) në Eusat. Hadithi është Daif Xhidden.
[5] – Darakutni. Hadithi është Daif Xhidden.
[6] – Tirmidhiu (1835).
[7] – Sure Nisa: 19.
[8] – Sure Rum: 21.
[9] – Tirmidhiu (358). Hadithi është Daif Xhidden.
[10] – Ibn Maxheh (1857). Hadithi është Daif.
[11] – Ahmedi (1661). Hadithi është Hasen.
[12] – Tirmidhiu (1161). Hadithi është Sahih.
[13] – Ibn Maxheh (4001). Hadithi është Daif.
[14] – Ibn Maxheh (3999). Hadithi është Daif Xhidden.
[15] – Bejhakiu.
[16] – Sure Taha: 132.
[17] – Sure Ahzab: 59.
[18] – Sure Nur: 31.
[19] – Sure Ahzab:33.
[20] – Sure Ahzab: 53.
[21] – Muslimi (2128).
[22] – Nesai (2562). Hadithi është Xhejjid.
[23] – Buhariu (2554), Muslimi (1829) dhe të tjerë.
[24] – Tirmidhiu (1084). Hadithi është Sahih.
[25] – Muslimi (1015).
[26] – Tabaraniu (430) në “Sagir”. Hadithi është Sahih.
[27] – Sure Bekare: 228.
[28] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen Sahih.
[29] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen Sahih.
[30] – Buhariu dhe Muslimi.
[31] – Ahmeti dhe Ebu Daudi.
[32] – Sure Nur: 32.
[33] – Sure Enfal:24.



















