Xhibrili, Israfili, Mikaili, rojtari i Xhenetit dhe të tjerë prej atyre që i kanë përmendur Allahu dhe i Dërguari i Tij (a.s) të gjithë këto janë emra engjëjsh, dëgjimi i të cilëve e gëzon besimtarin; madje zemra rreh me dashuri për ta dhe qetësohet kur lexon lajmet e tyre të përmendura në dy shpalljet, ku përmenden veprat dhe cilësitë e tyre.
Nuk ka dyshim se dashuria shtohet sa më shumë të shtohet njohja dhe përsiatja mbi virtytet për shkak të të cilave i dashuri e fiton atë pozitë në zemrën e dashuruesit. Është e vërtetë se dashuria ndaj engjëjve, në mënyrë të përgjithshme dhe të veçantë, është e ngulitur në natyrën e shëndoshë (fitrah), por ne kemi nevojë të rikujtojmë shkaqet dhe arsyet që e bëjnë këtë dashuri të qëndrojë mbi një themel të fortë. Për këtë arsye është trajtuar kjo temë, në të cilën do të përmbledhim disa prej arsyeve që na thërrasin në dashurinë, miqësinë dhe madhërimin e engjëjve, duke ua dhënë atyre pozitën që u takon.
Askush nuk pretendon se do t’i përfshijmë të gjitha arsyet që e bëjnë të detyrueshme dashurinë ndaj engjëjve, por do të përmendim vetëm një pjesë prej tyre. Sa më shumë që robi besimtar mediton mbi jetën dhe lajmet e tyre, aq më shumë i zbulohen atij dimensione të tjera. Ne do të mjaftohemi me përmendjen e sa vijon:
Së pari: I duam engjëjt e nderuar, sepse ata besojnë në Allahun e Lartësuar dhe e njësojnë Atë. Mes tyre, pavarësisht numrit të madh, nuk gjendet asnjë engjëll që të jetë shmangur nga rruga e adhurimit apo nga rruga e drejtë; të gjithë dëshmojnë dëshminë e teuhidit, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Allahu dëshmoi se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, (dëshmuan) edhe engjëjt dhe dijetarët, duke qenë i qëndrueshëm në drejtësi; nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, të Plotfuqishmit, të Urtit”[1]
Ndoshta kjo e shpjegon përmendjen e dëshmisë së Allahut së bashku me dëshminë e engjëjve dhe përparësinë e saj ndaj dëshmisë së dijetarëve. Allahu e di më së miri.
Së dyti: I duam engjëjt e nderuar, sepse ata i luten Allahut të Lartësuar që t’i falë besimtarët dhe besimtaret dhe të kapërcejë gabimet e rrëshqitjet e tyre. Nëse engjëjt, për shkak të natyrës së tyre të krijuar nga drita, nuk bëjnë mëkate, besimtarët gabojnë herë pas here. Engjëjt nuk pajtohen që besimtarët ta takojnë Zotin e tyre Ditën e Kiametit me fletët e tyre të nxira nga mëkatet; prandaj ata kërkojnë falje për ta dhe luten që të ruhen nga zjarri. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata që e mbajnë Arshin dhe ata që janë rreth tij e madhërojnë me falënderim Zotin e tyre, besojnë në Të dhe kërkojnë falje për ata që kanë besuar.”[2]
Si të mos i duam engjëjt që vazhdimisht dëshirojnë për besimtarët të mirën, suksesin, drejtimin e saktë dhe mëshirën? Ja si na e shpalos këtë ajeti me qartësi: “Ai është që dërgon mëshirë mbi ju dhe (po ashtu) engjëjt e Tij, që t’ju nxjerrë nga errësirat në dritë; dhe Ai është i Mëshirshëm me besimtarët”[3]
Abdurrahman Sa’di thotë: “Prej mëshirës së Tij ndaj besimtarëve dhe butësisë së Tij me ta është se Ai ka bërë që prej “salatit” të Tij mbi ta – domethënë lavdërimit dhe përmendjes së tyre – si dhe prej “salatit” të engjëjve dhe lutjes së tyre, të jetë ajo që i nxjerr nga errësirat e mëkateve dhe padijes në dritën e besimit, suksesit, dijes dhe veprës. Kjo është begatia më e madhe me të cilën Ai i ka begatuar robërit e bindur, e cila kërkon prej tyre falënderim.”
Së treti: I duam engjëjt e nderuar, sepse ata e lartësojnë dhe e lavdërojnë në mënyrën më të bukur Krijuesin dhe Zotin e tyre, Madhëria e të Cilit është e pakufishme, dhe zbatojnë etikën e lutjes që ne besimtarët e kemi mësuar nga i Dërguari i Allahut (a.s). Nga suneti i tij kemi mësuar që t’i drejtohemi Allahut me lutje duke u mbështetur në forma të ligjshme të teuesulit.
Nëse teuesuli, në thelbin e tij, do të thotë që robi të paraqesë para përgjërimit të tij ndaj Zotit diçka përmes së cilës afrohet tek pranimi i lutjes dhe arritja e asaj që kërkon, atëherë këtë e gjejmë qartë në ajetin e përmendur më herët. Le të shohim vazhdimin e tij dhe çfarë thanë engjëjt: “Zoti ynë, Ti ke përfshirë çdo gjë me mëshirë dhe dije; prandaj fali ata që janë penduar dhe kanë ndjekur rrugën Tënde dhe ruaji nga dënimi i Xhehenemit.”
Këtu shfaqet qartazi përzgjedhja e tyre e llojeve të teuesulit që i përshtaten pozitës së lutjes: ata u mbështetën në cilësitë madhështore të Allahut, të cilat kërkojnë faljen e mëkatarëve. E nisën lutjen me përmendjen e dijes dhe mëshirës së Tij, që ka përfshirë çdo gjë; Atij nuk i fshihet asgjë nga gjendja e krijesave, as nga natyra me të cilën është krijuar njeriu, dobësia dhe mangësia e tij: “Dhe njeriu është krijuar i dobët”[4]
Ata përmendën mirësinë dhe bamirësinë e Allahut, e cila arrin aq sa arrin edhe dija e Tij; gjithësia, në lartësinë dhe ultësinë e saj, është e mbushur me dijen dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar. Kjo është mjeshtëria në përzgjedhjen e fjalëve të lutjes, në përputhje me gjendjen dhe nevojën e atij që lutet.
Së katërti: I duam engjëjt e nderuar, sepse ata i luten Allahut çdo ditë që ta kompensojë atë që lufton me veten e tij, e mposht prirjen e saj dhe shkëputjen e saj nga pasuria kalimtare e kësaj bote; që i jep Allahut “hua të mirë”, që e shpenzon pasurinë e tij duke kërkuar kënaqësinë e Krijuesit. Engjëjt vazhdojnë të luten për besimtarët me këtë lutje derisa Allahu të trashëgojë tokën dhe gjithçka mbi të.
Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo ditë që robërit zgjohen në mëngjes, zbresin dy engjëj; njëri prej tyre thotë: O Allah, jepi zëvendësim atij që shpenzon (në rrugën Tënde), ndërsa tjetri thotë: O Allah, jepi humbje atij që kursen (me koprraci).”[5]
Së pesti: I duam engjëjt e nderuar për edukatën e tyre të lartë me Allahun e Lartësuar. Kurani është dëshmitar i kësaj edukate. Në rrëfimin e Ademit (a.s), të përmendur në suren Bekare, Zoti ynë i Bekuar dhe i Lartësuar ia mësoi Ademit emrat e të gjitha gjërave, pastaj u tha engjëjve: “Më tregoni emrat e këtyre, nëse jeni të sinqertë”[6] Ata nuk u mjaftuan vetëm me pranimin e kufizimit të dijes së tyre, por thanë: “I Lartësuar je Ti! Ne nuk kemi dije tjetër përveç asaj që na ke mësuar Ti; vërtet Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti.”[7]
Ata e madhëruan Allahun duke e pastruar nga çdo mangësi e të metë, sqaruan se pyetja e tyre për mëkëmbësin e Allahut në tokë nuk ishte në formë kundërshtimi, por në formë sqarimi e kërkimi dijesh; pranuan mirësinë e Allahut ndaj tyre që u mësoi atë që nuk e dinin, dhe e përmbyllën fjalën e tyre me pohimin e dijes dhe urtësisë së Tij.
Prej edukatës së tyre është edhe fjala e Allahut: “Derisa, kur t’u hiqet frika nga zemrat e tyre, thonë: Çfarë tha Zoti juaj? Thonë: Të vërtetën, dhe Ai është i Larti, i Madhi”[8]
Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë, duke përshkruar mënyrën se si engjëjt i pranojnë urdhrat e Allahut të Bekuar e të Lartësuar: “Kur Allahu vendos një çështje në qiell, engjëjt rrahin me krahët e tyre nga përulësia ndaj fjalës së Tij, sikur (tingulli i) një zinxhiri mbi një shkëmb të lëmuar. Kur frika u largohet nga zemrat e tyre, thonë: Çfarë tha Zoti juaj? Thonë: Të vërtetën, dhe Ai është i Larti, i Madhi.”[9]
Le të meditojmë mbi shprehjet e këtij hadithi: “rrahin me krahët e tyre”, “nga përulësia ndaj fjalës së Tij”, “u largohet frika nga zemrat e tyre”, “thanë: të vërtetën”, “Ai është i Larti, i Madhi”, të gjitha këto shprehje tregojnë madhërim për Madhështorin, përulësi para të Lartit të Madhëruar dhe drojë deri në kufijtë e frikës: “Dhe ata, nga frika prej Tij, janë të dridhur.”[10] si dhe pohimin e plotë se çdo gjë që thotë Allahu është e vërtetë dhe e drejtë.
Prej edukatës së tyre është edhe fjala e Allahut: “Ata nuk e paraprijnë Atë në fjalë dhe veprojnë sipas urdhrit të Tij.”[11]
Ata janë të ruajtur nga kundërshtimi i urdhrit të Tij; nuk flasin veçse me atë që u urdhëron Zoti i tyre, nuk neglizhojnë asnjë detyrë që u është ngarkuar, dhe nuk tregojnë mendjemadhësi apo refuzim ndaj adhurimit të Tij, siç thuhet në ajetin fisnik: “Nuk do të ngurrojë Mesihu të jetë rob i Allahut, e as engjëjt e afërt.”[12]
Prej edukatës së tyre është edhe qëndrimi i bukur para Allahut të Lartësuar, në një mënyrë që ngjall admirim; aq sa vetë Profeti (a.s) e mori këtë edukatë prej tyre si shembull për t’u ndjekur. Xhabir ibn Semura (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “A nuk do të rreshtoheni siç rreshtohen engjëjt para Zotit të tyre? Ne thamë: O i Dërguari i Allahut, si rreshtohen engjëjt para Zotit të tyre? Ai tha: I plotësojnë rreshtat e parë dhe ngjeshen në rresht.”[13]
Së gjashti: I duam engjëjt e nderuar për dimensionin e tyre adhurues, në të cilin kanë arritur shkallën e përsosmërisë. Shumë ajete dhe hadithe dëshmojnë për realizimin e plotë të robërisë nga ana e tyre. Prej tyre është fjala e Allahut: “Nuk ka prej nesh veçse ka një vend të caktuar; dhe vërtet ne jemi ata që rreshtohemi; dhe vërtet ne jemi ata që e madhërojmë”[14] Dhe fjala e Tij: “E madhërojnë natën dhe ditën, pa u lodhur”[15]
Ebu Dherr (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Unë shoh atë që ju nuk e shihni dhe dëgjoj atë që ju nuk e dëgjoni. Qielli ka lëshuar një tingull kërcitës, dhe me të drejtë ka lëshuar! Nuk ka në të hapësirë sa katër gishta veçse ka një engjëll që ka vendosur ballin në sexhde për Allahun.”[16]
“El-etit” (kërcitja) është zëri që lëshon kafsha e ngarkuar (kur rëndohet); kuptimi është se numri i madh i engjëjve në qiell e ka rënduar atë, derisa prej tij është dëgjuar ai tingull.
Së shtati: I duam engjëjt e nderuar për dashurinë e tyre ndaj besimtarëve. Ebu Hurerja tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur Allahu e do një rob, e thërret Xhibrilin: Allahu e do filanin, prandaj duaje! Atëherë Xhibrili e do atë, pastaj thërret në mesin e banorëve të qiellit: “Allahu e do filanin, prandaj duajeni!’ Atëherë e duan banorët e qiellit, e pastaj atij i jepet pranueshmëria në tokë.”[17]
Së teti: I duam engjëjt e nderuar për përkujdesjen e tyre ndaj mexhliseve të dhikrit. Kjo është përmendur hollësisht në hadithin e Ebu Hurejres (r.a) ku Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu ka engjëj që qarkullojnë nëpër rrugë, duke kërkuar njerëzit e dhikrit. Kur gjejnë një grup që e përmend Allahun, thërrasin: Ejani te ajo që kërkoni! Pastaj i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e kësaj bote. Zoti i tyre – edhe pse Ai e di më mirë – i pyet: Çfarë thonë robërit e Mi? Ata thonë: Të madhërojnë, të lartësojnë, të falënderojnë dhe të lavdërojnë. Ai thotë: A më kanë parë? Ata thonë: Jo, pasha Allahun, nuk të kanë parë! Ai thotë: Si do të ishte sikur të më kishin parë? Ata thonë: Sikur të të kishin parë, do të ishin edhe më të përkushtuar në adhurim, edhe më të madhërueshëm e falënderues, dhe do të të lartësonin edhe më shumë…”[18]
Së nënti: I duam engjëjt e nderuar për mbrojtjen dhe ndihmën që u japin besimtarëve. Këtë e shohim qartë në ajetet që përshkruajnë se çfarë kanë ndodhur në betejën e Bedrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Zoti yt u shpalli engjëjve: Unë jam me ju, prandaj forconi ata që kanë besuar. Do të hedh frikë në zemrat e atyre që mohuan; prandaj goditni mbi qafat dhe goditni çdo majë gishti prej tyre.”[19]
Umer ibn Hatabi (r.a) rrëfen disa pamje nga kjo ndihmë hyjnore që erdhi përmes engjëjve: “Ndërsa një burrë prej muslimanëve po ndiqte një mushrik para tij, dëgjoi zhurmën e një kamxhiku mbi vete dhe zërin e një kalorësi që thoshte: Ec përpara, Hajzum!, emri i një kali prej kuajve të engjëjve. Ai pa mushrikun para tij të rrëzohej përmbys; kur e shikoi, i ishte prerë hunda dhe fytyra i ishte çarë si nga goditja e kamxhikut, dhe ishte nxirë e tëra. Ensariu erdhi dhe ia tregoi këtë të Dërguarit të Allahut (a.s), i cili tha: Ke thënë të vërtetën; kjo ishte prej ndihmës së qiellit të tretë.”[20]
Gjithashtu, transmeton Muadh ibn Rifah nga babai i tij – i cili ishte prej pjesëmarrësve në Bedr – se Xhibrili erdhi te Profeti (a.s) dhe tha: “Si i konsideroni ju pjesëmarrësit e Bedrit mes jush? Ai tha: “Prej më të mirëve të muslimanëve, ose tha diçka të ngjashme. Xhibrili tha: Po kështu edhe ata prej engjëjve që morën pjesë në Bedr.”[21]
Surja Ra’d flet për rolin e engjëjve në ruajtjen dhe mbrojtjen e besimtarëve me urdhrin e Allahut, derisa të vijë caktimi (kaderi); kur të vijë caktimi, ata tërhiqen. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ka (për njeriun) rojtarë që e ndjekin para dhe pas tij, e ruajnë me urdhrin e Allahut.”[22]
Sipas komentimit të Muxhahidit: “Nuk ka rob veçse ka një engjëll të ngarkuar me të, që e ruan në gjumë dhe në zgjim nga xhindët, njerëzit dhe krijesat e dëmshme; sa herë që diçka prej tyre afrohet për ta dëmtuar, ai i thotë: Prapa!, përveç nëse është diçka që Allahu e ka lejuar, e atëherë e godet.”
Së dhjeti: I duam engjëjt e nderuar sepse Allahu i ka përshkruar si fisnikë e të drejtë: “Në duart e shkruesve, fisnikë e të devotshëm.”[23]
Ibn Kethiri thotë në tefsirin e tij: “Janë krijesa fisnike, të bukura e të ndershme; morali dhe veprat e tyre janë të mira, të pastra dhe të plota.”
Prej fisnikërisë së engjëjve është edhe turpi i tyre i madh. Po, ata janë të fuqishëm e të ashpër – njerëzit nuk kanë mundësi t’u bëjnë ballë – por kjo është një forcë e shoqëruar me turp ndaj atyre që meritojnë turp. Dëshmia më e qartë për këtë është fjala e Profetit (a.s) për Uthman ibn Afanin (r.a): “A të mos kem turp nga një njeri prej të cilit turpërohen engjëjt?” [24]
Së njëmbëdhjeti: I duam engjëjt e nderuar për urrejtjen e tyre ndaj njerëzve të kufrit dhe nifakut. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, ata që fshehin atë që kemi zbritur prej argumenteve të qarta dhe udhëzimit, pasi ua kemi sqaruar njerëzve në Libër, ata i mallkon Allahu dhe i mallkojnë mallkuesit.”[25]
Në Sunet shohim zemërimin e Xhibrilit (a.s) ndaj Faraonit, i cili u tregua arrogant duke pretenduar se ishte hyjni, i cili u rebelua dhe bëri shkatërrim në tokë; aq sa Xhibrili u frikësua mos e arrinte mëshira e Allahut! Transmetohet nga Ibn Abasi (r.a) se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur Allahu e fundosi Faraonin, ai tha: “Besova se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Atij që besuan bijtë e Israilit”[26]. Xhibrili tha: O Muhamed! Sikur të më kishe parë duke marrë baltë nga deti dhe duke ia futur në gojë, nga frika se mos e arrinte mëshira.”[27] Kuptimi është se ai mori baltë nga fundi i detit dhe ia vuri në gojë Faraonit.
Prej urrejtjes së engjëjve ndaj mohuesve është edhe dënimi i tyre gjatë çastit të nxjerrjes së shpirtit. Allahu thotë: “Sikur t’i shihje kur engjëjt ua marrin shpirtin atyre që mohuan, duke i goditur në fytyra dhe në shpinë: “Shijoni dënimin e djegies! Kjo është për shkak të asaj që kanë bërë duart tuaja, dhe Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve”[28]
Së dymbëdhjeti: I duam engjëjt e nderuar për edukatën e tyre të lartë me profetët. Prej kësaj është kërkimi i lejes nga ana e dy engjëjve të maleve për të shkatërruar mushrikët që e lënduan Profetin (a.s). Mënyra e paraqitjes dhe dialogut është shembullore: ata e përshëndetën, pastaj engjëlli i Maleve tha: “O Muhamed, Allahu e ka dëgjuar fjalën e popullit tënd ndaj teje. Unë jam engjëlli i Maleve; Zoti yt më ka dërguar tek ti që të më urdhërosh sipas dëshirës sate. Nëse dëshiron, do t’i mbledh mbi ta dy malet.”[29]
Së trembëdhjeti: I duam engjëjt e nderuar për ndërmjetësimin që do të bëjnë për besimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa e sa engjëj ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk vlen asgjë, përveç pasi Allahu të japë leje për kë të dojë dhe të jetë i kënaqur.”
Në hadith kudsij është vërtetuar se Allahu i Madhëruar thotë: “Kanë ndërmjetësuar engjëjt, kanë ndërmjetësuar profetët, kanë ndërmjetësuar besimtarët, dhe nuk ka mbetur tjetër veçse Më i Mëshirshmi i mëshiruesve.”[30]
Së katërmbëdhjeti: I duam engjëjt e nderuar për përpikërinë dhe përsosmërinë e tyre në kryerjen e detyrave. Këtë e ndiejmë nga tërësia e teksteve që flasin për ndërrimin e tyre në detyrë dhe kryerjen e saj në mënyrën më të plotë, pavarësisht vështirësisë dhe përfshirjes së vazhdueshme në kohë; megjithatë, nuk ka asnjë mangësi apo gabim. Mjafton të dimë për dy engjëjt e ngarkuar mbi çdo njeri, që shkruajnë veprat e tij, pa lënë pa regjistruar asnjë të vogël apo të madhe nga fjalët dhe veprat; pastaj vjen dëshmia e kësaj Ditën e Kiametit: “Dhe do të vendoset Libri, e do t’i shohësh mëkatarët të frikësuar nga ajo që gjendet në të dhe do të thonë: “Mjerë ne! Ç’është ky libër që nuk lë pa përfshirë as të vogël e as të madhe, por i ka numëruar të gjitha!”[31]
Së fundmii: Engjëjt e nderuar e të pastër janë të tillë edhe për shkak të origjinës së krijimit të tyre; ata janë krijuar nga drita, e drita nuk sjell veçse mirësi. Prandaj janë cilësuar me pastërti, dëlirësi dhe shenjtëri nga mëkatet dhe gabimet.
Për të gjitha këto që u përmendën, si dhe për shumë arsye të tjera, ne i duam engjëjt dhe e marrim Allahun dëshmitar për dashurinë tonë ndaj tyre.
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ali Imran: 18.
[2] – Sure Gafir: 7.
[3] – Sure Ahzab: 43.
[4] – Sure Nisa: 28.
[5] – Buhariu dhe Muslimi.
[6] – Sure Bekare: 31.
[7] – Sure Bekare: 32.
[8] – Sure Sebe’: 23.
[9] – Buhariu.
[10] – Sure Enbija: 28.
[11] – Sure Enbija: 27.
[12] – Sure Nisa: 172.
[13] – Muslimi.
[14] – Sure Saffat: 164 – 166.
[15] – Sure Enbija: 20.
[16] – Tirmidhiu.
[17] – Buhariu.
[18] – Buhariu.
[19] – Sure Enfal: 12.
[20] – Muslimi.
[21] – Buhariu.
[22] – Sure Ra’d: 11.
[23] – Sure Abese: 15 – 16.
[24] – Muslimi.
[25] – Sure Bekare: 159.
[26] – Sure Junus: 90.
[27] – Tirmidhiu.
[28] – Sure Enfal
[29] – Buhariu dhe Muslimi me tekstin në fjalë.
[30] – Muslimi.
[31] – Sure Kehf: 49.



















