Ramazani: Jehonë e kthimit tek njeriu

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1400 vjet me parë, një jehonë përshkoi qëtësine mprehëse të shpellës Hira. Një jehonë, që shpoi errësirën e shurdhët të asaj nate, teksa profeti Muhamed (a.s) ishte në përpjekjen e tij për t’i dhënë kuptim vetes, jetës dhe botës. Për t’i dhënë kuptim asaj përditshmërie të zhurmshme që pas pak kohe do agonte pak kilometra më tej mbi qytetin e Mekes. “Lexo! Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi. E krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur. Lexo se Zoti yt është më Bujari, që ia mësoi njeriut pendën [të shkruajë]. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”[1]

Teksa përballemi çdo ditë me peshën e dynjasë tonë, duke u përpjekur për të gjetur kuptimin në çdo gjë tjetër përveçse tek vetja, jemi njëhsuar më objektin e asaj që në fakt duhej të ishtë thjesht mekanizmi provizor për të kaluar më sukses në destinacionin final. Kështu kemi përfunduar duke u reduktuar në një pakuptimësi sfilitëse për trupin, mendjen dhe shpirtin.

Në ato pak hapësira kohe të ditës tonë, mundohemi të justifikojmë gjendjen tonë, me shpresën se do të vijë momenti që do të jemi ndryshe. E dita jonë do të jetë ndryshe. E jeta jonë do të jetë ndryshe. E ndërkohë vetëm se e shtyjmë, më një ndërgjegje të vrarë, një kohë të nevojshme për t’u ulur dhe për të reflektuar.

A mundemi të ngjitemi për një moment edhe ne në shpellën Hira, të përjetojmë atë jehonë që i përshkoi çdo qelizë të trupit të profetit (a.s).

Allahu i Madhëruar, Bujari i pamasë ,i ofron çdo vit njeriut mundësinë për të përjetuar atë moment të shpellës Hira. Për të përjetuar atë jehonë të jashtëzakonshme zgjimi dhe ndërgjegjësimi, që njësoj si në ato ajete të para të shpalluara në shpellën Hira në një natë Ramazani, të jenë një jehonë e kthimit tek njeriu në këtë Ramazanin tonë.

“O ju qe keni besuar, agjerimi u eshte bere obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre qe ishin para jush, keshtu qe te beheni te devotshem.”[2]

Ashtu sic profeti (a.s) u izolua në shpellën Hira, agjërimi njëjtë, i mundëson besimtarit të izolojë për një kohë dimensionin e tij material. Në një botë ku teknologjia kërkon të shndërrojë në artificiciale thuajse çdo gjë, madje edhe njeriun, nevoja për të gjetur origjinalitetin njerëzor bëhet akoma më e madhe.

Jehona që Ramazani të mundëson ta dëgjosh më qartë ”me qëllim që të bëheni të devotshëm”, është një jehonë që të mbulon nga çdo anë e çdo drejtim. Allahu i Madhëruar na drejtohet në Kuran duke thënë: “Të All-llahut janë edhe (anët nga) lindja edhe perëndimi, dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e All-llahut. Vërtetë, All-llahu është i gjerë (në bujari) e i dijshëm.”[3]E teksa ti mundohesh të drejtohesh andej nga vjen jehona, në fakt ajo vjen ngado. E në fund njeriu e kupton qe ai nuk kthehet drejt Zotit, por kthehet brenda prezencës së Tij të pakufij. E kulmi i udhëzimit të njeriut nuk është gjetja e Allahut, por të kuptuarit që në fakt nuk ishte larguar asnjëherë nga prezenca e Tij.

E si të mos jetë Ramazani jehonë e kthimit tek njeriu, ndërkohë që profeti (a.s) na tregon në hadithin kudsij se Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit; ai është për Mua dhe Unë vetë e shpërblej.” Kaq i fortë është kthimi i njeriut tek vetja në Ramazan, saqë shpërblimi për të është ekskluzivitet i vetë Allahut të Madhëruar. Prandaj le të jetë ky Ramazan, jehonë e kthimit tek njeriu. E kur njeriu kthehet tek vetja e tij, me sinqeritetin qe kultivon agjërimi, nuk bën gjë tjetër vetëm se zbulon Zotin e Tij.

Autor: Erald Skurra

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Alak: 1 – 5.

[2] – Sure Bekare: 183.

[3] – Sure Bekare: 115.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.