Një çështje tjetër që bën pjesë në këtë rubrikë është edhe ç’ka është transmetuar në hadithet e sakta të mirënjohura, në të cilat Profeti (a.s) ka thënë: “Filloni agjërimin kur të shikoni hënën e re dhe po me hënën e re të muajit pasardhës ndërpriteni agjërimin. E nëse – për ndonjë arsye – nuk arrini ta shikoni atë, atëherë bëni llogari! E në një transmetim të ngjashëm lexojmë: “E nëse – për ndonjë arsye – nuk arrini ta shikoni atë, muajin Shaban plotësojeni 30 – të ditë.”[1]
Në këtë rast, juristi ka të drejtë të thotë: Vërtet, hadithi profetik ka aluduar për qëllimin dhe ka përcaktuar mjetin.
Përsa i përket qëllimit ai është shumë i qartë në hadith: besimtarët duhet të agjërojnë muajin e Ramazanit duke mos lënë pa agjëruar asnjë ditë prej tij, qoftë në fillim apo përfundim të tij, apo të mos agjërojnë ndonjë ditë nga një muaj tjetër, qoftë në muajin Shaban[2] apo Sheual[3]. E gjitha kjo ndodh duke konfirmuar ardhjen apo përfundimin e muajit Ramazan me një mjet të mundshëm dhe të arritshëm për të gjithë njerëzit, pa i munduar dhe pa i vënë në siklet.
Vrojtimi me shikim të lirë ka qenë një mjet i lehtë dhe i arritshëm për të gjithë njerëzit në atë epokë. Prandaj edhe në hadith është specifikuar ky mjet. E nëse hadithi do t’i obligonte me një mjet tjetër si përllogaritjet astronomike – sakaq Umeti ishte analfabet që nuk dinte as shkrim as këndim – kjo do t’ua vështirsonte atyre çështjen tej mase. E Allahu do për Umetin e tij lehtësimin e jo vështirësinë. E i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë për veten e tij: “Vërtet, Allahu më ka dërguar si mësues për t’jua lehtësuar njerëzve e jo për t’jua vështirësuar atyre.”[4]
Ajo ç’ka kërkohet është gjetja e një mjeti tjetër më të përshtatshëm për përmbushjen e qëllimit të hadithit, me mundësi gabimi zero, iluzioni e mashtrimi të syrit për ardhjen e muajit, e ky mjet është i kollajshëm e jo i vështirë për t’u përdorur, nuk konsiderohet si i paarritshëm e nuk është përtej kapaciteteve të Umetit, veçanërisht pas shfaqjes së specialistëve e ekspertëve në nivel botëror në fushat e astronomisë, gjeologjisë e fizikës, e pasiqë dijenia njerëzore ka arritur deri aty sa njeriu të ngjitet në hënë, të zbresë në sipërfaqen e saj, të hulumtojë në tokën e saj si dhe të sjellë mostra nga shkëmbinjtë dhe toka e saj. Përse duhet të fiksohemi pas mjetit[5]– që nuk është qëllim në vetvete – dhe të anashkalojmë qëllimin tek i cili fton hadithi?!
Hadithi ka konfirmuar se ardhja e muajit është e pranuar nga konfirmimi i një personi apo dy personave, të cilët pohojnë se e kanë vrojtuar hënën e re me sy të lirë, sepse ky mjet ka qenë i mundshëm dhe i përshtatshëm për mbarë Umetin. Si është e mundur që – sot – të refuzohet një mjet që nuk ka mundësi gabimi, iluzioni dhe mashtrimi?! Ai është një mjet që ka arritur në gradën e sigurisë dhe vërtetësisë të plotë. Tek ky mjet, i gjithë Umeti – nga Lindja deri në Perëndim – mund të bazohet duke qenë të gjithë në një mendje, duke evituar mosmarrëveshjen e përhershme e kontradiktore që ndodh në lidhje me fillimin e agjërimit, përfundimin e tij dhe se kur është dita e Fitër Bajramit. Mosmarrëveshjet kanë arritur deri aty saqë shtete të ndryshme kanë filluar agjërimin në tre ditë të ndryshme.[6]Realisht, kjo gjë është e palogjikshme dhe e papranueshme shkencërisht dhe fetarisht. Nuk ka dyshim se vetëm njëra prej ditëve ka qenë dita e saktë e fillimit të agjërimit, kurse të tjerat pa diskutim kanë qenë gabim.
Marrja për bazë e përllogaritjeve astronomike – që janë tepër të sakta – në ditët e sotme është një mjet i sostifikuar për konfirmimin e hyrjes së muajve dhe duhet të pranohet si analogji prioritare.[7] Kjo do të thotë se Suneti Profetik i cili e ka bërë legjitim për ne të përdorim një mjet të thjeshtë me probabiltet dhe mundësi gabimi – që është vrojtimi me sy të lirë – nuk është e mundur të refuzojë një mjet me mundësi dhe probabilitet gabimi zero, më të saktë dhe më të sofistikuar duke përmbushur kështu qëllimin final, larg mosmarrëveshjeveve të ashpra në mesin e Umetit për përcaktimin e fillimit të agjërimit, përfundimit të tij e të përcaktimit të ditës së kurbanit e për të bërë unifikimin e kërkuar në ritet dhe adhurimet e tij. Ky mjet – përllogaritjet astronomike – është i lidhur me çështjet më specifike të Umetit në çështjet e fesë, është i pandashëm me jetën e tij dhe me thelbin e ekzistencës së tij.
Megjithëse dijetari ekspert Ahmed Muhamed Shakir (Allahu e mëshiroftë) e shikon këtë çështje në një këndvështrim tjetër. Ai është i mendimit që muaji hyn duke u bazuar në përllogaritjet astronomike duke argumentuar këtë me faktin se shkaku i dispozitës fetare të vrojtimit me sy të lirë është treguar në Sunet, mirëpo që tashmë nuk ekziston, sepse ashtu sikurse është përcaktuar në një prej rregullave të drejtës islame është se dispozita fetare ecën paralel me shkakun në prani apo jo të tij (shkakut).[8]
Për të qenë sa më korrekt, ne duhet të përcjellim fjalë për fjalë ato që ai ka cituar, sepse në fjalët e tij kanë ndikim dhe janë të qarta. Në broshurën e titulluar “Fillimi i muajve arabë” ai ka cituar sa më poshtë:
[Nuk ka dyshim se arabët përpara Islamit dhe në fillimet e tij nuk kanë pasë njohuri të mirëfillta rreth shkencës së astronomisë. Ata kanë pasë qenë një popull analfabet që nuk dinin të shkruanin dhe as të kryenin përllogaritje matematikore dhe astronomike. Njeriu më i ditur prej tyre mund të kishte njohuri elementare dhe sipërfaqësore, njohuri të cilat mund t’i ketë përfituar nga vrojtimet e kërkimet e përcipta apo nga çfarë kishte dëgjuar apo i ishte përcjellur nga lajmet. Njohuria e tyre nuk ka qenë e ndërtuar mbi bazë të rregullave matematikorë apo mbi fakte të padiskutueshme që kanë si referencë premisa[9] primare absolute. Prandaj edhe i Dërguari i Allahut (a.s) si referencë për konfirmimin e hyrjes së muajit në çështjet e adhurimit të tyre ka bërë një çështje të padiskutueshme që është e mundshme për çdokënd apo shumicën e tyre. E kjo çështje e padiskutueshme është vrojtimi me sy të lirë i hënës së re, sepse kjo gjë është më e mirë dhe më e saktë për përcaktimin e orareve të riteve dhe adhurimeve të tyre. Nëpërmjet këtij mjeti, ata arrinin tek ajo që ishte e sigurtë dhe e besueshme në aftësitë dhe kapacitetet e tyre. E Allahu nuk e obligon dikënd përtej mundësisë së tij.
Nuk ka si të jetë prej urtësisë së Ligjvënësit, nëse në atë kohë përcaktimi i hënës së re do të bëhej nëpërmjet përllogaritjeve matematikore dhe shkencës së astronomisë. Ata që ishin më të qytetëruar nuk kishin informacione të tilla, sakaq shumica e tyre ishin beduinë dhe nuk kishin kontakte me qytetin për të marrë informacione prej tij, përveçse në disa raste kur informacionet i merrnin në një kohë të ngjeshur e në raste të tjera pas një farë kohe të gjatë. Prandaj nëse Ligjvënësi përcaktimin e hënës së re do ta vendoste që të zgjidhej nëpërmjet përllogaritjeve matematikore dhe shkencës së astronomisë, padyshim që kjo gjë do t’i mundonte ata. Dhe si rrjedhojë e kësaj, vetëm rrallkush prej beduinëve – të cilëve iu kishte mbërritur informacioni – do ta dinin ardhjen e muajit. Dhe jo vetëm këta, por edhe ata që banonin në qytet pasonin në mënyrë të verbër çfarë thonin matematicientët, shumica e të cilëve apo që të gjithë ishin ithtarë të librit.
Më vonë, muslimanët çliruan botën, arritën majat e shkencave të ndryshme, u zgjeruan në të gjitha lëmitë e saj, intepretuan shkencën e të parëve, u dalluan në to, zbuluan shumë sekrete të saj dhe ia trashëguan të tjerëve, të cilët erdhën pas tyre. Një prej këtyre shkencave ishte edhe shkenca e astronomisë, aritmetikës dhe gjeometrisë.
Shumica e dijetarëve të Fikhut dhe Hadithit nuk kanë patur njohuri rreth shkencës së astronomisë, ose le të themi që ata kanë pasë ditur vetëm disa prej parime të saj. Disa prej tyre ose pjesa më e madhe e tyre nuk i zinin besë atyre që merreshin me këtë shkencë, madje disa prej tyre arrinin deri aty sa t’i akuzonin ata me herezi dhe devijim nga rruga e drejtë duke menduar se kush merret me këtë shkencë pretendon se ai di të fshehtën, pra merret me astrologji. E vërteta qëndron se, disa njerëz e pretendonin një gjë të tillë duke dëmtuar veten dhe shkencën e saktë të astronomisë. Nisur nga ky fakt, juristët janë të justifikuar. Gjithashu ata juristë dhe dijetarë që kishin njohuri rreth këtyre shkencave e kanë patur shumë të vështirë të përcaktonin me saktësi vendimin juridik dhe fetar rreth tyre. Madje këta dijetarë aludonin rreth këtyre shkencave me një lloj pasigurie e frike.
Kjo ka qenë situata në të cilën dijetarët ndodheshin, sepse shkencat ekzakte që flasin rreth universit nuk kanë qenë aq të përhapura sa dijet fetare dhe se parimet dhe bazat e tyre nuk kanë qenë definitive tek shkenctarët.
Sheriati – ky ligj i bukur dhe tolerant – është i përhershëm deri kur Allahu të japë leje të përfundojë jeta në këtë botë. Sheriati është i përshtatshëm për çdo popull dhe për çdo kohë. Prandaj në tekstet e Kuranit dhe të Sunetit ne hasim sinjale të hollësishme që flasin për atë ç’ka rezervon e ardhmja. Kur të vërtetat shkencore të vërtetohen si të vërteta absolute dhe të ndodhin, atëherë dijetarët i interpretojnë dhe i mësojnë, pavarësisht faktit se dijetarët e hershëm i kanë interpretuar jo saktë.
Në Sunetin Autentik të Profetit (a.s) aludohet për këtë gjë për të cilën po flasim. Imam Buhariu transmeton prej Ibn Omerit se Profeti (a.s) ka thënë: “Ne jemi një popull analfabet. Nuk dimë të shkruajmë e as të bëjmë llogaritje. Muaji është kështu e ashtu.. d.m.th. njëherë njëzet e nëntë ditë dhe njëherë tridhjetë ditë.”[10] Këtë hadith e kanë transmetuar imam Maliku[11], imam Buhariu, imam Muslimi dhe imamllarë të tjerë me këtë tekst: “Muaji është njëzet e nëntë ditë. E ju mos e filloni agjërimin derisa të shikoni hënën e re dhe po ashtu edhe ta përfundoni agjërimin vetëm se kur të shikoni hënën e re të muajit pasardhës. E nëse ju nuk arrini ta shihni hënën e re, atëherë bëni llogaritë!”
Dijetarët e hershëm ia kanë qëlluar kur kanë shpjeguar domethënien e këtij hadithi, por kanë gabuar në interpretimin e tij. Shpjegimi më i përmbledhur – në lidhje me këtë hadith – është ajo ç’ka ka thënë Hafiz Ibn Haxheri: “Kuptimi i fjalës “bëni llogaritë” nënkupton me bërë llogaritë në varësi të yjeve, sakaq njohuritë e tyre rreth përllogaritjeve kanë qenë të papërfillshme. Prandaj I Dërguari i Allahut obligueshmërinë e agjërimit dhe ibadeteve të tjera e ka lidhur me shikimin e hënës së re, për t’ua evituar atyre vështirësinë e përllogaritjes. Kjo dispozitë fetare e përcaktuar në këtë formë vazhdoi të jetë e tillë edhe nëse më vonë me kalimin e kohës do të shfaqej dikush që kishte njohuri rreth astronomisë. Madje – në kutpimin sipërfaqësor – konteksti i hadithit, përnjëmend e mohon faktin që kjo dispozitë fetare ka lidhje me përllogaritjet astronomike. Kjo është e sqaruar tek fjala profetike e lartpërmendur: “E nëse ju nuk arrini ta shihni hënën e re, atëherë plotësojeni atë muaj me tridhjetë ditë.” Në këtë transmetim, Profeti (a.s) nuk na thënë: Ju kërkoni zgjidhje tek matematicientët. Urtësia e kësaj konsiston në faktin se kur hëna nuk arrihet të shikohet, me plotësimin e tridhjetë ditëve, të gjithë agjëruesit janë të njëllojtë dhe si rrjedhojë zgjidhet konflikti dhe mosmarërveshjet. Kurse një grup njerëzish janë të mendimit se duhet me ju referuar atyre që merren me llogari. Të këtij mendimi janë Rafiditë.[12] Nga disa juristë është përcjellur se ata e përkrahin këtë mendim. El Baxhi ka thënë: Konsesusi i të parëve të Umetit është argument kundra tyre. Ibn Bezizeh ka thënë: Mendimi i tyre është mendim i pavlerë, sepse sheriati na ka ndaluar të thellohemi në dijenitë astrologjike, sepse këto dije bazohen në parashikime e hamendësime. Në këto dijeni astrologjike nuk ka mendim të prerë e as hamendsime të pranueshme. Prandaj nëse kjo çështje – përcaktimi i fillimit dhe mbarimit të muajit – do të kishte lidhje me dijet astrologjike, kjo do të ishte një problem, sepse ata që kanë kësi njohurish janë një pakicë e njerëzve.”
Ky shpjegim është i drejtë, sepse ajo që duhet të kihet parasysh – në këtë rast – është shikimi i hënës me sy dhe jo përllogaritja. Por interpretimi është i gabuar, sepse nëse ndodh që dikush ka njohuri rreth përllogaritjeve, dispozita fetare e agjërimit do të ishte e vazhdueshme, pasiqë shikimi i hënës së re është i bazuar tek teksti në të cilin Profeti (a.s) ka thënë:“Ne jemi një popull analfabet. Nuk dimë të shkruajmë e as të bëjmë llogaritje.” E dispozita fetare ecën paralel me shkakun në prani apo jo të tij (shkakut). Nëse populli nuk është më analfabet, por di të shkruajë e të përllogarisë, d.m.th. në tërësi ka njohuri rreth këtyre shkencave, apo njerëzve – masave të gjera dhe specialistëve – ju mundësohet njohja me saktësi dhe siguri e përllogaritjes së fillimit të muajit, e nëse vërtetohet se ata kanë besim tek kjo përllogaritje ashtu sikurse kanë besim tek shikimi i hënës, madje edhe më tepër, pra nëse kjo është gjendja e përgjithshme e tyre dhe analfabetizmi është zhdukur: është detyrë e tyre që t’i referohen burimit të sigurtë e të prerë. Në këtë rast, për të përcaktuar fillimin apo mbarimin e muajve, ata e kanë për detyrë që t’i referohen vetëm përllogaritjeve matematikore dhe as që duhet t’i referohen shikimit të hënës vetëm nëse e kanë të pamundur që të informohen për hyrjen apo mbylljen e muajit, ashtu sikur njerëzit të ishin në shkretëtirë apo në fshat, të cilëve nuk iu mbërrijnë lajmet e sakta rreth atyre që dinë të bëjnë përllogaritje.
Nëse të referuarit vetëm tek përllogaritjet astronomike për shkak se nuk ka ndonjë arsye që ta pengojë këtë veprim është obligim, po ashtu është obligim edhe referimi tek përllogaritjet matematikore të sakta për përcaktimit e fillimit dhe mbarimit të muajve hënorë si dhe shqyrtimin e mundësisë së shikimit apo jo të hënës. Kështu që fillimi i muajit të ri është nata në të cilën hëna e re zhduket pas perëndimit të diellit, qoftë edhe për një çast.[13]
Fjala ime se një dispozitë fetare mund të ndryshojë në varësi të situatave në të cilat ndodhen personat juridikë nuk është një risi prej meje, pasiqë një gjë e tillë ndodh shpesh në ligjet e sheriatit, për të cilat kanë njohuri dijetarët dhe të tjerë. Një shembull i tillë në çështjen të cilën po e trajtojmë është hadithi: “E nëse ju nuk arrini ta shihni hënën e re, atëherë bëni llogaritë!” i cili është transmetuar me fjalë të tjera si për shembull: “E nëse ju nuk arrini ta shihni hënën e re, atëherë plotësojeni atë muaj me tridhjetë ditë.” Shprehjen “atëherë bëni llogaritë!” e thënë në mënyrë konçize dijetarët kanë thënë se është shpjeguar me shprehjen “atëherë plotësojeni atë muaj me tridhjetë ditë.” Megjithatë një imam i madh, madje më i madhi në kohën e tij, prej imamllarëve të medh’hebit Shafi’ij, Ebu Abas Ahmed ibn Umer ibn Surejxh[14] ka bërë gërshetimin midis dy transmetimeve duke thënë se thënia e Profetit (a.s) “atëherë bëni llogaritë!” ka për qëllim që bëni llogaritë duke përcaktuar etapat dhe fazat në të cilat hëna kalon dhe këtu Allahu i drejtohet specialistëve. Kurse thënia e Profetit (a.s) “atëherë plotësojeni atë muaj me tridhjetë ditë.” ka për qëllim se ajo i drejtohet të gjithë njerëzve.”[15]
Mendimi im është pothuajse i ngjashëm me atë që ka cituar Ibn Surejxhi. Vetëm se ai në rastin kur vrojtuesit nuk e shikojnë hënën e ka bërë të veçantë që vendimin ta japin ata që merren me llogari edhe nëse janë të paktë në numër, duke ditur që në kohën kur ai ka jetuar ka pasë shumë pak astronomë, fjalët dhe përllogaritjet e tyre nuk kanë qenë të besueshme dhe lajmet nga një vend në tjetrin arrinin me shumë vonesë, edhe në rastet kur konfirmohej në një pjesë të natës se ishte parë hëna. Kurse unë them se në total ne duhet të marrim për bazë përllogaritjen e saktë matematikore edhe për të gjithë njerëzit, për shkak se në ditët e sotme lajmet përhapen me shpejtësi. Kurse përsa i përket shikimit të hënës me sy të lirë atë e aplikon vetëm një pakicë e njerëzve, të cilëve nuk iu mbërrijnë lajmet, apo që nuk mund të kontaktojnë dikënd të besueshëm që ka njohuri rreth astronomisë, fazave të diellit dhe të hënës.
Mendimin tim e shikoj si mendimin më të arsyeshëm, më të përafërt me juridiksionin e shëndoshë dhe kuptimin më të saktë të haditheve profetike që janë transmetuar në këtë rubrikë.][16]
Kjo është ajo që ka shkruar dijetari ekspert Ahmed Shakir përpara një shekulli afërsisht, pikërisht në muajin Dhul Hixheh në vitin 1357 të hixhretit që përkon në vitin 1939 lunar.
Shkenca e astronomisë, asokohe nuk ka qenë e zhvilluar sa është zhvilluar në ditët e sotme. Në këtë kohë, njeriu pati mundësinë të depërtonte në kufijtë e hapësirës qiellore e të shkojë deri në Hënë. Kjo shkencë ka arritur majat e saktësisë dhe përpikmërisë. Nesër, probaliteti i gabimit do të jetë një në njëqind mijë.
Shejh Ahmed Shakir ka qenë dijetar në lëminë e hadithit.[17]Ai gjatë gjithë jetës i ka shërbyer haditheve dhe e ka përkrahur Sunetin Profetik. Ai ka qenë Selefist puritan, një njeri që ka ndjekur Sunetin e Profetit, larg risive. Mirëpo ai nuk e ka kuptuar selefizmin që ne të jemi të ngurtë në atë ç’ka kanë thënë të parët e Umetit. Selefizmi i vërtetë është që ne të ecim në gjurmët e tyre të përfitojmë nga shpirti i tyre, të përpiqemi në dhënien e vendimeve juridike të kohës tonë, ashtu siç janë përpjekur ata në kohën e tyre, ta trajtojmë realitetin tonë me logjikën tonë dhe jo të tyren, duke mos qenë të lidhur në pranga, përveçse në rastin kur kemi të bëjmë me vendime të prera nga Sheriati, tekstet e qarta dhe objektivat gjenerale të tij, të cilat nuk na lejojnë të përdorim logjikën.
Mirëpo përkundrejt kësaj, në këtë muaj të Ramazanit të vitit 1409 të hixhretit kam lexuar një artikull të gjatë të njërit prej dijetarëve të nderuar[18] i cili rreth hadithit të saktë profetik: “Ne jemi një popull analfabet. Nuk dimë të shkruajmë e as të bëjmë llogaritje” aludon se në kuptimin e këtij hadithi nuk flitet fare për përllogaritjet matematikore dhe se një gjë e tillë është e pakonsiderueshme tek dijetarët e Umetit.
Nëse ky aludim do të ishte i saktë, atëherë i bie të mohohet shkrimi dhe mos të merret fare në konsideratë, sepse në hadith janë përfshirë dy çështje që tregojnë se Umeti është analfabet: shkrimi dhe përllogaritjet matematikore.
Asnjë dijetar në të shkuarën dhe në të ardhmen nuk ka folur se shkrimi është një veprim i qortuar e i padëshiruar për Umetin, madje përkundrazi shkrimi është i rekomanduar, gjë për të cilën na ka treguar Kurani, Suneti dhe Konsesusi i dijetarëve.
Njeriu i parë, i cili ka qenë iniciator i fillimit të mësimit të shkrimit në mesin e Umetit ka qenë Profeti (a.s) ashtu siç dihet qëndrimi i tij në lidhje me robërit e luftës së Bedrit.
Në lidhje me këtë temë është thënë[19] se Profeti (a.s) nuk e ka bërë legjitime faktin që ne të bazohemi tek përllogaritjet matematikore dhe nuk na ka urdhëruar që ta konsiderojmë atë. Në fakt, ajo që ai (a.s) na ka urdhëruar është se për konfirmimin e ardhjes së muajit duhet të marrim në konsideratë shikimin e hënës së re.
Këto fjalë janë të gabuara në dy aspekte:
Aspekti i parë: Është e pamundur logjikisht që Profeti (a.s) të urdhërojë Umetin analfabet që nuk di shkrim e këndim që të bëjë përllogaritje matematikore. Ai (a.s) ua bëri atyre legjitime që të përdornin një mjet të përshtatshëm për kohën dhe vendin në të cilin kanë jetuar. E ky mjet i përshtatshëm është shikimi i hënës së re me sy të lirë që është i mundshëm për të gjithë njerëzit në kohën e tij. Por nëse gjendet një mjet më i saktë, më preçiz dhe e përjashton mundësinë e gabimit dhe të iluzionit, nuk është prej Sunetit Profetik që mos ta quajë atë të konsiderueshëm.
Aspekti i Dytë: Realisht Suneti ka aluduar për marrjen në konsideratë të përllogaritjeve në rastin kur ka re apo kur hëna e re nuk shikohet. Imam Buhariu në librin e tij “Xhamius Sahih” në librin e “Agjërimit” me zinxhirin e transmetimit të artë transmeton prej Malikut, prej Nafiut, prej Ibn Omerit se i Dërguari i Allahut (a.s) ka folur për Ramazanin duke thënë: “Mos e filloni agjërimin derisa të shikoni hënën e re dhe as mos e mbyllni agjërimin derisa të shikoni hënën e re të muajit pasardhës. E nëse nuk arrini ta shihni atë, atëherë bëni llogaritë!”
Fjala e Profetit (a.s) “bëni llogaritë!” nënkupton bërjen e përllogaritjve matematikore për atë që e ka të përvetsuar këtë shkencë dhe është i bindur plotësisht në saktësinë e tyre. Kjo gjë, në kohën tonë ka arritur në nivel sigurie 100%, ashtu siç është e ditur tek çdokush që ka njohuri sado pak në shkencën e ditëve të sotme dhe në nivelet e larta të dijes në të cilat është ngritur njeriu, prej asaj diturie që Zoti ia ka mësuar. Megjithëse më parë njeriu nuk i ka zotëruar këto dije.
Prej vitesh kam bërë thirrje se marrja bazë e përllogaritjeve astronomike është një shkencë me përllogaritje 100% të saktë – të paktën – në demantim dhe jo pohim. Duke marrë për bazë përllogaritjet astronomike, ne reduktojmë mosmarrëveshjet e mëdha që ndodhin çdo vit në fillim të agjërimit dhe ditës së Fitër Bajramit. Këto mosmarrëveshje arrijnë deri në atë shkallë sa në disa vende muslimane dita e fillimit të agjërimit apo e Fitër Bajramit është në tre ditë të ndryshme. Me demantim të përllogaritjeve astronomike kemi parasysh që ardhjen e hënës së re të vazhdojmë ta përcaktojmë nëpërmjet vrojtimit në pajtim me mendimin e shumicës së juristëve bashkëkohorë. Mirëpo nëse përllogaritjet astronomike përcaktojnë se hëna e re nuk shikohet duke thënë: është e pamundur shikimi i hënës së re, sepse – në origjinë – ajo nuk ka lindur në asnjë vend musliman, atëherë -në këtë rast – nuk pranohet absolutisht dëshmia e vrojtuesve, për shkak se realiteti – që është përcaktuar nëpërmjet përllogaritjeve astronomike të sakta – e përgënjeshtron dëshminë e tyre. Madje, në këtë rast as që duhet të kërkohet prej njerëzve vrojtimi i hënës së re, gjykatat sheriatike, komisionet e dhënies së fetvafe dhe institucionet fetare as që duhet t’ia hapin dyert kujtdo që dëshiron të dëshmojë se e ka parë hënën e re.
Ky është mendimi që kam përqafuar dhe rreth tij kam shkruajtur në fetvatë që kam dhënë dhe një sërë mësimesh, ligjërimesh dhe programesh. Më vonë – deshti Allahu – që mendimin tim e kam parë të shpjeguar në mënyrë të detajuar që ta ketë thënë edhe një prej juristëve më të mëdhenj të medh’hebit Shafi’i. E ky jurist është imam Tekijudin Es Subki për të cilin kanë thënë: Ai ka arritur në gradën e muxhtehidit.
Imam Es Subki në fetvatë e tij ka cituar sa më poshtë:
[Nëse përllogaritjet matematikore mohojnë faktin se hëna e re mund të shikohet me syrin e lirë, atëherë gjykatësi e ka për detyrë ta refuzojë dëshminë e dëshmitarëve që dëshmojnë se e kanë parë atë. Për shkak se përllogaratijet matematikore janë fakte të pakundërshtueshme kurse dëshmia e dëshmitarëve është hipotetike. Sakaq dihet se ai argument që është hipotetik nuk mund ta vërë në diskutim argumentin kategorik e jo më që t’i jepet përparësi ndaj tij.
Gjykatësi e ka për detyrë ta shikojë dëshminë e dëshmitarit në çdo çështje. Nëse gjykatësi vëren se faktet e përgënjeshtrojnë dëshminë e tij, atëherë ai duhet ta refuzojë dëshminë e tij pa teklif.
Kurse fakti ka si kusht që për të dëshmohet me shqisa, logjikë dhe sheriatikisht. Kështu që nëse përllogaritjet e sakta matematikore përcaktojnë se hëna është e pamundur që të shikohet, atëherë – sheriatikisht – është e pamundur pranimi i dëshmisë. Sakaq dihet që Sheriati nuk i pranon gjërat e pamundura.][20]
Në këtë rast, dëshmia e dëshmitarëve interpretohet si një iluzion, gabim apo gënjeshtër.
Po sikur imam Es Subki të kishte jetuar në epokën tonë dhe do të shikonte avancimin e shkencës së astronomisë, për të cilën kemi folur diç rreth saj?!
Shejh Ahmed Shakir në kërkimin e tij shkencor ka cituar se Profesori me grada të mëdha, shejhu i njohur i Ez’herit në kohën e tij, Muhamed Mustafa El Meragi, në kohën kur ai ka qenë kryetar i gjykatës së lartë sheriatike, ndante të njëjtin mendim si imam Es Subki në lidhje me refuzimin e dëshmisë së dëshmitarëve kur përllogaritjet astronomike mohojnë shikimin e hënës. Shejh Ahmed Shakir ka thënë: [Unë dhe disa vëllezër mendonim ndryshe nga Profesori me grada të larta. Mirëpo unë, tani deklaroj me të madhe se ai kishte të drejtë. Madje unë shtoj dhe them se është obligim që hënën e re ta vërtetojmë nëpërmjet përllogaritjeve astronomike në të gjitha rastet përveçse në rastin e atij personi që e ka të vështirë që ta njohë këtë shkencë.][21]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Muslimi (1081) dhe Buhariu (1909).
[2] – Shabani është muaji përpara muajit Ramazan. Sh.p.k.
[3] – Sheuali është muaji që vjen përpara muajit Ramazan. Sh.p.k.
[4] – Muslimi dhe të tjerë.
[5] – Që në rastin konkret është vrojtimi me sy të lirë i hënës. Sh.p.k.
[6] – Kjo ka ndodhur në Ramazanin e vitit 1409 të hixhretit. Në shtetet e Mbretërisë së Bashkuar Arabe të Saudisë, Kuvajt, Katar, Bahrejn, Tunizi e vende të tjera ditën e Enjte më 6 prill 1989 të gjitha këto vende kanë konfirmuar fillimin e agjërimit të muajit të Ramazanit sipas vrojtimit të Saudisë. Kurse në shtetet e Egjiptit, Jordanisë, Irakut, Algjerisë, Marokut e vende të tjera u konfirmua fillimi i agjërimit të muajit të Ramazanit ditën e premte. Kurse në Pakistan, Indi, Aman, Iran e vende të tjera u konfirmua ditën e shtunë?!
[7] – Që do të thotë se vrojtimi me sy të lirë është një mjet për të parë hënën e re. Edhe përcaktimi i hënës së re me anë të përllogaritjeve astronomike është një mjet që nuk ka ndodhur në kohën kur ka jetuar Profeti (a.s), por që në analogji është e njëllojtë me mjetin që është bërë në kohën e Profetit (a.s). E duke qenë se përcaktimi i hënës së re nëpërmjet përllogaritjve astronomike është më i saktë se vrojtimi me sy të lirë, atëherë i bie që pranimi i këtij mjeti (përllogaritjet astronomike) të jetë më primar dhe më prioritar se mjeti i vrojtimit me sy të lirë. Sh.p.k.
[8] – Doktor Jusuf Kardavi konfirmimin e hyrjes së muajit nëpërmjet përllogaritjeve astronomike e ka futur në rubrikën e “Analogjisë Prioritate” kurse Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë) e ka futur në rubrikën “Dispozita fetare ecën paralel me shkakun, në prani apo jo të tij” sh.p.k.
[9] – diçka që është thënë më parë, nga e cila nxirret një pohim i njohur ose mbi të cilën mbështetet një përfundim. Për më tepër shih fjalorin e gjuhës shqipe. Sh.p.k.
[10] – Buhariu në librin e Agjërimit.
[11] – El Mu’uta, vëllimi 1, fq 226.
[12] – Nuk e dimë me saktësi se çfar nënkupton Hafiz Ibn Haxheri me Rafiditë në këtë kontekst. Nëse me Rafiditë, ai ka për qëllim sektin e njohur të Shi’itëve, mesa dimë ne, ky sekt nuk e lejon që të bazohemi në përllogaritjet matematikore për të përcaktuar fillimin dhe mbarimin e agjërimit. E nëse Hafizi ka për qëllim njerëz të tjerë, ne nuk e dimë se kush janë ata. Imam Ahmed Shakiri ka thënë: Ata (Rafiditë e përmendur) janë Ismailitët sepse ata janë të këtij mendimi. Shënim i Doktor Jusuf Kardavit.
[13] – Më saktë do të ishte që të themi se bëhet fjalë për një periudhë kohe pas perëndimit të diellit derisa të shfaqet hëna e re, aq sa të krijohet mundësia për ta parë me sy të lirë, rreth 15 – 20 minuta ashtu sikurse kanë thënë specialistët. Shënim i doktor Jusuf Kardavit.
[14] – Ebu Abasi ka ndërruar jetë në vitin 306 të hixhretit. Ai ka qenë një prej nxënësve të imam Ebu Daudit, transmetuesit të librit të haditheve. Ebu Is’hak Shirazi në librin e tij “Tabakatul Fukaha” në fq 89 ka thënë: “Ai ka qenë prej dijetarëve të mëdhenj të medh’hebit Shafi’ij dhe prej imamllarëve të muslimanëve dhe ka qenë më i miri prej dijetarëve të medh’hebit, madje edhe më i mirë se Ali El Muzenij.” Biografia e tij është treguar qartë në librat si “Tarihul Bagdadi” të Hatibit (vëllimi 4: fq 278-290) dhe “Tabakatul Kubra” të imam Subkit (vëllimi 2, fq: 67 – 96.) Disa dijetarë e kanë cilësuar atë si inovator të shekullit të tretë.
[15] – Për më tepër shih “Sherhul Kadi Ebi Bekër El Arabij të Tirmidhiut” vëllimi 3, fq: 207 – 208, “Tarhut Tethrib” vëllimi 4, fq: 111 – 113 dhe “Fet’hul Bari” vëllimi 4, fq: 104.
[16] – “Fillimi i muajve arabë” fq: 7 – 17. Botim i shtëpisë botuese “Ibn Tejmije”
[17] – Dhe jo jurist (fakih). Sh.p.k.
[18] – Ai është shejh Salih ibn Muhamed El Luhejdan, kryetar i këshillit të gjykatës supreme në mbretërinë Arabe të Saudisë. Artikullin e tij ai e ka publikuar në gazetën “Ukadh” dhe në gazeta të tjera të mbretërisë më 21 Ramazan të vitit 1409 të hixhretit.
[19] – në artikull
[20] – Për më tepër shih: “Fetauas Subki” vëllimi 1, fq 219, 220 me botim të shtëpisë botuese “El Kuds” në Kajro.
[21] – “Fillimi i muajve arabë” fq: 15.
Dua të them se një prej juristëve të mëdhenj bashkëkohorë që ka të njëjtin mendim është edhe Profesor Shejh Mustafa Ez Zerka. Këtë mendim ai e ka shprehur dhe deklaruar në Komisionin e Fikhut Islam, por mendimi tij nuk u përkrah deri në atë gradë aq sa ta votonte shumica e juristëve.



















