Në të kundërt, shumica e vendeve të botës së tretë e kanë nisur me lukset dhe me përpjekjen për të importuar gjithçka më të re që prodhon teknologjia moderne. Për këtë janë shpenzuar qindra miliarda, madje triliona, por nuk është arritur zhvillimi, as industrializimi, as mirëqenia, për të mos përmendur korrupsionin administrativ.
Sipas citateve të dijetarëve të “Usul el-Fikhut”, vendet perëndimore e kanë nisur me çështjet e domosdoshme, pastaj me nevojat, e më pas me përmirësimet dhe komplementaret. Ndërsa ne kemi filluar me përmirësimet dhe komplementaret, duke lënë pas dore domosdoshmëritë dhe nevojat që janë baza e rilindjes së gjithanshme, e industrive të dobishme dhe e zhvillimit ekonomik e shoqëror.
Për këtë arsye, imam Shatibiju ka theksuar rëndësinë e kësaj renditje duke thënë: “Çështjet e domosdoshme janë themeli për gjithçka tjetër që vjen pas saj prej nevojave dhe komplementareve.”
Më tej, ai citon: “Kur të domosdoshmet nuk funksionojnë, atëherë automatikisht edhe dy të tjerat nuk funksionojnë. Ndërsa, kur nevojat dhe komplementaret nuk funksionojnë, kjo nuk nënkupton domosdoshëmrisht mosfunksionimin e të domosdoshmes. Mund të ndodhë që mosfunksionimi i komplementares të ndikojë në mosfunksionimin e nevojës, dhe mosfunksionimi i nevojës të ndikojë në musfunksionimin e të domosdoshmes, sipas rastit. Kështu që, duhet të ruhet si nevoja, ashtu edhe komplementarja, për hir të domosdoshmes.”[1]
Pastaj ai ka thënë: “Dobitë e fesë dhe të kësaj bote ndërtohen mbi ruajtjen e pesë çështjeve thelbësore; po ashtu edhe çështjet e botës tjetër nuk mund të përmbushen pa to.”
Kjo tregon qartë rëndësinë e këtyre tri niveleve, të cilat në thelb janë të ndërlidhura dhe të pandashme, ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe janë të qëndrueshme vetëm duke u ruajtur të tria. Kjo, në thelb, pasqyron vizionin gjithëpërfshirës të Islamit. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet me të drejtë se Shteti i Katarit ka vepruar drejt kur gjatë viteve të fundit, ka theksuar rëndësinë e infrastrukturës dhe i ka caktuar asaj fonde të mëdha, që mund të arrijnë deri në më shumë se 130 miliardë dollarë për vitet e ardhshme.
Përkufizimi ekonomik i infrastrukturës
Në terminologjinë ekonomike, Fjalori i Oksfordit e përkufizon infrastrukturën si: “Materialet themelore dhe strukturat organizative (si ndërtesat, rrugët dhe pajisjet elektrike) që janë të nevojshme për funksionimin e një ndërmarrjeje ose shoqërie.”
Sipas Wiktionary, infrastruktura është: “Shërbimet, objektet dhe pajisjet themelore të nevojshme për funksionimin e një njësie ose shoqërie.”
Ndërsa Enciklopedia Wikipedia e përkufizon si: “Një grup të ndërlidhur elementësh strukturorë që sigurojnë një kornizë të plotë mbështetëse.”
Ky është kuptimi më i përhapur sot, i cili përfshin jo vetëm strukturat fizike, por edhe teknologjinë e informacionit, kanalet e komunikimit zyrtare dhe jozyrtare, programet e zhvillimit, si edhe rrjetet politike, shoqërore dhe besimet e përbashkëta që lidhin anëtarët e grupeve të caktuara.
Ajo që ne i japim përparësi është se infrastruktura përfshin gjithçka që në Usul el-Fikh ne e quajmë domosdoshmëri, nevojë thelbësore për zhvillimin urban, ekonomik dhe shoqëror.
Kështu, ajo përfshin të gjitha ndërtesat, shërbimet dhe pajisjet bazë që i nevojiten shoqërisë, si: mjetet e transportit (rrugë, aeroporte, hekurudha), mjetet e komunikimit (rrjeti telefonik, celular, interneti, telegrafi, posta), sistemet e kanalizimeve dhe furnizimit me ujë, madje edhe infrastrukturën intelektuale, ndërgjegjësuese, arsimore dhe edukative.
Llojet themelore të infrastrukturës
Infrastruktura e ngurtë (fizike) – që përfshin: ndërtesat, rrugët, urat, objektet ndërtimore etj.
Infrastruktura e butë (jo-fizike) – që përfshin: shërbimet, sistemet bazë, teknologjinë e informacionit, programet e zhvillimit, trajnimin, ndërgjegjësimin, arsimin bazë, si dhe ligjet dhe rregulloret që mundësojnë funksionimin e mëparshëm.
Instrumentet e financimit islam për projektet e infrastrukturës
Financimi i projekteve infrastrukturore është plotësisht në përputhje me ekonominë islame, si nga aspekti i prioriteteve ashtu edhe nga aspekti i pranimit të pronësisë dhe partneritetit, që janë shtyllat e filozofisë ekonomike islame. Këto projekte kanë rëndësi të madhe publike dhe zhvillimore, prandaj financimi i tyre është plotësisht i ligjshëm dhe i dobishëm.
1 – Format e financimit të infrastrukturës së ngurtë
A – Projektet fizike të infrastrukturës (si rrugët, urat e ngjashme) mund të financohen përmes formave të mëposhtme:
Kontrata e prodhimit përmes porosive,
Kontrata BOT (Build, Own, and Transfer): ndërtim, zotërim dhe transferim,
Kontrata e shitjes me fitim të njohur paraprakisht (murabahah) ose shitjes përmes negociatës (musaume) për materialet e nevojshme për projektet,
Kontrata e qirasë për shërbim të përshkruar në detyrim,
Qiraja që përfundon me pronësim.
B – Financimi përmes obligacioneve të ligjshme islame (sukuk), si:
Obligacionet e prodhimit me porosi,
Obligacionet e qirasë (të dy llojeve),
Obligacionet e partneritetit.
2 – Format e financimit të infrastrukturës së butë
Kjo mund të realizohet përmes kontratave të qirasë në forma të ndryshme, veçanërisht qirasë së shërbimeve dhe përfitimeve, si dhe nëpërmjet obligacioneve të ligjshme islame të qirasë e të ngjashme.
Ka gjithashtu forma të tjera shumë të rëndësishme, si:
Portofolat investuese në të gjitha format e tyre të lejueshme,
Financimi bankar i përbashkët, ku bankat tradicionale të mëdha mund të bashkëpunojnë me bankat islame.
Kërkoj nga Allahu i Lartësuar të na ndihmojë të gjithëve në realizimin e adhurimit ndaj Tij dhe në përmbushjen e misionit të njeriut në këtë tokë, misionit të ndërtimit dhe përfaqësimit. Ai është Mbrojtësi ynë, dhe sa i mirë është Mbrojtësi dhe Ndihmuesi.
Autor: Ali Karadagi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – “El Muuafekat”: 2/233 me pak ndryshim.



















