Katër rregulla për trajtimin e gabimeve të fëmijëve tanë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të edukosh me metodën “ëngjëllore” është një nga gabimet më të mëdha të edukimit. Me këtë metodë nënkuptojmë edukimin idealist, ku prindërit i shohin fëmijët e tyre si engjëj që nuk bëjnë gabime. Kur ata bëjnë gabime, kjo i shkakton atyre një tronditje dhe shqetësim. Gabimet e fëmijëve të vegjël, siç është refuzimi i urdhrave, goditja e vëllezërve të tjerë, ose përdorimi i fjalëve të pista si fyerje, janë të zakonshme. Kurse përsa u përket të rriturve (fëmijëve më të mëdhenj), prej gabimeve të tyre janë: dredhitë dhe shmangiet gjatë kohës së mësimeve, vonesa e namazit dhe mospërkushtimi ndaj tij, si dhe – në aparencë – duken sikur i dëgjojnë fjalët e  prindërve, ndërkohë që në të vërtetë veprojnë të kundërtën. Kur fëmija rritet dhe bëhet adoleshent, prindërit shqetësohen shumë nëse zbulojnë se ai po bën një gabim në sjellje, apo po kryen kat mëkat së bashku me shokët e tij, apo një mëkat të fshehtë në dhomën e tij ose në telefonin e tij. Këto janë disa shembuj që e tensionojnë marrëdhënien e prindërve me fëmijët e tyre.

Kam dëgjuar shumë histori, ku kam vënë re shkëputje të marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve të tyre për shkak të një gabimi që ata kanë bërë ose për një mëkat që ata kanë kryer. Një nga rastet më të çuditshme që kam hasur është kur një nënë i ndërpreu marrëdhëniet me vajzën e saj për pesë vjet për shkak të vonesës së vajzës për të veshur shaminë; ose rastin e një babai, i cili i ndërpreu marrëdhëniet me djalin e tij adoleshent për gjashtë vjet, për shkak se  ai e la faljen e namazit dhe kishte lidhje me vajza, dhe prindër të tjerë i kanë ndërprerë marrëdhëniet me djalin e tyre për dhjetë vjet për arsye të kota që nuk ia vlen të përmenden. Ka edhe shumë histori të tjera ku prindërit përdorin ndëshkime të padrejta si duke i shkëputur marrdhëniet me fëmijët e tyre, duke besuar se ky ndëshkim do ta transformojë fëmijën etyre nga njeri në një engjëll.

Në këtë artikull, unë nuk po bëj thirrje që të ndërpritet orientimi i fëmijëve kur ata bëjnë gabime apo që të gëzohemi për gabimet e tyre, por po ftoj që të jemi realisht dhe jo idealist në mënyrën se si i shohim fëmijët tanë, sepse shikimi me syrin idealist na bën gjithmonë të tensionuar dhe nervoz për çdo gabim që ata bëjnë, dhe gjithashtu na bën që të nxitohemi në vendimin për t’i ndëshkuar dhe privuar nga gjërat të caktuara për çdo gabim të vogël që ata bëjnë, duke mos u dhënë mundësinë për të korrigjuar gabimin dhe duke mos u dhënë mundësinë vetes për t’i mësuar ata si ta kalojnë gabimin. Të edukosh në mënyrë “engjëllore” na ndalon nga të gjitha këto mundësi edukative. Profeti ynë i nderuar na mësoi një metodë të vlefshme për të trajtuar njerëzoren tonë, duke thënë: “Pasha Atë, të Cilin shpirti im është në dorën e Tij, po të mos bënit mëkate, Zoti do t’ju shfaroste dhe do të sillte një popull që bën mëkate dhe kërkon falje prej Tij, dhe Ai do t’i falte.”[1]

Përse këtë metodë edukative e aplikojmë për veten tonë dhe nuk e aplikojmë për fëmijët tanë?! Pse nuk i edukojmë fëmijët tanë me këtë? Gabimi nuk është në kryerjen e gabimit, por gabimi është në vazhdimin e tij. Ne nuk jemi si të krishterët që nuk falin gabimin përveçse përmes priftit që mban çelësat e parajsës, por duhet t’i edukojmë fëmijët tanë që të bëjnë hapin e parë për pendesë kur gabimi është në lidhje me Zotin, dhe të kërkojnë falje kur gabimi është në lidhje me njerëzit. Kjo është edukata e saktë, dhe jo edukata “engjëllore”.

Kjo është arsyeja përse ne shohim që Kurani i nderuar përmend gabimet që bënë profetët gjatë momenteve të dobësisë së tyre, për të na dërguar një mesazh që ne jemi njerëz dhe jemi të prirur për gabime dhe dobësi. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë për ta:

“Dhe Ademi e kundërshtoi Zotin e tij dhe gaboi”[2]

“Nuhu tha: O Zot, unë kërkoj strehim te Ti që të mos të pyes atë që nuk kam dijeni për të”[3]

“Dhe Daudi  mendoi se e kishim provuar”[4]

“Dhe Sulejmani e mendoi se e kishim provuar”[5]

“Dhe Musai tha: ‘O Zot, unë kam bërë padrejtësi ndaj vetes sime, prandaj më fal”[6]

Kurse për Muhamedin (a.s), i Lartësuari ka thënë: “Ai i ktheu shpinën dhe u shqetësua kur i erdhi ai i verbëri”[7]

Nga shokët e profetit (a.s) ka pasë prej atyre që pinin alkool megjithëse ishin në dijeni të faktit  se ishte haram, siç ishte Naiman ibn Amiri Ensari, i cili u ndëshkua nga Pejgamberi (a.s), dhe gjithashtu Kudame ibn Madh’uni, i cili u ndëshkua nga Omar ibn Hatabi. Të dy ata kishin marrë pjesë në Betejën e Bedrit.

Të gjithë këto shembuj nga Kur’ani dhe jeta e shokëve të Profetit (a.s) na orientojnë për tek metoda e duhur edukative me katër rregullat e saj:

E para: Rregulli themelor është që t’i edukojmë fëmijët tanë për drejtësinë dhe të pranojmë gabimet e tyre kur ata gabojnë.

E dyta: T’i mësojmë fëmijët tanë që të kur të bëjnë gabime, të pendohen ose të kërkojnë falje.

E treta: T’i mësojmë fëmijët tanë që të mos bëjnë gabime në publik, por t’i mbulojnë ato dhe t’i bëjnë në fshehtësi, nëse janë të vendosur t’i bëjnë.

E katërta: T’i mësojmë fëmijët tanë të kërkojnë ndihmë nga ekspertët, konsulentët ose nga prindërit për t’i ndihmuar ata që të ndreqin gabimet.

Këto janë katër rregullat e trajtimit të gabimeve të fëmijëve tanë, dhe rregulli më i rëndësishëm është të shmangim ndërprerjen e lidhjeve me ta, ashtu siç Jakubi (a.s) nuk i ndërpreu lidhjet me fëmijët e tij kur ata hodhën vëllain e tyre Jusufin në pus.

Autor: Xhasimi Mutava

Përktheu: Elton Harxhi

 

[1] – Muslimi (2749).

[2] – Sure A’raf: 23.

[3] – Sure Hud: 47.

[4] – Sure Sa’d: 24.

[5] – Sure Sa’d: 34.

[6] – Sure Kasas: 16.

[7] – Sure Abese: 1.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *