Allahu i Larmadhëruar thotë: “Nëse ju nuk e ndihmoni (të Dërguarin), Allahu tashmë e ka ndihmuar atë, kur ata që nuk besuan e dëbuan atë, kur ai ishte i dyti prej të dyve, kur ata ishin në shpellë, e kur ai i tha shokut të tij: Mos u mërzit, se vërtet Allahu është me ne! Atëherë Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, dhe e përforcoi me ushtri që ju nuk i patë, Dhe bëri që fjala e atyre që nuk besuan të jetë më e poshtme, ndërsa fjala e Allahut është më e larta. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.”[1]
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti:
Ibn Atije thotë: Në fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Ç’është me ju që kur ju thuhet: Dilni në luftë në rrugë të Allahut, ju rëndoheni (nguroni) në tokë? A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote në vend të botës tjetër? Po kënaqësia e jetës së kësaj bote, krahasuar me botën tjetër, nuk është tjetër veçse diçka e vogël!”[2]
Të gjithë dijetarët janë të mendimit se ky ajet ka zbritur si qortim për ata që nuk dolën në luftë me të Dërguarin e Allahut (a.s) në betejën e Tebukut. Kjo ndodhi në vitin e nëntë të hixhretit, një vit pas çlirimit të Mekës. Në këtë betejë Profeti (a.s) marshoi kundër Bizantëve me njëzet mijë veta, këmbësorë e kalorës. U vonuan shumë fise dhe burra prej besimtarëve që ishin në Medinë, si edhe munafikët. Kështu që qortimi në këtë ajet u drejtohet atyre fiseve dhe besimtarëve që qëndruan prapa.
Kurse në Tefsirin “El-Menar” lexojmë: Ky kontekst, që nis me fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Ç’është me ju që kur ju thuhet: ‘Dilni në luftë në rrugë të Allahut’, ju rëndoheni në tokë?”[3] dhe që vazhdon deri në fund të sures, ka të bëjë me ngjarjen e betejës së Tebukut. Kjo betejë ishte mekanizëm për të zbuluar fasadën e hipokrizisë dhe për të pastruar radhët e besimtarëve nga shkaqet e përçarjes. Përjashtim bëjnë vetëm dy ajetet e fundit të sures dhe disa pjesë brenda saj që përmbajnë urti dhe rregulla, sipas mënyrës së njohur të stilit të Kuranit. Sa i përket lidhjes me ajetet e mëparshme, ku flitet për luftën kundër jehudëve dhe të krishterëve, saktësisht për luftën në Tebuk, synimi ishin Bizantët dhe ndjekësit e tyre prej arabëve të Shamit, të gjithë të krishterë. Ajetet tregojnë për daljen e tyre nga udhëzimi i vërtetë i fesë së Isait (a.s), si në besim, virtyte, ashtu edhe në vepra. Përmendja e “nesiut” (ndryshimi i muajve të shenjtë) në fund të sures lidhet me këtë temë që përmendëm.
Kështu pra – nga ajo që kemi cekur më lart – na bëhet e qartë se Allahu i Lartësuar ka synuar me zbritjen e këtij ajeti: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë, Allahu e ka ndihmuar…” që të tregojë se është Ai që e merr përsipër mbrojtjen e të Dashurit dhe të Zgjedhurit të Tij, Muhamedit (a.s), dhe është Ai që i siguron ndihmën, edhe sikur askush nga njerëzit të mos ishte me të.
Kështu, ky ajet erdhi si statusin, pozitën dhe shkallën e lartë që i Dërguari i Allahut (a.s) gëzon tek Allahu i Lartmadhëruar.
Tefsiri i këtij ajeti në katër pika kryesore:
1 – Fjala e Allahut: “Nëse ju nuk e ndihmoni (të Dërguarin), Allahu tashmë e ka ndihmuar atë, kur ata që nuk besuan e dëbuan atë, kur ai ishte i dyti prej të dyve, kur ata ishin në shpellë” d.m.th. nëse ju nuk e ndihmoni të Dërguarin e Allahut (a.s), Allahu e ndihmoi atë kur jobesimtarët e dëbuan nga Meka, dhe kur ishte me shokun e tij (Ebu Bekrin) në shpellë. Profeti (a.s) i tha atij: “Mos u mërzit, Allahu është me ne”, duke e qetësuar atë përballë frikës së rrezikut.
2 – Fjala e Allahut: “e kur ai i tha shokut të tij: Mos u mërzit, se vërtet Allahu është me ne!” Kjo ndodhi kur Ebu Bekri ishte me Profetin (a.s) në shpellë. Ai ndjeu lëvizjen e idhujtarëve sipër shpellës dhe u frikësua shumë, jo për jetën e tij, por për jetën e Profetit (a.s). Kur Profeti (a.s) e vërejti frikën e tij, filloi ta qetësonte dhe t’i largonte shqetësimin duke i thënë: “Mos u mërzit, sepse Allahu është me ne.”
Imam Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Ebu Bekri (r.a) ka thënë: “Pashë këmbët e idhujtarëve ndërsa ishim në shpellë, dhe ata ishin mbi ne. I thashë: O i Dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej tyre shikon poshtë këmbëve të tij, do të na shohë.”Profeti (a.s) u përgjigj:“O Ebu Bekër, ç’mendon për dy vetë kur i treti i tyre është Allahu? Mos u mërzit, Allahu është me ne.”
3 – Fjala e Allahut: “Atëherë Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, dhe e përforcoi me ushtri që ju nuk i patë” është një sqarim për kujdesin dhe mbrojtjen që Allahu i dha Profetit të Tij (a.s)
Fjala “sekine (qetësi)” vjen nga fjala sukun, që do të thotë qëndrueshmëri pas lëvizjes, ose nga fjala sakan, që nënkupton çdo gjë që të qetëson dhe të sjell prehje, qofshin njerëz apo të tjerë. Këtu me sekine nënkuptohet: qetësia e brendshme që u vendos në zemrën e Profetit (a.s), që e bëri atë të mos shqetësohej për turmat e idhujtarëve që e kishin rrethuar shpellën, sepse ai ishte i bindur se ata nuk do të mund të arrinin te ai.
Sa i përket “ushtrive” që e ndihmuan, ato janë melekët, të cilët Allahu i dërgoi për këtë qëllim. Përemri “mbi të” në fjalinë “Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të” i referohet Profetit (a.s); d.m.th., Allahu ia zbriti Profetit qetësinë, sigurinë dhe mbrojtjen, dhe e ndihmoi me ushtri prej melekësh që ju nuk i patë. Këta melekë kishin për detyrë ta ruanin atë dhe të largonin sytë e idhujtarëve nga ai.
Disa dijetarë mendojnë se përemri “mbi të” i referohet Ebu Bekrit (r.a), sepse përemri zakonisht i referohet emrit më të afërt të përmendur më parë, dhe ai është “shoku” i Profetit (a.s). Gjithashtu, ata thonë se Profeti (a.s) nuk kishte nevojë për qetësim, por ai që kishte nevojë për të ishte Ebu Bekri (r.a), për shkak të frikës dhe trishtimit që e kishte kapluar.
Por ata që mbështesin mendimin e parë, i kundërshtojnë këta duke thënë se fjalia: {“dhe e ndihmoi me ushtri që ju nuk i patë”}, përemri këtu mund t’i referohet vetëm Profetit (a.s) dhe është i lidhur me fjalinë e mëparshme, ndaj përemri në “mbi të” gjithashtu duhet t’i referohet Profetit (a.s) për të ruajtur koherencën në kuptim.
Ndërkohë, zbritja e qetësisë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ishte për të larguar frikën dhe trishtimin, por mund të ishte edhe për shtim të sigurisë dhe për të treguar lartësinë e pozitës së tij (a.s).
4 – Fjala e Allahut: “Dhe bëri që fjala e atyre që nuk besuan të jetë më e poshtme, ndërsa fjala e Allahut është më e larta”, është një sqarim për atë që pasoi nga zbritja e qetësisë dhe përkrahja me melekë.
Me “fjala e atyre që nuk besuan” nënkuptohet fjala e shirkut (idhujtarisë), ose ajo që ata ranë dakord në Daru’n-Nedue, që ishte plani i tyre për të vrarë të Dërguarin e Allahut (a.s).
Ndërsa me “fjala e Allahut” nënkuptohet feja e Tij që Ai e ka zgjedhur për robërit e vet, e që është Islami, dhe ajo që vjen si rezultat i ndjekjes së kësaj feje nga ndihma dhe përfundimi i mirë.
Pra, rezultati i zbritjes së qetësisë dhe përkrahjes me melekë ishte që fjala e shirkut u bë më e poshtme, e nënshtruar dhe e përulur, ndërsa fjala e së vërtetës dhe e teuhidit, që përfaqëson fenë islame, u bë më e larta, e qëndrueshme, ngadhënjyese dhe e zbatueshme.
Autor: Ahmed Hidr
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Teube: 40.
[2] – Sure Teube: 38.
[3] – Sure Teube: 38.