Mesazh urimi dhe përkujtimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ramazani muaji i përmendjes

“O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç edhe atyre para jush, që të bëheni të devotshëm” Bekare

Ramazani po na vjen, po na afrohet, po na troket në derë…

Para tij kanë kaluar, dhe kemi kaluar, shumë muaj Ramazani, të tjerë, e pas tij do të vijnë, e do të jetojmë, apo do të jetojnë, shumë të tjerë… .

E me finalitetin e tij kumbues, devotshëmrinë, na vjen për të na përmendur e përkujtuar…

Na vjen për të na përmendur e për të na çelur sytë ndaj kuptimeve të “vjetra” e të “reja” të kësaj fjalë, “Devotshmëri”

Na vjen për të na përmendur se njeriu është shumë i shtrenjtë për Krijuesin e tij, për Zotin e të gjithë botërave. I cili edhe pse është vetvetiu i pasur pafundësisht e i panevojshëm për askënd, për krijesën e tij njeri ka zbritur libra, ka dërguar profetë e ka krijuar ahiret…

E për nder të këtij njeriu, Allahu i Madhëruar ka obliguar, ndër të tjera, agjërimin e këtij muaji të begatë, Ramazanit, muaj i veçantë reflektimi dhe  përmendje.

Na vjen, ky muaj I begatë, për të na përmendur se jeta ka nevojë për motiv dhe se motivi më i plotë e më i përsosur që i jep jetës dimensione të pafundme kuptimi është hatri i Allahut. “Thuaj namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun e Madhëruar I cili nuk ka shokë, dhe për këtë jam urdhëruar edhe unë i pari i myslimanëve” Kuran

Na vjen për të na përmendur se çdo ditë e re që lind përbën një mundësi të re e të madhe, por edhe një sfidë të re dhe se sfida e vetme e vërtetë e njeriut është sfida me veten e tij, me egon e tij, me lakminë e tij. Sfidë të cilën, po e fitoi ka fituar çdo sfidë tjetër e po e humbi ka humbur çdo sfidë tjetër. “Të gjithë dilni herët në mëngjes për të bërë tregti, e si mall të tregtisë tuaj keni veten tuaj, të cilën ose e fitoni ose e shkatërroni” hadith

Na vjen për të na përmendur se harrimi më i tmerrshëm është harrimi i vetes dhe se shkaku I vetëm  I këtij harrimi është harrimi I Allahut. ” E mos jini si ata që harruan Allahun e Allahu I bëri të harrojnë veten e tyre.” Kuran

Na vjen për të na përmendur se kjo botë nuk I mbeti e nuk e trashëgoi as I pari e as I dyti, as I madhi e as I vogli, as I forti e as I dobti, as I pushtetshtmi e as I patakatshmi, as zengjini e as fakiri, as Faraoni e as Sulejmani a.s.”Prandaj mos iu mashtrojë jeta e dynjasë e ruajuni nga mashtruesi, shejtani se mos ju largojë nga Allahu” Lukman

Na vjen për të na përmendur se mençuria e vërtetë është kalërimi i shpinës së dynjasë për të përshkuar rrugën drejt destinacionit të padiskutueshëm, takimit me Allahun. Imam Shafiu në Divanin e tij na dhuron këto urtësi të bukura:

Të Allahut janë disa robër të mençur

Dynjasë vendin ia treguan

e nga fitnet e saj u ruajtën

Thellë saj vështruan dhe shumë fort u bindën

Se ajo nuk vlen për askënd si vatan i përhershëm

E kështu si lumë e si det e trajtuan

E me anijen e punëve të mira atë e përshkuan

Na vjen për të na përmendur se çka bëjmë për vete harxhohet e çka bëjmë për hatër të Allahut mbetet.”Çka keni ju mbaron e çka Allahu mbetet e përjetshme” Kuran

E na vjen për të na përmendur se njeriu pa Allahun nuk është asgjë. E si mund të pretendojë njeriu të jetë diçka ndërkohë që Krijuesi I gjithçkaje është vetëm Allahu Rabulalemin. E kështu njeriu është thjesht një gjë që I është dhënë diçka, por që edhe gjëja edhe diçkaja janë thjesht krijesa të Atij që ka krijuar e ka në dorë gjithçka. E kështu si mund të jetë njeriu diçka pa Atë që ka krijuar dhe ka në dorë gjithçka.”Faleminderit I plotë I takon vetëm Allahut, Zotit të gjithë botërave, Mëshiruesit, Mëshirëplotit, Sundimtarit absolut të ditës së gjykimit” Fatiha

Po ashtu na vjen ky muaj për të na përmendur se kjo botë e kjo jetë nuk do kishte fare kuptim pa ekzistencën e ahiretit. E si mund të ketë kuptim diçka që mund të bëhet inekzistente sa hap e mbyll sytë. Madje na kujton e na përmend, ky muaj se ahireti është më afër nesh se sa edhe vetë koha që na duhet pë ta shqiptuar si fjalë… “Përkujtoni shpesh atë që shkërmoq kënaqësitë e kësaj dynjaja dhe shkapërderdh njerëzinë dhe shoqërinë” hadith

Na vjen ky muaj për të na përmendur se jeta e kësaj bote është me të vërtetë e bukur, por…. vetëm me Allahun, Zotin e gjithë Botërave dhe se gëzimi i  vërtetë i zemrave dhe I shpirtrave është në strehimin tek dhikri I Tij: “Vetëm me kujtimin e Allahut qetësohem zemrat” Kuran

“Ky Kuran është shërim I dëmundjeve të zemrave” Kuran

Na vjen për të na përmendur për faktin se çdo hap që hedhim në jetë, e çdo sekond,, minutë, orë, ditë, javë, muaj dhe vite që jetojmë, në vetvete janë përshkim I rrugës drejt Takimit me Zotin e gjithësisë, por për të qenë të përmendur vazhdimisht për këtë fakt, e deri në momentin e takimit me Allahun, Të Gjallin që nuk vdes kurrë, na duhet devotshëmri; ” O ju që keni besuar ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç edhe atyre para jush që të bëheni të devotshëm” Bekare

Sabaudin Jashari – Kryetar i Shoqatës Kulturore Ardhmëria

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.