Tema e thirrjes islame është e gjatë dhe e ndërlikuar, pasiqë thirrja e njerëzve për tek Allahu i Lartësuar është nga veprat më madhështore dhe nga adhurimet më të vlefshme. Ajo është detyrë e profetëve dhe e të dërguarve, dhe për këtë Allahu i Lartësuar ka zgjedhur për ta kryer atë njerëz të nderuar, profetë dhe dijetarë dhe ata që ndoqën rrugën e tyre deri në Ditën e Kiametit.
Ibn Kajjimi (r.h) thotë: “Thirrja te Allahu i Lartësuar është detyrë e të dërguarve dhe e pasuesve të tyre.”
Allahu i Lartësuar e urdhëroi Pejgamberin tonë, Muhamedin (a.s), që të kryente detyrën e thirrjes: “O ti i mbështjellur! Ngrihu dhe paralajmëro!”[1]Pra, thirrja kërkon përpjekje, veprim, aktivitet, sakrificë dhe përkushtim.
Thirrësi është ai që shkon te njerëzit dhe u afrohet atyre. Allahu i Lartësuar përmend për banorët e Zjarrit:
“A nuk ju ka ardhur paralajmërues?” Ata thanë: Po, na ka ardhur paralajmërues.”[2] Kjo tregon se thirrësi jep, përpiqet, lodhet dhe angazhohet derisa thirrja e tij të arrijë te njerëzit.
Thirrësi duhet të jetë i shpejtë në veprim, me energji të madhe dhe me vendosmëri të sinqertë:
“Dhe erdhi një njeri nga skaji i qytetit duke vrapuar, tha: O populli im, ndiqni të dërguarit!”[3] Në gjuhën arabe, “vrapimi” tregon përpjekje të madhe; sikur thirrësi nxiton drejt popullit të tij që të mos bien në zjarrin që i ka rrethuar.
Ajetet që nxisin thirrjen janë të njohura; madje, ajetet që flasin për thirrjen te Allahu dhe nxitjen ndaj saj janë më shumë se ato për Haxhin dhe agjërimin, të cilët janë dy nga shtyllat e Islamit. Sot, njerëzit janë ngadalësuar jashtëzakonisht shumë në raport me thirrjen e njerëzve te Allahu.
Nga hadithet për nxitjen e thirrjes është fjala e Pejgamberit (a.s ): “Transmetoni nga unë, qoftë edhe vetëm një ajet” dhe “Kush udhëzon te e mira, ka shpërblimin si i cili e kryen atë”[4]
Jeta dhe biografia e Pejgamberit (a.s), në fjalë dhe vepër, është një thirrje te Allahu. Ai ngjiti Safan, ftoi gjatë sezonit të Haxhit, shkoi në Ta’if, emigroi në Medinë, duke na lënë mbi rrugën e qartë.
Një fakt interesant është se disa xhinde – këtë temë – e kanë më kuptuar më mirë se disa njerëz, siç tregojnë ajetet në Suret Xhin: “Atëherë thanë: Ne dëgjuam një Kuran të mrekullueshëm, që udhëzon te e drejta, dhe i besuam atij.”[5] Ky ishte hapi i tyre i parë; pastaj vijoi thirrja dhe veprimi, dhe më pas ata u kthyen te populli i tyre për t’i paralajmëruar: “O populli ynë! Përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besoni në të!”[6] Shikoni përkushtimin në thirrjen te Allahu dhe kryerjen e detyrës fetare nga ata o njerëz!
Prej mëshirës së Allahut është se kur njeriu thërret dikënd për të bërë një të mirë apo për t’u frenuar nga ndonjë e keqe, shpërblehet si ai që e vepron atë pa ju pakësuar aspak në shpërblim. Nëse i thoni dikujt të falë namaz, keni shpërblim si ai që falet; nëse flisni për shpenzimin dhe dikush shpenzon, keni shpërblim si ai që ka shpenzuar; dikush shkon në Haxh, dhe ju keni kontribuar duke e orientuar dhe ndihmuar për këtë, e ti do të shpërblehesh njëlloj si ai.
Sot, mjafton të shikoni veprimtarinë e të krishterëve dhe shifrat e frikshme të predikimit të tyre për të kuptuar se ata punojnë ndërsa ne flasim! Dhe më bën habi kur flasim për këtë!
Nëse shihni përhapjen e bindjeve të kota dhe sekteve në çdo cep, dijeni se pas tyre qëndrojnë njerëz që punojnë dhe sakrifikojnë. Për shembull, ato ide që kanë hyrë në disa vende islame, si socializmi dhe komunizmi, janë pas veprës së këtyre njerëzve. Dashuria për fenë dhe qëllimi i sinqertë nuk mjafton pa veprim.
Unë kam lexuar dikur në një gazetë se një adhurues i sportit kishte rrezikuar shtëpinë e tij me një milion rijal për klubin e tij të preferuar! Ai e donte klubin dhe punonte për të. Ne e duam fenë tonë, por çfarë kemi bërë ne për ta përhapur atë?!
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Muddethir: 1-2.
[2] – Sure Mulk: 8-9.
[3] – Sure Jasin: 20.
[4] – Muslimi.
[5] – Sure Xhin: 1-2.
[6] – Sure Ahkaf: 31.



















