Papastërtitë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “Nexhaset” do të thotë: “papastërti”. Në Fikh, termi “Nexhasetpërfshin çdo lloj papastërtie dhe muslimani e ka për detyrë të largohet dhe të pastrohet prej saj. Prekja e Nexhasetit nuk e prish abdesin apo Guslin, por obligon larjen dhe në raste të caktuara edhe fshirjen e pjesës së trupit, që ka prekur papastërtinë.

Llojet e nexhasetit

1 – Gjëja e ngordhur: Këtu bëjnë pjesë ato kafshë që ngordhin, ose theren në mënyrë të palejuar, apo edhe kafshët e copëtuara. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nëse delja shpohet (i pritet/copëtohet një pjesë) dhe është akoma me shpirt, pjesa e shkëputur konsiderohet e ngordhur.[1]

2 – Ngordhësirat e detit (peshku dhe karkaleci): Ato konsiderohen të pastërta. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Na janë lejuar dy të ngordhura dhe dy lloje gjaku, përsa i përket të ngordhurave ato janë peshku dhe karkaleci, kurse dy gjaqet janë mëlçia dhe shpretka.[2]

3 – Ngordhësirat që nuk kanë gjak: këtu hyjnë miza, buburreci etj. Këto janë të pastra. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nëse miza bie në ushqim, zhyteni komplet në ushqim dhe më pas nxirreni, Vërtet ajo mban në njërën anë helmin dhe në anën tjetër shërimin.[3]

4 – Kockat, brirët, lëkura dhe qimet e ngordhësirës: Ato janë të pastra, pasi nuk ka argument që flet për papastërtinë e tyre. Ibn Abasi (r.a) tregon: “Mejmunes (r.a) i dhuruan një dele, mirëpo ajo ngordhi. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë saj (deles), tha: Përse nuk e merrni lëkurën e saj dhe ta regjni, që të përfitoni prej saj? Të pranishmit thanë: “Ajo është e ngordhur”. i Dërguari i Allahut (a.s) tha: Haram është mishi i saj (dhe jo lëkura)”.[4]

5 – Gjaku: Gjaku që del pas therjes së bagëtisë (gjaku i derdhur), gjaku i lehonisë dhe menstruacioneve, është i papastër. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur dhe gjakun e derdhur…”.[5]

Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë: Kur të të vijnë menstruacionet, lëre namazin, ndërsa kur të të mbarojë periudha, laje gjakun dhe falu. (124)

6 – Mishi i derrit: Mishi i derrit është haram dhe i papastër. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Në atë që më është shpallur mua (në Kuran) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç nëse ai (ushqim) është: coftinë, gjak i derdhur ose mish derri, ai është i ndyrë…”.[6]

7 – E vjellura, urina dhe jashtëqitjet e njeriut: Të gjithë dijetarët janë të një mendimi, se të gjitha këto gjëra janë të papastra. Nga ky rregull përjashtohet urina e foshnjes mashkull, i cili ushqehet vetëm me qumësht gjiri. Ummu Kajs bint Mihsan (r.a) tregon: “Unë ia çova djalin tim – i cili ushqehej vetëm me qumësht gjiri – të Dërguarit të Allahut (a.s ), i cili e uli në prehërin e atij. Foshnja urinoi në rrobat e tij. I Dërguari i Allahut (a.s) kërkoi ujë. Ai spërkati rrobën por nuk e lau atë[7] Nëse foshnja është femër, atëherë rroba lahet. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Rroba lahet, kur në të urinon foshnja femër, ndërsa spërkatet me ujë kur urinohet nga foshnja mashkull, [përderisa foshnjat ushqehen me qumësht gjiri]”.[8]

Nëse një papastërti e tillë shkelet me këmbë, mjafton fërkimi i këpucëve për dheu si pastrim. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shkel një papastërti, dheu është pastrim për të”. [9]

8 – El Uedji (lëng i bardhë që del pas urinimit): Është lëng i bardhë, që del menjëherë pas urinimit. Ky lëng del zakonisht pas të ftohtit të madh. Ai është i papastër. Aishja (r.a) thotë: “Çdo mashkulli i del medhj`ji. Nga ai del ose Medhj, ose Uedj ose spermë. Medh`ji del, kur bashkëshorti përkëdhel bashkëshorten. Në këtë rast, ai lan organin bashkë me testikujt dhe merr abdes. Uedji del pas urinës. Atij që i ndodh kjo, le të lajë organin bashkë me testikujt dhe të marrë abdes, pasi nuk ka nevojë për gusul. Përsa i përket spermës, dihet se është kulmi i epshit dhe rrjedhimisht duhet larë komplet trupi (gusul)”[10]

Në lidhje me Medh’jin, Uedjin dhe spermën, Ibn Abasi (r.a) thotë: “Sperma obligon larjen e plotë të trupit, ndërsa Medhj`i dhe Uedji obligojnë vetëm abdesin, pra lahet organi dhe merret abdes”.[11]

9 – El Medhji (lëngu që del pas mendimeve epshore): Është lëngu që del, nëse njeriu mendon për marrëdhënie seksuale. Ka të ngjarë që personi të mos e ndjejë fare daljen e këtij lëngu. Nëse del ky lloj lëngu, obligohet larja e organit bashkë me testikujt. Aliu (r.a) thotë: “Kam qenë nga ata që u dilte shumë nga ky lloj lëngu. Kisha turp të pyesja të Dërguarin e Allahut (a.s) për këtë, prandaj dërgova dikë tjetër që ta pyesë. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha atij: Laje organin dhe merr abdes![12]

Sehl Ibn Hunejf (r.a) thotë: “Kam qenë nga ata që u dilte shumë nga ky lloj lëngu, prandaj lahesha shpesh. Kur i tregova të Dërguarit të Allahut (a.s) për këtë, ai më tha: Nuk ka nevojë të lahesh komplet, të mjafton abdesi. E pyeta: “O i Dërguar i Allahut, çfarë t`i bëj rrobës, që e prek ky lëng”? Ai (a.s) tha: Mjafton të marrësh një grusht me ujë dhe ta spërkasësh atë[13]

10 – Sperma: Nëse sperma është e thatë, ajo është e pastër dhe nëse është e njomë, atëherë ajo duhet të lahet. Aishja (r.a) thotë: “Unë e fërkoja spermën nga rrobat e të Dërguarit të Allahut (a.s) nëse ishte e thatë dhe e laja atë, nëse ishte e njomë”[14]

Disa dijetarë janë të mendimit, se sperma është pastër në të gjitha gjendjet e saj. Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) u pyet për spermën që prek rrobat dhe ai u përgjigj: Ajo është njësoj si gëlbaza dhe pështyma, mjafton të marrësh një grusht me ujë dhe ta pastrosh atë[15]

11 – Urina dhe bajgat e kafshëve që nuk u hahet mishi: urina dhe bajgat e kafshëve që nuk u hahet mishi janë të papastra. Ibn Mes`udi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) shkoi në një vend të përshtatshëm për të kryer nevojat dhe më urdhëroi t`i sillja tre gurë. Unë gjeta vetëm dy gurë, prandaj mora edhe një bajgë dhe ia solla. Ai (a.s) mori gurët, kurse bajgën e hodhi duke thënë: Ajo është e papastër.[16]Përsa i përket urinës dhe bajgave të kafshëve që u hahet mishi, ato janë të pastërta.

12 – El Xhelaleh: El Xhelaleh konsiderohet ajo kafshë, që nuk ka pronar dhe ushqehet me mbeturina. Ibn Abasi (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar, që Xhelales t`i hahet mishi dhe t`i pihet qumështi”[17].

Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar t`i hypet Xhelales”[18]. Nëse kafsha izolohet për një kohë të caktuar, atëherë çdo gjë prej saj bëhet hallall. Ibn Umeri (r.a) e izolonte pulën Xhelaleh për tre ditë (dhe më pas e therte atë)”[19]

13 – Alkooli (rakia, vera, birra dhe çdo pije dehëse): ato janë të papastërta dhe nëse bie në rrobë apo në trup, rroba dhe ajo pjesë e trupit duhet të lahen. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! S`ka dyshim se vera (çdo pije dehëse), bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra largohuni prej tyre, që të jeni të shpëtuar[20]. Këtu bën përjashtim alkoli mjekësor, apo alkoli në parfume. Duhet ditur, se disa dijetarë janë të mendimit se alkoli është i pastër si lëndë.

14 – Qeni: Ka debate rreth papastërtisë së qenit. Shumica e dijetarëve e konsiderojnë tërësisht të papastër. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nëse qeni lëpin në enën tuaj, lajeni enën shtatë herë më ujë dhe herën e parë lajeni me dhé”[21]

Ebu Hanife është i mendimit, se qimet e qenit janë të pastërta, pasi nuk ka argument që vërteton të kundërtën. Mirëpo gjuha dhe jargët e qenit janë të pista. Nëse qeni lëpin lëkurën e dikujt, ai duhet ta lajë atë pjesë të lëkurës. Është e vërtetuar, se jargët e qenit janë tepër të pista dhe mbartin lloj-lloj sëmundjesh.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Ebu Daudi (2858). Hadithi është i vërtetë.

[2] – Ibn Maxheh (3314). Hadithi është i pranuar.

[3] – Buhariu (3320).

[4] – Buhariu (2221).

[5] – Sure Bekare: 173.

[6] – Sure En’am: 145.

[7] – Buhariu (2223).

[8] – Ebu Daudi (375). Hadithi është i vërtetë.

[9] – Ebu Daudi (385). Hadithi është i vërtetë.

[10] – Ibn Ebi Shejbeh (1/114). Vargu i thënies është i dobët.

[11] – Ibn Ebi Shejbeh (1/85). Thënie e vërtetë.

[12] – Buhariu (132).

[13] – Ebu Daudi (210). Hadithi është i pranuar dhe i vërtetë.

[14] – Muslimi (288).

[15] – Darakutni (447). Përcjellësit e hadithit janë të vërtetë.

[16] – Buhariu (156).

[17] – Ibn Ebi Shejbeh (8/334). Hadithi është i vërtetë.

[18] – Ebu Daudi (2558). Hadithi është i vërtetë.

[19] – Ibn Ebi Shejbeh (8/334). Thënie e vërtetë.

[20] – Sure Maideh: 90.

[21] – Buhariu (172).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *