Konteksti i rregullit:
Ky rregull lidhet me parimet universale dhe dispozitat e përgjithshme, të cilat mund të ndodhë që nuk zbatohet ligji i tyre ose nuk realizohet qëllimi dhe interesi i tyre në disa raste konkrete.
Ky rregull është marrë nga fjalët e Shatibiut mbi ruajtjen – nga sheriati – e interesave të domosdoshme, të nevojshme dhe përmirësuese, edhe pse mund të duket se disa dispozita janë jashtë këtyre objektivave ose madje në kundërshtim me to. Prandaj ai ka thënë: “Këto tre parime universale[1], nëse janë vendosur për interesat e tyre të veçanta, nuk rrëzohen nga mosrealizimi i disa dispozitave konkrete.”[2] Ai gjithashtu ka thënë:“Nëse parimi universal vërtetohet, mosrealizimi i disa dispozitave konkrete nuk nxjerr atë nga natyra e saj si parim universal.”[3]
Shpjegimi i rregullit:
Ky rregull nënkupton se parimet universale dhe dispozitat e përgjithshme nuk mund të revokohen, preken dhe nuk mund të kontestohen në tërësinë e tyre vetëm për shkak të disa rasteve konkrete që duket se janë jashtë kërkesës që ata (parimet) imponojnë ose se (dispozitat konkrete) shkelin përgjithësinë dhe vazhdimësinë e tyre.
Kështu le të themi se dihet me siguri të plotë dhe me bindje të pamohueshme se sheriati ka ardhur për të siguruar interesat dhe për të evituar dëmet, në të gjitha nivelet e tyre: të domosdoshme, të nevojshme dhe përmirësuese. Këtë rregull, parim universal dhe të ngjashme me to, nuk mund ta cenojë një rast i veçantë apo dipozitë konkrete që mund të shfaqet, me pretendimin se ajo (dispozitë konkrete) nuk siguron një interes ose nuk eviton një dëm. Ky kundërshtim është i ngjashëm me kundërshtimin e dispozitave të qarta nga ato të paqarta, ose me refuzimin e atyre çështjeve të rëndomta që përsëriten duke u bazuar në raste të rralla përjashtimore.
Prandaj, formulimi i drejtë është që të themi se parimet universale, dispozitat e qarta dhe kategorike të mbeten në fuqi dhe të vihen në aplikim ashtu siç janë, ndërsa çështjet që duken ndryshe nga ato të trajtohen duke u kuptuar sipas kontkekstit dhe rrethanave të tyre.
Për këtë arsye imam Haramejni ka thënë: “Mendimi i njerëzve me gjykim të shëndoshë është: “Nuk gjykohet parimi universal mbi bazën e rastit sporadik, përkundrazi rasti sporadik lihet në sporadicitetin e tij dhe konsiderohet si i dalë jashtë metodës.”[4]
Argumentet e rregullit:
Të gjithë dijetarët që e kanë përmendur këtë rregull janë mbështetur tek metoda e induksionit dhe analiza metodologjike, që do të thotë se shqyrtimi induktiv i dispozitave të Sheriatit dhe i rregullave të tij të konsoliduara tregon se parimet universale dhe rregullat e tij të përgjithshëm të pandryshueshme e të rrënjosura nuk mund të shfuqizohen dhe as të braktisen vetëm për shkak të mosrealizimit praktik të disa dispozitave konkrete.
Ibn Kajjimi thotë: “Kur Ligjvënësi e lidh një dispozitë me një cilësi për shkak të një interesi të përgjithshëm, mosrealizimi praktik i atij interesi dhe e asaj urtësie në disa raste të veçanta nuk e pengon zbatimin e dispozitës; përkundrazi, ky është rregulli i Sheriatit dhe mënyra e veprimit të tij në burimet dhe zbatimet e veta.”[5]
Imam Shatibiu ka përmendur edhe forma të tjera argumentimi për këtë rregull. Ndër to është se: “Mbizotëruesja e shumtë merret në konsideratë në Sheriat me konsiderimin e një të përgjithshmeje kategorike, sepse me mosrealizimin e (disa) dispozitave konkrete nuk formohet një parim universal që e kundërshton këtë parim universal të pandryshueshëm.”[6] Po ashtu ai ka thënë: “kështu është çështja e parimeve universale të nxjerra nga metoda e induksionit; dhe kur është kështu, atëherë parimi universal i bazuar në metodën e induksionit është i saktë, edhe nëse disa dispozita konkrete dalin jashtë kërkesës së saj.”[7]
Po ashtu ai thotë: “Mosrealizimi i dispozitave konkrete mund të mos realizohen për shkak të ndonjë urtësie që nuk ka të bëjë me atë ç’ka kërkon parimi universal, kështu që ata nuk bëjnë pjesë fare tek parimi universal, ose janë pjesë e atij por ne nuk na është bërë e qartë se bëjnë pjesë, ose sipas nesh ato janë pjesë e atij, por është rast i veçantë që nuk bie ndesh me diçka që është më prioritare se ai. Për shembull për mbretin[8], i cili është i zhytur në luks, mund të hasë vështirësi (gjatë udhëtim), por nuk mund të gjykojmë në bazë të saj (vështirësisë) sepse ajo është një gjë e fshehtë. Ose në lidhje me llojet e ndëshkimeve prej të cilave i ndëshkuari nuk frenohet, themi: Interesi nuk është vetëm tek frenimi, por ka dhe një arsye tjetër që është se ndëshkimi është kefaret (shlyerje), sepse masat ndëshkimore janë kefaret për të ndëshkuarit edhe pse njëkohësisht janë edhe frenim nga kryerja e dëmeve. Po kështu edhe çdo gjë tjetër që mendohet se e cenon parimin universal. Prandaj, në çdo rast, kundërshtimi i dispozitave konkrete nuk merret parasysh në vlefshmërinë e parimit universal e universal të interesave.”[9]
Shembuj praktik të rregullit:
1 – Në çështjen e trashëgimisë: Allahu i Lartësuar i ka caktuar djalit një pjesë të dyfishtë në krahasim me motrën e tij, vajzë, sipas parimit: “Për mashkullin është sa pjesa e dy femrave.”[10] Ky parim vihet në aplikim edhe në raste të tjera, duke pasur parasysh shpenzimet financiare që i ngarkohen mashkullit dhe nuk i ngarkohen femrës. Mirëpo, ky shkak dispozitiv, ndonjëherë mund të mos realizohet ose edhe të përmbyset, ashtu që në disa raste gjejmë se femra shpenzon dhe mban barrë financiare më të madhe se vëllai i saj, madje edhe më të madhe se bashkëshorti i saj.
Megjithatë, këto raste përjashtimore nuk e rrëzojnë parimin e përgjithshëm, i cili është pjesë përbërëse e sistemit familjar dhe e kohezionit të tij të brendshëm, duke synuar mbështetjen dhe kujdesin për amësinë si dhe stabilitetin e familjes.
2 – Ideti (Koha e prirjes) i gruas së shkurorëzuar tri herë: “A është (idet-i) tri kur’[11] apo me një kur’?”
Ibn Kajjimi thotë: “Shumica e dijetarëve – madje ajo që njerëzit nuk njohin tjetër veç saj – janë të mendimit se (ideti) është tri kur’. Sipas kësaj, arsyeja është se shkurorëzimi i tretë, meqë është i së njëjtës natyrë me dy të parët, merr të njëjtin gjykim si ato, që e gjithë çështja e shkurorëzimit të jetë një kapitull i vetëm dhe të mos ndryshojë gjykimi i tij. Dhe kur Ligjvënësi e lidh një gjykim me një përshkrim për një interes të përgjithshëm, mungesa e atij interesi apo e asaj urtësie në disa raste të veçanta nuk e pengon zbatimin e gjykimit; përkundrazi, ky është një rregull themelor i Sheriatit dhe mënyra e veprimit të tij në burimet dhe aplikimet e tij.”[12]
3 – Esh-Shatibiu ka thënë: “Për këtë ka shembuj:
Sa i përket domosdoshmërive, ndëshkimet janë ligjësuar për qëllim frenimin (parandalimin), megjithëse shohim se ka nga ata që ndëshkohen, por nuk frenohen nga ajo për të cilën janë ndëshkuar; dhe raste të tilla ka shumë.
Sa i përket nevojave sheriatike, shkurtimi i namazit në udhëtim është ligjësuar për lehtësim dhe për shkak të vështirësisë që shoqëron udhëtimin; megjithatë, njeriu i pasur (mbreti) e i rehatuar mund të mos ketë vështirësi, por shkurtimi i namazit për të mbetet i ligjshëm. Po ashtu, huaja është lejuar për t’i ardhur në ndihmë nevojtarit, ndërkohë që ajo është e lejuar edhe kur nuk ka nevojë për të.
Sa i përket interesave përmirësuese, pastërtia është ligjësuar në përgjithësi për hir të higjienës, edhe pse disa forma të saj janë në kundërshtim me pastërtinë fizike, siç është tejemumi.”[13]
Autor: Ahmet Rajsuni
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Ruajtja e interesave të domosdoshme, të nevojshme dhe përmirësuese.
[2] – “El Muuafekat”, fq: (2/52).
[3] – “El Muafekat”, fq: (2/53).
[4] – “El Burhan fi Usulil Fikh”, fq: (2/109).
[5] – “A’lamul Muuekiine an rabbil alemin”, fq: 2/55.
[6] – “El Muuafekat”, fq: 2/53.
[7] – “El Muuafekat”, fq: 2/53.
[8] – Juristët dhe dijetarët e usulit me mbretin e zhytur në luks kanë për qëllim atë të udhëton për piknik, turizëm dhe për t’ua argëtuar. Ai i ka të gjitha llojet e luksit dhe të rehatisë. Si rrjedhojë ai nuk has asnjë lloj vështirësie sipas asaj që ne shohim. Pavarësisht kësaj, ai e shkurton namazin dhe nuk agjëron për shkak të gjykimit të përgjithshëm të udhëtarit.
[9] – “El Muuafekat”, fq: 2/54-55.
[10] – Sure Nisa: 11.
[11] – Është një term juridiko-fetar dhe ka dy kuptime tek dijetarët: Kuptimi i parë: nënkupton menstruacionin dhe kuptimi i dytë: nënkupton pastërtia midis dy menstruacioneve. Sh.p.k.
[12] – “A’lamul Muuekiin an rabbil alemiin” fq: 2/55.
[13] – “El Muuafekat” fq: 2/52-53.



















