E parë nga ky këndvështrim, nevoja ndahet në tre lloje:
Lloji i parë: Nevoja reale
Kjo është ajo lloj nevoje që ndodh realisht dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e individit, i cili bëhet i detyruar t’i nënshtrohet asaj. Personi nuk mund të çlirohet prej saj, përveçse duke e përmbushur atë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose duke gjetur rrugë për të shmangur pasojat e saj të rënda. Në të kundërt, ai do të detyrohet të mbartë barrën që ajo shkakton, duke u përballur me lodhje, vështirësi fizike apo shpirtërore, dhe duke qenë i detyruar të durojë pasojat.
Kjo lloj nevoje shfaqet në situata të ndryshme praktike, dhe për të ekzistojnë shumë shembuj ilustrues:
1 – Nevoja për të marrë tejemum. Kur moti është shumë i ftohtë, ose kur njeriu është i sëmurë dhe përdorimi i ujit për abdes do t’i shkaktonte dëm, atëherë ai ka nevojë të marrë tejemum në vend të abdesit me ujë. Në këtë rast, nevoja është reale dhe e pranishme. Për shkak të kësaj situate, sheriati e ka lejuar marrjen e tejemumit, me qëllim që të shmanget dëmi që mund të vijë nga përdorimi i ujit.
2 – Nevoja për t’u mbajtur nga të tjerët gjatë kryerjes së tavafit. Nëse një person është i sëmurë ose i moshuar dhe e ka të vështirë të ecë apo lodhet gjatë kryerjes së tavafit, ai ka nevojë që dikush ta ndihmojë dhe ta mbajë gjatë këtij riti. Për këtë arsye, Sheriati e ka lejuar që ai ta kryejë tavafin duke u mbështetur te të tjerët, me qëllim shmangien e dëmit apo vështirësisë që mund t’i shkaktohet nga fakti kur ecën vetëm.
3 – Nevoja për shpërblim (xhualete). Nëse një njeri humb pasurinë e tij, ai ka nevojë për dikë që ta kërkojë atë. Mirëpo ai nuk gjen askënd që ta bëjë këtë pa shpërblim. Prandaj, Sheriati e ka lejuar dhënien e shpërblimit, me qëllim shmangien e vështirësisë që lind nga pamundësia për ta kërkuar vetë njeriu pasurinë e humbur.
Në shembujt e sipërpërmendur vërehet se nevoja është tashmë e pranishme në realitetin konkret. Në këtë kontekst, individi përballet me dy mundësi, pa alternativë të tretë: ose e përmbush këtë nevojë në përputhje me kërkesat që ajo imponon, ose përballet me vështirësi serioze dhe përpjekje të tepërta, nëse përpiqet t’i bëjë ballë pa e trajtuar atë në mënyrë të përshtatshme.
Disa dijetarë e kanë emërtuar këtë lloj nevoje me emra të tjerë. Nga këta emra është: “nevoja e finalizuar”. Ky emërtim është i përhapur tek dijetarët shafi’itë. Një emërtim tjetër i kësaj lloj nevoje është edhe: “nevoja ekzistuese” të cilën e ka përmendur imam Ibn Hemami.
Lloji i dytë: Nevoja e pritshme
Ky është ai lloj nevoje që ende nuk ka ndodhur, por pritet të ndodhë dhe parashikohet me arsye të forta, pasi zakonisht shfaqet në situata të ngjashme. Ajo mund të parashikohet sepse shkaqet e saj kanë filluar të shfaqen, sepse njeriu është vetë shkaktari i saj, ose sepse ajo buron si vazhdim logjik i një nevoje tashmë ekzistuese. Cilido qoftë shkaku, në shumicën e rasteve përfundimi është se kjo nevojë ka shumë të ngjarë të realizohet.
Megjithatë, duhet theksuar se niveli i pritshmërisë së një nevoje ndryshon. Disa nevoja janë aq të pritshme, sa konsiderohen thuajse të realizuara, për shkak të bindjes sunduese që i shoqëron – një lloj dyshimi që ka fuqi juridike në jurisprudencën islame. Të tjera janë më pak të mundshme dhe, për pasojë, kanë një rëndësi më të vogël. Ndërsa disa të tjera qëndrojnë në një nivel të ndërmjetëm ndërmjet këtyre dy skajeve.
Nga fjalët e dijetarëve kuptohet qartë se sheriati e merr parasysh edhe nevojën e pritshme. Për këtë lloj nevoje ka shumë shembuj, disa prej të cilëve do t’i përmendim më poshtë:
1 – Nëse njeriu e bën një zotim për të dhuruar pasurinë e tij si lëmoshë dhe përjashton nevojat e tij personale, atëherë ky zotim nuk bëhet detyrim për sa kohë ai është gjallë, sepse nevoja e tij personale është e pritshme.
2 – Kush falet ndërkohë që vuan nga dhimbje apo sëmundje në këmbët e tij dhe mendon se qëndrimi në këmbë do ta lodhte shumë, i lejohet të falet ulur, sepse nevoja e tij për t’u ulur është e pritshme. Nevoja e pritshme trajtohet njësoj si nevoja reale që ka ndodhur. Kjo është si rasti i dikujt që falet në anije: zakonisht njerëzit preken nga marramendja atje dhe kanë nevojë të ulen, ndaj i lejohet falja ulur sipas një grupi dijetarësh, duke u bazuar në nevojën e pritshme. Po ashtu, në këtë temë, nëse dikush është i sëmurë dhe ka bindjen se nuk do të jetë në gjendje të agjërojë, i lejohet të mos agjërojë, duke u bazuar në nevojën e pritshme, dhe nuk kërkohet prej tij që ta provojë agjërimin për të parë nëse mund ta përballojë apo jo, përderisa mbizotëron bindja se nuk do të jetë i aftë ta përballojë.
3 – E njëjta gjë vlen edhe për ata që kanë nevojë reale dhe pritet që kjo nevojë të vazhdojë, si për shembull njeriu i varfër dhe i vobektë: ata të dy aktualisht kanë nevojë dhe pritet që ajo të vazhdojë. Prandaj, të pasurit i lejohet të marrë në konsideratë këtë nevojë dhe t’u japë atyre zekat në masën që mbulon nevojën e reale (të tanishme) dhe atë të pritshme, sepse nevoja e tyre është reale në momentin aktual dhe e pritshme për të ardhmen.
Nevoja – në shembujt e përmendur më sipër – nuk i ka ndodhur ende njeriut, por ai është në pritje të saj dhe ka bindje të fortë se ajo do të ndodhë. Kjo është arsyeja që i ka shtyrë dijetarët ta konsiderojnë nevojën e pritshme si të ngjashme me nevojën reale, në aspektin e lejimit për të vepruar sipas saj.
Megjithatë, ekziston një dallim i qartë mes tyre: nevoja reale është e pashmangshme, ndërsa nevoja e pritshme mund të shmanget. Për shembull, nëse një njeri i varfër ka nevojë për paratë e zekatit, kjo është një nevojë reale, e cila nuk mund të anashkalohet. Prandaj, në këtë rast, ai ka të drejtë të përfitojë nga zekati, pasi ndodhet në një gjendje reale nevoje. Por nëse ai parashikon se mund të ketë nevojë për këto para në të ardhmen, atëherë kjo hyn në kuadrin e nevojës së pritshme. Megjithatë, kjo nevojë mund të shmanget, pasi ai mund të kërkojë një punë, ta gjejë atë, të shpërblehet për të, dhe në këtë mënyrë të mos ketë më nevojë për ndihmën nga zekati.
Lloji i i tretë: Nevoja e hamendsuar
Ky lloj i nevojës i referohet një pretendimi për nevojë që nuk është realizuar në të kaluarën dhe për të cilin nuk ekziston asnjë tregues apo dëshmi që të mbështesë mundësinë reale të shfaqjes së saj në të ardhmen. Ajo bazohet thjesht në hamendësime, dyshime dhe imagjinatë, pa ndonjë themel të qëndrueshëm racional apo empirik.
Për këtë arsye, një nevojë e tillë nuk merret në konsideratë nga ana e jurisprudencës islame dhe nuk mund të jetë bazë për ndërtimin e dispozitave ligjore. Juristët islamë janë të një mendjeje rreth këtij parimi, të cilin e shprehin përmes rregullit juridik: “Hamendësimi nuk merret në konsideratë.”
Më poshtë paraqiten disa shembuj ilustrues që përfaqësojnë këtë kategori të nevojës imagjinare:
1 – Sheriati ka lejuar mbajtjen e qenit vetëm në rastet kur ekziston një nevojë e qartë dhe e përligjur, ashtu siç është përmendur në hadithe autentike. Nëse një person nuk është gjahtar, nuk posedon tokë për bujqësi dhe as nuk zotëron bagëti, atëherë nuk i lejohet ta mbajë një qen vetëm mbi bazën e një pritshmërie të pasigurt, siç është mendimi se ndoshta do t’i nevojitet në të ardhmen për punë bujqësie ose çështje të ngjashme. Kjo për arsye se një nevojë e tillë konsiderohet nevojë e hamendësuar, dhe nevojat e hamendësuara nuk prodhojnë pasojë juridike në të drejtën islame.
2 – Ndër shkaqet që lejojnë bashkimin dhe shkurtimin e namazeve, si edhe prishjen e agjërimit gjatë ditëve të Ramazanit, është udhëtimi, duke u mbështetur në nevojën reale që njerëzit kanë për këtë lehtësim. Megjithatë, nuk i lejohet një personi të përfitojë nga këto lehtësime për sa kohë që nuk e ka filluar realisht udhëtimin. Lehtësimet hyjnë në fuqi vetëm pas nisjes faktike, pasi në atë moment nevoja konsiderohet e vërtetuar dhe e pranishme. Nëse individi është ende në mëdyshje nëse do të udhëtojë apo jo, atëherë nuk i lejohet të veprojë në bazë të lehtësive që rrjedhin nga udhëtimi, sepse një nevojë e hamendësuar nuk përbën bazë të vlefshme për përjashtime juridike.
3 – Mjekut i lejohet të shikojë pjesët e turpshme të trupit të pacientit vetëm kur ekziston një nevojë reale dhe e vërtetuar për këtë, dhe gjithmonë brenda kufijve të përcaktuar nga normat e Sheriatit. Në mungesë të një nevoje të vlefshme, ky veprim ndalohet. Prandaj, nëse një individ thjesht dyshon ose hamendëson për praninë e një sëmundjeje në një pjesë të turpshme të trupit, nuk i lejohet të zbulojë atë pjesë, ashtu siç nuk i lejohet mjekut të hedhë vështrim mbi të. Kjo për arsye se nevoja e hamendësuar nuk përbën bazë të mjaftueshme për lejimin e një veprimi që përfshin cenimin e nderit dhe mbulimit trupor, dhe për rrjedhojë nuk ka efekt juridik në këtë kontekst.
Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid
Përshtati: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















