Historia e Musait (04)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mbështetja te Zoti

Në rreshtat në vazhdim, do të flasim mbi lindjen e heroit dhe të personazhit tonë kryesor, profetit Musa (a.s.), njërit prej profetëve të vendosur. Kur profeti Muhamed (a.s.) u ngjit në Miraxh, u takua me profetin Musa (a.s.) në qiellin e gjashtë.

Sot do të lindë ai të cilin Zoti e zgjodhi dhe e nderoi si asnjë profet tjetër. Zoti thotë në Kuran: “Zoti tha: ‘O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë).’[1] (Araf, 144)

Një ndër objektivat e këtyre temave, siç e kemi përmendur dhe më parë, është që të lidhemi dhe ta duam më shumë profetin Musa (a.s.). Vetë profeti Muhamed (a.s.) na këshillon dhe na porosit për diçka të tillë. Ai na ka urdhëruar dhe porositur që të agjërojmë ditën e Ashurasë, ditë në të cilën Zoti e shpëtoi profetin Musa (a.s.) dhe popullin e tij nga faraoni mizor.

Vlera, të cilën e kemi shkëputur nga lindja e profetit Musa (a.s.), është ajo e mbështetjes te Zoti i madhëruar. Ne nuk duhet të harrojmë që jeta e kësaj bote është e vështirë dhe plot sfida e sprova. Shumë njerëzve në këtë jetë u bëhet padrejtësi, shtypen dhe dhunohen. Raporti i fuqisë së atij që i bëhet padrejtësi me zullumqarin është një me njëmijë. Sado i fortë qoftë, kurrë nuk mund të hakmerret ndaj zullumqarit. Zgjidhja e vetme për njerëzit e shtypur dhe pa përkrahje, është vlera për të cilën do të flasim më poshtë, mbështetja tek Zoti. Ashtu siç kemi ekuacione dhe formula në matematikë, kemi formula edhe në jetën e përditshme. Ashtu si një plus një bëjnë dy, edhe marrja e masave, vlerësimi i situatës dhe veprimi sipas mundësive plus mbështetjen te Zoti, është i barabartë me ndihmë, përkujdesje, dhembshuri dhe shpëtim. Nëse arrin të bësh gjithçka mundesh për të arritur një objektiv dhe i mbështetesh Zotit për rezultatin, dije se nuk do të zhgënjehesh.

Nëse je i dobët, pa përkrahje, të është bërë padrejtësi dhe e ke të pamundur të fitosh të drejtat e tua, mbështetu te Zoti. Të njëjtën gjë bëri nëna e Musait (a.s.) kur i lindi djali i saj, të cilin ushtarët e faraonit e prisnin për t’i prerë kokën.

Në mbështetjen e Zotit, është e rëndësishme të mos qëndrosh duarkryq, por të marrësh masat sipas mundësive. T’i mbështetesh Zotit nuk do të thotë të qash e të ankohesh dhe të presësh nga qielli të ndryshojë gjithçka.

Plani i faraonit

“Ta Sin Mim. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.” Në fund të ajetit të dytë, theksohet se kjo histori vlen vetëm për besimtarët, pasi vetëm ata e kuptojnë siç duhet vlerën e mbështetjes tek Zoti i madhëruar. Një ajet më pas, flet mbi shpërpjesëtimin mes fuqisë së faraonit dhe të Benu Israilëve.

” Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.[2]

Për shkak të ëndrrës që kishte parë, faraoni kishte urdhëruar që të gjitha foshnjave meshkuj që lindnin tek Benu Israilët, t’u pritej koka dhe të hidheshin në Nil. Para se të lindë Musai (a.s.), numri i foshnjave të vrara kishte arritur një mijë. Gjer atëherë asnjë nga foshnjat meshkuj nuk kishte shpëtuar e gjallë nga dora gjakatare e ushtarëve. Faraoni e dinte se nëse shpëtonte qoftë edhe një mashkull i vetëm, ai do të ishte personi që do ta vinte në rrezik pushtetin e tij. Për këtë, ai kishte përvetësuar sloganin “Asnjë i gjallë”.

Për ta realizuar me sukses planin e tij keqbërës, faraoni kishte marrë një sërë masash. Këto masa ishin:

1 – Kishte caktuar gra egjiptiane, të cilat silleshin rrotull lagjeve të çifutëve, për të zbuluar gratë shtatzëna.

2 – Nëse një grua konstatohej shtatzënë, i vihej një shenjë sekrete në derën e shtëpisë, të cilën e dinin vetëm ushtarët.

3 – Ushtarët kryenin “vizita” të befasishme në shtëpitë e çifutëve, për të zbuluar ndonjë grua që kishte qëndruar e fshehtë.

4 – Ishin rekrutuar spiunë dhe agjentë të fshehtë nga vetë çifutët, të cilët jepnin informacion mbi gratë shtatzëna. Nga kjo shtresë, do të shfaqet edhe një djalë i ri dhe ambicioz, i cili donte të bënte karrierë në llogari të popullit të tij. Ky djalë e kishte emrin Karun. Ai ishte i gatshëm të spiunonte edhe motrat dhe të afërmit e tij, thjesht për t’i bërë qejfin faraonit dhe për të bërë karrierë.

Njëmijë foshnjat që u therën, ishin zbuluar falë këtij plani dhe këtyre masave të rrepta. Nënat lehona befasoheshin me ushtarët të cilën shkallmonin dyert, i merrnin foshnjat dhe pasi i thernin para syve të tyre, i hidhnin në lumë. Duke qenë se shpërblimi është sipas veprave, edhe vdekja e faraonit do të jetë në ujë.

Plani i nënës së Musait

Planit të saj për të shpëtuar jetën e foshnjës së vet, nëna e Musait (a.s.) i shtoi edhe faktorin e mbështetjes tek Allahu i madhëruar. Formulën “Më mjafton Allahu që është garantuesi më i mirë” ajo e bëri pjesë të jetës së saj. Por përveç kësaj, ajo kishte vendosur dhe një plan mbrojtës nga ushtarët e faraonit. Ajo kishte rënë dakord me vajzën e saj Merjemen – motrën e Musait (a.s.) – dhe me një komshie në moshën e saj, por që nuk ishte shtatzënë, që në çdo kontroll të befasishëm të ndryshonin rolet. Nëna shtatzënë e Musait (a.s.) do të fshihej tek pemët e pyllit aty pranë, kurse komshia do të qëndronte në shtëpinë e nënës së Musait. Kështu, kur ushtarët të vinin, do të kontrollonin dhe nuk do të konstatonin asgjë. Këtë gjë do ta bënin për nëntë muaj rresht.

 Lindja e Musait (a.s.)

Pas nëntë muaj fshehjesh, frike dhe ankthi, vjen çasti i lindjes së profetit Musa (a.s.), me të cilin lind edhe shpresa për liri dhe dinjitet. Nëna e Musait (a.s.) shpresonte dhe uronte që foshnja që mbante në bark të ishte femër, pasi e dinte fatin që e priste nëse do të ishte djalë. Megjithatë, profecia që ishte transmetuar nga goja e Jusufit (a.s.), ia shtonte optimizmin. Kur lindi, foshnja e saj ishte një djalë i hijshëm, ezmer dhe me një cilësi të rrallë: Kushdo që e shihte, lidhej pas tij dhe e donte fort. Vetë Zoti e konfirmon një fakt të tillë kur thotë në Kuran: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time…[3]. Një fakt i tillë tregon se profeti Musa (a.s.) ishte nga njerëzit e dashur të Zotit. Kjo na bën edhe ne ta duam shumë profetin Musa (a.s.).

A i imagjinoni dot ato çaste kur ka lindur Musai (a.s.)? Vallë si mund të jetë ndjerë nëna e tij? Përveç dhimbjes së lindjes, asaj i duhej edhe të heshtte, të mos nxirrte zë dhe të mos qante, pasi do të kuptohej që në atë shtëpi kishte lindur një foshnje. Kushedi sa janë mundur që t’i pushojnë të qarat e Musait të vogël. Ishte kjo foshnje e vogël, të cilën e gjithë familja po përpiqej ta pushonte, ai që do t’ia mbyllte gojën faraonit.

Nëna e Musait (a.s.) pas lindjes

Çfarë do të bënte nëna e Musait (a.s.) pas lindjes së tij? Ku do ta fshihte?

Zoti i madhëruar thotë në Kuran: “Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”[4]

Nëna e Musait (a.s.) nuk ishte profete, ajo ishte një njeri i thjeshtë, besimtare, e mbështetur tek fuqia e Zotit, cilësi kjo që u duk qartë gjatë nëntë muajve të shtatzënisë. Frymëzimi i përmendur në ajetin e mësipërm, është diçka që ajo e ndjeu se duhej ta vepronte. Askush nuk ka përse të mendojë se është frymëzim si ai i profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Shpallja që Zoti u bën profetëve dhe të dërguarve është tre llojesh: E para, është ajo shpallje që Zoti ua bën melekëve, engjëjve. Zoti thotë lidhur me këtë: (Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë.”[5]

Shpallja dhe frymëzimi i dytë është për profetët dhe të dërguarit. Zoti thotë në Kuran: “Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij; siç frymëzuam me shpallje edhe Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe bijtë e tij, Isain, Ejupin, Junusin, Harunin, Sulejmanin dhe Dautin, të cilit i dhamë Zeburin.”[6]

Kurse e treta është frymëzimi që Zoti u jep njerëzve të thjeshtë, në situata të ndryshme. Është pikërisht ky lloj frymëzimi, ai i nënës së Musait (a.s.). Ajo është një ndjenjë e fuqishme që Zoti e vendos në zemrën e robit të Tij, ndjenjë që i mbush zemrën dhe e udhëzon drejt një orientimi të caktuar për të mirën dhe dobinë e tij. Frymëzim i ngjashëm është edhe ai që Zoti thotë për dishepujt e Jezusit (Isait a.s.): “Dhe se si kur i urdhërova dishepujt: “Besomëni Mua dhe të Dërguarit Tim!”[7]

“Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë): “Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit![8]

Zoti e ka frymëzuar bletën, duke e krijuar me një instinkt të caktuar, për mbledhjen e pjalmit dhe prodhimin e mjaltit.

“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”

Zoti e frymëzoi nënën e Musait (a.s.) që ta ushqejë me qumështin e saj të gjirit. Në rast se konstatonte rrezikun, duhej ta hidhte në lumin Nil, pa pasur frikë dhe pa u dëshpëruar mbi të ardhmen e tij. Përveç kësaj, Zoti i jepte një sihariq se Zoti do ia kthente sërish foshnjën dhe se do e nderonte duke e bërë profet.

Një miku im më tregoi se një herë ndodhej në një situatë shumë të vështirë. Ai u konsultua me një të afërm dhe ai e këshilloi të linte vendin dhe të vendosej në një shtet tjetër. Pasi vendosi të largohej, mori abdes dhe filloi të falte namazin e istihares. Ai vetë tregon: “Gjatë faljes, nuk e di si më erdhi në mendje të lexoj ajetin: “Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik…”[9]

Në ato çaste u sigurova se largimi nga vendlindja ishte më i mirë për mua”.

Një frymëzim i tillë ishte edhe ai i nënës së Musait (a.s.). Dikush mund të pyesë me të drejtë: Po përse Zoti e frymëzoi vetëm nënën e Musait? Përse të mos ishte dikush tjetër?

Unë besoj se kjo përzgjedhje u bë për vetë faktin se nëna e Musait (a.s.), që ditën që konstatoi se ishte shtatzënë, bëri një plan dhe mori masa për ta parandaluar krimin. Me këtë, ajo e kishte zgjidhur gjysmën e ekuacionit dhe për gjysmën tjetër i mbetej mbështetja tek Zoti, .

Ajo që e dallonte nënën e Musait (a.s.) nga nënat e tjera, ishte se ajo vuri në lëvizje gjithçka mundej për mbrojtjen e foshnjës së saj, ndërkohë që nënat e tjera veç qanin e derdhnin lot për atë që i priste foshnjat e tyre. Ose thjesht thoshin se i mbështetemi Zotit dhe kërkojmë ndihmën e tij, por pa lëvizur vendit për diçka konkrete.

“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”

Ky ajet përmban dy urdhra, dy ndalesa, dy lajme dhe dy sihariqe. Dy urdhrat janë: “Jepi gji dhe hidhe në lumë”. Dy ndalesat janë: “pa pasur frikë dhe as dëshpërim”. Kurse dy sihariqet janë: “Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar”. Sihariqi i parë ka të bëjë me dëshirën e madhe të nënës që ta shohë dhe ta shtrëngojë sërish. Kurse sihariqi i dytë ka të bëjë me dëshirën e saj që i biri të bëhej si profeti Jusuf (a.s.).

Po të flasim me parametrat njerëzorë, frymëzimi për ta hedhur në lumë foshnjën në rast frike, është i papranueshëm. Në një rast të tillë, i duhej thënë që nëse frikësohesh dhe trembesh për sigurinë e tij, fshihe në një vend ku nuk e sheh kush, ose dërgoje tek dikush që e mbron. Kurse urdhri i Zotit ishte që në rast frike dhe cenimi të jetës, ajo duhej ta hidhte foshnjën e saj të dashur në lumë. Përderisa ti o nënë gjer tani bëre gjithçka munde për mbrojtjen e foshnjës, tani është koha t’i mbështetesh Atij që ka në dorë gjithësinë. Vallë si do të veprojë nëna e Musait? A do ta hedhë foshnjën e saj në lumë? Ne e dimë si veproi ajo, por nëse ti do të ishe në vendin e saj, a do të bëje të njëjtën gjë?

Që ta ndjeni më shumë aktin e nënës së Musait, duhet ta shihni me sy lumin Nil, gjerësinë dhe sa i rrëmbyer është ai. Ajo ndërtoi një sënduk prej dërrase, e mori të birin, shkoi larg shtëpive, e vuri të birin në sënduk dhe e hodhi në lumë.

Ata të rinj që vuajnë nga papunësia, ato nëna, të cilat ankohen se nuk dinë si t’i edukojnë fëmijët, ata të rinj që e shohin të ardhmen të zezë etj… Zoti pret prej jush një hap. Kurani dhe sidomos surja Kasas bëjnë thirrje që t’i mbështetemi fort Zotit të madhëruar.

Nëna e Musait (a.s.) e hodhi foshnjën e saj në lumë dhe iu mbështet Zotit, me besim dhe bindje se Ai nuk do e zhgënjente. Ajo e ndjeu se mjaftonte një hap dhe e kishte Zotin pranë. Vallë si arriti ta hidhte të birin në lumë dhe ta braktiste? Alternativa tjetër ishte që ta shihte djalin duke u therur nga ushtarët e faraonit. Ajo kishte parë dhe dëgjuar se mbi njëmijë foshnje ishin therur gjer atëherë dhe kishte nxjerrë mësim.

Shumë njerëz dëgjojnë me qindra dhe mijëra histori mbi atë që u ndodh gjynahqarëve dhe atyre që jetojnë larg urdhrave të Zotit, megjithatë bëjnë të njëjtat vepra dhe gjynahe. Kjo është e njëllojtë me dikë që ka një gropë para shtëpisë dhe çdo ditë që del nga shtëpia, bie në këtë gropë, të cilën vazhdon të mos e rregullojë. Para syve të nënës së Musait (a.s.) ishin therur njëmijë foshnje të tjera. Të gjitha nënat e tyre nuk kishin ndërmarrë asnjë hap për shmangien e kësaj katastrofe. Sido qofshin rrethanat dhe kushtet, duhet marrë një qëndrim për problemin, duhet bërë diçka për shmangien e tij dhe në fund t’i mbështetemi Zotit për rezultatin.

Imagjinojeni veten në vendin e nënës së Musait (a.s.), e cila ndërton shpejt e shpejt një sënduk me dërrasa, e vendos foshnjën e saj brenda dhe shkon pranë lumit të Nilit. Ajo qëndron pranë ujit me sëndukun në duar dhe heziton ta hedhë foshnjën e saj të dashur në lumë. Mes idesë dhe zbatimit ekziston një cak shumë i madh. Shumë njerëz bien dakord mbi ide teorike, por kur vjen puna tek praktika hezitojnë dhe lëkunden. Që të ndërmerrte një hap të tillë, ajo kishte nevojë që Zoti t’i jepte kuraje dhe t’ia forconte zemrën. Prandaj, Zoti e frymëzoi dy herë nënën e Musait (a.s.) që ta hidhte foshnjën e saj në lumë. Hera e parë përmendet në suren Kasas, kurse hera e dytë përmendet në suren Taha.

Hera e parë është ajo që kemi përmendur më lart: “Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”

Kurse hera e dytë që përmendet në suren Taha, është: “Kur i frymëzuam nënës tënde atë që iu frymëzua: “Vëre atë (foshnjën) në një sënduk e hidhe në lumë! Lumi do ta nxjerrë në breg, e atë do ta marrë një armiku Im dhe armiku i tij.”[10]

Orientalistët pohojnë dhe me ironi se këto janë gjëra që përsëriten pa dobi në Kuran. Është e njëjta histori që thjesht përsëritet.

Por në fakt nuk është ashtu. Në ajetin që përmendet në suren Kasas, Zoti sikur e parapërgatiste nënën e Musait (a.s.) për atë që do të ndodhte. Zoti i kërkon ta ushqejë më gji dhe nëse ndihet e pasigurt, ta hedhë në lumë, gjë e cila kërkon kohë. Kurse në ajetin e sures Taha, frymëzimi është bërë në çaste rreziku, kur ushtarët ishin aty pranë dhe jeta e foshnjës ishte në rrezik.

Kështu, me të lindur Musai (a.s.), nëna e tij u frymëzua nga Zoti që ta ushqejë më qumështin e saj të gjirit. Pas kësaj, ajo bëri një sënduk të vogël dhe u bë gati të hedhë foshnjën e saj në lumë, por u frikësua. Në këto çaste arritën ushtarët e faraonit në shtëpitë pranë saj, në kërkim të foshnjave meshkuj. Duke ndjerë rrezikun, nënës së Musait (a.s.) i vjen sërish frymëzimi, që ta hedhë shpejt të birin në sënduk dhe më pas në lumin Nil.

Urdhri i Zotit: “Jepi gji atij” ka si qëllim që Musai (a.s.) ta shijojë qumështin e nënës, në mënyrë që ta dallojë nga ai i mëndeshave të tjera më vonë. Ai duhej ta shijonte, t’i merrte erë qumështit dhe trupit të nënës.

Veç sa përmendëm, ushqimi i foshnjës me qumështin e gjirit të nënës, i fal atij siguri, dhembshuri dhe dashuri. Vetë fakti që Zoti e përmend në librin e tij procesin e ushqimit me qumësht gjiri, tregon mbi rëndësinë e tij për foshnjën. Me këtë ajet, ne falemi dhe adhurojmë Zotin dhe kjo gjë e cila tregon sa sa vlera ka nëna në Kuran. Profeti (a.s.) thotë se nënës i falen gjynahet që ka vepruar më parë, që në dhimbjen e parë të lindjes.

Ajeti mbyllet me premtimin e Zotit se do t’ia kthejë foshnjën dhe se do ta bëjë atë të dërguar dhe profet.

Hedhja e foshnjës në lumë, ka dhe një simbolikë dhe urtësi tjetër. Kjo bëhej me qëllim që nëse ushtarët e faraonit ishin pranë, ta shihnin duke e hedhur foshnjën në lumë dhe të mos e thernin.

Pa dyshim, që të hedhësh foshnjën tënde në një lumë me përmasa si ai i Nilit, është diçka e paimagjinueshme dhe tejet e vështirë. Rryma e lumit mund ta merrte sëndukun ku ndodhej foshnja dhe ta çonte kushedi sa larg, duke humbur çdo shpresë për ta parë sërish. Valët e lumit mund ta përmbysnin kollaj sëndukun dhe ta mbysnin foshnjën. Ose rryma mund ta dërgonte në det, ku ose do të mbytej ose do e shqyente ndonjë peshkaqen. Kështu, duke qenë mes dy zgjedhjeve: ta shohë të birin të theret para syve dhe ta hedhë atë në lumë plus mbështetjen në fuqinë e Zotit, nëna e Musait (a.s.) zgjodhi këtë të dytën.

Unë dua prej teje lexues i nderuar që të përpiqesh ta vësh veten në vendin e nënës së Musait (a.s.) dhe më pas të matësh nivelin dhe shkallën e mbështetjes tënde tek Zoti në krahasim me atë të nënës së Musait (a.s.). Nëse mbështetjen maksimale tek Zoti do e vlerësonim me dhjetë pikë, të cilat nëna e Musait (a.s.) i meriton, ti vallë sa pikë mund të marrësh?

Zoti na e rrëfen historinë e Musait (a.s.) dhe të nënës së tij në suren Kasas, me qëllim që të na japë modelin më të mirë të mbështetjes tek Ai. Ata të rinj, të cilët përballen me probleme nga më të ndryshmet, ato të reja, të cilat vuajnë dhe janë të pikëlluara, ata njerëz, të cilët jetojnë të poshtëruar dhe të nënshtruar, ato gra, të cilat fyhen dhe rrihen nga bashkëshortët e tyre duke mos ditur ç’të bëjnë etj…. unë i këshilloj të hedhin hapin e parë dhe më pas t’i mbështeten Allahut. Pasi të lexosh këto rreshta, të këshilloj të shkosh dhe të lexosh suren Kasas dhe të ndjesh sa i rëndësishëm është leximi dhe të kuptuarit e Kuranit.

Edhe pse kishte bërë gjithçka mundej për mbrojtjen e jetës së foshnjës së saj dhe në fund i ishte mbështetur Zotit, të hedhësh foshnjën e sapolindur në një lumë si Nili, është diçka e paimagjinueshme dhe e vështirë. Imagjinojeni nënën e Musait (a.s.) në çastet e fundit, teksa e kishte kapur në krahë sëndukun dhe po e hidhte në lumë. Kushedi sa herë mund ta ketë parë të birin dhe i kanë rrjedhur lotët çurg. Kushedi sa herë e ka puthur dhe e ka përqafuar. Kushedi sa herë e ka mallkuar faraonin dhe regjimin e tij. Ndoshta ishin këto mallkime, lot dhe të qara të kësaj nëne, ato që e mbytën në det faraonin dhe ushtarët e tij. Nxirr mësim nga kjo ngjarje o vëlla dhe oj motër dhe mos i bëj padrejtësi njeriu. Nxirr mësim nga kjo histori dhe mos e privo një nënë nga fëmijët e saj!

Kushedi sa herë ka thënë nëna e Musait (a.s.): “Më mjafton Allahu i cili është Garantuesi më i mirë”. A ka mbështetje më të madhe tek Zoti, sesa mbështetja e një nëne që e vendos foshnjën e saj të dashur në një sënduk, e hedh në lumë dhe vazhdon ta ndjekë me sy, derisa humbet në horizont? Kushedi sa ka vrapuar përgjatë lumit, duke qarë me ngashërime dhe duke mallkuar të gjithë ata që e detyruan të marrë një hap të tillë!

Që në çastin që sënduku me Musain brenda prekën ujin e Nilit, filloi të shfaqet haptazi përkujdesja e Zotit të madhëruar. Zoti thotë në Kuranin fisnik: “Askush tjetër, përveç Tij, nuk i di ushtarët e Zotit tënd.”[11]

Ushtarë të Zotit janë valët, të cilat nuk ngrihen lart me qëllim që të mos përmbyset sënduku. Ushtarë të Zotit janë edhe erërat, të cilat ato momente nuk frynin, për të mos rrezikuar jetën e Musait (a.s.). Kur njeriu merr masat e duhura, hedh një hap para, bën gjithçka mundet dhe në fund i mbështetet Allahut, Ai nënshtron të gjithë universin me qëllim që të të vijë në ndihmë.

Pasi e hodhi në lumë, nëna iu kthye vajzës së saj dhe i tha:” “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.[12]

Motra e Musait (a.s.) vazhdoi ta ndjekë sëndukun përgjatë bregut të lumit në kallamishte, larg syve të njerëzve. Motra e ndoqi të vëllain e hedhur në Nil me kilometra të tëra, pasi lagja e çifutëve ishte shumë larg lagjeve të pasura të Egjiptit.

Në raste të tilla, demonstrohet fuqishëm një nga emrat dhe cilësitë e Allahut, që është Garantuesi. Ne sot kemi nevojë t’i mbështetemi fuqishëm Zotit të madhëruar, kemi nevojë që ta bëjmë atë palë të tretë, sidomos atëherë kur na bëhet padrejtësi.

Musai në shtëpinë e faraonit

Sënduku me Musanë brenda vazhdoi të pluskojë mbi lumë, gjersa arritën pranë pallateve të faraonit. Në një çast, sënduku u drejtua drejt bregut ku ndodhej pallati i njeriut më mizor, i atij që kërkonte kokën e Musait (a.s.). Kushedi sa është frikësuar motra e Musait (a.s.) kur ka pikasur sëndukun të ndalojë mu tek bregu pranë shtëpisë së faraonit. Përse o Zot të ndodhë kjo? Ku vajti gjithë mundi dhe përpjekjet tona për ta mbajtur sa më larg këtë foshnje?

Me vrap vajza vajti tek nëna e saj dhe i tregoi mbi atë që kishte parë. Vëllai i saj i dashur, kishte ndaluar mu para shtëpisë së faraonit, atij që kishte nxjerrë urdhër të vriteshin të gjithë foshnjat meshkuj të Benu Israilëve. Këto momente të vështira për nënën e Musait (a.s.), i përshkruan Zoti në Kuran duke thënë: “Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë.[13]

Me të drejtë, mund të lindë pyetja: Përse Zoti e çoi Musanë mu tek shtëpia e faraonit?

Kjo ndodhi, sepse ishte mënyra më e mirë për ta mbrojtur Musanë nga faraoni. Misioni i profetit Musa (a.s.) ishte që t’i nxirrte Benu Israilët nga poshtërimi dhe dhuna, por një mision të tillë nuk mund ta kryente veçse një person që ishte rritur si i fisëm dhe krenar. Një njeri i rritur si rob i nënshtruar dhe i nëpërkëmbur, nuk mundet të nxjerrë nga robërimi bashkëvuajtësit e tij. Ai që garanton lirinë dhe lufton për lirinë e të tjerëve, duhet të jetë rritur vetë i lirë. Duke qenë se asokohe liria e plotë dhe pa kufi ishte vetëm në pallatin mbretëror të faraonit, Musai (a.s.) duhej të rritej dhe të edukohej në këtë shtëpi.

Një arsye tjetër që Musai (a.s.) duhej të rritej në shtëpinë e faraonit ka të bëjë me arsimimin dhe edukimin. Benu Israilët ishin të privuar nga arsimimi dhe edukimi. Duke pasur parasysh që zhvillimi dhe prosperiteti nuk mund të vijnë pa arsim, Musai (a.s.) duhej të arsimohej dhe edukohej sa më mirë. Një arsimim dhe edukim të tillë, Musai (a.s.) nuk mund ta merrte veçse në shtëpinë e faraonit. Faraoni do të shpenzonte dhe siguronte mësuesit më të mirë për edukimin e Musait (a.s.).

Ishte faraoni ai që i kishte dhunuar dhe poshtëruar të gjithë Benu Israilët. Zoti bën që një fëmijë me prejardhje nga kjo etni, të edukohet në shtëpinë e faraonit dhe në fund të vendosë drejtësinë, duke i kthyer popullit të tij dinjitetin dhe krenarinë e munguar. Me këtë, sikur Zoti na thotë: “Nëse më mbështeteni siç duhet, Unë do t’ju ndihmoj në atë formë që ju nuk e prisnit kurrë”.

Musai (a.s.) dhe gruaja e faraonit

Nëse ty o vëlla dhe oj motër të është bërë padrejtësi, mbështetu te Garantuesi i Plotfuqishëm! Nëse ti o motër dhunohesh dhe poshtërohesh nga burri yt, i cili duhet t’i mbrojë të drejtat e tua më shumë se kushdo tjetër, dorëzoju Garantuesit dhe Atij që nuk të zhgënjen!

“Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë. Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm, ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin.”[14]

Një moment vendimtar është edhe fakti që Musanë (a.s.) e gjeti gruaja e faraonit (a.s.), Asija dhe jo ushtarët e tij. Nëse do të kishte rastisur ta gjenin ushtarët të parët, do e kishin vrarë pa mëdyshje. Kjo do të kishte ndodhur edhe sikur ta kishte pikasur faraoni i pari. Edhe në këtë rast, ne ndjejmë përkujdesjen hyjnore që e mbron Musanë (a.s.).

Me ta parë gruaja e faraonit, e deshi dhe u lidh pas kësaj foshnje të pafajshme. Zoti thotë në Kuran: “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time.

Mënyra si ndërhyri dhe u kërkoi të mos e vrasin “Gruaja e Faraonit i tha atij: Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni“, tregon se faraoni kishte urdhëruar ta vrisnin Musanë (a.s.).

Instrumenti me të cilin Zoti e mbrojti Musanë (a.s.) nga thikat e faraonit, është pikërisht dashuria. Ai e kishte krijuar të bukur Musanë (a.s.) dhe kushdo që e shihte e donte. Gjithmonë, arma e dashurisë është më efikase dhe më e fuqishme se çdo armë tjetër. Ishte pikërisht kjo armë ajo që e shpëtoi Musain (a.s.) nga thikat dhe shpatat e ushtarëve të faraonit. “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time.

Me këtë Zoti sikur na bën thirrje që ta duam njëri-tjetrin dhe të mos urrehemi.

Qëndrimi i palëkundur i Asijes, gruas së faraonit dhe kërkesa e saj që këtë fëmijë ta birësojë, e bindi faraonin. Gruaja e ministrit të ekonomisë, në historinë e Jusufit (a.s.), i kërkoi të shoqit ta burgosë Jusufin (a.s.) dhe ai e burgosi. Në historinë e Musait (a.s.), gruaja e faraonit i kërkon që të mos e vrasë Musain (a.s.), dhe ai e pranon këtë. Duket qartë që gruaja egjiptiane ka komanduar gjithmonë në strehën familjare.

Që nga çasti kur faraoni pranoi të mos e vrasin Musanë (a.s.), ai do të njihet me titullin princ Musai. I patëmeta je Ti o Zot! Por ndihma dhe përkrahja e Zotit nuk mbarojnë me kaq. Musai (a.s.) duhej t’i kthehej sërish nënës së tij, e cila ishte e shqetësuar në shtëpi dhe nuk e dinte se çfarë i kishte ndodhur foshnjës së saj të dashur.

Deri në çastin kur faraoni pranoi t’i falte jetën dhe ta birësonte, Musai (a.s.) kishte qëndruar i qetë dhe duke fjetur. Me të marrë vendimin përfundimtar, foshnja e vogël shpërtheu në të qara. Sa mund të durojë një foshnje pa pirë qumësht? Njëzet e katër orë ndoshta?! Por, Zoti nuk e la Musanë të priste kaq shumë. Ai u nda nga nëna në mëngjes dhe u kthye sërish tek ajo në iqindi.

Gruaja e faraonit e kuptoi që foshnja që sapo kishin gjetur në breg të Nilit ishte i uritur, kështu solli disa mëndesha për ta ushqyer. Por foshnja e vogël nuk pranonte të pinte qumësht nga asnjë mëndeshë që i ofruan. Zoti thotë në Kuran: “Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë.”[15]

Duket sikur Zoti i kishte urdhëruar buzët e tij të mos pranonin gjirin e asnjërës nga mëndeshat. Edhe pse ishte foshnje, ai sikur kërkonte të ëmën. Në çastin kur Musai (a.s.) qante dhe nuk pranonte asnjë mëndeshë, hyn motra e tij, e cila e kishte ndjekur dhe u tha: “Kështu, e motra u tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?”

Kur e pa faraoni dhe dëgjoi fjalët e saj, e pyeti: “Po ti, a e njeh këtë foshnje?”

Ajo u përgjigj: “Jo, nuk e njoh.”

Faraoni e pyeti: “Po ti kush je?”

Vajza u përgjigj: “Jam një vajzë nga Benu Israilët.” Duke mos e gënjyer për këtë.

Faraoni u skuq në fytyrë kur e dëgjoi këtë. Në atë çast, Musai i shton të qarat. Kurse Asija, e shqetësuar nga të qarat e foshnjës dhe fakti se ai nuk pranonte asnjë mëndeshë, thërriste e frikësuar: “Do na vdesë, na duhet një mëndeshë.”

I gjendur në një situatë të tillë, faraoni e pyeti vajzën: “A njeh ndonjë mëndeshë tjetër?”

Ajo u përgjigj: “Po.”

Faraoni e pyeti: “E kush qenka kjo?”

Vajza u përgjigj: “Është nëna ime, e cila është çifute dhe ajo.”

Faraoni e pyeti: “Po përse doni ta ushqeni ju?”

Vajza iu përgjigj: “Sepse nga ky shërbim marrim shpërblim monetar.”

Atëherë faraoni i tha: “Shko dhe sille atë mëndeshë!”

Imagjinojeni si është ndjerë nëna e Musait (a.s.) në ato çaste që ka hyrë në pallatin e faraonit dhe ka mbajtur në krahë të birin e saj. Me t’i ofruar gjirin, Musai (a.s.) filloi të pinte dhe pushoi nga të qarat. Diçka e tillë tërhoqi vëmendjen e gjithë pallatit mbretëror, të cilët e pyetën: “Kush je ti?!”

Nëna e Musait (a.s.) u përgjigj: “Unë jam një grua me qumësht të mirë. Nuk ka ardhur foshnje tek unë dhe të më ketë refuzuar.”

Atëherë faraoni jep vendimin përfundimtar duke thënë: “Të kemi caktuar mëndeshë të djalit tonë”. Madje i caktoi dhe shumën monetare si shpërblim për këtë. Nëse do e kishte mbajtur në shtëpi, ajo do e ushqente pa asnjë shpërblim. Duke u rritur në pallatin e faraonit, Musai (a.s.) do të ushqehej, nëna e tij do të shpërblehej dhe në fund, do hakmerrej për padrejtësitë që i ishin bërë popullit të tij nga faraoni.

“Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.”[16]

Autor: Amër Halid

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure A’raf: 144

[2] – Sure Kasas: 1 – 4

[3] – Sure Taha: 39

[4] – Sure Kasas: 7.

[5] – Sure Enfal: 12

[6] – Sure Nisa: 163

[7] – Sure Maide: 111.

[8] – Sure Nahl: 68

[9] – Sure Kasas: 20

[10] – Sure Taha: 38 – 39

[11] – Sure Muddethir: 31

[12] – Sure Kasas: 11

[13] – Sure Kasas: 10

[14] – Sure Kasas: 8 – 9

[15] – Sure Kasas: 12

[16] – Sure Kasas: 13

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *