Pastërtia e zemrës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Namazi është lidhja midis njeriut dhe Allahut. Që namazi të kryhet në mënyrën e duhur zemra bashkë me trupin duhet të jenë prezentë.  E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha adhurimet e tjera. Prandaj edhe Profeti (a.s) ka thënë: “Në trup ka një organ, i cili po qe i shëndoshë, tërë trupi është në rregull, e po qe i sëmurë, tërë trupi sëmuret. Ky organ është zemra.”[1]

Njerëzit e devotshëm e kanë kuptuar shumë  mirë këtë të vërtetë dhe si rrjedhojë i kanë dhënë shumë rëndësi pastrimit të plotë të zemrës. Pastrim i zemrës do të thotë që njeriu mos të ketë asnjë dyshim në zemër në lidhje me besimin tek Allahu. Besimtari i cili dëshiron të pastrojë zemrën e tij është i kënaqur me caktimin e Allahut, sepse ai e di shumë mirë se e gjithë mirësia, ajo që i vlen në këtë botë dhe në botën tjetër, është në atë që Allahu me drejtësinë dhe urtësinë e Tij ka vendosur për të. Besimtari e di se Allahu e shikon atë në çdo kohë dhe në çdo vend. Allahu i Lartësuar thotë: Kur besimtari e kryen një punë e di se Allahu e shikon atë, prandaj i vjen turp që ta thyejë urdhrin e Allahut, sepse ai gjithmonë e kujton fjalën e Allahut në Kur’an: “A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë?! Nuk ka bisedë të fshehtë midis tre vetave, që Ai mos të jetë i katërti, as midis pesë vetave e që Ai mos të jetë i gjashti; as kur janë më pak, as kur janë më shumë, që Ai mos të jetë me ata kudo që ndodhen. Ai në Ditën e Kiametit do t’i njoftojë ata se çfarë kanë bërë, se me të vërtetë, Allahu di çdo gjë.”[2]

Kush i sjell nëpërmend këto nocione nuk ia lejon vetes së tij që të flasë keq, të ofendojë, apo të përgojojë dikënd. Këto veprime të shëmtuara i bën vetëm ai njeri zemra e të cilit është e shkujdesur dhe  ka harruar se Allahu e vrojton në çdo çast.

Nëse zemra e njeriut pastrohet, ajo do të  mbushet me ndjenjën e madhërimit dhe frikë-respektit ndaj Krijuesit. Më pas njeriu, kudo që të jetë, madje edhe nëse është vetëm, nuk kryen më mëkate, sepse e di shumë mirë që Allahu e sheh. Në këtë rast, ai do të përpiqet maksimalisht për ta pastruar zemrën që të fitojë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: “Përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”[3]

Cili është ai njeri të cilin Allahu e do dhe ia hap atij dyert e kënaqësisë së Tij? Një njeri i tillë është ai që zemra e të cilit është e pastër nga smira, zilia, urrejtja, vetëpëlqimi e egoizmi. Vetëm pasi zemra e njeriut të jetë pastruar plotësisht, vetëm atëherë besimi merr formën e plotë.

Ja se si i përshkruan Profeti (a.s) ata njerëz besimi i të cilëve është i plotë: “Askush prej jush nuk beson derisa unë të jem më i dashur për të sesa babai, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.”[4] Dashuria e vërtetë (Profeti a.s.) është ajo që ka thënë Allahu në ajetin: “Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë..”[5] Dashuria për Allahun e shtyn besimtarin që të ndjekë me përpikmëri të gjitha udhëzimet e Profetit (a.s). Ai i cili pretendon se e do Allahun, por nuk i ndjek udhëzimet e Profetit (a.s), pretendimi i tij është fals dhe  i papranueshëm tek Mëshiruesi.

Kështu pra, që besimtari të arrijë në gradën e Ihsanit (mbikëqyrjes) duhet që ta pastrojë zemrën nga të gjitha djallëzitë e idetë e këqija që i vijnë ndërmend. Madje, ai besimtar i cili përpiqet për ta pastruar zemrën e tij do të jetë bashkë me Profetin (a.s) në Xhenet. Një ditë, Profeti (a.s) po e këshillonte Enesin me këto fjalë: “Biri im! Nëse në të gdhirë apo në mbrëmje nuk ndjen në zemrën tënde mllef, mashtrim apo smirë për askënd, atëherë qëndroji kësaj! Kjo është rruga ime. Ai i cili i jep jetë rrugës time, ai më do mua. E kush më do mua, është bashkë me mua në Xhenet.”[6]

Një ditë, kur Profeti (a.s) ishte ulur me shokët e tij në xhami u tha: “Njeriu i parë i cili do të hyjë nga kjo portë është prej banorëve të Xhenetit. Njeriu i parë që hyri ishte Abdulla ibn Selami. Ai hyri, dha selam, u ul dhe pas disa çastesh u ngrit. Profeti (a.s) tha: “Tani u ngrit një njeri që është prej banorëve të Xhenetit. Abdulla ibn Amër ibn El As që asokohe ishte një djalë i i ri  dhe falej tërë natën, agjëronte çdo ditë e lexonte Kur’anin nga fillimi deri në fund brenda tre ditëve, tha me vete: Cila është ajo punë e mirë që ky njeri bën më shumë se unë për të cilën Profeti (a.s) e quajti atë prej banorëve të Xhenetit?! Ai dëshiroi që ta merrte vesh këtë, prandaj shkoi tek shtëpia e tij për vizitë dhe kërkoi prej tij që të qëndronte tre ditë për të fjetur tek shtëpia e tij, sepse gjoja ai kishte patur konflikte me babain. Ky ishte një pretekst nga Abdullah ibn Amër, sepse në të vërtetë ai dëshironte që të zbulonte se çfarë pune të mirë bënte Abdullah ibn Selami që ishte prej banorëve të Xhenetit.

Pasi ranë në gjumë, Abdulla ibn Amër, priti që Abdulla ibn Selam të zgjohej natën për të falur namaz, por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Vetëm pak përpara namazit të sabahut Abdulla ibn Selam kërkoi prej tij që të shkonin në xhami që të faleshin bashkë me Profetin (a.s). Po ashtu, Abdulla ibn Amër vuri re se Abdulla ibn Selami nuk agjëroi atë ditë. Abdulla ibn Amër me vete tha: “Ndoshta kur të vijë nata ai do të zgjohet për të falë namazin e natës dhe të nesërmen do të agjërojë”. Mirëpo në natën dhe ditën tjetër nuk ndodhi asgjë e re. Po ashtu edhe në natën dhe ditën e tretë. Pas tre ditëve, Abdulla ibn Amër i tha Abdulla ibn Selamit: “O vëlla!  Kur hyre dhe kur dole nga xhamia, dëgjova Profetin (a.s) të thoshte që ti je prej banorëve të Xhenetit. Nga këto fjalë të Profetit (a.s) dëshirova që të di prej teje se cila është ajo punë e mirë që ti bën për të fituar këtë gradë. Unë u habita sepse nuk pashë që ti të bëje ndonjë punë vullnetare shtesë përveç farzeve”. Abdulla ibn Selam tha: “Është e vërtetë se unë nuk bëj ndonjë punë vullnetare përveç farzeve. Mirëpo unë përpara se të fle e pastroj zemrën për të mos patur mllef, për të mos mashtruar e për të mos patur smirë askënd prej muslimanëve. Kjo është ajo vepër e mirë që unë bëj. Prandaj edhe e kam fituar këtë gradë.”

Kështu pra, pastrimi i zemrës është baza e çdo pune të mirë, sepse Allahu i Lartësuar nuk shikon pamjen e jashtme të njeriut, por shikon zemrën dhe punën e tij. Nuk ka dyshim se nëse njeriu e pastron zemrën e tij, ka për të ndjerë flladin e mirësisë hyjnore, ai ka për ta ndjerë flladin e dijes. Allahu i Lartësuar thotë: “Kijeni frikë Allahun! Allahu ju mëson juve.”[7]Ai ndjen dritën që Allahu e ka vendosur në zemrën e tij, për të parë të tjerët, ashtu sikur thotë Allahu i Lartësuar: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve.”[8] Ai ndjen flladin e urtësisë, Allahu i dhuron atij urtësi e mençuri në fjalë dhe vepra. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ia jep urtësinë kujt të dojë. Cilitdo i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe.”[9]  Një ditë, Profeti (a.s) e pyet Harithen: “Si je  gdhirë o Harithe? Ai tha: Jam gdhirë besimtar i vërtetë. Ai (a.s) i tha: Apo e dëgjon se çfarë thua, sepse çdo gjë e ka një të vërtetë. Cila është e vërteta e besimit tënd? Ai tha: Kam hequr dorë nga dynjaja duke qenë zgjuar natën (duke u falur) dhe duke patur etje gjatë ditës (duke agjëruar). Sikur unë shikoj arshin e Allahut shumë qartë,  banorët e Xhenetit që po vizitojnë njëri-tjetri dhe banorët e Zjarrit që po përjetojnë vuajte. Ai (a.s.) tha: O Harithe! E more vesh, prandaj përmbaju kësaj! Pastaj ai (a.s) ju drejtua të pranishmëve: Ky është një rob të cilin Allahu i ka ndriçuar zemrën me besim.”[10]

Autor: Feuzi Muhamed

[1] Buhariu (52)

[2] Sure El Muxhadele (7).

[3] Sure Esh Shuara: 89.

[4] Buhariu (15).

[5] Sure Ali Imran (31).

[6] Et Tirmidhi (2678). Hadithi wshtw I dobwt.

[7] Sure El Bekare: 282.

[8] Sure El En’am: 122.

[9] Sure El Bekare: 269.

[10] El Bejhaki (9886). Hadithi është i dobët.

0

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

1 Shkurt, 2023
Fajr Iqamah

12:00 am

PrayerFajrSunriseZuhrAsrMaghribIsha
Begins12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am
Iqamah12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am12:00 am
1 Shkurt, 2023
Fajr Iqamah

12:00 am

Prayer Begins Iqamah
Fajr12:00 am 12:00 am
Sunrise12:00 am
Zuhr12:00 am 12:00 am
Asr12:00 am 12:00 am
Maghrib12:00 am 12:00 am
Isha12:00 am 12:00 am

Artikujt e fundit