Disa studjues argumentojnë se Muhamedi (a.s) ndoshta u motivua nga qëllimi material për të shkruar Kuranin. Duke qenë se ai ndodhej para një loje të madhe, ia atribuoi Kuranin Zotit, me qëllim që të kishte më tepër përfitime materiale. Megjithatë, kjo hipotezë nuk përputhet me faktet historike. Pozita financiare e Muhmamedit (a.s) ishte shumë më e mirë përpara se t’ i vinte profetësia. Në moshën 25 vjeçare – 15 vjet përpara se t’i vinte profetësia – ai u martua dhe jetoi në mes të rehatisë me Hatixhen, e cila ishte një tregtare e pasur. Pasi u bë profet, standarti i jetesës dhe gjendja e tij financiare nuk ishin për t’u pasur zili.
Në një hadith të transmetuar nga Buhariu, njëra nga gratë e tij tregon se zjarri në shtëpitë e tyre mund të rrinte një deri në dy muaj pa u ndezur, ngaqë nuk kishte asgjë për të gatuar. I vetmi mjet mbijetese ishin hurma arabe dhe uji. Nganjëherë kësaj diete i shtohej edhe qumështi i dhisë, të cilin ia dhuronin banorët e Medinës. Në librin e tij, Martin Lings thotë: “Profeti dhe familja e tij jetonin një jetë plot kursime. Aishja (r.a) tregon se përpara pushtimit të Hajberit, ajo nuk kishte ngrënë kurrë hurma aq sa të ngopej. E tillë ishte varfëria e këtyre njerëzve. Gratë e Profetit (a.s) nuk i kërkuan atij kurrë ndonjë gjë, përveç atyre gjërave më të nevojshme për jetë.”
Kjo nuk ishte thjesht një sakrificë e përkohshme, por një mënyrë të jetuari. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Muhamedi (a.s) po të donte mund të kishte jetuar si mbret. Në të vërtetë, pati dhe një farë proteste nga gratë e tij, se përse duhej të vazhdonin të jetonin në varfëri, kur mund të notonin në luks. Profeti (a.s) u shqetësua nga kjo pakënaqësi. Atij i erdhi një shpallje, e cila e urdhëronte që t’u thoshte grave të zgjidhnin, ose Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ose shkëqlimin e përkohshëm të kësaj bote. Allahu i Madhëruar thotë: “O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë. Por nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.”[1]
Duke përshkruar dhomën e Profetit (a.s), Omer ibn Hatabi (r.a) thotë: “Vura re se dhoma kishte gjithë-gjithë vetëm tri lëkurë të thara dhe një grusht elb të hedhur në qoshe. Hodha vështrimin përreth, por syri nuk më zuri asgjë tjetër. Nga sytë më dolën lot. Ai më tha: Përse po qan? Unë iu përgjigja: O i Dërguar i Allahut! E si të mos qaj, kur shoh së në ç’gjendje ndodhesh. Unë po t’i shoh shenjat e hasrave në trupin tënd dhe gjithashtu po shoh se çfarë ke në këtë dhomë. O i Dërguar i Allahut! Lutu që Allahu të na japë të ngrëna të bollshme. Si ka mundësi që persët dhe bizantët, të cilët nuk janë në fenë e vërtetë dhe nuk adhurojnë Allahun, mbretërit e tyre Kisra dhe Çezari jetojnë në kopshte të lulëzuara e buzë shatërvaneve të pastër, ndërsa Profeti i zgjedhur dhe robi i nënshtruar i Allahut jeton në një varfëri të plotë?! Profeti (a.s) i cili deri në atë kohë ishte i mbështetur mbi jastëk, kur më dëgjoi të flisja në këtë mënyrë, u ngrit dhe më tha: O Omer! Vazhdon akoma të dyshosh për këtë gjë?! Qetësia dhe rehatia në botën e përtejme janë shumë më të mira, se sa qetësia dhe rehatia në këtë jetë. Të pafetë po shijojnë shumë të mira në këtë botë, ndërsa për ne këto të mira janë rezervuar të tëra në jetën tjetër. Unë kërkova ndjesë: O i Dërguar i Allahut! Të lutem më fal! Ishte me të vërtetë një gabim nga ana ime.”
Dikush e pyeti Aishen (r.a) se si e kishte krevatin Profeti (a.s) në shtëpinë e tij. Përgjigja e saj ishte: Ai është bërë me lëkurë të mbushur me gjetthe palmash.
Dhe kur Hafsës iu drejtua një pyetje e ngjashme, ajo u përgjigj: Përbëhej nga një copë kanavacë, të cilën unë ia shtroja më dysh qysh para se ai të flinte. Njëherë duke dashur t’ia bëj më të rehatshme, unë ia shtrova në katërsh. Mëngjesin tjetër ai më pyeti: Çfarë ishte ajo që më shtrove mbrëmë? Unë iu përgjigja: E njëjta copë, vetëm se nuk e kisha palosur dysh, por katërsh. Ai tha: Lëre ashtu si qe më parë. Rehatia e madhe i zë udhë faljes së natë.”
Privimet e Muhamedit (a.s) ishin të vetë imponuara, sepse kurdoherë që merrte ndonjë dhuratë, ai ia shpërndante atë të varfërve dhe nuk pranonte të merrte asgjë për vete. Kur Muhamedi (a.s) vdiq, nuk kishte kurrfarë parash. Pasuria e vetme ishin 7 dinarë, të cilat ia shpërndau të varfërve disa ditë përpara se të vdiste duke pasur frikë se mos i linte pas. Gjithashtu thuhet se kur ai (a.s) vdiq ndonëse kishte arritur mjaft fitore dhe bëma, ai i kishte një borxh një çifuti, tek i cili kishte lënë mburojën e tij si peng.
Ka edhe plot raste të tjera, të cilat tregojnë se jeta e Muhamedit (a.s) nga fillimi i profetësisë deri në vdekje ishte një jetë vazhdimisht e kursyer dhe plot privime. Ideja se qëllimi i i tij ishte përfimi material nuk përputhet me faktet historike, ashtu sikurse thuhet në Enciklopedinë e Re Katolike: “Thuhet se frymëzimi kryesor që e shtyu Muhamedin për të kryer revolucionin e tij fetar ishte thjesht përfitimi ekonomik. Kjo hipotezë nuk përshtatet me faktet që ne njohim.”
Autor: Hamza Mustafa Njozi
Përktheu: Altin Koli.
[1] – Sure Ahzab: 28 – 29.