Pozita e namazit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Tashmë e ke kuptuar – Allahu i Madhëruar të nderoftë – se “Vëllezërit Muslimanë” kanë bindjen, se feja islame posedon metodat më efikase për edukimin shpirtëror, për gjallërimin e zemrës dhe përsosjen e moralit. Ata e kanë përvetësuar besimin e tyre nga drita Islame dhe kanë zgjedhur frymën islame si burim për jetën e shpirtit.

Të jesh i sigurt se “Vëllezërit Muslimanë” kanë bindjen, se pozita e namazit në Islam është si pozicioni i kokës në trup. Namazi është shtylla e Islamit, është pika mbështetëse e kësaj feje, është direku i saj, është simboli i kësaj feje, është manifestimi i saj i përjetshëm dhe argumenti i fesë, derisa të ketë jetë në tokë. Gjithashtu, namazi është kënaqësia e syve, qetësia e ndërgjegjes, është shoqëruesi i shpirtit dhe gëzimi i zemrës, është lidhja mes robit dhe Krijuesit. Namazi është mjeti, me të cilin lartësohen zemrat e të dashuruarve për tek pozita më e lartë (Xheneti), kështu që i dashuruari begatohet në shoqërinë e këtij adhurimi, gëzohet dhe qetësohet në kopshtet e këtij vendi të shenjtë, në të cilin bashkohen shkaqet e lumturisë së botës së padukshme dhe të dukshme. Namazi është armë që shkrep zjarr në shpirtin e njeriut, është mjaltë që e përjeton ai, i cili di të shijojë ëmbëlsinë e tij.

Pash Zotin! A ke parë diçka më të këndshme, më të ëmbël, më të arrirë dhe më të pastër, sesa një person të përkushtuar dhe adhurues, i cili përkulet në sexhde, fal shumë namaz gjatë natës, ruhet nga ndëshkimi në Ahiret dhe shpreson mëshirën e Zotit të tij, ndërkohë që sytë e të tjerëve flenë, apo qepallat u janë rënduar, trupat u janë qetësuar nëpër shtrate dhe çdo i dashuruar është veçuar me Atë që do. Sakaq ftuesi, i cili e njeh Allahun dhe ata që e duan Atë, thërret:

“Të qëndrosh zgjuar, por jo për hatrin Tënd

Është humbje e plotë.

Ndërsa vajtimi i syve jo për shkakun Tënd,

Është vajtim i kotë”.

Ah o vëllai im! Vetëm një nga këto përjetime në namaz është më e dobishme për njeriun dhe më e pastër për shpirtin sesa 1000 këshilla, sesa 1000 romane prekëse, apo 1000 ligjërata. Provoje dhe do ta shikosh! Për këtë shkak, ata janë përmendur në Kuran dhe për ta flet ajeti i punëmirëve: “…meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu)”.([1]) Për këtë arsye, edhe shpërblimi i tyre ka qenë i lartë dhe i fshehur:

Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë”.([2]) A nuk ishte e fshehtë puna e tyre?! A vlen vetmimi në prani të mbikëqyrësve?! A e përjeton i dashuruari ëmbëlsinë, pa u veçuar me Atë që do?! A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!

Tregohet se Ebu Kasim Xhunejdi është parë në ëndërr pasi ka ndërruar jetë dhe është pyetur: “Çfarë ka bërë Allahu i Madhëruar me ty”?! Ai është përgjigjur: “U zhdukën orientimet, u shuan fjalët, iku vlera e diturisë, humbën formalizmat (ato punë që kemi bërë) dhe nuk na bëri dobi asgjë tjetër përveç disa rekateve që i falnim në mes të natës”.

Lexues i nderuar! Mos u çudit nga fakti se nuk ka dobi më të madhe për zemrën, sesa veçimi me Allahun, kur Ai pushton fushën e mendimit. Zemra pastrohet më mirë, kur fal disa rekate me përkushtim, rekate që pastrojnë zemrën, shkrijnë ndryshkun  e mëkateve, lajnë ndotjen e të metave, hedhin në zemër dritën e besimit dhe e ngrohin kraharorin me bindje të sigurtë.

Në lidhje me namazin, muslimanët e sotëm ndahen në disa grupe të ndryshme:

Një grup prej tyre e kanë humbur fare si detyrë, e kanë neglizhuar, e kanë braktisur dhe e kanë injoruar. Kur ti ua përkujton atyre namazin, apo kur u flet atyre për të, tundin kokat, të pengojnë nga e vërteta, tregohen mendjemëdhenj dhe refuzues, duke e konsideruar atë si diçka të lehtë, ndërkohë që tek Allahu i Madhëruar kjo çështje është shumë e rëndë dhe shumë e madhe. Nuk dua të përmend faktin se në mesin e tyre ka edhe nga ata që ndalojnë nga falja e namazit, nënçmojnë ata që falen, apo e përshkruajnë atë që falet si të prapambetur, gdhë dhe të mykur. Prej tyre dhe të ngjashmëve me ta, ti dëgjon shumë ofendime, shumë pretendime të çuditshme, dëgjon fjalë që të habisin dhe të lënë pa mend. Ata sikur nuk e kanë dëgjuar fjalën e Allahut të Madhëruar: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet”.([3])

Habia dhe shashtisja të shtohet akoma më shumë, kur merr vesh se disa nga ata që punojnë për thirrjen islame, që kanë zënë karriget për të mbrojtur çështjen islame, janë neglizhentë në faljen e namazit, duke e nënvlerësuar rëndësinë e tij, a thua se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) nuk e ka thënë qartë se namazi është shtylla e fesë dhe farz për besimtarët. Këta sikur nuk e kanë dëgjuar fjalën e tij (Paqja qoftë mbi të!): “Ajo që e ndan njeriun nga shirku është namazi. Kur njeriu nuk falet, ai ka bërë shirk”.([4])

Ne nuk e marrim mundin që t`i bindim ata për diçka që është më e qartë se agimi, më e shndritshme se drita dhe më e dukshme se dielli, por ne i lutemi Allahut të Madhëruar për veten tonë dhe për ta, që të na udhëzojë për tek më e mira dhe të na japë sukses të plotë.

Kemi edhe dy grupe të tjera muslimanësh:

Tek njëri grup hyjnë pjesa më e madhe e njerëzve – madje shumica e tyre. Ata e falin namazin si robotë, pasi e kanë trashëguar nga prindërit e tyre dhe e kanë bërë rutinë me kalimin e ditëve. Pjesa më e madhe e njerëzve të thjeshtë nuk i dinë sekretet e namazit dhe as nuk i përjetojnë efektet e tij. Ndonjërit prej tyre i mjafton shqiptimi i fjalëve, lëvizjet e trupit dhe kryerja siç duhet e veprimeve dhe pasi e mbaron namazin ka bindjen se e ka shlyer detyrimin, e ka falur namazin, ka shpëtuar nga ndëshkimi dhe e ka marrë sevapin!! Ky është hamendësimi tyre dhe këtu nuk ka asgjë të vërtetë.

Fjalët dhe veprimet janë trupi i namazit, kuptimi i tyre është shpirti i namazit, përkushtimi është themeli i tij, ndërsa ndikimi prej këtyre është shtylla e namazit. Është transmetuar në hadith: “Namazi është përkushtim, thjeshtësi, përgjërim, përdjegie e brendshme…”.([5])

Për këtë shkak, shikon se pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë dobi prej namazit të tyre, pasi ai (namazi) nuk bëhet shkak për t`i ndaluar nga ligësitë dhe e urryera. Nëse personi do të ishte falur si duhet, do të kishte si fryt pastrimin e shpirtit dhe pastërtinë e zemrës. Për rrjedhojë, namazi do ta pengonte namazliun nga kryerja e mëkateve dhe zhytja në harame.

Tek grupi tjetër bëjnë pjesë një numër i vogël njerëzish. Ata i kanë kuptuar konceptet që burojnë nga sekretet e namazit. Ky grup përpiqet me seriozitet, që ta realizojë qëllimin e namazit dhe punon që ta përsosë atë. Ai që bën pjesë në këtë grup, falet me përkushtim, me ndërgjegjësim, me qetësi dhe meditim. Ai del nga namazi, ndërkohë që e ka shijuar ëmbëlsinë e adhurimit, është ndikuar nga ndjenjat e përkushtimit dhe është ndriçuar me dritën e Allahut, e cila shfaqet për ata që e kanë lidhur shpirtin e tyre me madhështinë e njohjes së Tij. Në një hadith thuhet: “Kush e fal namazin në kohën e tij, duke marrë abdes në formën më të përsosur, duke plotësuar qëndrimin (Kijam) në namaz, duke qenë i përulur ndaj Allahut, duke plotësuar rukunë dhe sexhden, namazi i del i bardhë dhe thotë: “Allahu i Madhëruar u përkujdestë për ty (të ruajtë), ashtu siç u përkujdese ti për mua. Kush e fal namazin jashtë kohës së tij, duke mos marrë abdes si duhet, duke mos e plotësuar kijamin, rukunë, sexhden dhe duke mos qenë i përulur gjatë namazit, namazi i del i errët dhe thotë: “Allahu të shkatërroftë, ashtu siç më shkatërrove mua”. Më pas, merret namazi nga aty ku ka dashur Allahu të jetë, mbështillet siç mbështillet rroba e vjetëruar dhe i përplaset në fytyrë atij që e ka falur”.([6])

Prandaj niveli i njerëzve në namaz dhe shpërblimi i tyre për të është i ndryshëm, megjithëse në pamje, formë, fjalë dhe vepra namazi kryhet njësoj nga të gjithë.

Për këtë arsye, selefët e përkushtuar – Allahu qoftë i kënaqur me ta – përkujdeseshin maksimalisht që zemrat e tyre të ishin të pranishme në namazin që falnin dhe përkushtimi të ishte i plotë në adhurimet e tyre. Për këtë arsye, cilësia e parë – me të cilën janë përshkruar besimtarët – është: “…të cilët janë të përulur (përkushtuar) në namazin e tyre”.([7])

“Vëllezërit Muslimanë” e kanë mësuar mirë një gjë të tillë, prandaj kanë stërvitur veten e tyre me namaz, janë munduar të futen në të dhe një nga treguesit më të dukshëm praktikë të tyre është: falja e namazit ashtu siç kërkohet. “Vëllezërit Muslimanë” kanë bindjen, se nëpërmjet namazit ndjekin rrugën më të afërt për reformimin e veteve dhe pastrimin e shpirtrave: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit”.([8])

O vëlla musliman! Kuptoje mirë këtë dhe bëhu shembull i përkushtimit në namaz, bindu se hapi i parë për të bashkëvepruar me ne, është që të falim namazin siç duhet dhe po ashtu të japim edhe zekatin.

Të dyja këto janë detyra([9]), të cilat Allahu i Madhëruar i ka bërë mburojë të fesë dhe manifestim të Sheriatit. Allahu i Madhëruar i ka përmendur së bashku (namazin dhe zekatin) në shumë ajete të Librit të Tij Fisnik, duke tërhequr vëmendjen për vlerën e madhe që kanë dhe për të vënë në dukje pozitën e tyre. E theksojmë edhe njëherë, se këto dy detyra janë namazi dhe zekati. Nëpërmjet namazit rregullohen lidhjet mes teje dhe Allahut të Madhëruar. Nëpërmjet zekatit rregullohen lidhjet mes teje dhe krijesave. A ka në ekzistencë diçka tjetër përveç Krijuesit dhe krijesave?! Nëse raporti i besimtarit me namazin dhe zekatin është ashtu siç duhet, atëherë ai ka arritur objektivin e reformimit dhe kulmin e lumturisë.

Autor: Hasan El Benna

Përktheu: Rushit Musallari

([1]) – Kurani: Dharijat, ajeti: 16-18.

([2]) – Kurani: Sexhde, ajeti: 17.

([3]) – Kurani: Maun, ajeti: 4-5.

([4]) – Hadith i vërtetë. Ibn Maxheh (1080).

([5]) – Hadith me premisë për të qenë i pranuar. Ebu Daudi (1296), Tirmidhiu (385), Nesai në “Sunenul`-Kubrâ”, (616), Ibn Maxheh (1325), Ibn Khuzejmeh (1212) dhe Ahmedi (1/211). Shiko Musnedin e Ahmedi (1799) me verifikim të Ahmed Shakirit, i cili bën një analizë të hollësishme për vargun e hadithit.

([6]) – Hadith i pranuar. Tajalisi (586), Darimiu (1262), Taberaniu në “Eusat”, (3095) dhe Bejhakiu në “Shuabu`l-Îmân”, (2871).

([7]) – Kurani: Mu`minun, ajeti: 2.

([8]) – Kurani: Bekare, ajeti: 153.

([9])– Revista “El-Ikhuânu`l-Muslimîn”, nr 22, viti i 2 i botimit, 25 Xhumadel Thani 1353 Hixhri/ 5 tetor 1934, faqja (3-6).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.