Konteksti i këtij rregulli:
Ky rregull është një ndër ata rregulla që shpjegon nocionin e dobisë dhe dëmit. Ky rregull shpjegon se kur dobia konsiderohet dobi dhe kur dëmi konsiderohet dëm. Ky rregull është nxjerrë nga konteksti i fjalëve të imam Shatibiut, i cili ndër të tjera ka thënë: (Dobitë dhe dëmet e kësaj bote kuptohen mbi bazë të mbizotërimit. Nëse tek një gjë mbizotëron dobia atëherë ajo nënkuptohet si e tillë, e nëse tek ajo gjë mbizotëron dëmi atëherë ajo konsiderohet si e tillë. Prandaj një veprim i cili mbart dy qasje[1] ai konsiderohet si dobi apo dëm nga ajo anë që prevalon më shumë. Nëse në atë veprim prevalon dhe mbizotëron dobia atëherë themi se ai veprim konsiderohet dobi, të cilën duhet ta veprojmë. E nëse në atë veprim prevalon dhe mbizotëron dëmi atëherë themi se ai veprim konsiderohet i tillë, të cilin duhet ta evitojmë.)[2]
Shpjegimi i këtij rregulli:
Në përgjithësi, në shumë raste vërejmë se dobitë dhe dëmet përzihen dhe përzihen me njëra – tjetrën. Kjo do të thotë se në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me dobi të plotë (100%) ashtu sikur nuk kemi të bëjmë me dëm të plotë (100%). Imam Izudin Abdu Selami ka thënë: (Dije se rrallherë mund të hasësh në një dobi të plotë.)[3]
Kështu që kur ne themi se në një veprim të caktuar ka dobi, gjë për të cilën sheriati ka urdhëruar për ta vepruar, kjo nuk do të thotë se ajo është dobi e plotë dhe se ajo në vetvete nuk mbart ndonjë dëm apo humbje. Përkundrazi ajo që themi është se në këtë veprim dobia mbizotëron ndaj dëmit. Megjithatë në disa raste themi se në një veprim të caktuar ka dobi të plotë (100%), por kjo ndodh rrallherë.
Po ashtu kur themi se në një veprim të caktuar ka dëm, gjë për të cilën sheriati ka ndaluar të veprohet, kjo nuk do të thotë se në atë veprim ka dëm të plotë dhe se në të nuk ka ndonjë dobi. Përkundrazi ajo që themi është se në këtë veprim, dëmi mbizotëron ndaj dobisë. Megjithatë në disa raste themi se në një veprim të caktuar ka dëm të plotë (100%) por kjo gjithashtu ndodh rrallherë.
Argumentet e këtij rregulli:
Argument për këtë rregull është metoda e induksionit, sepse shumica e obligimeve dhe dispozitave fetare përmbajnë dobi të përzier me dëm, sado i vogël qoftë, ashtu sikur përmbajnë dëm të përzier me dobi, sado e vogël qoftë ajo. Shembujt e mëposhtëm janë ilustrimi më i mirë i kësaj gjëje që po themi.
Argument i këtij rregulli është edhe ajeti kuranor: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: Që të dyja janë mëkat i madh, por ka edhe dobi (të pakëta) për njerëzit.”[4] Ndalimi i pirjes së verës (alkoolit) dhe luajtjes së bixhozit, nuk e mohon faktin se prej atyre të dyjave, disa njerëz kanë përfitime dhe dobi. Por duke qenë se dëmet janë më të mëdha dhe mbizotërojnë, atëherë themi se pirja e verës (alkoolit) dhe luajtja bixhoz janë haram.
Shembuj praktik të këtij rregulli:
1 – Kërkimi i dijes konsiderohet dobi, për të cilën kanë rënë dakord jo vetëm myslimanët, por të gjithë njerëzit anembanë botës. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm se kërkimi i dijes kërkon përpjekje dhe sakrificë të madhe, përfshirë udhëtimin dhe shpenzimin e pasurisë, jo vetëm në rrafsh individual dhe familjar, por edhe në rrafsh shtetëror. Jo vetëm kaq, por gjatë kërkimit të dijes, njeriu mund të përballet me vështirësi, rreziqe dhe pasoja të padëshirueshme, ashtu sikurse mund të humbasë mundësi të mira përfitimi. Të gjitha këto gjëra – të lartpërmendura – në vetvete, konsiderohen dëme dhe humbje. Kështu që kërkimi i dijes nuk mund të konsiderohet dobi e plotë (100%), por ajo që themi në këtë rast është se dobia mbizotëron dhe prevalon ndaj dëmit dhe si rrjedhojë merret në konsideratë. Në këtë kontekst, na mjafton të përmendim si dëm armët e shkatërrimit në masë që janë rezultat i dijes dhe studimeve shkencore.
2 – Martesa konsiderohet dobi e domosdoshme dhe ajo ka një rëndësi të madhe në Islam. Ajo është baza e të gjitha shoqërive njerëzore. Megjithatë gjatë jetës martesore herë pas here lindin shumë probleme, konflikte, grindje, lodhje e vështirësi, të vogla apo të mëdha, të cilat janë të dëmshme. Mirëpo pavarësisht këtyre gjërave të dëmshme themi se dobia mbizotëron ndaj dëmit dhe si rrjedhojë merret në konsideratë.
3 – Izudin Abdu Selami ka thënë: (Ushqimet, pijet, veshjet, martesa, mjetet e transportit dhe banesat nuk mund të arrihen veçse me përpjekje të vazhdueshme… Përpjekja për t’i siguruar këto gjëra është e vështirë për shumicën e njerëzve dhe nuk mund të arrihen veçse me mund dhe lodhje. Edhe kur këto gjëra sigurohen, ato shoqërohen me sprova dhe vështirësi që i prishin (të mirën materiale të tyre) dhe i bëjnë të pakëndshme.
Sa i përket ushqimit dhe pijes, njeriu fillimisht ndjen dhimbje nga dëshira për to, pastaj përjeton lodhje në përpjekjet për t’i siguruar ato. Dhe më pas, pasi të jenë konsumuar, ato shndërrohen në papastërti dhe ndotje, duke kërkuar më tej mund për t’u pastruar, si p.sh. larja e duarve, etj.)[5]
4 – Bixhozi dhe vera[6] (alkooli) janë dëme. Prej dëmëve të bixhozit mund të përmendim humbjen e pasurisë, papunësinë, grindjet, prishjen e familjes, etj. Por një dobi e bixhozit është se personi që fiton para nëpërmjet tij kënaqet, plus vetë loja e bixhozit të jep adrenalinë. Mirëpo duke qenë se dëmet që sjell bixhozi janë më të mëdhaja se dobitë, atëherë themi se bixhozi konsiderohet dëm. Po ashtu prej dëmeve të verës (alkoolit) mund të përmendim përkeqësimin e shëndetit, grindjet, shpenzimin e tepërt të kohës dhe parave, humbjen e mendjes, njeriu flet fjalë të pahijshme vend e pavend, është punë prej punëve të shejtanit, etj. Nga ana tjetër mund të themi se ai që pi alkool ndjen kënaqësi dhe kjo është dobi. Megjithatë duke qenë se dëmi i alkoolit është më i madh se dobia e tij, atëherë themi se alkooli është haram dhe konsiderohet dëm.
Autor: Ahmet Rejsuni
Përkheu: Elton Harxhi
[1] – Që mbart edhe dobi edhe dëm. Sh.pk.
[2] -“El Muuafekat” i imam Shatibiut, fq: 2/26.
[3] -“Kauaidul Ahkam fi Mesailil Enami” i Izudin Abdu Selamit, fq: 1/5.
[4] – Sure Bekare: 219.
[5] – “Kauaidul Ahkami fi Mesalihil Enami” i Izudin Abdus Selamit, fq: 1/5.
[6] – Autori nuk ka dhënë shembull të dëmit jo 100% të plotë, megjithëse e ka cekur tek argumentet e këtij rregulli. Kështu që e shoh me vend që të jap këtë shembull me qëllim që të plotësohet përftimi. Sh.pk.