Surja El Fatiha, iu shpall Profetit a.s kur ishte akoma në Meke. Ajo përmban shtatë ajete dhe është surja e pestë që iu shpall Profetit (a.s) nga Kurani.
Ajo njihet ndryshe si “Nëna e Kuranit” dhe është surja e parë me të cilën fillon Kurani famëlartë. Namazi nuk pranohet, nëse nuk lexohet kjo sure, gjë e cila tregon mbi rëndësinë dhe vlerat e saj. Më e pakta, sureja El Fatiha lexohet shtatëmbëdhjetë herë në ditë nga një person që falet.
Një herë, Profeti a.s i tha njërit prej shokëve të tij:”Do të të mësoj suren më madhështore të Kuranit.”
Shoku i tij e pyeti:”Cila është ajo o i dërguar i Allahut?”
Dhe Profeti (a.s) i lexoi suren El Fatiha.
Në një ajet, Zoti e përmend indirekt suren fatiha ku thotë:” Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.” (Hixhr 87)
Zoti i përmend shtatë ajetet e sures El Fatiha, sikur janë të shkëputura nga Kurani, sikur janë Kuran më vetë.
Padyshim që kur përmend vlerat dhe mirësitë e kësaj sureje, të lindin disa pyetje:”Përse gjithë këto vlera të kësaj sureje? Përse Kurani duhej të fillonte me këtë sure? Përse quhet nëna e Kuranit?”
Kjo, pasi sureja El Fatiha, edhe pse përmban vetëm shtatë ajete, përfshin dhe përmbledhd të gjithë kuptimet dhe domethëniet e Kuranit famëlartë. Kështu, sureja Fatiha i përngjan një përmbledhjeje të Kuranit.
Vetë Kurani famëlartë, në vetvete përmban tre gjëra:
Besim.
Adhurim.
Sistem jete.
Kështu, gjëja e parë që Kurani e fton njeriun është të besojë në Zotin e madhëruar, Krijuesin e tij. Pas kësaj, ai e fton që t’a adhurojë dhe t’i bindet Zotit. Por të besosh dhe të adhurosh Zotin, është e pamjaftueshme. Ti edhe duhet të jetosh sipas udhëzimeve, porosive dhe ligjeve të Zotit. Duhet që patjetër të jetosh sipas sistemit dhe ligjeve të caktuara prej Tij.
Është pikërisht ky boshti i sures El Fatiha. Kushdo që e lexon këtë sure, gjen që ajo flet për besimin rreth Zotit (akide). Ajetet që flasin mbi këtë temë janë:
“Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.”
Ajetet që flasin mbi adhurimin e Zotit janë:”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”
Kurse ata që flasin mbi sistemin dhe mënyrën e jetesës:
“Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”
Përveçsa përmendëm, surja Fatiha të rikujton gjërat themeltare të islamit. Ajo të kujton të mirat dhe begatitë e Zotit:” Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”
Ajo të kujton sinqeritetin që ti o besimtar duhet të tregosh para Zotit dhe kjo shfaqet tek ajeti:” Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”
Ajo të kujton dhe të porosit që të shoqërohesh me njerëz të mirë:”Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi” dhe njëkohësisht të paralajmëron dhe tërheq vëmendjen nga shoqërimi me njerëz të këqinj:”e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”
Ajo të kujton emrat dhe cilësitë e bukura të Allahut:” Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.”
Ajo të kujton dhe të nxit që të ndjekësh rrugën e drejtë:”Udhëzona në rrugën e drejtë!”
Ajo të kujton rëndësinë e lutjes dhe duasë dhe kjo duket qartë në gjysmën e dytë të kësaj sureje, e cila përbëhet nga lutje.
Ajo të kujton unitetin e umetit musliman dhe kjo shfaqet qartë në çdo ajet, i cili fillon dhe përfundon me numrin shumës.
Përveç sa përmendëm, sureja El Fatiha në mëson edhe etikën e komunikimit me Zotin e madhëruar. Gjysma e parë e sures përmban lëvdata për Allahun, kurse gjysma e dytë përmban lutje të drejtuara Zotit. Nëse do i numërojmë shkronjat e Fatihasë, do gjejmë që gjysma e tyre përmbajnë lavde për Zotin, kurse gjysma tjetër lutje. Prandaj, është në etikën e lutjes, që fillimisht të fillojmë me lëvdata për Allahun, emrat e Tij të bukur dhe pastaj lutemi për hallet tona.
Thotë Profeti a.s në një hadith:“E kam ndarë namazin mes Meje dhe robit Tij. Kur robi thotë:”Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve” Unë them:”Më lavdëroi robi Im. Kur robi thotë:” të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit” Unë them:”Më lartësoi robi Im. Kur thotë:” Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” Unë them:”Më glorifikoi robi Im. Kur thotë:” Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Unë them:”Kjo është mes Meje dhe robit Tij.” Kur thotë robi:” Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” Unë them:”Kjo është mes Meje dhe robit Tim dhe robit Tim do i jepet ajo qër kërkon.”
Kur Omer ibnu Abdul Aziz e lexonte suren El Fatiha, qëndronte i heshtur pas çdo ajeti që lexonte. Kur dikush e pyeti mbi këtë heshtje pas çdo ajeti që lexon, ai i tha:”Dua t’a shijoj përgjigjen që jep Zoti pas çdo ajeti.”
Prandaj unë të këshilloj ty o vëlla dhe o motër që sa herë të lexoni suren El Fatiha, t’i keni parasysh fjalët dhe përgjigjen e Zotit të madhëruar.
Ibn Kajjimi thotë:”Zoti ka shpallur njëqind e katër libra qiellorë. Të gjithë këto, Zoti i ka përmbledhur në tre libra; Teuratin, Ungjillin dhe Kuranin. Më pas Zoti i përmblodhi këto të tre, në një libër të vetëm, Kuranin. Të gjithë Kuranin, Zoti e ka përmbledhur në një sure të vetme, El Fatihanë. Të gjithë suren El Fatiha, Ai e ka përmbledhur në një ajet të vetëm:”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” Nuk mund të adhurohet Zoti, veçse me ndihmën e Tij. Për këtë, t’i kërkosh ndihmë Zotit, është thelbi i islamit.”
Përse është quajtur me këtë emër (El Fatiha)?
Ajo që shumë njerëz e njohin dhe e përmendin më shpesh, është se kjo është surja e parë me të cilën fillon Kurani famëlartë. Kurse disa dijetarë të tjerë thonë se shkaku qëndron në faktin se kjo sure është çelësi i Kuranit. Të gjithë kuptimet dhe vlerat e Kuranit, janë përmbledhur në këtë sure. Kështu, nëse ti e kupton siç duhet këtë sure, e ke më të lehtë të kuptosh suret e tjera.
Siç thamë dhe më lart, çdo sure e Kuranit ka lidhje me atë që është para dhe pas saj. Kurse Fatihaja, është surja e vetme të cilën mund t’a vendosësh para apo pas çdo sureje tjetër.
Fjalët e fundit të sures El Fatiha janë:” e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”
E gjithë sureja Bekare, e cila është surja më e gjatë në Kuran, merret me shpjegimin e këtyre fjalëve. Ajo trajton ata të cilët fituan zemërimin e Zotit, çifutët. Kurse sureja Al Imran, trajton të humburit, të krishterët.
Fjalët e para të sures El Fatiha dhe të vetë Kuranit janë:”Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve”
Sikur ky ajet përmban një mesazh të rëndësishëm, që ky libër, Kurani, është udhëzues për mbarë botët.
Një karakteristikë tjetër e sures Fatiha, është se ajo është e lehtë për t’u mësuar dhe përmban rregulla leximi (texhvid) të lehta.
Çdo ditë dhe çdo rekat që të lexosh suren El Fatiha, lexoje me ndjenjën që ajo përmbledh të gjithë Kuranin famëlartë.
Lexoje edhe në këto çaste dhe përpiqu t’a ndjesh me zemër atë që lexon:
“Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve” Çdo e mirë dhe begati, e ka burimin prej Teje o Allah i gjithëpushtetshëm.
të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit” Mëshira Jote o Zot, është zanafilla e relatave të mia me Ty. Ti je i gjithëmëshirshëm dhe mëshirëplot.
“Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” Zoti është i gjithëmëshirshëm dhe mëshirëplotë, por Ditën e Gjykimit do kërkojë llogari për gjithçka ke vepruar në këtë botë.
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Duke njohur cilësitë e Zotit, kë tjetër mund të adhurosh dhe t’i bindesh përveç Tij? Na ndihmo o Zot që të të adhurojmë siç duhet!
“Udhëzona në rrugën e drejtë!” O Allah! Jeta e kësaj bote është një segment i cili na afron me botën tjetër. Prandaj, na ndihmo t’a kalojmë jetën duke iu përmbajtur rrugës së drejtë.
“Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi” Unë e kam të vështirë t’i përmbahem rrugës së drejtë duke qenë i vetëm. Prandaj më udhëzo dhe më ndihmo të qëndroj në rrugën e atyre që u ke dhënë mirësi. Sa herë të falesh dhe të lexosh këtë ajet, kujto profetët dhe të dërguarit e Zotit, kujto profetin Ibrahim, Muhamed a.s etj… Herë të tjera kujto Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun etj… Herë të tjera kujto besimtarët dhe njerëzit e ndershëm që ti njeh dhe shoqërohesh. “e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” Kur të lexosh këto fjalë, herë kujto armiqtë dhe kundërshtarët e profetëve, herë të tjera kujto persona të caktuar, Ebu Lehebin, Ebu Xhehlin dhe çdo njeri që lufton islamin.
Në këtë mënyrë, ti e përjeton suren El Fatiha në çdo detaj dhe hollësi.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Autor: Amer Halid