Fisi i Themudit ishte një nga ato popuj të lashtë arabë, që jetuan shumë kohë përpara lindjes së Ibrahimit (a.s). Vendbanimi i tyre ndodhej në rajonin e Hixhrit, një krahinë ndërmjet viseve të Hixhazit dhe Shamit. Ata ishin zotër të mjeshtërisë dhe të ndërtimit, banonin në shtëpi të gdhendura në shkëmbinj dhe jetonin në rehati në një tokë të begatë. Por përkundër gjithë kësaj, zemrat e tyre qenë ngurtësuar nga adhurimi i idhujve duke e harruar Krijuesin e vërtetë.
Allahu i Lartësuar u dërgoi atyre një profet nga mesi i tyre — Salihun (a.s) — njeri me shpirt të dëlirë, që t’i ftonte në besim e drejtë dhe t’i largonte nga devijimi. Ai iu kujtoi të mirat që Allahu u kishte dhënë dhe i ftoi të adhuronin vetëm Atë, por krenaria e verbër dhe mendjemadhësia i bëri që të përbuzin fjalën e vërtetë. Historia e tyre, e rrëfyer në Kuran, mbetet një dëshmi e qartë e fatit të atyre që refuzojnë të vërtetën pas ardhjes së argumentit.
Detyra dhe misioni i Salihut (a.s)
Nuk ka dyshim se misioni i Salihut (a.s) ishte në harmoni të plotë me misionin e gjithë profetëve që i paraprinë dhe atyre që erdhën pas tij: thirrja drejt njëshmërisë së Allahut dhe adhurimit të Tij të vetëm. Zëri i tij i sinqertë jehonte ndër fisin e vet, kur thoshte “O populli im, adhuroni vetëm Allahun. Ju nuk keni zot tjetër përveç Atij.”[1]
Veç thirrjes që i ftonte drejt Një të Vetmi Zot, Salihu (a.s) i ftoi njerëzit e tij të linin pas krahëve rrugët e shkatërrimit. Me fjalë që kishin peshë në ndërgjegje, ai u tha: “E mos u bëni shkatërrues në tokë.”[2] Ishte një thirrje që vinte nga thellësia e urtësisë profetike, për të ndalur rrjedhën e mbrapshtë të një populli që kishte humbur busullën e drejtësisë.
Shenjat dalluese në thirrjen e Salihut (a.s):
Teksa lexojmë ajetet e Kuranit që flasin për thirrjen që Salihu (a.s) i bëri popullit të tij, Themudit do të vërejmë se ai (a.s) është shumë i qartë në atë që i thërret: “O populli im, besojeni Allahun (Një), nuk keni zot tjetër përveç Tij. Ja ju erdhi argumenti nga Zoti jua, kjo deveja është mrekulli për ju. Lëreni këtë të lirë të hajë në tokën e Allahut dhe kurrësesi mos i bëni keq, e t’ju kapë dënim i dhembshëm. Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtonit pallate, kurse në kodrina ndërtoni shtëpia, përkujtoni të mirat e Allahut, e mos u bëni shkatërrues në Tokë.”[3] Pra ai (a.s) i thirri – qartësisht – ata që të adhuronin vetëm Allahun, të mos e lëndonin devenë, të përkujtonin mirësitë e Allahut dhe mos të bënin shkatërrime të Tokë.
Salihu (a.s) qysh në fillim të thirrjes së tij dhe derisa popullit të tij i erdhi ndëshkimi, i thirri, ia komunikoi mesazhin hyjnor dhe vazhdimisht i këshillonte ata: “Ai u zmbraps prej tyre e tha: O populli im, unë ju komunikova dërgesën e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillni këshilluesit.”[4] Kjo tregon se Salihu (a.s) vazhdimisht i thirri ata në besim, por ata nuk e dëgjuan këshillën e tij.
Veçori dalluese e thirrjes së tij, ashtu sikurse ka qenë edhe e të gjitë profetëve të tjerë, është se ai nuk kërkoi prej tyre ndonjë shpërblim, ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush, shpërblimi im është vetëm prej Zotit të botëve.”[5] Ai e thotë shumë qartë se shpërblimin për thirrjen e tij do t’ia japë vetëm Allahu, Zoti i botëve dhe askush tjetër.
Metodat dhe format qe përdori Salihu (a.s) me popullin e tij
Ashtu siç vepruan Nuhu (a.s) dhe Hudi (a.s) përpara tij, edhe Salihu (a.s) u përpoq me përkushtim që zemrat e njërëzve të anonin drejt besimit të pastër. Ai përdori forma dhe mënyra të shumta, të mbështetura në mençuri e durim profetik. Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar na përcjell disa nga këto metoda, të cilat shpalosin përkushtimin dhe dhembshurinë e tij për udhëzimin e njerëzve:
Salihu (a.s) u rikujtonte njerëzve të popullit të tij mirësitë dhe begatitë hyjnore që Allahu i Madhëruar u kishte dhuruar, me qëllim që të zgjonte te ta ndjenjën e mirënjohjes dhe vetëdijen për Krijuesin. Në Kuranin Famëlartë thuhet: “Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtoni pallate, kurse në kodrina ngreni shtëpi. Përkujtoni të mirat e Allahut!”[6] Ky përkujtim nuk ishte thjesht historik, por barte një mesazh thelbësor: se mirësitë e Allahut duhet të çojnë në përulje, jo në mendjemadhësi; në falënderim dhe jo në shkatërrim.
Salihu (a.s) i ftoi njerëzit e tij që të linin pas mëkatin dhe të ktheheshin me pendim të sinqertë drejt Zotit të tyre. Ai u bëri thirrje që të kërkonin falje nga Ai që është Mëshirues dhe gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur atyre që kthehen me zemër të thyer e me shpirt të përulur, edhe nëse më parë kishin rënë në mëkatin e adhurimit të idhujve. Sepse Allahu i Madhëruar nuk i mbyll dyert e mëshirës për asnjë që sinqerisht pendohet. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë: “Prandaj kërkoni falje prej Tij dhe kthehuni me pendim tek Ai. Padyshim Zoti im është afër dhe i përgjigjet (lutjeve).”[7]
Salihu (a.s), me zemër të mbushur me dhembshuri dhe fjalë të frymëzuara nga drita hyjnore, i ftoi njerëzit e tij që t’i ktheheshin devotshmërisë dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit. Ai kërkoi prej tyre që të kenë frikë të jenë respektues ndaj Allahut të Madhëruar dhe të dëgjojnë me vëmendje fjalët e tij, sepse në bindjen ndaj të Dërguarit qëndron shpëtimi. Zëri i thirrjes së tij, i drejtpërdrejtë e i përshkuar me sinqeritet, është përjetësuar në Kuranin Fisnik, ku Allahu thotë: “Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua.”[8] Ky është thelbi i çdo thirrjeje profetike: respekti ndaj Zotit dhe ndjekja e udhëzimit të Tij, si rruga më e drejtë drejt shpëtimit dhe begatisë së përhershme.
Populli i Themudit – përtej faktit që adhuronin idhujt – ishte zhytur thellë në mëkate dhe gjynahe të shumta. Ata jo vetëm që i kryenin ato pa turp, por edhe kur përballeshin me mundësinë për të bërë vepra të mira ose të këqija, gjithmonë i jepnin përparësi së keqes ndaj së mirës. Ishte ky ves, kjo prirje për ta përzgjedhur rrugën e gabuar, që Profeti i tyre, Saliu (a.s), ua vuri në dukje me fjalët e tij plot urtësi dhe qortim hyjnor: “O populli im, përse nguteni e kërkoni të keqen, para të mirës, pse mos t’i kërkoni falje Allahut që të mëshiroheni.”[9] Ky ajet përmbledh thelbin e sjelljes së njeriut kur ai humb busullën e drejtësisë dhe mëshirës hyjnore. Populli i Themudit nuk ishte më thjesht mohues, por i sëmurë shpirtërisht, ata e ndienin kënaqësinë në të keqen dhe e përbuznin thirrjen për pendim. Thirrja e Salihut (a.s) ishte një ftesë për kthim te Zoti, për falje dhe mëshirë, një dritë shprese që, për fat të keq, ata zgjodhën ta shuajnë me arrogancë dhe kryelartësi.
Salihu (a.s) e dinte mirë se një ndikim negativ tek shumë prej njerëzve të popullit kishin ata njerëz, që ishin të prishur në mendje e në zemër, njerëz të humbur që i ngatërroheshin turmës si prijës, dhe që dëgjoheshin e pasoheshin pa menduar. Ai e kuptonte se ata ishin rrënja e ngurtësimit, zëri i ngatërresës dhe nxitësit e mohimit të së vërtetës. Prandaj edhe u tha: “E mos shkoni pas atyre që janë të shfrenuar (që e teprojnë me vepra të këqija), të cilët bëjnë shkatërrime në tokë dhe nuk veprojnë mirë.”[10]
Me butësinë e një pejgamberi të mëshirshëm dhe me fjalë që buronin nga drita e shpalljes, Salihu (a.s) i ftoi njerëzit e tij të hapnin sytë e zemrës ndaj shenjave të Zotit. Ai u kujtoi se mrekullitë nuk janë veçse thirrje për besim, dhe se në to fshihet mëshira e Krijuesit për ata që mendojnë. Me zë të qetë, por me forcën e së vërtetës, ai tha: “Në të vërtetë, juve ju është dhënë një shenjë e qartë nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju është një mrekulli. Lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe.”[11] Ky ishte një paralajmërim dhe një provë njëkohësisht, shenjë për zemrat që besojnë dhe sprovë për ata që kundërshtojnë. Deveja ishte simbol i mëshirës hyjnore dhe i kujtesës se çdo gjë në tokë është pronë e Allahut, dhe kush ngre dorë kundër shenjave të Tij, në të vërtetë ngre dorë kundër vetë shpëtimit të vet.
Reagimi, akuzat dhe dyshimet e popullit të Themudit kundrejt Salihut (a.s):
Populli i Themudit, me zemra të ngurta dhe shpirtra të mbyllur ndaj të vërtetës, e refuzoi thirrjen fisnike të profetit Salih (a.s). Ata nuk pranuan të besonin në Njëshmërinë e Allahut dhe nuk iu përgjigjën ftesës së tij për të braktisur adhurimin e idhujve, të cilët as nuk dëgjojnë, as nuk flasin, e as nuk sjellin dobi apo dëm.
Përkundrazi, me kokëfortësi dhe përbuzje, ata e kundërshtuan Salihun (a.s) dhe hodhën mbi të një sërë akuzash, duke synuar ta nëpërkëmbin dhe ta largojnë nga rruga e misionit të tij hyjnor. Në vend që të pranonin të vërtetën, ata u mbyllën në errësirën e mohimit dhe krenarisë së kotë, duke harruar se përfundimi i këtij rrugëtimi është gjithmonë humbja. Allahu i Madhëruar thotë: “Themudi i përgenjeshtroi të dërguarit.”[12] Më poshtë po i rendis disa prej akuzave të tyre të pabaza kundrejt Salihut (a.s):
1 – Populli Themudit e akuzoi Salihun (a.s) se ishte i magjepsur, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Ti je vetëm i magjepsur” Ky reagim i pamëshirshëm nuk ishte thjesht fyerje ndaj një njeriu të dërguar, por mohim i vetë mëshirës hyjnore që po u ofrohej. Përmes këtij qëndrimi, ata mbyllën dyert e shpëtimit dhe e zhytën veten në errësirën e humbjes shpirtërore.
2 – Populli i Themudit e akuzoi Salihun (a.s) si gënjeshtar dhe mëndjemadh, sikurse Allahu i Madhëruar thotë: “Jo, por ai është gënjeshtar dhe mëndjemadh.”[13] E Allahu iu përgjigj kësaj akuze me fjalët: “Mirëpo ata nesër do ta kuptojnë se kush është gënjeshtari, mëndjemadh.”[14]
3 – Populli i Themudit, i verboi sytë ndaj së vërtetës dhe zemrat ndaj udhëzimit hyjnor. Ata e refuzuan profetin e tyre, Salihun (a.s), jo për mungesë argumentesh, por për shkak të mendjemadhësisë dhe mohimit kokëfortë. Justifikimi i tyre ishte i mjerë dhe i përsëritur ndër shekuj: “Ti nuk je vetëm se një njeri sikurse edhe ne.”[15] Një frazë që nuk e godet të vërtetën, por e zbulon thellësinë e arrogancës së tyre. Kështu, ata e mbytën dritën e shpalljes nën hijen e paragjykimeve njerëzore
4 – Populli i Themudit kërkoi prej Salihut që shkak i mosbesimit të tyre ishte se ai nuk kishte ardhur me ndonjë argument apo mrekulli, sikurse thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “E nëse thua të vërtetën, sill ndonjë argument.”[16] Por kjo kërkesë nga ana e tyre ishte e kotë, sepse kur Allahu u dërgoi atyre devenë si argument për profetësinë e Salihut (a.s) ata vazhduan në mosbesimin e tyre. Madje ata pohuan me gojët e tyre se “A të shkojmë pas një njeriu të vetëm, që doli nga mesi ynë, po ne atëherë do të jemi të humbur në një marrëzi.”[17]
5 – Populli i Themudit nguli këmbë në adhurimin e idhujve, duke u kapur pas trashëgimisë së verbër të stërgjyshërve të tyre. Kur Salihu (a.s) i thirri drejt adhurimit të Allahut të Vetëm, ata iu kundërpërgjigjën me një argument të vjetër sa vetë humbja: “Si mund të na ndalosh të adhurojmë atë që e adhuruan prindërit tanë?!”[18] Kështu, tradita u kthye në pengesë, dhe zakoni u bë mburojë kundër së vërtetës.
6 – Populli i Themudit e priti me dyshim dhe skepticizëm thirrjen e profetit Salih (a.s). Ata, të kapluar nga pasiguria dhe mendjemadhësia, iu përgjigjën me fjalë që pasqyronin humbjen e tyre të brendshme: “Vërtet, ne jemi të mbushur me dyshim dhe paqartësi për atë që na thërret ti.”[19] Kështu, e vërteta u përball me zemra të mbyllura dhe shpirtra që nuk donin të udhëzoheshin.
7 – Populli i Themudit mendonte dhe besonte se prezenca e Salihut (a.s) dhe besimtarëve në mesin e tyre konsiderohet se një ogur i zi për ta, kur thanë: “Ne parandjejmë fatkeqësi me ty dhe me ata që janë me ty.”[20] Por në fakt, e vërteta është krejt ndryshe, sepse arroganca e tyre, mosbesimi i tyre dhe mëkatet e tyre janë oguri i zi. Prandaj edhe Salihu (a.s) iu përgjigj me fjalët: “Ndjellja e fatit tuaj është tek Allahu, por ju jeni një popull ngatërrestar.”[21]
8 – Reagimi negativ i popullit nuk ishte vetëm kundrejt Salihut (a.s), por të njëjtën gjë ata bënë edhe ndaj atyre pak besimtarëve që kishin besuar në profetësinë e tij. Ja se si paria e popullit iu drejtuar besimtarëve: “A e dini se me të vërtetë Salihu është i dërguar nga Zoti i tij … ne jemi mohues të asaj që ju i besuat.”[22] Por fjalët e parisë nuk patën ndonjë efekt negativ tek besimtarët, të cilët me bindje të plotë i thanë: “Vërtet, ne jemi besimtarë të asaj me çka është dërguar.”[23]
9 – Arroganca dhe mëndjemadhësia e popullit të Themudit nuk njihte kufinj. Salihu (a.s) i pat paralajmëruar që mos ta lëndonin devenë, duke u thënë: “Lëreni të lirë të hajë në tokën e Allahut dhe kurrësesi mos i bëni ndonjë të keqe, sepse ju pret ndëshkim i ashpër.”[24] Ose “ndëshkim i menjëhershëm”[25] ose “ndëshkim i një Ditë të madhe”[26] Por cili ishte reagimi i tyre: “Por ata e therrën atë”[27]
10 – Arroganca e tyre arrin kulmin kur pasiqë e therrën devenë dhe Salihu (a.s) i pat paralajmëruar se ndëshkimi nga Allahu do t’ju vinte pas tre ditësh, ata vendosën që të vrisnin Salihun (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Ata i thanë njëri-tjetrit: Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’i themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën. Dhe kurdisën një kurth…”[28]
Fundi i popullit të Themudit
Duke qenë se reagimi i popullit të Themudit ndaj thirrjes së Salihut (a.s) ishte mosbindje, mohim, verbëri, arrogancë, mëndjemadhësi, padrejtësi, korrupsion, vrasje dhe tentativë për vrasje, Allahu i ndëshkoi ata: “Ata u treguan mëndjemëdhenj, pastaj i goditi rrufeja, ndërsa e shihnin, por nuk mundën as të ngriheshin, as të mbroheshin prej dënimit.”[29] “Ata i goditi një tërmet i tmerrshëm e si pasojë u gdhinë në shtëpitë e tyre të vdekur e të gjunjëzuar.”[30]
Kurse Salihu (a.s) dhe besimtarët shpëtuan dhe nuk ju ndodhi asgjë e keqe: “E kur erdhri urdhri Ynë, Ne – me mëshirën Tonë – e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët nga poshtërimi i asaj dite.”[31]
Autor: Elton Harxhi
[1] – Sure Hud: 61.
[2] – Sure A’raf: 74.
[3] – Sure A’raf: 73 – 74.
[4] – Sure A’raf: 79.
[5] – Sure Shuara: 145.
[6] – Sure A’raf: 74.
[7] – Sure Hud: 61.
[8] – Sure Shuara: 150.
[9] – Sure Neml: 46.
[10] – Sure Shuara: 151 – 152.
[11] – Sure A’raf: 73.
[12] – Sure Kamer: 23.
[13] – Sure Kamer: 25.
[14] – Sure Kamer: 26.
[15] – Sure Shuara: 154.
[16] – Sure Shuara: 154.
[17] – Sure Kamer: 24.
[18] – Sure Hud: 62.
[19] – Sure Hud: 62.
[20] – Sure Neml: 47.
[21] – Sure Neml: 47.
[22] – Sure A’raf: 75 – 76.
[23] – Sure A’raf: 75,
[24] – Sure A’raf: 73.
[25] – Sure Hud: 64.
[26] – Sure Shuara: 156.
[27] – Sure Hud: 65, Sure Shems: 12.
[28] – Sure Neml: 49-50.
[29] – Sure Dharijat: 43.
[30] – Sure Ankebut: 37.
[31] – Sure Hud: 66.



















