Devijimi seksual është korrupsion moral dhe shmangie në sjellje, e jo liri personale

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Përparimi shkencor, teknologjik dhe material gjatë dekadave të fundit është shoqëruar me rënien dhe shkatërrimin e sistemit të vlerave morale dhe parimeve njerëzore, të cilat konsiderohen ndër faktorët kryesorë për stabilitetin dhe sigurinë shoqërore. Fatkeqësisht, ekzistojnë përpjekje intensive që synojnë normalizimin e devijimeve seksuale nëpër shoqëri dhe promovimin e shthurjes morale nën emërtime tërheqëse si: “respektimi i lirive individuale”, “lufta kundër diskriminimit” dhe slogane të tjera vezulluese, të mbështetura nga aparate mediatike dhe financime të pakufizuara.

Në këtë artikull do të trajtohet qëndrimi i fesë ndaj kësaj katastrofe që bie ndesh me natyrën njerëzore, do të kundërshtohen dyshimet e atyre që promovojnë këto sjellje dhe do të paraqiten pasojat negative shoqërore, psikologjike, morale dhe shëndetësore të përhapjes së devijimit seksual, i cili konsiderohet një lloj ekstremizmi në sjellje.

Qëndrimi i Islamit

Allahu i krijoi njerëzit të ndryshëm në gjini. Ai thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin.”[1]

Më pas, njeriun e ngarkoi me detyrën e ndërtimit dhe zhvillimit të jetës në tokë, ndërsa martesën e ligjësoi si rrugën e vetme dhe ideale për ruajtjen e llojit njerëzor, vazhdimësinë e pasardhësve, zhvillimin e jetës dhe ngritjen e qytetërimeve, si edhe përhapjen e paqes në shoqërinë njerëzore. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e do natyrshmërinë time, le të ndjekë traditën time, e nga tradita ime është martesa.”[2]  Po ashtu ai (a.s) ka thënë: “O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi për martesë, le të martohet, sepse ajo e ul shikimin dhe e ruan nderin; ndërsa kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të.”[3]

Dalja jashtë natyrshmërisë dhe përhapja e thirrjeve që promovojnë sjellje në kundërshtim me të — të cilat në një prej shteteve arritën deri te nxjerrja e një vendimi për ndalimin e përdorimit të fjalëve “babë” dhe “nënë” në formularët e disa shkollave me pretendimin e luftimit të diskriminimit — konsiderohen si rrënim i sistemit moral dhe shkatërrim i institucionit të familjes, e cila është shtylla dhe themeli i shoqërisë. Pasoja e kësaj është shpërbërja shoqërore, shtimi i kriminalitetit dhe përhapja e shthurjes morale.

Të parët që shpikën këtë vepër të shëmtuar ishin populli i Lutit. Allahu thotë: “Edhe Lutin, kur i tha popullit të vet: “A po kryeni atë vepër të turpshme që askush para jush në botë nuk e ka bërë?”[4]  Allahu i dënoi ata me ndëshkimin më të ashpër për shkak të veprës së tyre: “Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm vendin e tyre dhe mbi ta lëshuam gurë prej balte të pjekur, njëri pas tjetrit.”[5]

Disa pretendojnë se Islami nuk e ka ndaluar këtë vepër të shëmtuar dhe se Allahu e ndëshkoi popullin e Lutit vetëm për shkak të grabitjes së rrugëve. Ky pretendim është i pavlefshëm, sepse Kurani e ka dënuar qartë këtë krim moral dhe i ka përshkruar kryerësit e tij si tejkalues dhe agresorë. Allahu thotë:
“A shkoni te meshkujt nga gjithë bota dhe lini ato që Zoti juaj i krijoi për ju prej bashkëshorteve tuaja? Jo, ju jeni popull që i kaloni kufijtë.”[6]

Gjithashtu, imam Taberiu, në komentimin e fjalës së Allahut: “Dhe Ne e shpëtuam atë nga qyteti që kryente vepra të ndyra; ata ishin popull i keq dhe i prishur.”[7] , përmend një numër prej këtyre veprave të ndyra, ndër të cilat më kryesorja ishte marrëdhënia e burrave me burra dhe përdorimi i instinktit seksual jashtë vendit të tij të natyrshëm.”

Kësaj i shtohen edhe shumë hadithe profetike që ndalojnë këtë veprim të neveritshëm dhe të kundërt me natyrën njerëzore. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu e mallkoftë atë që kryen veprën e popullit të Lutit.”[8]

Pasojat e përhapjes së këtyre veprave kundër natyrshmërisë

Meqë baza e ndalimit në Islam është papastërtia dhe dëmi që gjendet në çdo gjë të ndaluar — qoftë send, fjalë, vepër, zakon apo marrëdhënie — devijimi seksual është ndaluar sepse përmban dëm të pastër. Përhapja e tij sjell pasoja dhe rreziqe të panumërta, ndër to:

Shthurja morale dhe rrënimi i shoqërive:

Asnjë njeri i arsyeshëm nuk mund ta mohojë ndikimin e sistemit moral në përparimin e shoqërive njerëzore, në kufizimin e krimit dhe në përhapjen e paqes e sigurisë ndërmjet njerëzve. Në të kundërt, shthurja morale hap derën për të gjitha format e korrupsionit që kërcënojnë shembjen qytetëruese të shoqërisë. Gustave Le Bon thotë: “Nëse kërkojmë shkaqet që çuan njëri pas tjetrit në rrëzimin e kombeve, do të gjejmë se faktori kryesor i rënies së tyre ishte ndryshimi i gjendjes së tyre psikologjike, i cili lindi si pasojë e degradimit moral. Nuk njoh asnjë komb që të jetë zhdukur për shkak të rënies së inteligjencës së tij.”  Dhe për rënien e Perandorisë Romake ai thotë: “Roma e kishte humbur elementin themelor që nuk mund të zëvendësohet nga asnjë zhvillim intelektual: ajo kishte humbur moralin.”

Veçanërisht, këto sjellje kontribuojnë edhe në dobësimin ekonomik dhe në përhapjen e drogës e alkoolit, sipas studimeve të ndryshme shkencore.

Përhapja e sëmundjeve fizike dhe psikologjike

Ekziston lidhje ndërmjet devijimit seksual dhe përhapjes së shumë sëmundjeve, si: AIDS-i, gonorrea dhe sifilizi. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pranuar së fundmi se virusi i lisë së majmunit është transmetuar edhe përmes këtij lloji të marrëdhënieve të devijuara.

Profeti (a.s) ka sqaruar se përhapja e imoralitetit është shkak për përhapjen e epidemive dhe sëmundjeve. Ai ka thënë: “O muhaxhirë! Pesë gjëra, nëse sprovoheni me to — dhe i kërkoj mbrojtje Allahut që të mos i arrini —: nuk është përhapur kurrë imoraliteti në një popull dhe të shpallet haptazi, veçse mes tyre janë përhapur murtaja dhe sëmundje që nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre.”[9]

Nuk ka dyshim se i gjithë njerëzimi paguan çmimin e çdo degradimi moral, sepse sëmundjet që burojnë nga marrëdhëniet e devijuara dhe jonormale përhapen dhe prekin të gjithë pa përjashtim. Për këtë arsye, kjo nuk konsiderohet “liri personale”, por korrupsion i natyrës njerëzore, i cili kërkon bashkimin e të gjithëve kundër tij; përndryshe dëmi do t’i përfshijë të gjithë. Profeti (a.s) ka thënë: “Shembulli i atij që respekton kufijtë e Allahut dhe i atij që i shkel ato është si shembulli i disa njerëzve që hodhën short në një anije: disa zunë pjesën e sipërme, e disa pjesën e poshtme. Ata që ishin poshtë, sa herë donin ujë, kalonin pranë atyre sipër. Atëherë thanë: “Sikur të hapnim një vrimë në pjesën tonë, pa i shqetësuar ata sipër nesh!” Nëse të tjerët i lënë të bëjnë çfarë duan, do të shkatërrohen të gjithë; por nëse i ndalojnë, do të shpëtojnë të gjithë.”[10]

Disa studime tregojnë se personat me orientime të tilla janë rreth pesë herë më të prirur ndaj niveleve të avancuara të depresionit krahasuar me të tjerët; se shkalla e prirjes për vetëlëndim arrin në 54%, kundrejt 14% tek të tjerët; si dhe se niveli i kënaqësisë së tyre me jetën është më i ulët krahasuar me të tjerët (vetëm 10% kundrejt 34%).

Prandaj, theksojmë se sulmi ndaj parimeve morale dhe normalizimi i devijimit seksual është krim kundër njerëzimit, korrupsion moral, devijim në sjellje, shkatërrim i sistemit familjar dhe cenim i natyrës njerëzore. Kjo është ajo natyrë që bëri edhe Uelid ibn Abdulmelikun të habitej nga ky veprim, duke thënë: “Po të mos e kishte përmendur Allahu popullin e Lutit në Kuran, nuk do ta besoja se dikush mund ta bënte një gjë të tillë.”

Gjithashtu, kjo nuk mund të konsiderohet liri personale, sepse dëmi i saj nuk kufizohet vetëm te kryerësi, por shtrihet në të gjithë shoqërinë, siç u pa më sipër. Për këtë arsye, është e domosdoshme që të gjithë të bashkëpunojnë për rrënjosjen e moralit dhe ruajtjen e nderit, sepse ato janë garancia e vetme për të vazhduar ecjen drejt përparimit.

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Huxhurat: 13.

[2] – Bejhakiu në Sunen el Kubra.

[3] – Buhariu.

[4] – Sure A’raf: 80.

[5] – Sure Hud: 82.

[6] – Sure Shuara

[7] – Sure Enbija: 74.

[8] – Nesaiu.

[9] – Ibn Maxheh.

[10] – Buhariu.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *