Disiplina në konceptin shkencor
Siç e përkufizon Kap Majer: “Ta detyrosh veten të bëjë atë që duhet të bësh, atëherë kur duhet ta bësh, pavarësisht nëse të pëlqen apo jo.”
Në konceptin fetar
“Të kontrollosh veten, të frenosh luhatjet e saj, t’ia kufizosh lirinë, të mos vazhdosh të negociosh me të dhe të pakësosh trazimin që gjendet brenda saj; të mos e dërgosh në vende prej të cilave mund të mos kthehet më e njëjta, dhe të mos e lësh veten të rrjedhë pas saj duke i dhënë gjithçka që dëshiron.”
Jo çdo betejë duhet luftuar, jo çdo koment meriton përgjigje, jo çdo ide duhet zbatuar, jo për çdo ëndërr që ke ke kohë të mjaftueshme për ta realizuar dhe jo çdo dëshirë duhet plotësuar.
Disiplina bie në kundërshtim me lirinë, sepse shumë njerëz priren nga liria.
Liria është të bësh atë që do, kur ndihem në humor të mirë për ta bërë.
Disiplina është të bësh atë që duhet të bësh në kohën e caktuar, edhe nëse nuk je në humor të mirë.
Disiplina në beteja
Mos hyr në një betejë me dikë që nuk ka asgjë për të humbur, ndërkohë që ai mund të të kushtojë shumë, vetëm sepse të ka parë shtrembër. Mos e përshkallëzo situatën dhe mos e sfido atë që, kur thotë diçka, e zbaton, në një kohë kur ti nuk je në gjendje ta përfundosh përplasjen. Mos u përplas me dallgët që të rrëzojnë që në dallgën e parë.
Nuk është trimëri të hysh në beteja të humbura dhe nuk është heroizëm të përballesh me ushtri të fuqishme.
Disiplina është një vlerë veçanërisht e dobishme për personin “që ka diçka për të humbur”.
Disiplina në të mësuar
Ajo është një nga faktorët më të rëndësishëm të suksesit, sepse sjell vazhdimësinë, kufizon kaosin dhe e forcon zemrën. Siç thuhet: “Pak dhe e vazhdueshme është më e mirë se shumë dhe e ndërprerë.”
Disiplinoje veten mbi këtë bazë dhe do të arrish atë që nuk e kishe ëndërruar kurrë se do ta arrije.
Zemra ndonjëherë anon drejt përtacisë, drejt ndryshimit, drejt kalimit nga një gjë në tjetrën, duke bërë diçka në kurriz të një gjëje tjetër. Pikërisht këtu vjen polici i quajtur “disiplinë”, për ta ndalur veten në kufijtë e saj.
Disiplina në detyrë dhe post
Posti mund të ndryshojë moralin, të shkatërrojë vlerat dhe të transformojë bindjet. Mos lejo që posti të ndryshojë moralin tënd; përkundrazi, bëje moralin tënd shkak që të arrish në atë post.
Respektoji të gjithë, ji i drejtë me ata që të rrethojnë, përmbushi përgjegjësitë e tua me sinqeritet, ji i përulur dhe mos e lejo veten të vazhdojë e shfrenuar pas prirjeve të saj.
Vlera e vërtetë e njeriut nuk matet me postin e tij, por me gjurmën që lë dhe me reputacionin e tij.
Sepse karrigia është e përkohshme… ndërsa reputacioni mbetet.
Disiplina përballë epsheve dhe tundimeve
Pa i frenuar ato, je si një makinë e rëndë në një tatëpjetë të rrezikshme, që merr teposhtë pa asnjë ndalesë. Pa disiplinë të vetvetes, shndërrohesh në diçka edhe më të ulët se kafsha e egërsuar. Kafsha e egërsuar vret për të jetuar, ndërsa ti vret për të vrarë. Pa disiplinë, mbytesh në thellësitë e epsheve, si ai që pi ujë deti: sa më shumë pi, aq më shumë etja i shtohet. Vepron sipas asaj që dëshiron vetja, pa asnjë fre që ta kontrollojë, dhe kështu shndërrohesh në versionin më të ulët të vetvetes.
Mendja jote është si një “sistem operativ” kompleks dhe një armë strategjike jashtëzakonisht e fuqishme. Nëse nuk ndërhyn ti për ta programuar dhe për ta formësuar me rreptësi, bota e jashtme, kompanitë e reklamave dhe banaliteti që të rrethon do ta depërtojnë dhe do ta programojnë në vendin tënd, në mënyrë që t’u shërbejë interesave të tyre.
Fuqia e vërtetë e mendjes nuk vjen thjesht nga konsumimi pasiv i njohurive, por nga disiplina për ta stërvitur çdo ditë, në mënyrë intensive, në analizë dhe parashikim.
Mendoje sikur drejton një tabelë shahu: mendja e fuqishme nuk pret që të reagojë ndaj lëvizjes së kundërshtarit pasi ajo të ketë ndodhur, por njeh hapjet taktike, studion psikologjinë e sjelljes së palës tjetër dhe i parashikon lëvizjet e saj para se ajo të prekë gurin e shahut.
Pikërisht kjo është mënyra e të menduarit të strategut, i cili e sheh jetën si një tërësi sistemesh të ndërlidhura; analizon skenarët realë, llogarit me saktësi pasojat dhe nuk lejon që emocionet e çastit të marrin vendime në emër të tij.
Fuqia mendore qëndron në aftësinë tënde për të krijuar atë hapësirë të ftohtë kohore midis provokimit ose krizës që të ndodh dhe reagimit tënd ndaj saj.
Fuqia e mendjes kërkon prej teje një vendim kirurgjikal që duhet ta marrësh sot: të ndalosh së konsumuari banalitetet që ta shpërbëjnë përqendrimin dhe të dobësojnë disiplinën tënde, dhe të fillosh menjëherë ta stërvitësh mendjen për të menduar në mënyrë sistematike dhe të ftohtë.
Sepse të gjitha betejat e kësaj jete vendosen fillimisht brenda kafkës, përpara se të vendosen në terrenin e realitetit.
Disiplina financiare
Dallimi mes shumë njerëzve të pasur dhe të tjerëve nuk qëndron vetëm te zgjuarsia, por edhe te disiplina.
Studimet ekonomike tregojnë se disiplina dhe organizimi janë ndër tiparet që lidhen më fort me suksesin financiar dhe profesional në planin afatgjatë.
Sepse pasuria rrallë ndërtohet përmes një vendimi të vetëm gjenial, por përmes mijëra vendimeve të vogla dhe të drejta, të përsëritura për vite me radhë.
Mungesa e disiplinës financiare çon në kaos në vendimmarrje: kaos në blerje, kaos në mënyrën e veprimit, dhe e gjithë kjo përfundon në dështim.
Disiplina financiare përkufizohet si: “Aftësia për të kontrolluar mendimet, ndjenjat dhe sjelljet, si dhe për të marrë vendime të shëndosha pavarësisht presioneve dhe tundimeve, duke i shtyrë përfitimet e përkohshme për hir të arritjes së objektivave më të mëdha në planin afatgjatë.”
Kjo aftësi nuk lind bashkë me njeriun, por fitohet përmes stërvitjes së vazhdueshme, praktikës së përditshme dhe këmbënguljes për të përmirësuar veten.
Për të mos e kuptuar gabimisht
Disiplina nuk do të thotë domosdoshmërisht të jetosh nën kufizime të rrepta ose sipas një orari të ngurtë. Përkundrazi, ajo është aftësia e njeriut për të menaxhuar veten, për të drejtuar sjelljen e tij dhe për t’iu përmbajtur asaj që i sjell dobi, edhe kur mungon mbikëqyrja e jashtme.
Nga këndvështrimi islam, disiplina konsiderohet një formë praktike e përpjekjes ndaj vetes (xhihadi i nefsit), sepse njeriu e shtyn veten drejt bindjes ndaj Allahut dhe e pengon atë të tërhiqet pas epsheve dhe zakoneve që e pengojnë përparimin e tij.
Ajo është një fitore e vazhdueshme e arsyes dhe vullnetit mbi pasionet dhe dëshirat e çastit.
Autor: Mus’ab ibn Ahmed
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















