Cili është bilanci i 25 viteve luftë kundër terrorizmit?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Planeti Tokë po përgatitet të shënojë 25-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe fillimin e “luftës kundër terrorizmit”, një luftë e gjatë që u ndërmor nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Pa dyshim, kjo ngjarje përbën një pikë kthese në historinë tonë bashkëkohore. Por sa i madh ka qenë ndikimi i saj? Dhe, ç’është më e rëndësishmja, cila ka qenë natyra e saktë e këtij ndikimi? A kontribuoi kjo ngjarje në forcimin e Perëndimit dhe aleatëve të tij, apo përshpejtoi rënien e tyre?

Tronditja e 11 shtatorit i hodhi menjëherë hijet e saj mbi dy dinamika të dallueshme. E para kishte të bënte me marrëdhëniet ndërmjet “botës perëndimore” dhe “botës arabe dhe islame”. Ndërsa, në një shkallë më të gjerë globale, kjo tronditje ndikoi në funksionimin demokratik të brendshëm të Shteteve të Bashkuara dhe, rrjedhimisht, edhe në të gjitha shtetet që në atë kohë vërtiteshin rreth tyre.

Në Perëndim, “lufta kundër terrorizmit” mori një drejtim të pandalshëm, duke u shndërruar në “luftë kundër myslimanëve”, ç’ka çoi gradualisht në përkeqësimin e të drejtave dhe lirive individuale. Nga ana tjetër, me të njëjtën ashpërsi, në shumicën e vendeve me kulturë arabe dhe islame u përhap dukuria e kriminalizimit arbitrar të opozitave të cilësuara si “islamike” — më të popullarizuarat ndër to — në bashkërendim me Perëndimin; gjë që çoi në pengimin ose shtyrjen e procesit të brishtë të hapjes demokratike që kishte nisur të merrte formë atje.

Ngërçi i globalizimit të “kundërshtimit ndaj islamistëve”

11 shtatori 2001 e përshpejtoi, në mbarë Perëndimin, ritmin e tensioneve identitare kundër myslimanëve dhe, në një kuptim më të gjerë, kundër “Jugut”. Po përse ndodhi kjo? Arsyeja qëndron në faktin se tipari më i spikatur i sulmeve të 11 shtatorit nuk lidhet as me përmasat e tyre, as me ndërlikimin teknologjik që përfshinë. Veçantia e parë e kësaj ngjarjeje, në dallim nga tradita e fuqive evropiane që shpikën topat e “flotave”, qëndron në faktin se ajo vuri në shënjestër fuqitë sunduese të Veriut dhe jo të sunduarit e Jugut, “siç kishte ndodhur zakonisht”.

Kështu, ndodhi për herë të parë që “pilotët ishin arabë (në të vërtetë)” dhe “viktimat ishin perëndimore”. Në këtë mënyrë, sulmet e 11 shtatorit krijuan një kategori të re dhune, e cila gjatë dekadave pasuese u ushqye në Francë dhe në Evropë përmes ngjarjeve të tjera të cilësuara si “terroriste”.

Që prej vitit 2001, është rrënjosur një mashtrim retorik që përgjegjësinë për dështimet autoritare, të cilën e mbajnë sundimtarët dhe fuqitë dominuese, e zhvendos në gjuhën e të sunduarve dhe të kundërshtarëve, si dhe në diskursin e tyre politik.

Ky mashtrim arriti kulmin më vonë, dhe në mënyrë edhe më tronditëse, në reagimin ndaj kundërsulmit që të gjitha fraksionet e rezistencës palestineze ndërmorën nga Gaza kundër kolonëve të tyre izraelitë. Prandaj, gjithçka na shtyn që, me një diferencë prej 22 vitesh, ta vendosim reagimin amerikan ndaj ngjarjeve të 11 shtatorit në një kontekst të krahasueshëm me reagimin izraelito-amerikan ndaj ngjarjeve të 7 tetorit 2023.

Nga ana tjetër, nëse do të duhej të sillnim ndërmend një precedent historik për këtë bashkim represiv, ai mund të gjendej te reagimi brutal francez ndaj “Ngjarjeve të Sétifit” në vitin 1945, në Algjerinë e kolonizuar. Natyrisht, këto ngjarje nuk mund të krahasohen për nga natyra dhe përmasat, por ato kanë një të përbashkët të vetëm: prirjen për ta shkëputur dhunën e të sunduarve nga konteksti i sundimit në të cilin ajo zhvillohet dhe për ta konsideruar dhunën e tyre të pavlefshme në parim, pavarësisht nga shkaqet që e kanë nxitur.

Ato kanë të përbashkët edhe kapërcimin e të njëjtave tabu: refuzimin absolut të legjitimitetit të dhunës kundërpërgjigjëse të ushtruar nga të sunduarit dhe të kolonizuarit, si dhe përdorimin gjithnjë e më të hapur e pa komplekse të politikës së “standardeve të dyfishta”.

Edhe pse kjo politikë nuk u shpik në të vërtetë prej saj — pasi luftërat koloniale, apo të gjitha precedentet e zgjerimit perëndimor në skajet e ndryshme të botës që prej vitit 1492, kishin zbuluar tashmë këtë tipar karakteristik — reagimi ndaj ngjarjeve të 11 shtatorit, veçanërisht përmes çnjerëzimit cinik të atyre që i rezistuan pushtimit të Afganistanit e më pas të Irakut, dëshmoi se aftësia e perëndimorëve për t’u shkëputur nga këto të drejta nuk njeh kufij. Kjo ndodhi edhe pasi faqja e kolonializmit ishte kthyer dhe pavarësisht pretendimit të tyre të vazhdueshëm, si në rastin e Francës që e quan veten “atdheu i të drejtave të njeriut”, se nuk janë thjesht shpikësit e “të drejtave të njeriut”, por edhe mbrojtësit e vetëm të tyre.

Kjo gjendje u shfaq në Shtetet e Bashkuara përmes “Patriot Act” (Aktit Patriotik), e më pas në burgun çnjerëzor të Guantanamos, dhe u shtri në të njëjtën masë në mbarë Evropën, ku udhëheqësit, pavarësisht përkatësive të tyre të ndryshme politike, e përkthyen në legjislacion të njëjtin refuzim të “terrorizmit”, qoftë ndaj entiteteve kombëtare të të sunduarve, qoftë ndaj tyre si individë brenda secilës prej shoqërive perëndimore.

Reagimi amerikan ndaj ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 pati dy pasoja kryesore. Së pari, shkatërrimi i kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe i Pentagonit përfundoi konsolidimin e “përdorimit” të një gogoli që tashmë ishte bërë në mënyrë të theksuar “islamik”. Ndërsa më parë rebelët kundër kolonializmit zakonisht identifikoheshin përmes përkatësisë së tyre etnike (arabe) ose quheshin thjesht “flaka” (kaçakë), sot ata identifikohen, pikërisht, përmes përkatësisë së tyre në fenë më të spikatur të Jugut.

Ndikimi i shkatërrimit të kullave të Nju-Jorkut nuk kufizohet vetëm te domethëniet që lidhen me çnjerëzimin e “tjetrit”, por shkon përtej tyre, drejt zgjerimit të dhunshëm të fushës së veprimit të kësaj qasjeje. Represioni i tepruar ndaj “Ngjarjeve të Sétifit” nuk pati mbështetjen “e pakushtëzuar” të komunitetit ndërkombëtar, e aq më pak mbështetjen e udhëheqësve të shteteve të tjera kolonizuese.

Ndërkaq, gogoli i ri islamik do ta hapte këtë herë rrugën e vet jo vetëm brenda shoqërive perëndimore, por në të njëjtën masë edhe në shumicën e shoqërive të Jugut islamik.

Në Perëndim, që në vitin 1979, në Iran, menjëherë pas epokës koloniale, termi “islamik” u rikthye në përdorim si një gogol kundërimperialist, pas tërmetit politik që shkaktoi rrëzimi i shahut “të bindur” dhe “modernizues”, aleat i Shteteve të Bashkuara, dhe ardhja në pushtet e “fundamentalistëve islamikë” që e kundërshtonin atë dhe aleatët e tij.

Ky përdorim mori më pas një rol të ri gjatë viteve ’90, në territorin francez, për shkak të afërsisë gjeografike dhe jehonës së dhunshme të represionit ndaj votuesve të Frontit Islamik të Shpëtimit në Algjeri; për t’u shfaqur, natyrisht, njëzet vjet më vonë, nën flamurin e zi të organizatës “ISIS”, si pasardhëse dhe rivale që kërkonte ta tejkalonte organizatën “Al-Kaeda” dhe luftëtarët e saj.

Nga Sétifi në Gaza, nga një pushtim te tjetri

Pra, i njëjti tel, ai i refuzimit absolut të legjitimitetit të dhunës së Jugut, u prek sërish, këtë herë me një jehonë të jashtëzakonshme, si përgjigje ndaj sulmit që rezistenca palestineze ndërmori më 7 tetor 2023 kundër perandorisë izraelito-amerikane. Ashtu siç e shkëputi këndvështrimi mbi “Ngjarjet e Sétifit”, të cilat zgjatën fare pak, nga pushtimi kolonial i gjatë dhe brutal i Algjerisë, dhe ashtu siç e shkëputi krejtësisht dhunën kundërpërgjigjëse të Jugut islamik në Nju-Jork dhe Uashington nga militarizimi agresiv i diplomacisë amerikane ndaj tij — pasi kjo e fundit, që nga viti 1990, ishte çliruar nga pesha kundërbalancuese e Bashkimit Sovjetik — po kështu u shkëput tërësisht edhe sulmi i rezistencës palestineze në tetor 2023 nga sundimi i gjatë dhe brutal izraelit mbi Palestinën.

Në këtë kuadër, reagimi që shkaktoi ky sulm, nga ana e Izraelit dhe, aq më tepër, nga ana e aleatëve të tij të shumtë e të fuqishëm, përbën mishërimin e fundit të modelit politik dhe strategjik që Uashingtoni vendosi gjatë sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Në këtë mënyrë, në Gaza, pas 22 vitesh, u përshkallëzua prirja që kishte nisur me reagimin e Xhorxh Bushit. Pas 7 tetorit 2023, jo vetëm që dhuna u shkëput nga konteksti i saj, por në shumë shtete evropiane, mbi të gjitha në Francë dhe Gjermani, ajo u ndalua tërësisht nga narrativi perëndimor.

Epërsia e të bardhëve (ose epërsia e shumicës së bardhë) i nxori në pah, në mënyrë të pakundërshtueshme, mangësitë e vjetra dhe të dukshme të pretendimit të saj për universalizëm, përmes mohimit të lirive individuale të njëpasnjëshme ndaj grupeve të ndryshme qytetarësh. Ndërsa referenca fetare “fisnore” — përmes “kryqëzatës” që kërkonte Bushi në vitin 2001 ose “popullit të zgjedhur” që përmendi Netanjahu në vitin 2023 — tashmë po i kthehet haptazi shpinën rivalit të saj universalist.

Por si u bë i mundur një tërheqje e tillë? Pa dyshim, kjo i detyrohet në masë të madhe mbizotërimit të gogolit emocional dhe të verbër të “terrorizmit islamik”, të cilin ngjarjet e 11 shtatorit e ngulitën në mbarë planetin me një efektivitet rrëqethës.

Amerikanët dhe evropianët, nga njëra anë, dhe aleatët e tyre izraelitë, natyrisht, nga ana tjetër, u rreshtuan pas flamurit perëndimor; dhe tani atyre iu bashkua edhe shumica dërrmuese e atyre regjimeve arabe që dikur dënonin represionin e Ngjarjeve të Sétifit.

Që atëherë, brenda një aleance të vetme, e cila mund ta meritonte emërtimin “Diktatorë pa kufij”, ata shfrytëzuan dënimin amerikan të sulmeve në Nju-Jork dhe Uashington — një dënim sigurisht logjik dhe legjitim, por krejtësisht të shkëputur nga konteksti i tij dhe të njëanshëm — për të njollosur lëvizjet e rezistencës dhe opozitës, pavarësisht shkallës së legjitimitetit dhe ligjshmërisë së tyre.

Kështu, konsensusi represiv e konsolidoi aleancën ndërmjet autoritarizmit arab dhe atij perëndimor. Ky front heterogjen i “luftës kundër terrorizmit islamik”, i marrë së bashku, do të arrinte të impononte një shtrembërim jo thjesht politik, por “ideologjik” dhe të njëanshëm, të rezistencave kryesore ose opozitave të spikatura ndaj dhunës shtetërore, të brendshme apo të jashtme, të secilit prej anëtarëve të tij.

Mesazhi që kampi i sunduesve arriti ta imponojë pjesërisht që prej 11 shtatorit 2001 doli të ishte njëherazi tepër i thjeshtë dhe tepër i rrezikshëm: nëse palestinezët rezistojnë dhe nëse opozitarët arabë kundërshtojnë, kjo nuk ndodh sepse ata ndodhen nën pushtim ushtarak ose sepse u janë mohuar të drejtat e tyre më themelore civile, por sepse… janë “islamistë”.

Ky mashtrim retorik i vrazhdë, i përhapur gjerësisht nga perëndimorët dhe ithtarët e tyre, do ta mjegullonte për një kohë të gjatë shikimin e miliona qytetarëve në mbarë planetin. Ky mashtrim u formulua në mënyrën më të qartë të mundshme në shtator 2001, nga gjenerali izraelit Ariel Sharon, kur tha: “Ju keni Bin Ladenin… ne kemi Jaser Arafatin.”

Autor: Fransua Burga

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *