Çfarë ndodhi në Sakifen e Beni Saides?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Le të shohim se si e ka përshkruar Omer ibn Hattabi (r.a) këtë ngjarje, Omeri thotë: “U nisëm derisa arritëm te ata në Sakifen e Beni Saidess, dhe aty pamë një njeri të mbështjellë me rrobën e tij midis tyre. Thashë: Kush është ky? Thanë: Sa’d ibn Ubade.”

Duket se ata e kishin vendosur atë në një vend në krye të kuvendit, gjë që tërhoqi vëmendjen e Omer ibn Hattabit dhe ndoshta ai kuptoi se ai tashmë ishte propozuar për hilafet.

Omeri thotë: “Thashë: Çfarë ka ai? Thanë: Është i sëmurë.” Kur u ulëm pak, u ngrit oratori i tyre.

Ndodhi një çast heshtjeje, pastaj ensarët kuptuan se prania e këtyre tre muhaxhirëve mund të ndryshonte situatën dhe të sillte diçka që ata nuk e dëshironin. Prandaj u ngrit oratori i ensarëve për ta mbyllur çështjen para se të flisnin muhaxhirët. Ky orator nuk është i njohur me emër; nuk përmendet në transmetimet e sakta. Ibn Haxher el-Askalani thotë në “Fet’h el-Bari” se mund të ketë qenë Thabit ibn Kajs, i cili njihej si oratori i ensarëve, por Allahu e di më së miri.

Sido që të jetë, ai deshi të fliste qartë dhe prerë dhe tha – siç transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi – pasi dëshmoi dhe e lavdëroi Allahun siç i takon:

“Sa për më tej, ne jemi ensarët e Allahut dhe ushtria e Islamit, ndërsa ju, o muhaxhirë, jeni një grup i vogël.” Në një transmetim tjetër: “një grup prej nesh.”

Këtu shfaqen shenjat e para të një problemi. Oratori i ensarëve po thotë se ensarët janë ushtria e Islamit dhe ndihmuesit e Allahut, ndërsa muhaxhirët janë një “grup i vogël”, madje në një transmetim tjetër: “një grup prej nesh”, pra të paktë krahasuar me ne.

Duket se ai e kuptoi se muhaxhirët mund të kërkonin hilafetin, prandaj nxitoi të dobësonte argumentin e tyre duke theksuar numrin e vogël të tyre. Natyrisht, ai po i referohej muhaxhirëve para çlirimit të Mekës dhe atyre që jetonin në Medinë në atë kohë; përndryshe, nëse do të llogariteshin të gjithë kurejshët që u bënë myslimanë pas çlirimit, ata do të ishin shumë herë më shumë se ensarët.

Më pas ai e tha hapur: “Na ka ardhur një grup i vogël nga populli juaj dhe duan të na e marrin çështjen nga rrënjët tona dhe të na përjashtojnë nga udhëheqja.” Pastaj heshti.

Kështu oratori i ensarëve e tha qartë diçka që do të sillte debat të gjatë: ai deklaroi se muhaxhirët kishin ardhur për t’i përjashtuar ensarët nga një çështje që ata e konsideronin të drejtën e tyre. Dhe këtu filloi përplasja e parë e qartë mes palëve: ensarët dhe muhaxhirët.

Kjo ishte një situatë serioze, ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s) kishte ndaluar në mënyrë të prerë thirrjet fisnore dhe ndarjet e kohës së injorancës, dhe kishte ndaluar prishjen e marrëdhënieve mes myslimanëve. Prandaj kërkohej urtësi dhe kujdes i madh në trajtimin e situatës, veçanërisht kur e gjithë kjo po ndodhte në të njëjtën ditë të vdekjes së të Dërguarit të Allahut (a.s), ndërkohë që ai ende nuk ishte varrosur.

Omeri ibn Hattabi thotë: “Kur heshti ai orator, desha të flisja dhe kisha përgatitur një fjalim që më pëlqente ta paraqisja para Ebu Bekrit. Por kur desha të flisja, Ebu Bekri tha: “Ngadalë.”

Pra, “qetësohu dhe prit”, duke e ndaluar të fliste, ndoshta nga frika se Omeri mund të thoshte fjalë të ashpra që do ta komplikonin situatën.

Omeri thotë: “Nuk desha ta zemëroja, prandaj heshta. Atëherë foli Ebu Bekri dhe ai ishte më i butë dhe më i përmbajtur se unë.” Dhe Omeri – si edhe të gjithë sahabët – e nderonin shumë Ebu Bekrin. Kur ai fliste, ata dëgjonin me vëmendje.

Omeri thotë: “Pasha Allahun, ai nuk la asnjë fjalë që më kishte pëlqyer në përgatitjen time, pa e thënë vetë menjëherë ose edhe më mirë se ajo.”

Fjala e Ebu Bekr es-Siddikut në Sakife:

Çfarë tha Ebu Bekr es-Siddiku, më i urti i umetit pas të Dërguarit të tij (a.s)?

Ai e ndau fjalimin e tij në tre pjesë ose tre etapa me urtësi të madhe:

Së pari: Omeri thotë: “Ebu Bekri nuk la asgjë që ishte zbritur për ensarët, apo që e kishte përmendur i Dërguari i Allahut (a.s), pa e përmendur.” Pra ai përmendi të gjitha lavdërimet që kishin ardhur për ensarët, pastaj tha: “Ju e dini se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse njerëzit do të merrnin një luginë dhe ensarët një luginë tjetër, unë do të merrja luginën e ensarëve.”

Dhe gjithçka që ju keni përmendur nga e mira për veten tuaj, ju e meritoni atë. Pasha Allahun, o grupi i ensarëve, ne nuk e mohojmë kurrë vlerën tuaj, as kontributin tuaj në Islam, as të drejtën tuaj ndaj nesh.

Me këtë hyrje të butë, Ebu Bekri i përfshiu ensarët dhe krijoi një atmosferë qetësie në Sakife, duke i dhënë secilit të drejtën e tij dhe duke e zgjeruar gjoksin e tyre, pa gënjeshtër dhe pa hipokrizi, por duke thënë të vërtetën që e kishte thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij (a.s).

Së dyti: Pasi u qetësuan shpirtrat, ai tha të vërtetën që duhej thënë: “Por arabët nuk e njohin këtë çështje veçse për këtë fis, të Kurejshëve, të cilët janë mesi i arabëve në vendbanim dhe në prejardhje.”

Këtu Ebu Bekri po përpiqej t’i shpjegonte me qetësi ensarëve se urtësia kërkon që hilafeti të jetë te Kurejshët. Pse? Sepse arabët nuk do t’i binden askujt tjetër përveç tyre. Prej tyre është edhe Profeti (a.s), dhe ata janë më të njohurit dhe më të afërtit me zemrat e arabëve për shkak të pozitës së Mekës. Nëse udhëheqësi është nga Kurejshët, arabët do të bashkoheshin rreth tij pavarësisht fisit të tyre; por nëse është nga dikush tjetër, ata nuk do ta pranonin, edhe nëse ai do të ishte shumë i drejtë dhe i devotshëm.

Pra çështja nuk është nënvlerësim apo margjinalizim i ensarëve, sepse ata janë njerëz me vlerë dhe ndihmues të Islamit. Por çështja nuk është vetëm udhëheqja e Medinës që të zgjidhet një sundimtar lokal; duhet kuptuar se ky halif do të udhëheqë të gjithë arabët dhe më pas gjithë njerëzit. Edhe nëse ensarët do të zgjidhnin dikë më të devotshëm se një nga muhaxhirët, a nuk është më e urtë të zgjidhet ai që bashkon njerëzit?

Kjo nuk është tribalizëm apo racizëm, por kuptim i realitetit: realiteti kërkon që halifi të jetë nga Kurejshët, sidomos në atë kohë. Dhe a nuk kishte ndër muhaxhirët njerëz me vlerë, urtësi dhe devotshmëri si Sa’d ibn Ubade apo të tjerë nga sahabët?

Pa dyshim, muhaxhirët ishin të mbushur me njerëz të dijes dhe virtytit.

Pra kjo ishte një qasje e re e Ebu Bekrit: që halifi të jetë nga Kurejshët, dhe ky ishte një mendim i arsyeshëm dhe me dimension të thellë.

Së treti: Ebu Bekri e përfundoi fjalën e tij me një pikë të tretë dhe tha një fjali të mrekullueshme: “Unë ju kam propozuar njërin nga këta dy burra, prandaj zgjidhni cilin të doni.”

Pastaj ai kapi dorën e Omer ibn Hattabit dhe të Ebu Ubejde ibn el-Xherrahut, ndërsa ishte ulur mes tyre. Kjo do të thotë se Ebu Bekri nuk e propozoi çështjen e hilafetit nga Kurejshët për të kërkuar vetë pushtet, por përkundrazi, edhe pse ishte më i miri ndër muhaxhirët dhe pas Profetit (a.s) më i miri i njerëzve, ai propozoi këta dy burra si alternativë, duke treguar asketizëm ndaj pushtetit dhe largim nga dynjaja.

Ebu Bekri nuk e tha këtë si politikë apo strategji, por sinqerisht, siç tregon jeta e tij, ai nuk kërkoi kurrë pushtet dhe nuk e dëshiroi atë.

Kur më vonë u bë halif, ai mbajti një hytbe duke thënë: “Jam vënë në këtë pozitë ndërsa nuk e dëshiroja atë. Do të doja që dikush tjetër nga ju të më kishte kursyer këtë detyrë. Nëse më kërkoni të veproj si i Dërguari i Allahut (a.s), nuk mund ta bëj; ai ishte i mbrojtur nga shpallja, ndërsa unë jam vetëm një njeri… prandaj më drejtoni nëse gaboj.”

Kjo ishte vërtet një fjalë që dilte nga zemra e Ebu Bekrit. Dhe kur mori drejtimin e myslimanëve, nuk u pa tek ai dëshirë për pushtet apo kënaqësi në të. Ai ishte adhurues, asket, i përkushtuar dhe shumë punëtor.

Kur Ebu Bekri propozoi Omerin dhe Ebu Ubejden për hilafet, reagimi i tyre ishte i qartë. Omeri tha: “Nuk urreva asgjë nga ajo që tha përveç kësaj. Pasha Allahun, që të më pritet koka para se të jem udhëheqës mbi një popull ku është Ebu Bekri, është më e dashur për mua sesa të jem udhëheqës mbi ta.”

Kështu ishte gjithmonë Ibn Hattabi, i cili e njihte vlerën e Ebu Bekrit dhe dëshironte sinqerisht të mos i paraprinte atij. Çfarë shoqërie e madhe ishte ajo, ku vetë të propozuarit për udhëheqje largoheshin prej saj!

Tani kishte dy alternative:

Një mendim që mbështeste një kandidat nga ensarët, dhe pas tij qëndronin shumica e prijësve të ensarëve në Medinë.

Dhe një mendim tjetër që mbështeste një kandidat nga Kurejshët, dhe pas tij qëndronin vetëm tre nga muhaxhirët. Secili prej tyre kishte argumentin dhe logjikën e vet. Dhe kjo nuk ishte një mospajtim i thjeshtë e i rastësishëm, por një mospajtim për pushtet, udhëheqje dhe autoritet. Prandaj le të shohim se si gjenerata shembullore e sahabëve e trajtoi këtë dallim mendimesh.

Mendimi i Hubab ibn Mundhirit dhe përgjigjja e Omerit (r.a)

Hubab ibn Mundhiri u ngrit. dhe nëse kujtojmë, ai ishte ai që i kishte sugjeruar të Dërguarit të Allahut (a.s) vendin e betejës në Bedër, pasi Profeti (a.s) kishte zbritur në një vend tjetër, dhe Profeti (a.s) e pranoi mendimin e tij. Po ashtu kishte dhënë këshillë edhe në Hajber. Prandaj ai njihej mes sahabëve si “Dhu er-Re’j” (njeriu i mendimit).

Hubab ibn Mundhiri paraqiti një mendim që e shihte si zgjidhje të mesme mes dy palëve, pra një kompromis që të kënaqte të dyja anët. Ai tha: “Unë jam ai që di si ta zgjidh këtë çështje.”

Në përgjithësi, ai donte të thoshte: “Unë do të sjell një zgjidhje që nuk do të kundërshtohet nga askush.”

Çfarë propozoi ai?

Tha: “Një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush.”

Pra ai propozoi që të zgjidheshin dy udhëheqës: një nga ensarët dhe një nga muhaxhirët, ose që të dy palët të ndanin udhëheqjen mbi shtetin islam së bashku.

Dhe këtu ka disa vërejtje për mendimin e Hubab ibn Mundhirit:

Së pari: kjo ishte një tërheqje e shpejtë nga ana e ensarëve nga pozicioni i tyre fillestar për zgjedhjen e halifit. Pak më parë, kandidati i tyre Sa’d ibn Ubade do të ishte halifi i gjithë shtetit islam. Por tani, me disa fjalë nga Ebu Bekri, ensarët po tërhiqeshin nga gjysma e pretendimit të tyre. Kjo ishte një përpjekje e sinqertë për afrimin e mendimeve dhe takimin në mes të rrugës.

Së dyti: pasi tha “Një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush”, ai shtoi një fjalë tjetër që e ka transmetuar Ibn Sa’d me zinxhir të saktë, siç ka thënë Ibn Haxher el-Askalani në “Fet’h el-Bari”. Hubab ibn Mundhiri tha: “Pasha Allahun, ne nuk ju kemi zili për këtë çështje, por kemi frikë se do të vijnë në pushtet njerëz që ne ua kemi vrarë baballarët dhe vëllezërit.”

Ai kishte për qëllim se ensarët, në betejat e njëpasnjëshme, kishin vrarë shumë nga banorët e Mekës nga Kurejshët, dhe kjo do të linte një ndjenjë hakmarrjeje në zemrat e Kurejshëve. Prandaj, nëse udhëheqja i kalonte Kurejshëve, ata mund të hakmerreshin ndaj ensarëve. Kjo shton një faktor tjetër në mesin e faktorëve që ensarët i morën parasysh kur u mblodhën për të zgjedhur udhëheqësin e tyre, siç u përmend më parë.

El-Hattabi (r.h) e komenton këtë duke thënë: “Arabët nuk e njihnin udhëheqjen mbi një popull përveçse nga vetë ai popull; prandaj ensarët, si pjesa tjetër e arabëve, e shihnin si të çuditshme që mbi ta të vihej një udhëheqës nga dikush tjetër.”

Dhe kjo është e vërtetë për këdo që njeh gjendjen e arabëve para Islamit. Edhe nëse një fis ishte i vogël, prijësi i tij ishte gjithmonë nga vetë fisi. Ata e pranuan të Dërguarin e Allahut (a.s) vetëm sepse ai ishte profet, ndërsa mendësia fisnore ishte një pengesë e madhe për shumë njerëz në pranimin e Islamit. Po, Islami e anuloi këtë sistem fisnor, por këto ishin rregullat e administrimit të shoqërisë vetëm pak vite më parë. Dhe nuk duhet harruar se i Dërguari i Allahut (a.s) kishte ndërruar jetë vetëm pak çaste më parë.

Pra vërejtja e dytë është kjo: ajo që i bëri ensarët të thonë këtë fjalë nuk ishte urrejtja ndaj muhaxhirëve, por frika nga një sistem i ri, në të cilin mund të rrezikohej jeta e tyre dhe siguria e tyre.

Së treti: pavarësisht sfondit dhe arsyeve pas fjalës së Hubab ibn Mundhirit, ku është urtësia që të drejtojë hilafetin njëkohësisht dy persona? Është e pamundur që një shtet të administrohet me dy halifë. Madje kjo është e ndaluar në mënyrë të qartë dhe të prerë në Sheriat.

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i jep besën një prijësi dhe i shtrëngon dorën, le t’i bindet sa të ketë mundësi. Nëse vjen një tjetër që e kundërshton, atëherë goditeni tjetrin në qafë.”[1]

Kjo është shumë e qartë. Prandaj Hubab ibn Mundhiri ose nuk e kishte arritur ky gjykim dhe nuk e dinte, ose ai donte që ensarët të tërhiqeshin gradualisht nga çështja e hilafetit, për të shmangur vështirësinë dhe sikletin për të madhin e tyre Sa’d ibn Ubade. Por kjo nuk mund të kalonte pa koment nga sahabët; nëse ky gjykim i kishte shpëtuar dikujt, të tjerët e kuptonin drejtimin e saktë.

Omeri ibn Hattabi tha: “Nuk qëndrojnë dy shpata në një këllëf.”

Atëherë oratori i ensarëve — ndoshta siç u përmend më parë, Thabit ibn Kajs tha: “I Dërguari i Allahut (a.s), kur caktonte një njeri nga ju, e shoqëronte me një njeri nga ne. Prandaj veproni në këtë mënyrë.”

Pra, ai po përpiqej të mbështeste mendimin e Hubab ibn Mundhirit, por me një tërheqje më të madhe: pra pranimin e një udhëheqësi nga muhaxhirët, por i shoqëruar me një ndihmës nga ensarët. Megjithatë, duket se edhe kjo nuk ishte thjesht ndarje ministrash, por një lloj bashkë-udhëheqjeje në nivele të ndryshme, gjë që gjithashtu nuk ishte logjike.

U ngrit përsëri Omer ibn Hattabi dhe tha: “Larg qoftë! Nuk bashkohen dy në një drejtim. Pasha Allahun, arabët nuk pranojnë t’ju japin juve udhëheqje, kur Profeti është nga dikush tjetër. Por arabët nuk e refuzojnë që udhëheqja t’i jepet atyre tek të cilët ka qenë profecia. Dhe ne kemi argument të qartë dhe autoritet të dukshëm kundër atyre që kundërshtojnë.”

Pastaj tha: “Kush është ai që do të na kundërshtojë në pushtetin dhe udhëheqjen e Muhamedit (a.s), ndërsa ne jemi të afërmit dhe mbështetësit e tij? Përveç nëse është dikush që mbështetet në të pavërtetën, ose është i prirur drejt mëkatit, ose po hyn në shkatërrim.”

Këtu vërehet se Omeri filloi të ashpërsohej dhe zëri i tij u ngrit. Fjalët e tij kishin tone të forta dhe kuptimi i tyre ishte i prerë.

Në këtë moment foli një tjetër nga ensarët — emri i tij nuk është përmendur në transmetime — dhe siç është transmetuar në Musnedin e Imam Ahmedit me zinxhir të saktë, ai propozoi një tjetër zgjidhje kompromisi: “Le të zgjedhim një burrë nga muhaxhirët; dhe kur ai të vdesë, të zgjedhim një nga ensarët; pastaj përsëri një nga muhaxhirët, dhe kështu me radhë.”

Pra, ai propozonte një rotacion të përhershëm të pushtetit. Ai shtoi se kjo do t’i bënte Kurejshët më të kujdesshëm nëse devijonin, dhe gjithashtu ensarët do të kishin mundësi të reagonin nëse ndodhte ndonjë devijim nga e vërteta.

Por edhe pse në pamje të parë dukej si zgjidhje që e shtynte krizën, në realitet ajo vetëm do ta vononte konfliktin për disa vite apo muaj, sepse në fund do të lindnin përplasje mes dy palëve. Arabët më vonë nuk do ta pranonin lehtë një udhëheqës nga ensarët, dhe kështu kjo zgjidhje nuk ishte e qëndrueshme.

U ngrit përsëri Omeri ibn Hattabi dhe tha me ashpërsi dhe qartësi: “Jo, pasha Allahun, kushdo që na kundërshton, ne do ta luftojmë.”

Natyrisht, kjo fjalë ishte e ashpër dhe pa dyshim i preku ensarët në atë moment. Por Omeri donte të sqaronte çështjen ashtu siç ishte në të vërtetë.

Nëse hilafeti realisht është e drejtë e Kurejshëve, atëherë kushdo që ua kundërshton këtë të drejtë, duhet të ndalohet me ligj dhe, sipas këtij këndvështrimi, edhe të vritet. Dhe nëse të gjithë arabët do t’u jepnin besën Kurejshëve dhe nuk do t’u jepnin besën ensarëve, atëherë bashkimi rreth Kurejshëve bëhet detyrë. Në këtë rast, kërkesa e ensarëve për udhëheqje do të konsiderohej shkelje fetare, sepse do të çonte në përçarje dhe fitne, ndërsa fitneja është më e rëndë se vrasja.

Prandaj Profeti (a.s) ka urdhëruar luftimin e atij që pretendon udhëheqjen kur njerëzit tashmë i kanë dhënë besën një prijësi, përderisa ky i fundit zbaton ligjin e Allahut pa e ndryshuar apo shtrembëruar atë.

Për këtë arsye, el-Faruku u quajt “Faruk” (ai që ndan të vërtetën nga e pavërteta), sepse në shumë situata — madje ndoshta në të gjitha — ai nuk e pranonte paqartësinë dhe ngjyrat e ndërmjetme, por kërkonte qartësi të plotë. Edhe pse kjo mund të zemëronte disa njerëz ose të krijonte keqkuptime për të, në afat të gjatë ajo e shuan fitnen dhe forcon stabilitetin.

Por është e sigurt që kjo ashpërsi i preku disa ensarë, sepse natyra arabe në përgjithësi nuk pranon kërcënimin, sidomos kur vjen nga një figurë e fortë si Omeri. Atëherë Hubab ibn Mundhir u ngrit përsëri dhe përsëriti mendimin e tij: “Një prijës prej nesh dhe një prijës prej jush.” Ai u prek nga fjalët e Omerit dhe jo vetëm kaq; ai tha një shprehje që duket se i doli pa menduar mirë: “Dhe nëse doni, e përsërisim me dinakëri.” Pra, sikur të thoshte: “e rikthejmë luftën nga e para.” Një gjë e rrezikshme, dhe zërat u ngritën dhe u shtua trazira në bisedë.

Ajo që vihet re  këtu, është fakti se gjatë gjithë këtij dialogu dhe debati, nuk e kemi dëgjuar asnjëherë Sa’d ibn Ubaden që nga momenti kur hynë muhaxhirët. Ai nuk kërkoi për veten, nuk u justifikua dhe nuk tha se populli i tij e kishte zgjedhur. Po ashtu, ensarët gjatë gjithë këtij diskutimi nuk përmendën asnjëherë mirësinë e tyre ndaj muhaxhirëve, as nuk përmendën se i kishin strehuar kur ishin të përndjekur apo i kishin ndihmuar kur ishin të varfër.

Dhe e gjithë kjo është e vërtetë, por edukata dhe morali i ensarëve ei mbyllën dyert e fitnes.

Po ashtu vërehet se muhaxhirët, kur kërkuan udhëheqjen, nuk pretenduan asnjëherë se ishin më të mirë se ensarët, as në aftësi udhëheqjeje, as në administrim, as në moral apo devotshmëri. Ajo që ata theksuan ishte realiteti: se arabët nuk do t’i binden askujt tjetër përveç Kurejshëve.

Dhe për sa kohë që realiteti nuk e lejon të ndalohet një e lejuar apo të lejohet një e ndaluar, ai duhet marrë parasysh.

Siç është thënë më parë: më mirë që myslimanët të bashkohen nën një udhëheqës edhe nëse nuk është më i miri absolut, sesa të ndahen nën disa udhëheqës edhe nëse disa prej tyre janë më të virtytshëm.

Këto janë kuptimet që po mbronin tre muhaxhirët. Po ashtu vihet re gjithashtu në këtë ngjarje të Sakifes të Beni Saides se sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ishin njerëz: ata bënin ixhtihad në mendime; disa prej tyre qëllonin të saktën dhe marrin dy shpërblime, ndërsa të tjerët gabonin dhe marrin një shpërblim.

Ashtu siç nuk pranojmë që orientalistët dhe ndjekësit e tyre të sulmojnë sinqeritetin, besnikërinë dhe drejtësinë e sahabëve, po ashtu nuk pranojmë nga ana tjetër të mendojmë se jeta e tyre ishte pa dallime mendimesh ose vetëm pajtim i plotë pa asnjë mospajtim. Kurrë jo.

Mospajtimi mes myslimanëve është një çështje e pashmangshme; ai duhet të ndodhë. Madje ka ndodhur edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe myslimanët kanë pasur mospajtime në shumë çështje në praninë e tij. Madje edhe i Dërguari (a.s) vetë ka pasur disa mospajtime me sahabët në çështje ku nuk kishte shpallje hyjnore; ndonjëherë ai madje e ka përkrahur mendimin e sahabëve, si në rastin e robërve të Bedrit, kur u mbështet mendimi i Omer ibn Hattabit, njeriut të drejtë dhe të frymëzuar, mendimi i të cilit u përputh me Kuranin në disa raste.

Po, zgjeroni horizontin e të menduarit dhe pranoni dallimet në mendime, por zemrat duhet të mbeten të bashkuara pavarësisht këtyre dallimeve.

Kthehemi te qëndrimi i sahabëve: pas fjalëve të fundit të Omer ibn Hattabit dhe Hubab ibn Mundhirit si do të zgjidhej kjo situatë e tensionuar?

Si do të ulej ky zë i lartë?

Dhe si do të zbuteshin zemrat e ngushtuara?

Ebu Ubejde e ndryshon rrjedhën e bisedës në Sakife:

Nëse fjalët e arsyes, argumentit dhe logjikës ndonjëherë i ashpërsojnë zemrat, atëherë le të flasin fjalët e ndjenjës dhe shpirtit. Flet Ebu Ubejde ibn el-Xherrah, “Eminu’l-ummeh” (besniku i umetit), njeriu i qetë dhe i matur. Ai tha një fjali të vetme, por që zbriti qetësi mbi Sakifen në çast: “O ensarë, ju ishit të parët që ndihmuat dhe mbështetët, prandaj mos u bëni të parët që ndryshoni dhe devijoni.”

Këto pak fjalë e tronditën gjendjen e ensarëve dhe i prekën thellë zemrat e tyre. Ebu Ubejde, “besniku”, lëshoi një shigjetë që ra drejt e në zemrat e ensarëve, një nga një. Allahu i Madhëruar thotë: “E ata që besuan, shpërngulën dhe luftuan në rrugë të Allahut, dhe ata që strehuan dhe ndihmuan, ata janë besimtarët e vërtetë; për ta ka falje dhe furnizim të nderuar.”[2]

“O i Dërguari i Allahut, ndaj mes nesh dhe vëllezërve tanë pemët e hurmave.”

“Jemi të kënaqur me të Dërguarin e Allahut si pjesë dhe si fat.”

“E ata që u vendosën në shtëpinë (Medinën) dhe në besim para tyre, i duan ata që shpërngulen tek ta dhe nuk ndiejnë në zemrat e tyre asnjë nevojë për atë që u është dhënë, dhe i japin përparësi të tjerëve edhe kur vetë janë në nevojë të madhe…”[3] (El-Hashr: 9)

A do të ndryshojnë ensarët?! A do të devijojnë?!

“O i Dërguari i Allahut, merr për veten tënde dhe për Zotin tënd atë që dëshiron.”

“Po të japim besën për dëgjim dhe bindje, në vështirësi dhe lehtësi, në atë që na pëlqen dhe në atë që nuk na pëlqen, edhe kur të tjerët na marrin përparësi ndaj nesh, dhe të mos i kundërshtojmë ata që janë në pushtet.”

“Allahu është dëshmitar, këto janë kujtime madhështore e të përjetshme…”

“Çfarë kemi ne nëse e përmbushim këtë, o i Dërguari i Allahut?”

Tha: “Xheneti.”

Thanë: “Atëherë shtrije dorën.”

Ai e shtriu dorën dhe ata i dhanë besën.

Ensarët u zgjuan të gjithë. U zgjuan në të vërtetën e tyre të madhe: se Allahu i kishte krijuar që të japin, të japin dhe të japin, një erë e butë dhe e mëshirshme që sjell mirësi dhe nuk merr asgjë për vete.

Ebu Ubejde i ngriti me fjalën e tij nga niveli tokësor njerëzor në një lartësi shpirtërore të ngjashme me engjëjt.

Ata kujtuan betimin e madh, hixhretin, ndihmën, xhihadin dhe dëshmorët.

Kujtuan Sa’d ibn Muadhin, As’ad ibn Zurare, Sa’d ibn er-Rebi dhe ensarët që jetuan si ensarë dhe vdiqën si ensarë.

Kujtuan të Dërguarin e Allahut (a.s), të dashurin që sapo ishte ndarë prej tyre dhe ende nuk ishte varrosur.

Ai ishte ende i gjallë në zemrat e tyre dhe do të mbetej i tillë deri në vdekje.

Dhe lotët e ensarëve ranë mbi të pranishmit.

Pastaj u ngrit shpejt Beshir ibn Sa’d el-Ensari el-Khazrexhi, i cili kishte marrë pjesë në Besën e Akabes së dytë dhe ishte i moshuar. Ai tha: “O ensarë! Pasha Allahun, edhe nëse ne kemi pasur virtyt në xhihadin kundër idhujtarëve dhe një pozitë të hershme në këtë fe, ne nuk e kemi bërë këtë për asgjë tjetër përveç kënaqësisë së Zotit tonë dhe bindjes ndaj Profetit tonë, dhe për të punuar për vetet tona. Prandaj nuk duhet ta konsiderojmë këtë si krenari, as të kërkojmë me të ndonjë pjesë të dynjasë. Allahu është dhënësi i mirësisë dhe i begatisë ndaj nesh. Dijeni se Muhamedi (a.s) është nga Kurejshët, dhe populli i tij ka më shumë të drejtë dhe është më i afërt me të. Dhe unë kurrë nuk e shoh veten duke u përplasur me ta në këtë çështje. Frikësojuni Allahut dhe mos i kundërshtoni dhe mos i rivalizoni!”

Kështu ndryshoi tërësisht rrjedha e bisedës në Sakife. Filloi qetësimi i zemrave dhe u duk se argumenti i muhaxhirëve po bëhej më i fortë, por kjo nuk do t’i bindte ensarët po të mos ishin zemrat e tyre plot iman dhe synimi i tyre Xheneti.

Pastaj u ngrit Esved ibn Hudajr, prijësi i fisit Evs, dhe i këshilloi ensarët që ta linin çështjen dhe të jepnin besën muhaxhirëve. Ai tha se kishte frikë nga përçarja mes Evsit dhe Hazrexhit në të ardhmen nëse udhëheqja mbetej tek njëra palë, prandaj ai mbështeti muhaxhirët.

Kur Ebu Bekri pa që zemrat kishin filluar të zbuteshin dhe të pranonin zgjedhjen e një halifi nga muhaxhirët, ai shtoi një argument tjetër që e forcoi edhe më shumë këtë drejtim. Dhe në të vërtetë, kjo tregon zgjuarsinë dhe kuptimin e tij të thellë të Librit të Allahut.

Ai tha: “Allahu na ka quajtur të sinqertët, dhe ju ka quajtur të shpëtuarit.” Duke iu referuar ajetit: “Për të varfrit muhaxhirë… ata janë të sinqertët” dhe “ata që u vendosën në shtëpinë (Medinën) dhe në besim…”[4] Pastaj ai solli edhe një argument tjetër nga ajeti: “O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe jini me të sinqertët!”[5]

Dhe më pas solli një hadith ku Profeti (a.s) e kishte porositur për ensarët mirësi dhe kujdes ndaj tyre.

Kështu zemrat u qetësuan edhe më shumë dhe uniteti i myslimanëve u forcua drejt një mendimi të vetëm. E gjithë kjo ndodhi që nga hyrja e muhaxhirëve deri në këtë moment, brenda më pak se dy orësh, pa u ndërprerë as me namaz. Dhe ende kishte më shumë ngjarje që do të ndodhnin në këtë periudhë të shkurtër. Çfarë brezi i bekuar!

Burimi: islamstory.com

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Muslimi.

[2] – Sure Enfal: 74.

[3] – Sure Hashr: 9.

[4] – Sure Hashr: 8 – 9.

[5] – Sure Teube; 119.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *