Profeti ynë, Muhamedi (a.s), është krijesa më madhështore që Allahu i Lartësuar ka krijuar dhe profeti më i mirë që ka shkelur mbi tokë. Ai është vula e profetëve dhe e të dërguarve, si dhe më i miri ndër ta. Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk është babai i asnjërit prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve.”[1] Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata janë të dërguarit. Disa prej tyre i kemi dalluar mbi të tjerët. Me disa prej tyre Allahu ka folur, ndërsa disa të tjerë i ka ngritur në shkallë të larta.”[2] Imam Sa’di ka thënë: “Allahu i Lartësuar njofton se disa të dërguar i ka dalluar mbi të tjerët, duke i veçuar ndër të gjithë njerëzit me shpalljen e Tij, duke i dërguar te njerëzit dhe duke i ftuar krijesat drejt Allahut. Pastaj prej tyre i ka dalluar mbi disa të tjerët për shkak të cilësive të mira, veprave të drejta dhe dobisë së përgjithshme që Ai u ka dhënë. Disa prej tyre janë ata me të cilët Allahu ka folur, si Musai, biri i Imranit, të cilin e veçoi duke i folur drejtpërdrejt. Ndërsa disa të tjerë i ka ngritur në shkallë mbi të gjithë të tjerët, siç është Profeti ynë (a.s), tek i cili janë bashkuar virtyte që te të tjerët janë të shpërndara dhe të cilit Allahu i ka bashkuar merita me të cilat ai i ka tejkaluar të parët dhe të fundit.”
Epërsia e Profetit tonë, Muhamedit (a.s), mbi të gjitha krijesat në përgjithësi dhe mbi profetët në veçanti, është një epërsi e prerë dhe e padiskutueshme, jo thjesht e hamendësuar. Për këtë kanë rënë dakord të gjithë dijetarët e umetit.
Abdulla ibn Abbasi (r.a), ka thënë: “Allahu i Madhëruar nuk ka krijuar dhe nuk ka sjellë në ekzistencë asnjë qenie më të nderuar tek Ai sesa Muhamedi (a.s).”
Abdulla ibn Selami (r.a) ka thënë: “Krijesa më e nderuar tek Allahu është Ebu’l-Kasimi (a.s).” Atij iu tha: “Allahu të mëshiroftë! Po engjëjt, ku janë?” Ai iu përgjigj pyetësit: “O biri i vëllait tim, a e di se çfarë janë engjëjt? Engjëjt janë krijesa si krijesat e tokës, krijesat e qiellit, retë, malet, erërat dhe të gjitha krijesat e tjera. Ndërsa krijesa më e nderuar tek Allahu i Lartësuar është Ebu’l-Kasimi (a.s).”
Ibn Tejmije (r.h) ka përmendur transmetimin e Abdulla ibn Selamit (r.a), dhe më pas ka thënë: “Nuk di të ketë ndonjë prej sahabëve që të ketë thënë diçka në kundërshtim me këtë. Ky është qëndrimi i njohur ndër ata që i përkasin Sunetit, qofshin prej pasuesve të imamëve të katër medhhebeve apo të tjerë.” Gjithashtu ka thënë: “Myslimanët janë pajtuar se ai (a.s) është krijesa me pozitën më të lartë tek Allahu. Asnjë krijesë nuk ka pozitë më të lartë se pozita e tij dhe asnjë ndërmjetësim nuk është më i madh se ndërmjetësimi i tij.”
Kadi Ijadi ka thënë: “Nga argumentet e Kuranit, transmetimet autentike dhe konsensusi i umetit është vërtetuar se ai (a.s) është njeriu më i nderuar dhe më i miri ndër profetët.”
Ibn Kethiri ka thënë: “Ai (a.s) është vula e profetëve dhe zotëria i bijve të Ademit në këtë botë dhe në botën tjetër, pa asnjë dyshim dhe në mënyrë të prerë, që nuk pranon të kundërtën.”
Allahu i Madhëruar e ka veçuar dhe e ka dalluar Profetin tonë (a.s) mbi të gjitha krijesat, profetët dhe të dërguarit, me shumë veçori dhe virtyte. Ndër veçoritë e tij është ajo që ai (a.s) e ka përmendur në një hadith të vetëm: Ai është zotëria i bijve të Ademit, në dorën e tij do të jetë flamuri i lavdërimit në Ditën e Kiametit, të gjithë profetët në atë ditë do të jenë nën flamurin e tij dhe ai do të jetë i pari, për të cilin toka do të çahet.
Nga Ebu Seid el-Hudriu (r.a) , përcillet se Profeti (a.s) ka thënë: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit në Ditën e Kiametit dhe nuk mburrem me këtë; në dorën time do të jetë flamuri i lavdërimit dhe nuk mburrem me këtë. Atë ditë, nuk do të ketë asnjë profet, qoftë Ademi apo dikush tjetër, veçse do të jetë nën flamurin tim. Dhe unë do të jem i pari, për të cilin toka do të çahet, dhe nuk mburrem me këtë.”[3]
1 – Fjala e Profetit (a.s): “Unë jam zotëria i bijve të Ademit në Ditën e Kiametit dhe nuk mburrem me këtë.”
El-Kirmani ka thënë: “(Unë jam zotëria i bijve të Ademit)” – ai nuk e tha këtë për t’u mburrur apo për t’u ngritur mbi krijesat, por e tha duke përmendur mirësinë e Allahut ndaj tij dhe duke e pranuar dhuntinë e Tij. Me fjalën “zotëri” ka për qëllim atë pozitë me të cilën do të nderohet në Ditën e Kiametit.
Kadi Ijadi, në veprën “Ikmalu’l-Mu’lim bi Fevaidi Muslim”, ka thënë: “(Unë jam zotëria i bijve të Ademit në Ditën e Kiametit)” – është thënë se zotëri është ai që i tejkalon njerëzit e vet…
El-Haravi ka thënë: “Zotëri është ai që i tejkalon njerëzit e vet në mirësi.”
Ndërsa një tjetër ka thënë: “Ai (a.s) e tha këtë këtu, sepse zotëri është ai tek i cili njerëzit drejtohen në fatkeqësi dhe vështirësi; ai merr përsipër çështjet e tyre, përballon vështirësitë e tyre dhe përpiqet t’i largojë ato prej tyre.”
El-Iz ibn Abduselami, në veprën “Mun’jetu’s-Sul fi Tefdili’r-Resul”, ka thënë: “Zotëri është ai që është pajisur me cilësi të larta dhe virtyte të çmuara. Kjo tregon se ai është më i mirë se ata në të dyja botët. Sa i përket kësaj bote, kjo është për shkak të virtyteve me të cilat është pajisur; ndërsa sa i përket botës tjetër, kjo është sepse shpërblimi i botës tjetër është i lidhur me cilësitë dhe virtytet. Prandaj, nëse ai i ka tejkaluar ata në këtë botë për nga meritat dhe cilësitë, do t’i tejkalojë edhe në botën tjetër për nga pozitat dhe gradat.”
“Ai (a.s) tha: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit dhe nuk mburrem me këtë”, me qëllim që t’ia bëjë të ditur umetit të tij pozitën që ka tek Zoti i tij, i Madhëruar dhe i Lartësuar. Meqenëse ai që përmend meritat e veta zakonisht i përmend ato për t’u mburrur, Profeti (a.s) deshi të largonte çdo keqkuptim nga mendja e atij që mund të mendonte, nga padija, se ai e tha këtë për t’u mburrur. Prandaj tha: “dhe nuk mburrem me këtë”.”
Këto veçori dëshmojnë lartësinë e pozitës së tij mbi Ademin dhe të tjerët, sepse nuk ka kuptim tjetër të epërsisë veçse veçimi me merita dhe pozita të larta.
2 – “Në dorën time është flamuri i lavdërimit dhe nuk mburrem me këtë; dhe nuk ka asnjë profet atë ditë, qoftë Ademi apo dikush tjetër, veçse do të jetë nën flamurin tim.”
Ndër veçoritë me të cilat është veçuar Profeti ynë (a.s) është se në dorën e tij do të jetë flamuri i lavdërimit dhe të gjithë profetët, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta, do të jenë nën flamurin e tij në Ditën e Kiametit.
Dijetarët kanë dy qëndrime lidhur me këtë flamur: disa kanë thënë se është flamur kuptimor, ndërsa të tjerë kanë thënë se është flamur i vërtetë, konkret. Qëndrimi i saktë është se bëhet fjalë për një flamur të vërtetë, sepse parimi themelor në ato që Profeti (a.s) ka njoftuar është marrja e tyre sipas kuptimit të drejtpërdrejtë dhe jo si metafora. Çështjet e botës tjetër nuk janë prej atyre gjërave, realitetin e të cilave mendjet mund ta perceptojnë dhe mënyrën e të cilave mund ta përcaktojnë. Përkundrazi, ne u besojmë atyre ashtu siç na kanë ardhur nga Profeti (a.s), pa u futur në mënyrën se si janë. Tekstet fetare kanë njoftuar për flamuj që do të jenë në Ditën e Kiametit. Në një hadith, Profeti (a.s) ka thënë: “Për çdo tradhtar do të ngrihet një flamur në Ditën e Kiametit dhe do të thuhet: “Kjo është tradhtia e filanit”.”[4]
En-Neveviu ka thënë: “(Për çdo tradhtar do të ngrihet një flamur)”, domethënë një shenjë me të cilën ai do të bëhet i njohur ndër njerëz, sepse qëllimi i flamurit është të bëjë të njohur dhe të dallojë vendin e prijësit.
El-Mubarekfuri, në veprën “Tuhfetu’l-Ahvedhi bi Sherhi Xhami’i et-Tirmidhi”, ka thënë: “Them se marrja e flamurit të lavdërimit sipas kuptimit të tij të drejtpërdrejtë është qëndrimi i dukshëm, madje është edhe qëndrimi i detyrueshëm, sepse nuk kalohet në kuptimin metaforik kur është e mundur marrja e kuptimit të drejtpërdrejtë.”
Në “Sherhu’z-Zurkani ala el-Mevahibi’l-Ledunijje bil-Minehi’l-Muhammedijje” thuhet: “Meqenëse ai (a.s) është krijesa më madhështore, iu dha edhe flamuri më madhështor, flamuri i lavdërimit, që të strehohen nën të të parët dhe të fundit. Prandaj, ai është flamur i vërtetë dhe nuk ka arsye që të interpretohet si flamur i pasurisë apo i përsosmërisë.”
El-Bejdaviu, në veprën “Tuhfetu’l-Ebrar Sherhu Mesabihi’s-Sunneh”, ka thënë: “Në vendet e tubimit (qëndrimet ku zhvillohet llogaria në Ditën e Kiametit) ka pozita për njerëzit e së mirës dhe të së keqes. Në çdo pozitë, për atë që ka qenë shembull për njerëzit e saj, ngrihet një flamur me të cilin ai njihet. Më e larta ndër këto pozita është pozita e lavdërimit, dhe ajo është pozita e Profetit tone (a.s). Pikërisht kësaj i referohet fjala e Allahut të Lartësuar: “Ndoshta Zoti yt do të të ngrejë në një vend të lavdëruar.”[5]
Ajo është quajtur kështu sepse ai që e zotëron është krijesa më e denjë për t’u lavdëruar, ose sepse ai e lavdëron Zotin e tij si në mirëqenie, ashtu edhe në vështirësi dhe, për këtë arsye, e meriton këtë pozitë; ose sepse përfundimi i tij do të jetë i lavdëruar; ose sepse në atë pozitë do t’i hapen atij lavdërime të tilla që nuk i janë hapur askujt tjetër prej botëve; ose sepse do t’i jepet ajo me të cilën do të jetë i kënaqur dhe për të cilën do ta lavdërojë Atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe, me siguri, Zoti yt do të të japë ty, e ti do të jesh i kënaqur.”[6]
“(Dhe nuk mburrem)” do të thotë: nuk e them këtë për t’u mburrur me të apo për t’u krenuar, por e përmend si shprehje mirënjohjeje për mirësinë e Allahut të Lartësuar dhe për të shfaqur mirësinë e Tij.”
Et-Tajbiu, në veprën “El-Kashif an Hakaiki’s-Sunen”, ka thënë: “Fjala e tij: “(dhe nuk mburrem)” është një rrethanor që e thekson kuptimin, domethënë: “E them këtë dhe nuk mburrem me të.” Këtu ka dy kuptime: i pari, se e tha këtë në zbatim të urdhrit të Allahut të Lartësuar: “Dhe për mirësinë e Zotit tënd, trego!”[7] dhe i dyti, se kjo është pjesë e sqarimit që ai ishte i detyruar t’ia përcillte umetit të tij, në mënyrë që ta njihnin dhe ta besonin këtë pozitë dhe të vepronin në përputhje me të në nderimin e tij (a.s), ashtu siç i ka urdhëruar Allahu i Lartësuar.”
El-Kirmani, në “Sherhu Mesabihi’s-Sunneh”, ka thënë: “(Dhe nuk mburrem)”, domethënë: nuk e them këtë për t’u mburrur, por për të shfaqur mirësinë e Allahut të Lartësuar ndaj meje. Është thënë gjithashtu: nuk mburrem me këtë, por mburrja ime është me Zotin tim, i Cili ma ka dhënë këtë pozitë.
“(Në dorën time është flamuri i lavdërimit)”, domethënë flamuri i tij. Me këtë ai nënkupton se ai është i veçuar me lavdërimin dhe se lavdërimi i tij është i njohur para të gjitha krijesave. Arabët e përdorin fjalën “flamur” edhe me kuptimin e famës dhe të njohjes. Nuk ka pozitë më të lartë dhe më të ngritur se pozita e lavdërimit dhe, poshtë saj, përfundojnë të gjitha pozitat e tjera të robërve. Meqenëse Profeti ynë (a.s), është krijesa më e denjë për t’u lavdëruar në këtë botë dhe në botën tjetër, atij iu dha flamuri i lavdërimit, që nën flamurin e tij të strehohen të parët dhe të fundit dhe që atë ditë t’i hapen atij lavdërime të tilla që nuk i janë hapur askujt tjetër.”
Në “El-Mujesser fi Sherhi Mesabihi’s-Sunneh” thuhet: “Në Ditën e Kiametit, për çdo të ndjekur do të ngrihet një flamur me të cilin do të njihet, qoftë ai shembull i së vërtetës, qoftë shembull në të pavërtetën. Nuk ka pozitë, ndër të gjitha pozitat e robërve të mirë të Allahut, më të lartë dhe më të ngritur se pozita e lavdërimit dhe, poshtë saj, përfundojnë të gjitha pozitat e tjera. Meqenëse Profeti ynë është zotëria i të dërguarve dhe krijesa më e denjë për t’u lavdëruar në këtë botë dhe në botën tjetër, atij iu dha flamuri i lavdërimit, që nën flamurin e tij të strehohen të parët dhe të fundit. Kësaj i referohet fjala e tij (a.s): “Ademi dhe kushdo tjetër përveç tij do të jetë nën flamurin tim.” Për këtë arsye, Libri i tij, Kurani, fillon me lavdërimin, ndërsa emri i tij është nxjerrë nga fjala “lavdërim”, ndaj u quajt Muhamed dhe Ahmed. Gjithashtu, në Ditën e Kiametit atij do t’i jepet pozita e lavdëruar dhe, atë ditë e në atë pozitë, do t’i hapen lavdërime të tilla që nuk i janë hapur askujt para tij dhe nuk do t’i hapen askujt pas tij.”
El-Mudh’hiriju, në veprën “El-Mefatih fi Sherhi’l-Mesabih”, ka thënë: “Është quajtur flamuri i lavdërimit sepse ai (a.s) do ta lavdërojë Allahun e Lartësuar në gjendjen në të cilën do të jetë me flamurin në Ditën e Kiametit, me një lavdërim që i përshtatet Madhërisë së Tij të Lartësuar, për faktin se Ai e ka afruar pranë Vetes, e ka dalluar mbi të gjithë robërit e Tij, profetët, të dërguarit dhe të tjerët prej njerëzve të tubuar në atë ditë; i ka bërë ata të kenë nevojë të mblidhen nën flamurin e tij të gëzuar e të lumtur dhe të shpresojnë tek ndërmjetësimi i tij, madje të jenë të detyruar dhe të shtyrë drejt tij. Përkundër kësaj epërsie dhe përsosmërie, ai (a.s) u tregua i përulur dhe tha: “Dhe nuk mburrem”. Domethënë: nuk e përdor këtë për t’u mburrur; nuk e përmend për krenari, siç është zakon i njerëzve, por e përmend për të numëruar mirësitë, sepse kjo është thjesht prej mirësisë dhe begatisë së Tij ndaj meje.
“(Nuk ka asnjë profet)”, domethënë në Ditën e Kiametit nuk do të ketë asnjë profet, qoftë Ademi apo cilido prej profetëve dhe të dërguarve të tjerë, veçse do të jetë i pranishëm nën flamurin tim. Unë do të jem i pari që do të ngrihem nga toka para të gjitha krijesave dhe nuk mburrem me këtë, por kjo është vetëm prej mirësisë dhe bujarisë së Allahut ndaj meje.”
Es-San’ani, në veprën “Et-Tenvir Sherhu’l-Xhami’i es-Sagir”, ka thënë: “(Veçse nën flamurin tim)”, domethënë: të gjithë janë pasues të tij (a.s) dhe do të jenë nën flamurin e tij.
Pra, të gjithë profetët, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta, edhe sikur të supozohej se do të mblidheshin të gjithë në të njëjtën kohë, nuk do të kishin rrugë tjetër veçse të ndiqnin Profetin tonë, Muhamedin (a.s). Profeti (a.s) i ka thënë Omer ibn Hattabit (r.a): “Edhe sikur Musai të ishte gjallë, nuk do të kishte rrugë tjetër veçse të më ndiqte mua.”[8]
Imam Sa’di ka thënë: “Pra, të gjithë profetët, sikur ta kishin arritur Muhamedin (a.s), do ta kishin pasur detyrë të besonin në të, ta ndiqnin dhe ta mbështesnin atë. Ai do të ishte prijësi, i pari dhe i ndjekuri i tyre.”
3 – “Dhe unë do të jem i pari për të cilin toka do të çahet dhe nuk mburrem me këtë.”
Të gjithë njerëzit, para ringjalljes, qëndrojnë në varret e tyre nën tokë, dhe mes tyre është edhe Profeti (a.s). Ai (a.s) na ka njoftuar se do të jetë i pari për të cilin varri do të çahet, kështu që do të jetë i pari që do të ringjallet nga varri i tij dhe do të paraqitet në vendin e tubimit.
El-Menaviu, në veprën “Fejdu’l-Kadir Sherhu’l-Xhami’i es-Sagir”, ka thënë: “(Dhe unë do të jem i pari për të cilin toka do të çahet)”, domethënë: Allahu do të jetë i pari që do ta ringjallë atë, për ta nderuar në shkallën më të lartë dhe për t’ia përshpejtuar dhuntinë e Tij të madhe. Pra, askush nuk do të paraprijë atë në ringjallje dhe kjo është një prej veçorive të tij.
Veçoritë me të cilat Allahu i Madhëruar e ka veçuar Profetin tonë ﷺ, për ta nderuar dhe për t’i dhënë atij pozitë të lartë mbi të tjerët — mbi njerëzit në përgjithësi dhe mbi profetët e të dërguarit në veçanti — në këtë botë dhe në botën tjetër, nuk mund të numërohen dhe as të kufizohen.
Ndër veçoritë dhe virtytet e tij në Ditën e Kiametit janë: ai është zotëria i bijve të Ademit; i pari për të cilin toka do të çahet; në dorën e tij do të jetë flamuri i lavdërimit, i cili është një flamur i vërtetë dhe konkret që do të veçohet për ta mbajtur ai në Ditën e Kiametit; të gjithë profetët, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta, do të jenë nën flamurin e tij; ai do të jetë i pari prej të dërguarve që do të kalojë Siratin bashkë me umetin e tij; do të jetë i pari për të cilin do të hapen dyert e Xhenetit, të cilat nuk do t’i hapen askujt para tij; dhe ai është zotëruesi i Vesiles dhe i Fadiles, që është grada më e lartë në Xhenet dhe të cilën do ta arrijë vetëm një prej robërve të Allahut, e ai është Profeti ynë, Muhamedi (a.s).
El-Kurtubiu, në veprën “El-Mufhim lima eshkele min Telhisi Kitabi Muslim”, ka thënë: “Këto veçori dhe virtyte për të cilat Profeti (a.s) ka folur për veten e tij, i ka përmendur sepse ato janë pjesë e asaj që ai është urdhëruar t’ua përcjellë njerëzve, për shkak të asaj që rrjedh prej tyre: detyrimi për t’i besuar ato dhe për t’i pranuar si të vërteta në vetvete; për t’i nxitur njerëzit të hyjnë në fenë e tij; për t’i bërë ata që kanë hyrë në të të kapen fort pas saj; për t’ua bërë të qartë madhështinë e mirësisë së Allahut ndaj tyre, që i ka bërë pjesë të një umeti, Profeti i të cilit është në këtë pozitë; si dhe që dashuria për të të zmadhohet në zemrat e pasuesve të tij, në mënyrë që veprat e tyre të shtohen dhe gjendja e tyre të përmirësohet. Kështu, ata do të ringjallen së bashku me të dhe do të marrin pjesën më të madhe të nderimit të tij. Në përgjithësi, përmes kësaj arrihet nderimi në këtë botë dhe nderimi në botën tjetër, sepse nderi i atij që ndiqet i kalon gjithsesi edhe atij që e ndjek.”
Ndër dobitë e rëndësishme të studimit të jetës së Profetit (a.s) është njohja e veçorive dhe virtyteve të Profetit tonë, Muhamedit (a.s), me të cilat Allahu i Lartësuar e ka veçuar dhe e ka dalluar mbi profetët dhe të dërguarit e tjerë në këtë botë dhe në botën tjetër. Këto veçori dëshmojnë epërsinë e tij, lartësinë e vlerës së tij dhe pozitën e tij të lartë tek Zoti i tij, i Madhëruar dhe i Lartësuar.
Muhamed ibn el-Husejni ka thënë: “Është e turpshme për myslimanët që të mos e njohin vlerën e virtyteve të Profetit të tyre (a.s) dhe atë me të cilën Allahu i Madhëruar e ka veçuar prej nderimeve dhe pozitës së lartë në këtë botë dhe në botën tjetër.”
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ahzab: 40.
[2] – Sure Bekare: 253.
[3] – Tirmidhiu.
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Sure Isra: 79.
[6] – Sure Duha: 5.
[7] – Sure Duha: 11.
[8] – Bejhakiu.



















