Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe paqja dhe bekimet më të mira qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, të sinqertin dhe të besueshmin.
O Allah, ne nuk kemi dije përveç asaj që Ti na ke mësuar. Vërtet Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti. O Allah, na mëso atë që na bën dobi, dhe na bëj dobi me atë që na ke mësuar, dhe na shto dijen. Na e bëj të vërtetën si të vërtetë dhe na jep mundësinë ta ndjekim atë, dhe na e trego të pavërtetën si të pavërtetë dhe na jep mundësinë ta shmangim atë. Na bëj prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën prej saj.
Na bëj pjesë e mëshirës Tënde, në mesin e robërve të Tu të mirë.
Vepra më delikate por dhe më e rëndësishme në jetën e muslimanëve është edukimi i fëmijëve të tyre
Vëllezër të nderuar! Prej dy ditësh po reflektoj se nuk ka vepër më të rrezikshme në jetën e muslimanëve sesa edukimi i fëmijëve të tyre, sepse kjo është një fushë që është në dorën e tyre, dhe brenda përgjegjësisë së tyre.
Ndonjëherë muslimani shikon rreth e rrotull dhe mund të ndjejë veten të dobët dhe nuk ka mundësi të ndalojë forcat e mëdha që lëvizin kundër Islamit. Por ai ka në dorë një gjë shumë të rëndësishme: Të edukojë fëmijët e tij.
Nëse njeriu dëshiron të mos “vdesë” (pra që ndikimi i tij të vazhdojë), atëherë duhet të edukojë fëmijët e tij me edukatë islame.
Dikush mund të thotë: Ka shumë pengesa, dhe kjo është e vërtetë. Por Profeti (a.s) ka thënë: “Do të vijë një kohë tek njerëzit, ku ai që duron në fenë e tij është si ai që mban në dorë një prush të zjarrtë.”[1]
Njeriu nuk ndien lumturin e vërtetë, vetëm kur fëmija i tij bëhet ashtu siç ai e dëshiron:
Pa dyshim që kjo detyrë është e vështirë, por nuk ka vepër më të madhe, më të dobishme dhe më të qëndrueshme në jetën e besimtarit sesa edukimi i fëmijëve të tij. Ata janë pjesë e tij, janë fryti i zemrës së tij, janë vazhdimësia e ekzistencës së tij.
Unë shoh, dëgjoj dhe vërej se ka baballarë me nivel të lartë kuptimi, përsosmërie dhe besimi, por megjithatë vuajnë për shkak të fëmijëve të tyre. Fëmija ka nevojë për vëmendje të madhe që në moshë të vogël. Ka nevojë për kohë të gjatë, përkujdesje, për mbikëqyrje, për udhëzim, për këshillim dhe për shoqërim. Kjo kërkon një përpjekje të madhe.
Por, për Zotin që nuk ka Zot tjetër përveç Tij, kur e sheh fëmijën tënd ashtu siç dëshiron në fe, në drejtësi, në sjellje të mirë dhe në sukses, ndien një lumturi të madhe. Sikur dikujt t’i jepet e gjithë bota me ar dhe argjend, nuk do të ndiente një lumturi të tillë si ajo që ndien kur sheh fëmijën e tij ashtu siç dëshiron.
Prandaj, dikush mund të thotë: “Çfarë mund të bëj? Mund të bësh gjithçka. Por nëse dëshiron me sinqeritet dhe përkushtim që fëmijët e tu të jenë vazhdim i besimit tënd dhe të lësh pas një fëmijë të mirë që lutet për ty, atëherë duhet të përveshësh mëngët dhe të angazhohesh seriozisht.
Fëmija është gjëja më e çmuar nga Allahu i Madhëruar:
Allahu i Madhëruar ta ka dhënë fëmijën si dhuratë dhe mirësi. Argument për këtë është fjala e Tij: “Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugë të drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët.”[2]
Hibeh (dhuratë) do të thotë gjëja më e çmuar që njeriu mund ta marrë nga Allahu i Madhëruar. Fëmija që ke në duar është biri yt dhe ti je babai i tij. Ai është nën kujdesin tënd, i bindet urdhrave të tu, shpenzimet e tij janë mbi ty dhe drejtimi i tij është përgjegjësia jote.
Unë ndiej se babai që angazhohet me punë për të arritur sukses jashtë shtëpisë, por i neglizhon fëmijët e tij, pas një kohe, kur është vonë, kupton se ka humbur një humbje të madhe dhe se ka humbur gjënë më të çmuar që ka pasur në jetën e tij e ata janë fëmijët e tij.
Tekstet kuranore që e urdhërojnë besimtarin të edukojë fëmijët e tij:
Në përgjithësi, tema është shumë e rëndësishme dhe shumë e gjatë, por në këtë trajtesë do të mjaftohem duke paraqitur disa tekste kuranore që e urdhërojnë besimtarin të edukojë fëmijët e tij.
Nga ajetet e Kuranit Fisnik, Allahu i Lartësuar thotë:
“Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.”[3] Besimtari është i obliguar t’i urdhërojë familjarët e tij për namaz dhe të jetë i durueshëm në këtë përgjegjësi. Sa shumë besimtarë falen, por nuk kujdesen për gjendjen e familjes së tyre… nëse falen apo jo. Nuk u intereson gjendja e fëmijëve të tyre… nëse falen apo jo.
Nëse ke mundësi të falesh me ta si imam në shtëpi, bëje. Nëse ke mundësi t’i marrësh me vete në xhami, bëje.
Fëmija shpesh mund të jetë barrë për babanë e tij, por nëse ai e përballon këtë barrë dhe më pas korr frytet e bukura të saj, ai i harron të gjitha vështirësitë që ka kaluar për të.
Pra, ajeti i parë është: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë…”
Sa herë që hyn koha e namazit, kujtoje këtë ajet pasi ti nuk je i obliguar të falesh vetëm… ti si besimtar je i obliguar t’i urdhërosh familjarët e tu për namaz dhe të jesh i durueshëm në këtë.
Ajeti i dytë:
Besimtari është i obliguar ta mbrojë veten dhe familjen e tij nga zjarri i Xhehenemit: “O ju që keni besuar, ruani veten tuaj dhe familjet tuaja nga një zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët; mbi të ka melekë të ashpër e të fortë, që nuk i kundërshtojnë Allahut në atë që i urdhëron dhe bëjnë atë që u urdhërohet.”[4] Urdhri i Allahut të Madhëruar për ty nuk është që të mbrosh vetëm veten tënde, por urdhri i Allahut është që të mbrosh veten dhe familjen tënde. Prandaj ajeti është i qartë: “Ruani veten tuaj dhe familjet tuaja nga zjarri.”
Ajeti i tretë:
Besimtari duhet t’i marrë për dore fëmijët e tij drejt Allahut të Madhëruar: “Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave..”[5] Krijuesi i gjithësisë të porosit për fëmijët e tu. Kurani ndonjëherë ka një rast të veçantë dhe një kuptim të përgjithshëm. Allahu i Madhëruar të porosit për fëmijët e tu: të kujdesesh për edukimin e tyre, t’i edukosh me sjellje të mirë, t’i mësosh, t’i rritësh me pastërti, t’i përkujdesësh, t’i mbikëqyrësh dhe t’i marrësh për dore drejt Allahut të Madhëruar.
Çdo njeri është përgjegjës për ata që i janë besuar përpara Zotit të tij në Ditën e Kiametit. Profeti (a.s) ka thënë: “Çdonjëri nga ju është kujdestar dhe çdonjëri nga ju është përgjegjës për atë që është nën kujdesin e tij. Udhëheqësi që është në krye të popullit është kujdestar dhe ai ka përgjegjësi për popullin e tij. Burri është kujdestar për njerëzit e shtëpisë së tij dhe ai do të merret në pyetje për ata që i ka nën kujdesin e tij. Gruaja është kujdestare për njerëzit e shtëpisë së burrit të saj, për fëmijën e tij dhe ajo është përgjegjëse për ta. Robi i një njeriu është kujdestar për pasurinë e zotëriut të tij, kurse zotëriu është përgjegjës për të. Çdonjëri nga ju është kujdestar dhe çdonjëri është përgjegjës për atë që është nën kujdesin e tij.”[6]
Ti je përgjegjës para Allahut… është transmetuar se djali që neglizhohet nga babai i tij dhe meriton të hyjë në zjarr, do të qëndrojë para Allahut të Madhëruar dhe do të thotë: “O Zoti im, nuk do të hyj në zjarr derisa të fus babanë tim para meje, sepse ai ishte shkak për hyrjen time në të.”
Ky është një fjalim i lehtë… është e lehtë ta thuash dhe ta dëgjosh, por vëllezërit që kanë fëmijë të vegjël duhet ta kuptojnë: tani mund të jesh i zënë me ta, por kur ai të rritet në pakujdesinë tënde dhe nuk ka marrë udhëzimin e duhur, do të dalë nga kontrolli yt. Atëherë nuk mund të bësh asgjë me të; nuk dëgjon, nuk bindet, nuk kushton vëmendje, dhe bëhet barrë për familjen e tij.
Prandaj, një këshillë nga zemra: çdo njeri që ka fëmijë duhet të kalojë një pjesë të kohës së tij duke i njohur ata me Allahun, duke i nderuar, duke u treguar i butë me ta dhe duke i afruar me dashuri. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush ka një fëmijë, le të sillet me të si fëmijë (le të ulet në nivelin e tij dhe të luajë me të.”
Njeriu duhet të kalojë një pjesë të kohës me fëmijët e tij
Patjetër duhet të kesh një pjesë të kohës që e kalon me fëmijët e tu. Mos më thuaj: “Jam i zënë… dal nga shtëpia kur ata janë në gjumë dhe kthehem kur ata janë në gjumë.” Ky është një gabim shumë i madh. Vërehet se kur babai mungon shpesh nga shtëpia, fëmijët dalin nga kontrolli. Prandaj është e domosdoshme të kalosh kohë me ta, dhe kjo kohë duhet të jetë nga pjesa më e vlefshme e kohës tënde.
Profeti (a.s) ka thënë: “Të edukoj njeriu fëmijën e tij është më mirë sesa të japë sadaka një masë (sa’).”[7] Kjo është si një sadaka e përditshme… edukimi i fëmijës është më i mirë se sadakaja. Po ashtu Profeti (a.s) ka thënë: “Asnjë prind nuk i ka dhënë fëmijës së tij një dhuratë më të mirë se edukata e mirë.”[8]
Njeriu që i urdhëron familjarët e tij për namaz, Allahu i Madhëruar merr përsipër furnizimin e tij dhe të fëmijëve të tij. Ne përpiqemi të njohim Sunetin e Profetit dhe udhëzimet e tij, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër..”[9] Këto janë udhëzimet e Profetit… bëj atë që ai të urdhëron dhe mos u shqetëso për furnizimin. Cili është argumenti? Argumenti është fjala e Allahut: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.”
Dijetarët kanë nxjerrë nga ky ajet se ai që i urdhëron familjarët e tij për namaz, Allahu i Madhëruar garanton furnizimin për të dhe për ata. Kështu thotë ajeti: “Ne nuk kërkojmë prej teje furnizim…” Mos më thuaj: “Jam i zënë, kemi sezon pune, dua të siguroj ushqimin për veten dhe për ta.” Ti je njëri prej tyre; ti je i mbajtur (nga Allahu), jo mbajtës. Ti dhe ata jeni të varur nga Allahu i Madhëruar. Mos e justifiko neglizhimin e fëmijëve me pretekstin e fitimit të furnizimit… “Ne të furnizojmë ty.”
Përputhja mendore dhe në vlera është baza e jetës bashkëshortore:
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) ka thënë: “Mësojuni fëmijëve dhe familjeve tuaja të mirën dhe edukojini ata.”
Po ju përmend se ka një bashkëshorte, dhe ka një bashkëshorte “shoqe” (në kuptimin islam). Kuptimi i “shoqes” është që kjo grua të jetë në të njëjtën rrugë me burrin e saj: besimtare, që falet, agjëron, e do Zotin e saj, i bindet Atij, kujdeset për shtëpinë e burrit dhe rrit fëmijët e saj. Kjo grua ngrihet mbi nivelin e të qenit vetëm bashkëshorte dhe bëhet partnere e jetës. Në të vërtetë, kur burri dhe gruaja jetojnë një jetë të bazuar në: përputhje mendore përputhje në vlera, pra kur parimet janë të njëjta, vlerat janë të njëjta dhe qëllimet janë të njëjta, atëherë ata mund të diskutojnë gjatë për çështje të fesë.
Nëse gruaja ngrihet në nivelin e burrit të saj, në besim, në kuptim, në qëllime, në frikë ndaj Allahut dhe në dëshirë për bindje ndaj Tij dhe ka të njëjtin përkushtim për edukimin islam të fëmijëve, atëherë ajo nuk është më thjesht një bashkëshorte… por një shoqe e jetës. Prandaj Profeti (paqja qoftë mbi të) thotë: “Mësojuni fëmijëve dhe familjarët tuaj…”
Kjo do të thotë se gruaja nuk duhet të jetë vetëm për gatim, pastrim dhe përkujdesje, ndërkohë që besimi i saj është i dobët dhe ajo është e larguar nga feja. Sepse një bashkëshorte e tillë bëhet e lodhshme: ajo mërzitet nga burri dhe fëmijët, dhe burri mërzitet prej saj dhe prej fëmijëve.
Njeriu nuk gjen lumturi të vazdhueshme dhe që rrritet me bashkëshorten, përveçse kur e njeh atë me Allahun: Nevojat materiale të mërzitin shpejt. Çdo gjë ka një shkëlqim në fillim, por pas një kohe ai shkëlqim zbehet. Kjo është e njohur; asgjë nga jeta e kësaj bote nuk mund të japë lumturi të vazhdueshme, kjo është e pamundur.
Blini një makinë: në javën e parë nuk flini nga gëzimi, por pas dy vitesh ajo nuk zë më vend në zemrën tuaj, kjo është normale. Banoni në një shtëpi luksoze: në muajt e parë jeni shumë të lumtur dhe çdo mysafiri ia tregoni çdo cep, sipërfaqen dhe çmimin… por pas një kohe bëhet diçka e zakonshme. Këto janë kënaqësitë e kësaj bote: në fillim kanë shkëlqim, pastaj ai zhduket. Ndërsa ajo që të jep lumturi të vazhdueshme është njohja e Allahut.
Njeriu mund të zgjedhë një bashkëshorte sipas disa kritereve dhe të jetë shumë i kënaqur me të në fillim, por pyete çdo burrë pas dy vitesh… gjërat bëhen të zakonshme, shkëlqimi zhduket.
Prandaj, bashkëshortja sjell lumturi të vazhdushme: kur e njeh me Allahun, kur është partnere në jetë, kur është në të njëjtën rrugë me ty, kur është e devotshme dhe besimtare e pastër, kur kërkon kënaqësinë e Allahut, kur të ndihmon kundër shejtanit dhe nuk e ndihmon shejtanin kundër teje.
Shoqëritë materialiste janë shoqëri të bazuara në interesa, ndërsa shoqëritë e besimit janë shoqëri që i lidh Allahu.
Një herë një vëlla i nderuar më kërkoi këshillë para martesës. I thashë: kam një këshillë për ty. Zakonisht, në fillim të martesës, gruaja ëndërron burrin ideal, ndërsa ai ëndërron një vajzë që i pëlqen. Ajo pret që ai ta përkëdhelë dhe ta nderojë shumë, ndërsa ai pret që ajo ta nderojë dhe ti shërbejë shumë. Të dy presin të njëjtën gjë! Prandaj edhe përplasen.
Pas një kohe, ai zbulon se ajo kërkon dikë që ta përkëdhelë dhe t’i plotësojë çdo gjë, ndërsa ajo zbulon se ai pret të njëjtën gjë prej saj. Kështu lind përplasja.
Njeriu nuk gjen lumturi me bashkëshorten e tij, përveçse kur së pari gjen lumturi me Zotin e tij, pastaj e udhëzon edhe atë drejt Zotit të saj, që edhe ajo të gjejë lumturi me Të. Atëherë ajo e bën atë të lumtur, sepse e njeh të drejtën e tij ndaj saj, dhe afrohet te Allahu duke e shërbyer atij, ndërsa ai afrohet te Allahu duke e shërbyer asaj.
Marrëdhëniet në shoqëritë islame janë marrëdhënie që i lidh Allahu i Madhëruar. Ndërsa në shoqëritë materialiste, marrëdhëniet janë të drejtpërdrejta dhe të bazuara në interes: sa kohë që ka interes prej saj, ai e do; por nëse ajo sëmuret rëndë ose interesi i tij mbaron, e lë.
Kam dëgjuar për një njeri që, kur gruaja e tij u sëmur rëndë, e divorcoi menjëherë sepse interesi mbaroi! Po ashtu, sa shumë gra, për sa kohë burri i tyre është i fortë dhe i pasur, e duan shumë; por nëse varfërohet papritur ose sëmuret, e trajtojnë shumë ashpër. Puna më e mirë e njeriut është edukimi i fëmijës së tij. Prandaj, shoqëritë materialiste janë shoqëri interesi dhe përfitimesh të ndërsjella, ndërsa shoqëritë e besimit janë shoqëri ku çdo marrëdhënie lidhet me Zotin.
Do të doja ta shpreh këtë kuptim saktë: burri i afrohet Zotit duke duruar me bashkëshorten e tij dhe duke i shërbyer asaj, ndërsa gruaja i afrohet Zotit duke duruar me burrin e saj dhe duke i shërbyer atij. Ky rregull është i mjaftueshëm për t’u sjellë bashkëshortëve lumturi të madhe. E përmenda këtë sepse Profeti (a.s) ka thënë: “Mësojuni fëmijëve tuaj dhe familjes suaj (pra edhe bashkëshortes suaj) të mirën dhe edukojini.” Në një hadith tjetër Profeti(a.s) thotë: “Edukoni fëmijët tuaj me tre gjëra: dashurinë për profetin tuaj, dashurinë për familjen e profetit dhe leximin e Kuranit.”[10]
Por nëse në shtëpi ka pajisje argëtuese dhe shpërqendruese, atëherë fëmija edukohet me dashurinë për artistët dhe artistet, qofshin ata të gjallë apo të vdekur. Mos e harro këtë shembull të njohur: (si një rezervuar uji) çfarë vendos në pjesën e sipërme të tij, e merr nga rubineti i poshtëm.
Pra, çfarë lloj “ushqimi” po u jep fëmijëve të tu? Çfarë lexojnë nga revistat? Çfarë lexojnë nga gazetat? Me kë ulen dhe shoqërohen? Me kë kalojnë mbrëmjet? Çfarë bisedash bëjnë mes tyre? Ky është ushqimi i tyre. Çfarë shikojnë? Çfarë lexojnë? Çfarë dëgjojnë? Ku shkojnë? Kush janë shokët e tyre? Ky është “ushqimi” i tyre. Sepse nëse fëmija yt ka shokë që e ushqejnë me ndikim të keq, me kënaqësi të ndaluara, me shoqëri të keqe dhe me mashtrime ndaj njerëzve, si mund të bëhet ai kënaqësi e syrit tënd?
Autor: Ratib Nabulsi
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Tirmidhiu.
[2] – Sure En’am: 84.
[3] – Sure Taha: 132.
[4] – Sure Tahrim: 6.
[5] – Sure Nisa: 11
[6] – Buhariu dhe Muslimi.
[7] – Tirmidhiu.
[8] – Tirmidhiu.
[9] – Sure Hashr: 7.
[10] – Tabaraniju.



















