Loja Shtet – Qytet
Kjo është një lojë shumë argëtuese që zhvillohet midis dy apo më shumë personave. Më mirë është që të luhet midis dy vetave.
Hapi i Parë:
Veprimi i parë është që të zgjedhim kategoritë, për të cilat biem dakord. Për shembull zgjedhim:
1 – Shtete
2 – Qytete
3 – Emra
4 – Islame
5 – Kafshë
6 – Sende
7 – Bimë
Hapi i dytë:
Në një fletë të bardhë A4 ose në një fletë fletoreje, secili prej lojtarëve ndërton një tabelë, të cilën e ndan në tetë kolona. Është mirë që fleta të vendoset horizontalisht, pra të përdoret në gjerësinë e saj. Në shtatë kolonat e para vendosen kategoritë për të cilat lojtarët kanë rënë dakord që në fillim, ndërsa në kolonën e tetë vendoset kategoria “Pikët”.
| Shtete | Qytete | Emra | Islame | Kafshë | Sende | Bimë | Pikët |
Hapi i tretë:
Duke qenë se loja luhet me dy lojtarë (por mund të luhet edhe me më shumë), lojtari i parë i thotë të dytit: “Një, dy, tre, fillo!”.
Lojtari i dytë fillon të shqiptojë me vete, pa e dëgjuar shoku i tij, shkronjat e alfabetit shqip: A, B, C… Ndërkohë, lojtari i parë, në momentin që dëshiron, thotë: “Stop!”. Lojtari i dytë ndalon së shqiptuari alfabetin dhe tregon me zë të lartë shkronjën tek e cila ka ndaluar. Për shembull, shkronjën M.
Hapi i katërt:
Pasi dëgjojnë shkronjën përkatëse, secili prej lojtarëve duhet të plotësojë kolonat e kategorive me emra që fillojnë me shkronjën M. Për shembull:
| Shtete | Qytete | Emra | Islame | Kafshë | Sende | Bimë | Pikët |
| Marok | Mirditë | Marius | Maide (surja) | Miu | Metër | Majdanoz | |
Secili lojtar zgjedh vetë emrat që dëshiron, për sa kohë që fillojnë me shkronjën M. Këtë e bën pa i treguar shokut të tij atë që ka shkruar.
Hapi i Pestë:
Lojtari që i plotëson i pari të gjitha kolonat thotë: “Stop!”. Në këtë rast, lojtari tjetër duhet të ndalojë së shkruari, edhe nëse nuk i ka plotësuar të gjitha kolonat.
Hapi i Gjashtë:
Fillon numërimi i pikëve, i cili bëhet si më poshtë:
1 – Nëse të dy lojtarët kanë shkruar të njëjtin emër, secili merr nga pesë pikë.
2 – Nëse kanë shkruar emra të ndryshëm, secili merr nga dhjetë pikë.
3 – Nëse njëri lojtar e ka plotësuar kolonën përkatëse, ndërsa tjetri jo, i pari merr dhjetë pikë, kurse i dyti zero pikë.
Në fund, mblidhen të gjitha pikët e fituara dhe shuma shënohet në kolonën “Pikët”.
Lojtari i Parë
| Shtete | Qytete | Emra | Islame | Kafshë | Sende | Bimë | Pikët |
| Marok 5 | Mirditë 10 | Mark 10 | Maide 5 | Miu 5 | Metër 10 | Majdanoz 10 | 55 |
Lojtari i Dytë
| Shtete | Qytete | Emra | Islame | Kafshë | Sende | Bimë | Pikët |
| Marok 5 | Madrit 10 | Marius 10 | Maide 5 | Miu 5 | 0 | 0 | 35 |
Hapi i Shtatë:
Loja fillon nga e para, por këtë herë duhet të përzgjidhet një shkronjë tjetër, për shembull shkronja K.
Kështu vazhdohet me radhë, derisa të dy lojtarët të bien dakord për ta ndërprerë lojën.
Vërejtje: Mund të ndodhë që asnjëri prej lojtarëve të mos arrijë t’i plotësojë të gjitha kolonat, sepse për shkronjën e përzgjedhur është e vështirë të gjenden emra që u përkasin kategorive përkatëse. Në këtë rast, lojtarët bien dakord ta ndërpresin lojën me atë shkronjë dhe më pas fillojnë numërimin e pikëve. Një situatë e tillë mund të ndodhë me disa shkronja, si C, Ë, Y, X, Xh etj.
Hapi i tetë:
Në përfundim, mblidhen të gjitha pikët e fituara gjatë lojës dhe fitues shpallet lojtari që ka grumbulluar më shumë pikë.
By: ardhmëriaonline.com



















