Alkooli: Nëna e të këqijave
Alkooli konsiderohet burimi i çdo të keqeje dhe shkaku i shumë fatkeqësive. Çdo vit, mbi 3 milionë njerëz humbin jetën nga pasojat e tij, dhe më shumë se 400 milionë të rritur vuajnë nga çrregullimet që vijnë si rezultat i përdorimit të tij. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, alkooli rrit barrën globale të sëmundjeve me më shumë se 5%.
Dëmet e alkoolit nuk kufizohen vetëm në aspektet shëndetësore, mendore dhe psikologjike. Ai është një fatkeqësi që shkatërron familjet, prish marrëdhëniet, minon shoqëritë, rrit nivelin e krimit dhe sjell mjerim e vuajtje në mbarë botën.
Argumentet e ndalimit të alkoolit
Ndalimi i alkoolit është përmendur në mënyrë të qartë dhe kategorike në Kur’anin Famëlartë. Allahu thotë: “O ju që keni besuar! Në të vërtetë, alkooli, bixhozi, vendet e idhujve dhe shigjetat (për fall) janë ndyrësi nga veprat e djallit. Largohuni prej tyre që të mund të shpëtoni. Shejtani dëshiron të mbjellë armiqësi dhe urrejtje midis jush nëpërmjet alkoolit dhe bixhozit dhe t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe namazi. A nuk do të ndaloni?”[1]
Profeti Muhamed (a.s) gjithashtu ka ndaluar alkoolin në shumë hadithe, duke përmendur dëmet e tij:
1 – Hadithi i Ebu Dardasë (r.a): “Më këshilloi miku im i dashur ﷺ: Mos pi alkool, sepse ai është çelësi i çdo të keqeje.”[2]
2 – Fjala e Profetit (a.s): “Çdo pije që deh, është e ndaluar.”[3]
3 – Hadith tjetër: “Ajo që deh në sasi të madhe, është e ndaluar edhe në sasi të vogël.”[4]
4 – Nga Enesi (r.a) transmetohet se ka thënë: “Profeti (a.s) mallkoi dhjetë kategori njerëzish në lidhje me alkoolin: atë që e shtrydh, atë që kërkon ta shtrydhin, atë që e pi, atë që e transporton, atë për të cilin transportohet, atë që e shërben, atë që e shet, atë që ha çmimin e tij, atë që e blen dhe atë për të cilin blihet.”[5]
Këto ajete dhe hadithe tregojnë qartë se alkooli është i ndyrë dhe burim i së keqes. Islami e ndalon atë në çdo sasi dhe mallkon ata që lidhen me të në cilëndo mënyrë, duke treguar për rrezikun e madh që paraqet dhe se është nga mëkatet e mëdha.
Profeti (a.s) ka thënë gjithashtu: “Kur një njeri kryen kurvëri, ai nuk është besimtar gjatë asaj kohe; kur pi alkool, nuk është besimtar gjatë asaj kohe; dhe kur vjedh, nuk është besimtar gjatë asaj kohe.”[6]
Urtësia e ndalimit të alkoolit
Ekzistojnë pesë gjëra thelbësore pa të cilat jeta nuk mund të funksionojë siç duhet. Këto janë thelbësore për ruajtjen e jetës, fesë dhe mirëqenies së njeriut, prandaj quhen “domosdoshmëri”. Islami i ka dhënë një rëndësi të veçantë ruajtjes së tyre duke përcaktuar ligje që i mbrojnë këto domosdoshmëri. Ato janë: ruajtja e fesë, jetës, nderit, pasurisë dhe arsyes.
Ndalimi i alkoolit është përcaktuar pikërisht për të mbrojtur këto domosdoshmëri, siç tregohet më poshtë:
1 – Ruajtja e arsyes
Ndalimi i alkoolit ka ardhur kryesisht për të ruajtur arsyen, pasi alkooli e turbullon mendjen, duke ia hequr njeriut aftësinë për të kuptuar, menduar dhe kontrolluar veprimet e tij.
Në fakt, alkooli ndikon në qendrën përgjegjëse të trurit për kontrollin e sjelljes, duke e penguar atë të kryejë funksionin e vet. Për këtë arsye, një person i dehur kryen veprime që nuk e përfaqësojnë atë dhe që i mohon kur është esëll. Ai mund të përdorë gjuhë të pahijshme, të ecë në mënyrë të paqëndrueshme, të zhvishte ose të kryejë nevojat personale në publik, si dhe veprime të tjera të gabuara.
2 – Ruajtja e fesë
Një person që humb arsyen nga alkooli nuk është më i aftë të kryejë adhurimet. Edhe nëse përpiqet, adhurimi i tij nuk është i vlefshëm, sepse arsyetimi, vetëdija dhe kuptimi janë kushte për kryerjen e tyre.
Në Islam, ndalimi i alkoolit ka ndodhur në mënyrë graduale, duke marrë parasysh lidhjen e fortë të njerëzve me të. Faza e ndërmjetme e këtij ndalimi ishte ndalimi i faljes së namazit pas konsumimit të alkoolit, siç thotë Allahu: “O ju që keni besuar! Mos iu afroni namazit kur jeni të dehur, derisa të dini se çfarë thoni.”[7]
3 – Ruajtja e jetës
Konsumimi i alkoolit dëmton rëndë shëndetin, duke shkaktuar sëmundje serioze që shpesh çojnë në vdekje. Për më tepër, një person që pi alkool humb aftësinë për të kontrolluar sjelljen e tij, dhe kjo mund të çojë në veprime që rrezikojnë jetën e tij ose të të tjerëve.
Sëmundjet që lidhen me varësinë nga alkooli
Sëmundjet e mëlçisë (si cirroza)
Sëmundjet kardiovaskulare
Çrregullimet mendore dhe nervore
Rritja e rrezikut të kancerit
Përkeqësimi i sistemit imunitar
Këto pasoja shpjegojnë më së miri pse alkooli është ndaluar rreptësisht në Islam dhe pse konsiderohet një nga kërcënimet më të mëdha për mirëqenien e individit dhe shoqërisë.
Sëmundjet e lidhura me varësinë nga alkooli
Miliona njerëz humbin jetën çdo vit për shkak të konsumimit të alkoolit. Shumica e sëmundjeve të lidhura me varësinë nga pijet dehëse janë të njohura, por ja një përmbledhje e disa prej tyre më të zakonshme:
Cirroza e mëlçisë
Është një nga sëmundjet më të famshme që lidhet me teprimin në konsumimin e alkoolit, duke shkaktuar dëme serioze në mëlçi.
Kanceret
Pijet alkoolike rrisin rrezikun për disa lloje të kancerit, përfshirë:
Kancerin e faringut dhe ezofagut
Kancerin e zorrës së trashë
Kancerin e mëlçisë
Kancerin e gjirit dhe të endometrit (shtresa e brendshme e mitrës)
Sëmundjet e zemrës dhe të gjakut
Sëmundje të zemrës dhe hipertension
Ateroskleroza (ngurtësimi i arterieve)
Çrregullime të gjakut, si: anemi hemolitike, çrregullime të trombociteve dhe mungesë të acidit folik
Sëmundjet neurologjike
Goditjet në tru dhe çrregullimet e kujtesës
Sulme epileptike dhe paraliza të ndryshme
Humbje e përhershme e disa funksioneve nervore
Sëmundjet e mushkërive
Pneumoni dhe abscese pulmonare
Emfizema pulmonare dhe tuberkulozi pulmonar
Sëmundjet e lëkurës
Ekzema dhe rënia e flokëve
Çrregullime të thonjve
Inflamacion në qoshet e gojës
Dëmet specifike tek gratë
Gratë janë më të ndjeshme ndaj dëmeve nga alkooli, veçanërisht cirrozës. Konsumimi i alkoolit gjatë shtatzënisë shkakton dëme të rënda tek fetusi, si:
Dëmtime të trurit
Probleme në zhvillim
Helmimi nga alkooli
Kjo ndodh kur alkooli arrin nivele të larta në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar:
Probleme në sjellje dhe ndryshime në gjendjen mendore
Çrregullime të humorit
Në rastet e rënda, mund të shkaktojë:
Koma
Dëmtime të përhershme të trurit
Vdekje
Nëse një person përpiqet të heqë dorë nga varësia ndaj alkoolit, ai kalon një periudhë shumë të vështirë, duke përjetuar simptoma të tilla si:
Rritje të rrahjeve të zemrës
Dridhje të duarve
Probleme me gjumin
Të përziera dhe të vjella
Halucinacione dhe ankth të rënduar
Në raste të rënda, kriza epileptike
Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur
Më shumë se një milion njerëz humbin jetën çdo vit si pasojë e aksidenteve rrugore. Konsumimi i alkoolit rrit ndjeshëm probabilitetin e këtyre aksidenteve, veçanërisht atyre fatale, sepse alkooli ul vigjilencën, vetëdijen, shikimin dhe përqendrimin e nevojshëm për një drejtim të sigurt të automjetit. Ai shkakton turbullim, dyfishim të shikimit dhe paaftësi për të vlerësuar distancat dhe dimensionet, duke e larguar drejtuesin nga kujdesi i domosdoshëm për të shmangur aksidentet. Për këtë arsye, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit konsiderohet një krim i dënueshëm me ligj në mbarë botën.
4 – Ruajtja e nderit
Përdoruesit e alkoolit janë më të prirur për të rënë në mëkate si kurvëria apo përdhunimi, dhe shpesh këto akte çojnë në shkatërrimin e nderit dhe pasardhësve. Raportet në shumë vende të botës tregojnë se shumica e përdhunuesve apo atyre që kryejnë incest kanë qenë nën ndikimin e alkoolit apo drogave kur kanë kryer këto krime.
5 – Ruajtja e pasurisë
Jeta nuk mund të funksionojë pa para. Islami ka vendosur rregulla për ruajtjen e pasurisë, duke përfshirë ndalimin e alkoolit, sepse përdoruesi i alkoolit shpërdoron paranë për të blerë pije në vend që t’i përdorë për vete ose për familjen e tij. Varësia nga alkooli shpesh çon në shpenzimin e të gjitha të ardhurave për blerjen e tij, ndërsa personi që ka humbur mendjen nga alkooli mund të shpërdorojë pasurinë e tij në mënyrë të papërgjegjshme.
Çfarë ndodh me konsumimin “e moderuar” të alkoolit?
Disa njerëz e justifikojnë konsumimin e tyre duke thënë se pinë vetëm në raste të veçanta dhe në sasi të kontrolluara, duke mos arritur dehjen apo varësinë. Por kjo bindje është e gabuar:
Çdo person që është bërë i varur nga alkooli e ka filluar me konsumimin e tij “të moderuar” dhe “rastësor”.
Askush që konsumon alkool nuk mund të garantojë se nuk ka arritur asnjëherë nivelin e dehjes.
Nëse gjatë një periudhe dehjeje kryhet një krim, si drejtimi i makinës në gjendje të dehur që shkakton aksident, kurvëri apo përdhunim, apo veprime të turpshme si zhveshja në publik apo përdorimi i gjuhës së turpshme, këto mëkate do ta ndjekin personin për gjithë jetën dhe do të jenë burim pendese të pafund.
Zgjidhja për problemin e alkoolit
Bota ka dështuar në zgjidhjen e problemit të alkoolit, pavarësisht ligjeve të rrepta dhe miliarda dollarëve të shpenzuar për zbatimin e tyre. Këto ligje vazhdojnë të lejojnë shitjen dhe konsumimin e alkoolit në kohë, raste apo sasi të caktuara.
Zgjidhja e vetme është kthimi te mësimet e Islamit, që e ndalojnë alkoolin në mënyrë absolute, qoftë pak apo shumë. Kur njerëzit të kuptojnë se ndalimi i alkoolit vjen nga Zoti i tyre, Krijuesi i tyre, dhe të njohin dëmet e tij, ata do t’i binden këtij ndalimi, ashtu siç bënë shokët e Profetit Muhamed (a.s).
Kur u shpall ndalimi i alkoolit, shokët e tij e ndaluan menjëherë konsumimin e tij, derdhën enët e alkoolit në rrugët e Medinës dhe nuk u kthyen më kurrë te pijet dehëse.
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Maide: 90 – 91.
[2] – Ibn Maxheh
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Ebu Daudi.
[5] – Tirmidhiu.
[6] – Buhariu.
[7] – Sure Nisa: 43.



















