Nga ixhtihadi juridiko-fetar te ixhtihadi qytetërimor

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Lëvizja e ixhtihadit juridiko-fetar ka qenë e lidhur me shtetin, shoqërinë dhe individët. Ai është një shkencë dinamike dhe jo një shkencë e ngurtë. Fikhu nuk kufizohet vetëm në atë që studiohet në medresetë fetare dhe në universitete. Kjo përbën vetëm një aspekt të formimit, në njërën prej formave dhe fushave të tij, pikërisht atë të mësimdhënies. Ky aspekt ka marrë një hov të madh, për sa i përket numrit të madh të veprave të shkruara, ligjëratave dhe kurseve të shpjeguara. Ky është një formim i domosdoshëm në procesin e përgatitjes, por do të ishte e padrejtë që fikhu të kufizohej vetëm në mësimdhënien e librave klasikë ose bashkëkohorë.

Në të vërtetë, aspekti më i gjerë dhe fusha më e rëndësishme janë ndërthurja e fikhut me çështjet e shoqërisë, të shtetit dhe të njerëzimit. Pikërisht kjo ndërthurje nxjerr në pah anën e tij më të ndritur dhe dëshmon rolin e tij më të rëndësishëm, si një prej mjeteve kryesore të ndërtimit qytetërimor të shoqërive islame dhe të njerëzimit në tërësi.

Ky funksion është shumë më i vështirë sesa mësimdhënia e librave të fikhut në medresetë dhe institucionet e tij të shumta e të larmishme. Kjo sepse formimi i një juristi të aftë për ixhtihad është një proces kompleks dhe afatgjatë, si për sa u përket mjeteve të formimit, trajnimit dhe përgatitjes, ashtu edhe arritjes deri në fazën e prodhimit juridiko-fetar, i cili merr formën e një vendimi të nxjerrë nga një akademi kolegjiale e fikhut, të një fetvaje kolektive nga një prej institucioneve apo qendrave të fetvasë, apo edhe të një fetvaje të dhënë nga ndonjë prej juristëve të shquar, të cilët në kohën tonë janë bërë të rrallë.

Fazat që vijnë pas ixhtihadit juridiko-fetar

E vërteta është se ky produkt juridiko-fetar nuk përbën fundin e procesit për juristët që ushtrojnë ixhtihadin. Zbulimi i dispozitës së Allahut të Lartësuar për çështjet e reja, nëpërmjet ixhtihadit dhe mekanizmave të tij, pasohet nga faza që nuk janë më pak të rëndësishme sesa faza e nxjerrjes së dispozitës për këto çështje. Ndër më të rëndësishmet janë: verifikimi i saktësisë së ixhtihadit, duke e vënë atë në raport me objektivat e Sheriatit, për të përcaktuar shkallën e përputhshmërisë së ixhtihadit të arritur me objektivat e Sheriatit në të gjitha kategoritë e tyre: madhore, të përgjithshme, të veçanta dhe konkrete.

Kjo sepse produkti i ixhtihadit i ngjan një produkti që kalon nëpër disa faza, ndër më të rëndësishmet e të cilave janë:

Verifikimi nëse ekziston një ixhtihad i ngjashëm dhe përcaktimi i statusit të tij: a bën pjesë çështja në ato për të cilat ekziston konsensus juridik (ixhma) apo jo? Gjithashtu, duhet verifikuar vlefshmëria e këtij konsensusi, pasi jo çdo çështje për të cilën pretendohet se ekziston ixhma përbën vërtet një çështje të tillë.

Përcaktimi nëse çështja bën pjesë në çështjet e mirëqenura. Nëse po, a është ndër çështjet për të cilat është ushtruar më parë shqyrtimi ixhtihadik, në mënyrë që juristi të përpiqet të përcaktojë mendimin më të qëndrueshëm ndër ixhtihadet e mëparshme?

Përcaktimi nëse çështja duhet t’i nënshtrohet procesit të përshtatjes juridike duke e përfshirë në një kapitull të caktuar të fikhut, apo nëse kemi të bëjmë me një çështje të re, për të cilën nuk ekziston ndonjë dispozitë e mëparshme dhe as ndonjë çështje e ngjashme apo e përafërt që mund të shërbejë si pikë referimi në shqyrtimin juridik, derisa të arrihet te mendimi juridik që përfaqëson kulmin e ixhtihadit.

Prirja e tepruar për t’iu referuar trashëgimisë juridiko-fetare

Shumë juristë islamë dhe myftinj kanë prirjen e tepruar për ta lidhur çdo çështje të re me një çështje të vjetër dhe për t’iu referuar trashëgimisë së juristëve të mëparshëm. Juristët islamë kanë paralajmëruar kundër kësaj prirjeje. Ibn Kajimi ka thënë: “Cilido që u jep njerëzve fetva duke u mbështetur vetëm në atë që është transmetuar në libra, pa marrë parasysh dallimet në zakonet dhe traditat e tyre, kohët, vendet, rrethanat dhe treguesit që i shoqërojnë ato, ka devijuar vetë dhe i ka devijuar të tjerët.  Ky myfti i paditur është më i dëmshëm për fenë dhe shëndetin e njerëzve.”

Më pas vjen verifikimi i saktësisë së ixhtihadit, duke shqyrtuar shkallën e përputhshmërisë së tij me objektivat e Sheriatit. Nëse ai përputhet me objektivat kategorike ose me ato që janë shumë pranë sigurisë kategorike, juristi bindet për saktësinë e ixhtihadit të tij dhe e miraton atë. Nëse, përkundrazi, konstaton se ai bie ndesh me objektivat kategorike të Sheriatit ose me ato që janë shumë pranë sigurisë kategorike, e rishqyrton edhe një herë, derisa të arrijë në një ixhtihad më të përputhshëm me to.

Pra, ixhtihadi nis me shqyrtimin e teksteve dhe argumenteve, prej të cilit nxirret një mendim juridik. Më pas, saktësia e këtij mendimi vlerësohet në peshoren e objektivave të qëndrueshme dhe të rregullave të përcaktuara.

Ixhtihadi në përputhje me sistemin e dijeve islame

Ndoshta shumë juristë islamë, e aq më tepër të tjerët, mendojnë se këtu përfundojnë fazat e ixhtihadit dhe të shqyrtimit juridik. Por, pas një shqyrtimi të thelluar, rezulton se çështja nuk qëndron kështu.

Ndonëse ixhtihadi juridiko-fetar buron nga fusha e fikhut, ai duhet të vendoset brenda sistemit të gjerë të shqyrtimit të dijeve islame, të cilat përfaqësojnë thelbin e fesë. Ky përbën një tjetër kriter për verifikimin e saktësisë së ixhtihadit, përveç vlerësimit të tij nëpërmjet peshores së objektivave të Sheriatit. Ky kriter synon të përcaktojë përputhshmërinë e ixhtihadit me një dimension tjetër: harmoninë e tij me parimet e përgjithshme të Sheriatit, si dhe të sigurojë që zbatimi i tij të mos sjellë pasoja që e bëjnë të pavlefshme çështjen për të cilën është dhënë dispozita, kur ajo shqyrtohet nga këndvështrimi i tërësisë së Sheriatit.

Saktësia e ixhtihadit nuk varet vetëm nga njohja e teksteve dhe argumenteve, apo nga kuptimi i tyre me qëllim nxjerrjen e dispozitës, por edhe nga shkalla e harmonisë së tij me sistemin e përgjithshëm të Sheriatit, duke u mbështetur në peshoren e dobive dhe dëmeve.

Për këtë arsye, shohim se kalifët e drejtë kanë dhënë shembuj të shkëlqyer përmes ixhtihadeve të tyre juridiko-fetare, duke e marrë parasysh pikërisht këtë aspekt. Madje, disa prej atyre që i vështrojnë në mënyrë sipërfaqësore ixhtihadet e tyre të thella, i interpretojnë ato sikur bien ndesh me tekstin fetar. Por nuk është kështu. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një kuptim të synimit të ligjërimit të Ligjvënësit hyjnor, sepse kuptimi i objektivave që Ligjvënësi hyjnor synon përmes ligjërimit të Tij ka përparësi ndaj nxjerrjes së dispozitës vetëm nga teksti i atij ligjërimi.

Objektivat e ligjërimit dhe objektivat e dispozitave

Për këtë arsye, ruajtja e saktësisë së ixhtihadit juridiko-fetar kalon nëpër dy faza.

Faza e parë paraprin ixhtihadin dhe konsiston në kuptimin e objektivave të ligjërimit të Ligjvënësit hyjnor. Pasi arrihet te dispozita përmes shqyrtimit të teksteve dhe argumenteve, vjen radha e objektivave të dispozitave. Pra, dispozita nxirret fillimisht nga teksti, pastaj saktësia e saj vlerësohet në bazë të përputhshmërisë me objektivat e Sheriatit. Në kontekstin e ixhtihadit, objektivat ndahen në dy kategori: objektivat e ligjërimit, të cilat i paraprijnë nxjerrjes së dispozitës, dhe objektivat e dispozitave, të cilat shqyrtohen pas nxjerrjes së saj.

Me objektivat e ligjërimit nënkuptohet njohja e asaj që Allahu i Lartësuar ka synuar përmes Fjalës së Tij dhe e asaj që i Dërguari i Allahut (a.s) ka synuar përmes hadithit të tij. Ky është një aspekt të cilin shumica e juristëve islamë e kanë lënë pas dore, duke u kujdesur më shumë për të shpjeguar dispozitat sesa për të sqaruar objektivat e ligjërimit.

Një shprehje mund të përdoret në një kuptim tjetër nga ai i saj i drejtpërdrejtë ose i mirëfilltë; mund të shërbejë si aludim për diçka tjetër; mund të përmendet ajo që nënkupton, pa u përmendur vetë ajo; mund të lihet pa u thënë një pjesë e ligjërimit; madje, përmes një shprehjeje mund të synohet e kundërta e kuptimit të saj të drejtpërdrejtë.

“Shkurtimi në kuptimin e tij ose shtimi përtej asaj që ai përmban e cenon kuptimin që në zanafillë. Prandaj, ai që i trajton çështjet sipas përshtypjes së parë, vështrimit fillestar dhe mendimeve të para që i lindin, pa shqyrtuar treguesit e tjerë dhe pa i kushtuar vëmendjen e duhur mendimit të thelluar, zakonisht nuk shpëton nga shtrembërimi i kuptimit, qoftë duke i shtuar, qoftë duke i pakësuar atij.”

Analogjia me mëkëmbësinë dhe ndërtimin qytetërimor

Më pas, është e domosdoshme të shqyrtohen pasojat e këtij ixhtihadi mbi individët, shoqëritë dhe shtetet, në mënyrë që të përmbushen synimet madhore të Sheriatit lidhur me mëkëmbësinë e njeriut në tokë dhe ndërtimin qytetërimor të umetit dhe të njerëzimit.

Edhe nëse disa dijetarë kanë menduar se porta e ixhtihadit është mbyllur, ky pretendim është i pavërtetë dhe nuk ka asnjë bazë të shëndoshë. Ajo që synohej në të vërtetë ishte që askush të mos merrte guximin të ushtronte ixhtihad, përveç atyre që i plotësojnë kushtet për të. Pra, ixhtihadi duhet të dalë vetëm nga njerëzit e kualifikuar dhe në fushën që u takon.

Në asnjë epokë të historisë së umetit nuk ka munguar prania e juristëve të aftë për ixhtihad, të cilët kanë trajtuar çështjet e reja dhe ngjarjet e ndryshme. Po ashtu, nuk ka ndodhur që të shfaqet ndonjë çështje e re që prek umet-in pa pasur për të një përpjekje ixhtihadike përkatëse.

Mangësitë e ixhtihadit bashkëkohor

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ixhtihadi nuk ka mangësitë e veta. Në procesin e ixhtihadit ekzistojnë boshllëqe, por ato nuk e pengojnë ushtrimin e tij. Produkti juridiko-fetar nuk ka reshtur së prodhuari asnjëherë, në asnjë vend dhe për asnjë çështje. Problemi qëndron te lloji i ixhtihadit, i cili mund të jetë sipërfaqësor, i kufizuar ose i pjesshëm.

Ndonëse me ekzistencën e akademive të fikhut, organeve dhe qendrave të fetvasë në mbarë botën janë shfaqur forma të ixhtihadit kolektiv, shumë prej këtyre përpjekjeve të vyera nuk arrijnë nivelin e ixhtihadit qytetërimor, i cili merr parasysh të gjitha dimensionet gjatë formulimit të mendimit juridiko-fetar për çështjet e reja. Kjo shpjegon ekzistencën e një krize të fshehtë, por reale. Në dukje, nuk ka çështje për të cilën të mos jetë ushtruar ixhtihad. Por, a përfaqëson ky ixhtihad atë nivel të ixhtihadit qytetërimor që ushtrohej në kohën e sahabëve dhe tabiinëve? Sigurisht që jo.

Problemi qëndron te metodologjia, jo te produkti

Të gjitha shkencat e nisin rrugëtimin e tyre në përmasa të vogla dhe më pas zhvillohen e zgjerohen. Por, sipas mendimit tim, ixhtihadi juridiko-fetar ka ndjekur një rrugë krejt të kundërt. Ai nisi si një ixhtihad i mbështetur nga shpallja hyjnore në kohën e Profetit (a.s), e më pas mori formën e një ixhtihadi të mirëfilltë qytetërimor në kohën e sahabëve dhe më pas të tabiinëve.

Me kalimin e kohës, niveli i ixhtihadit erdhi duke u dobësuar. Kjo, ndonëse qasja në tekste, argumente, transmetime dhe ixhtihadet e dijetarëve, të cilat janë dokumentuar të gjitha në vepra të ndryshme, është bërë gjithnjë e më e lehtë. Megjithatë, niveli i ixhtihadit ka ardhur duke u zbehur nga një periudhë në tjetrën. Shkaku i kësaj është mangësia në metodologjitë e ixhtihadit dhe dobësimi i aftësisë së brendshme juridiko-fetare, gjë që buron nga mangësitë në procesin e formimit dhe të përgatitjes, për arsye të shumta.

Kuptimi i synuar i ixhtihadit qytetërimor

Ndërsa disa mendojnë se koncepti i ixhtihadit qytetërimor ka një kuptim më të gjerë sesa ixhtihadi juridiko-fetar, duke përfshirë edhe fushën e mendimit, besimit, shkencave humane dhe shoqërore, teknologjisë dhe shkencave të tjera që lidhen me jetën, me synimin për t’i dhënë mendjes myslimane mundësinë të përballet me sfidat dhe të ndërtojë rilindjen e qytetërimin, unë nuk kam për qëllim ta zgjeroj konceptin e fikhut qytetërimor apo të ixhtihadit qytetërimor përtej kufijve të tij legjislativë.

Përkundrazi, me këtë koncept kam për qëllim ixhtihadin juridiko-fetar me përmasë qytetërimore, i cili i vë në përdorim të gjitha këto mjete dhe, që në fillim, kërkon njohjen dhe kuptimin e tyre, në mënyrë që të krijohet një përfytyrim i saktë dhe realist i çështjes.

Kjo synon të kontribuojë në arritjen e një ixhtihadi juridiko-fetar legjislativ, i cili i shërben sistemit të përgjithshëm të Islamit. Kështu, këto mjete shoqërojnë që në fillim procesin e përfytyrimit dhe të kuptimit të çështjes. Njëkohësisht, ky ixhtihad ndihmon në paraqitjen e një ligjërimi juridiko-fetar më gjithëpërfshirës, i cili kapërcen kufijtë e nxjerrjes së një dispozite vetëm nga kuptimi i drejtpërdrejtë i tekstit, drejt një dispozite që merr në konsideratë të gjitha të dhënat dhe niset nga kuptimi i objektivave të teksteve, duke përfshirë në shqyrtimin e saj të gjitha rrethanat dhe dimensionet e ndryshme që e rrethojnë çështjen e re. Në këtë mënyrë arrihet te një dispozitë e Sheriatit, e cila kontribuon në ndërtimin qytetërimor të individit, shoqërisë, shtetit dhe umet-it.

Bazat dhe premisat e ixhtihadit qytetërimor

Ndër premisat më të rëndësishme mbi të cilat mbështetet ixhtihadi qytetërimor janë këto:

Së pari: Zgjerimi i konceptit të argumenteve për nxjerrjen e dispozitave

Kjo nënkupton që argumentet të mos kufizohen vetëm te ato që janë bërë të njohura gjerësisht, por të rikthehen në atë qasje që ndiqnin sahabët dhe juristët që ushtronin ixhtihad, si në brezat e parë, ashtu edhe në ata të mëvonshëm. Këtë e ka shprehur imam el-Karafi, i cili ka bërë dallimin ndërmjet dy llojeve të argumenteve: “Argumentet për legjitimitetin e dispozitave, të cilat janë të kufizuara dhe numërohen rreth njëzet. Këto janë argumentet e njohura gjerësisht. Argumentet për zbatimin e dispozitave, të cilat nuk janë të kufizuara.”

Së dyti: Balancimi ndërmjet tekstit dhe realitetit, si dhe mënyra e zbatimit të tekstit të qëndrueshëm në një realitet që ndryshon

Kjo realizohet nëpërmjet:

Zbatimit në realitet të dispozitës së tekstit, autenticiteti dhe kuptimi i të cilit janë kategorikë. Kjo sepse, në këtë rast, dispozita nuk ndryshon me ndryshimin e realitetit; përkundrazi, realiteti duhet të përshtatet me këtë dispozitë.

Ushtrimit të ixhtihadit në kuptimin e tekstit, kuptimi i të cilit nuk është kategorik, në mënyrë që ai të interpretohet sipas asaj që i shërben realitetit dhe përputhet me të.

Rishqyrtimit dhe ripërtëritjes së kuptimit të tekstit në bazë të realitetit.

Së treti: Marrja në konsideratë e dobive dhe balancimi i tyre me dëmet

Shumë ixhtihade kanë nevojë për një kuptim të thelluar të interesave dhe dëmeve. Këtë e ka shprehur Ibn Kajimi me fjalët: “Kurani dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s) janë të mbushur me shpjegime të urtësive dhe interesave mbi të cilat mbështeten dispozitat, si dhe me shpjegime të urtësive dhe interesave që qëndrojnë pas krijimit. Po të gjendeshin këto në Kuran dhe Sunet në rreth njëqind apo dyqind vende, do t’i sillnim ato si argument, por ato i tejkalojnë një mijë raste, të shprehura në forma të ndryshme.”

Së katërti: Marrja në konsideratë e pasojave përfundimtare, që përbën kulmin e aftësisë ixhtihadike të juristit

Jo çdo jurist është i aftë ta bëjë këtë. Këtë nivel e arrijnë vetëm juristët dhe myftinjtë më të shquar.

Një veprim mund të jetë i ligjshëm për shkak të dobisë që synon të sjellë, ose i ndaluar për të parandaluar një dëm, por përfundimisht pasojat e tij mund të jenë të kundërta me ato për të cilat është ligjësuar. Në një rast të tillë, nuk është e drejtë të jepet një gjykim absolut për ligjshmërinë e një veprimi vetëm ngaqë në pamje të parë duket i ligjshëm, apo të shpallet kategorikisht i ndaluar vetëm ngaqë në pamje të parë duket i tillë.

“Ky është një dimension në të cilin ixhtihadi paraqet vështirësi për t’u hyrë, por frytet e tij janë të ëmbla dhe përfundimi i tij i lavdërueshëm, sepse ecën në përputhje me objektivat e Sheriatit.”

Shatibiu e ka konsideruar marrjen në konsideratë të pasojave përfundimtare si bazë për shumë prej parimeve dhe rregullave juridiko-fetare, ndër të cilat janë: rregulli i masave parandaluese dhe faktorizuese rregulli i spekulimeve juridike, marrja në konsideratë e mospajtimit juridik dhe rregulli i analogjisë përjashtimore.

Së pesti: Zbatimi i politikës juridike islame

Ky është një kapitull mjaft delikat, në të cilin sahabët, veçanërisht kalifët e drejtë, u dalluan nga juristët e tjerë që erdhën pas tyre.

Ibn Akili e ka shpjeguar atë si maturi dhe largpamësi, duke thënë: “Politika është çdo veprim që i afron njerëzit më shumë drejt së mirës dhe i largon më shumë nga e keqja, edhe nëse atë nuk e ka përcaktuar i Dërguari i Allahut (a.s) dhe nuk ka zbritur shpallje për të, me kusht që ai të mos bjerë ndesh me atë që ka përcaktuar Sheriati. Nga kalifët e drejtë kanë ardhur edhe raste ekzekutimesh dhe masash ndëshkuese, të cilat askush që njeh Sunetin nuk mund t’i mohojë.”

Këto bëjnë pjesë në politikat konkrete, të cilat i nënshtrohen rrethanave dhe dobive, prandaj kufizohen nga koha dhe vendi. Ato nuk janë pjesë e dispozitave të përgjithshme të Sheriatit, të cilat nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohëve.

Krizat nëpër të cilat po kalon umeti, veçanërisht krizat në fushën legjislative, e bëjnë të domosdoshëm rishqyrtimin nga ana e juristëve të prodhimit të ixhtihadit, si dhe zgjerimin e këndvështrimeve dhe të formave të tij, në mënyrë që, krahas formave ekzistuese, të përfshihet edhe ixhtihadi qytetërimor. Ky ixhtihad duhet t’u japë myslimanëve qëndrueshmëri në kohë sprovash dhe trazirash, si dhe të shërbejë si pasqyrë për jomyslimanët, përmes së cilës ata të njohin anën e ndritur të legjislacionit islam, i cili ndërthuret me jetën dhe nuk ndalet vetëm te zbulimi i dispozitës, por shkon përtej tij, drejt ndërtimit dhe reformimit.

Autor: Mes’ud Sabri

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *