Pasi e kaloi me sukses sfidën me magjistarët dhe faraonin, Musai (a.s.) ndodhej në një pozitë të vështirë. Faraoni ishte shumë i irrituar nga gjithçka që kishte ndodhur. Dhjetëmijë magjistarët e tij e kishin tradhtuar dhe ai i kishte ekzekutuar pa mëdyshjen më të vogël. Musai (a.s.) kishte nevojë për dikë që ta ulte revoltimin dhe irritimin e faraonit. Në këtë kohë, duhej që në skenë të dilte dikush tjetër, ta mbronte profetin Musa (a.s.) dhe ta largonte vëmendjen e faraonit prej tij. Dikush duhej të përballej me faraonin dhe ta ndërgjegjësonte atë. E kush mund të ishte ky person?
Ai do të jetë një egjiptian, qëndrimin e të cilit Zoti e ka përjetësuar në Kuranin famëlartë. Gjer në këtë çast, të gjithë egjiptianët ishin thjesht spektatorë dhe pasivë mbi debatin dhe konfliktin mes Musait (a.s.) dhe faraonit. Menjëherë pas qëndrimit të magjistarëve, del në skenën e ngjarjeve edhe një person tjetër shumë i rëndësishëm. Nga ky çast, fillon të dalë në pah mendësia fillestare e egjiptianëve, karakteristikë e të cilëve është se kur e pranojnë të vërtetën, sakrifikojnë gjithçka për të.
Këtij personi Kurani nuk ia përmend emrin, por e quan “një burrë besimtar”. Pra vetë Kurani dëshmon se ai kishte dy cilësi: Burrëri dhe besim. Unë u ula dhe studiova cilësitë dhe tiparet kryesore të këtij burri besimtar, të cilat ishin dhjetë syresh. Kur i shënova, fillova të ëndërroj dhe të shpresoj që këto cilësi të gjenden dhe tek të rinjtë myslimanë. Unë fillova të ëndërroj dhe të përfytyroj të rinj myslimanë, të cilët janë inteligjentë dhe askush nuk mund t’ua hedhë. Unë i përfytyroja ata të kulturuar dhe intelektualë, me horizont të gjerë. I përfytyroja njohës të mirë të historisë së vendit ku jetojnë, dhe përfitues prej saj. I përfytyroja të zgjuar, plot urtësi dhe që çdo fjale i gjejnë vendin dhe kohën e duhur, kur të hedhin hapin para dhe kur të tërhiqen. I përfytyroja të ekuilibruar dhe jo emocionalë e as impulsivë, pozitivë dhe jo negativë. Unë i përfytyroja të rinjtë myslimanë si atdhetarë dhe shumë të lidhur me vatanin e tyre, jo si shumë të rinj fetarë që mendojnë se dashuria dhe pasioni janë vetëm për fenë dhe besimin. I përfytyroja të aftë për t’u prezantuar dhe për t’ua prezantuar të tjerëve idetë dhe mendimet e tyre, me metoda të ndryshme, racionale, emocionale, si individë, të cilët shfrytëzojnë pasuritë Kuranore dhe eksperiencat e të tjerëve. I përfytyroja trima dhe të guximshëm në çështje të drejta, pa u frikësuar dhe pa u trembur, por të shoqëruar me urtësi dhe logjikë. Dhe e fundit, i përfytyroja si besimtarë, zemërbutë, të lidhur me Zotin, dashamirës të besimit, me zemër që u rreh veç për Zotin.
Shumë njerëz e konceptojnë besimin vetëm si adhurim dhe lidhje me Zotin, por në fakt tek besimi hyjnë të gjitha cilësitë e lartpërmendura. Kur Zoti e përshkruan “burrin besimtar” e përshkruan me të gjithë cilësitë që cekëm më lart.
Ky burrë besimtar për të cilin bëhet fjalë, është djali i xhaxhait të faraonit. Ai është një ndër njerëzit më të afërt të faraonit dhe jo vetëm. Ai është një nga këshilltarët e tij. Besimin, të cilin ai e kishte ruajtur të fshehtë, e deklaroi atë ditë.
Pas vrasjes së shërbëtores problemet nuk patën të sosur për faraonin. Në fund të fundit, shërbëtorja ishte një grua që i përkiste një shtrese të ulët të Egjiptit. Përveç saj, ishte dikush tjetër që besonte tek Musai (a.s.), dikush shumë e afërt me faraonin, dikush që gjer atëherë nuk e kishte deklaruar besimin. Ajo ishte Asija, gruaja e faraonit, ajo që e kishte birësuar Musain (a.s.), e kishte rritur dhe ishte kujdesur për të. Asija, ajo që ishte gruaja numër një në gjithë Egjiptin, do të deklaronte besimin e saj në Zotin e vetëm dhe të vërtetë. Për faraonin nuk kishte katastrofë dhe fatkeqësi më të madhe se kjo.
Në shumë rrëfenja dhe transmetime thuhet se faraoni e keqtrajtoi të shoqen dhe e torturoi çnjerëzisht. Ai ia lidhte këmbët e duart dhe ia tërhiqte me forcë. Faraoni ishte xhindosur dhe e ndjente se situata po i dilte jashtë kontrollit.
Gjatë torturave, Asija lutej: “O Zoti im! Ndërtomë një shtëpi tek Ti, në Xhenet; më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!”[1]
Edhe pse vetë kishte jetuar në pallate luksoze, Asija nuk lutej që Zoti t’i jepte një pallat në xhenet, por thjesht një shtëpi. Qëndrimi dhe durimi i saj përballë torturave, ia shtuan vlerat asaj dhe e radhitën tek katër zonjat e xhenetit, të cilat janë: Merjemja (a.s.), Hadixheja, Fatimeja dhe Asija.
Pas këtij rasti, emri i Asijes nuk përmendet më gjatë historisë së Musait (a.s.). Ndoshta, faraoni mund ta ketë vrarë, duke ia shkurtuar rrugën për në xhenet.
Madhështia e kësaj gruaje qëndron tek fakti se bukuritë e kësaj bote nuk e mashtruan. Ka shumë gra që e pëlqejnë fenë, duan t’i forcojnë lidhjet me Zotin, u pëlqen hixhabi, u pëlqen të falen etj… por fama, ndriçimi, moda, makijazhi, makinat, stolitë etj…, ua errësojnë rrugën për tek Zoti. Asija, edhe pse ishte mbretëresha e Egjiptit, jetonte në pallate luksoze dhe i shërbenin me qindra skllave, zgjodhi Zotin dhe refuzoi gjithçka tjetër. Ajo refuzoi pallatet e kësaj bote dhe i kërkonte Zotit një shtëpi në xhenet. “Zoti im! Ndërtomë një shtëpi tek Ti, në Xhenet.”
Ajo nuk kërkonte vetëm një shtëpi, por e kërkonte atë pranë Zotit, në Firdeusin e lartë.
“Më lini të vras Musanë”
Pas vdekjes së shërbëtores së vajzës së faraonit dhe Asijes, faraoni deklaroi për herë të parë dëshirën për ta vrarë Musain (a.s.).
“Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë.”[2]
Fakti që ai u kërkonte ta lejonin të vriste Musain (a.s.), do të thotë se ai gjendej në pozita të vështira. Për të vrarë Musanë (a.s.), atij i duhej mbështetje. Musanë tashmë e donte dhe e respektonte i gjithë Egjipti. Të gjithë e shihnin si një lider dhe hero.
Në këtë situatë kaq të ndezur, shfaqet “burri besimtar”. Ai e kishte mbajtur besimin të fshehtë, pasi shfaqja e besimit në kohë të papërshtatshme, veçse dëme do të sillte. Siç e thamë tek cilësitë të cilat i ëndërroja për të rinjtë myslimanë, ata duhet të jenë të zgjuar dhe racionalë. Kur faraoni deklaroi dhe shprehu dëshirën për të vrarë Musain (a.s.), burri besimtar nuk qëndroi duarkryq. Ai nuk mund të qëndronte pasiv, ndërkohë që jeta e profetit të Zotit ishte në rrezik. Të fshihje besimin në një çast të tillë ishte shumë e dëmshme.
“Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im.”[3]
Jetëshkrimi i burrit besimtar
Ai ishte djali i xhaxhait të faraonit dhe një nga këshilltarët më të rëndësishëm të faraonit. Ai nuk kishte asnjë ngjashmëri me Hamanin, i cili ishte një punonjës i thjeshtë në pallat. Në sytë e faraonit, Hamani nuk ishte gjë tjetër veçse një rrogëtar.
Ajo që i forconte pozitat e burrit besimtar në maksimum, ishte se ai nuk synonte asgjë nga të mirat e faraonit, nuk i kishte sytë tek florinjtë dhe paratë e tij, pasi këto nuk i mungonin. Ai ishte djali i xhaxhait të faraonit dhe ishte egjiptian. Po të ishte nga Benu Israilët nuk do kishte vlerë, pasi do e kishin kollaj ta eliminonin. Një status i tillë, i garantonte imunitet social. Ata nuk mund ta vrisnin, siç bënë me magjistarët dhe nuk mund ta keqtrajtonin.
Është i veçantë fakti se Kurani nuk ia përmend emrin, edhe pse në histori të ndryshme ka përmendur emra të shumë personaliteteve. Në këtë rast, Zoti nuk e ka përmendur emrin e tij, me qëllim që të jepemi më shumë pas gradës të tij sesa emrit. Gradat shkencore sot janë të shumta, si në Evropë ashtu dhe në vendet e tjera. Sot kemi doktorë, docentë, profesorë etj… Vallë cila është grada më e lartë për ty o vëlla dhe oj motër? A të pëlqen kur të thërrasin me emrin “besimtar”? Nëse dikush lodhet për dhjetë vjet që të fitojë titullin doktor, ti ia vlen të lodhesh njëzet që të fitosh titullin dhe gradën besimtar.
“Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë.”
Është e çuditshme se faraoni, i cili ishte mbreti i gjithë Egjiptit, kishte ushtri dhe pushtet, frikësohej nga Musai dhe e akuzonte se po shkaktonte trazira në tokë.
Mesa duket, faraoni kishte mbledhur të gjithë oborrtarët dhe këshilltarët e tij dhe u kërkonte ta mbështesnin në planin që kishte për të eliminuar Musain (a.s.). Musai (a.s.), i vetëm dhe i pafuqishëm, lutej me përgjërim.
“Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë!”[4]
Mesa duket vendimi final nga mbledhja ishte që Musai (a.s.) të ekzekutohej. Pikërisht në këtë çast ndërhyn njeriu më i afërt dhe më i besueshëm i faraonit dhe përmbys gjithçka. Fjalët e tij janë regjistruar në Kuranin famëlartë, në suren Gafir. Kjo sure ndahet në katër pjesë, ku dy prej tyre janë pikërisht fjalimi që ai mbajti para faraonit dhe oborrtarëve të tjerë. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por me qëllim që ti o vëlla dhe oj motër, të mësosh cilësitë e një besimtari dhe se dialogu është mekanizmi më i frytshëm në komunikimin me tjetrin.
Surja Gafir, njihet edhe me një emër tjetër, surja e besimtarit. Këtë emër ia ka vënë pikërisht profeti Muhamed (a.s.), me qëllim që të tregojë cilësitë dhe tiparet e një besimtari. Një besimtar duhet të jetë guximtar, i qëndrueshëm në të drejtë, racional etj…
Pasi u morr vendimi për ekzekutimin e Musait (a.s.) dhe të pranishmit u bënë gati të ngrihen, ndodhi ajo që faraoni nuk e priste. Zoti thotë në Kuran: “Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai.”[5]
Ai e filloi fjalën e tij me gjëra racionale dhe logjike. Ai përdor gjashtë lloje dialogu me faraonin, me qëllim që fjala e tij të zërë vend. Ai përdor dialogun racional, më pas atë emocional, atdhetar, historik etj… Të gjitha këto gjenden në suren Gafir, të cilën jua këshilloj ta lexoni menjëherë pas këtyre rreshtave.
“Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im.” Imagjinojeni faraonin në ato çaste kur ka parë djalin e xhaxhait që ngrihet dhe thotë këto fjalë. Si merituaka të vritet dikush, vetëm se thotë se Allahu është Zoti im?!
“Që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?!” Ai pretendon se Zoti e ka dërguar me dy mrekulli, të cilat ju i konstatuat me sytë tuaj.
“Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet.” Në këtë rast, ju nuk humbisni asgjë.
“Nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai.”
Por, nëse ai thotë të vërtetën, nuk i lironi Benu Israilët dhe e vrisni atë vetë, mund të ndëshkoheni rëndë.
“Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.”
Pra, nëse ai është i tillë që kërkon të shkaktojë trazira (e tepron me të këqija) dhe është gënjeshtar, Zoti do ta dënojë dhe nuk do ta udhëzojë drejt suksesit. Ndoshta, këto fjalë ai ia drejtonte direkt faraonit, i cili pretendonte se ishte zot.
Më poshtë, “burri besimtar” kalon në planin atdhetar, ku për të faktuar vërtetësinë e fjalëve të tij, u thoshte: “O populli im, sot juve ju përket pushteti i Tokës, por kush do të na mbrojë nga dënimi e Allahut, kur ai të na bjerë neve?”[6]
Pa dyshim që këto fjalë duhet ta kenë lënë pa gojë faraonin, i cili po pësonte një goditje tjetër të fortë. Njeriu më i afërt i tij, fliste në favor të Musait (a.s.)! Vallë çfarë po ndodhte kështu? Çdo ditë dilte një person nga pallati, i cili deklaronte haptazi besimin e tij tek profeti Musa, si i dërguar i Allahut.
Me fjalët e mësipërme, ai u thoshte: “Sot ne jemi superfuqi dhe gjëja që shemb fronet mbretërore dhe i privon mbretërit nga pushteti i tyre më së shumti, është vrasja e njerëzve të pafajshëm. Unë kam frikë se kjo mund t’i ndodhë edhe Egjiptit.”
Shumë njerëz mendojnë se mes besimit dhe dashurisë për atdheun nuk ekziston asnjë lidhje. Sipas tyre, ose të jesh besimtar, ose atdhetar dhe nacionalist. Por jo. Unë si mysliman besimtar, jam në gjendje t’i mbaj të dyja këto përgjegjësi. Madje, besimi im ma forcon më shumë dashurinë ndaj atdheut.
“Faraoni tha: “Unë ju tregoj vetëm atë që shoh dhe ju udhëzoj vetëm në rrugën e drejtë.”[7]
Duke parë se të pranishmit po ndikoheshin nga fjalët e kushëririt të tij, faraoni ndërhyri me fjalët e mësipërme. Fillimisht, ai u kërkonte mendim dhe mbështetje për të vrarë Musanë (a.s.), kurse tani u thoshte që vetëm mendimi i tij ishte i drejtë.
Burri besimtar bëri sikur nuk i dëgjoi këto fjalë dhe vazhdoi fjalën e tij, duke përdorur anën emocionale në dialog.
“Atëherë, ai që ishte besimtar tha: “O populli im, unë druaj që do t’ju arrijë dënimi si popujve të mëparshëm, ashtu siç ka qenë për popullin e Nuhut, për fiset Ad e Themud dhe për breznitë pas tyre. Allahu nuk synon padrejtësi për robërit e Vet.“[8]
Më pas, ai fillon me dialogun fetar, pasi egjiptianët besonin në Botën Tjetër.
“O populli im, unë i druhem vërtet Ditës, kur do të thërrisni njëri-tjetrin, Ditës kur, nga frika do të ikni prapa, pa pasur askënd që t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush.”[9]
Dita e thirrjes, është Dita e Kiametit kur njerëzit do të thërrasin njëri-tjetrin për ndihmë, por që secili do të distancohet dhe do të shohë hallin e tij. Me këto fjalë, ai u drejtohej të pranishmëve dhe u thoshte: “Do të vijë një ditë kur do e thërrisni faraonin që t’ju ndihmojë, por ai do të distancohet prej jush, duke parë hallin e tij. E veçanta në këto fjalë, është se ai i thoshte me edukatë dhe etikë, jo me sharje, ofendime dhe ulërima, siç ndodh me shumë njerëz sot në televizione, media dhe internet.
Më pas, Musai (a.s.) fillon me dialogun historik, duke u kujtuar historinë e Jusufit (a.s.).
“Shumë kohë më parë, juve ju pati ardhur Jusufi me prova të qarta, por ju vazhdimisht dyshonit në atë që ju kishte sjellë ai. E, kur ai vdiq, ju thatë: “Allahu nuk do të nisë më të dërguar pas tij!” Ja, kështu Allahu e shpie në humbje çdokënd që e kalon kufirin në të këqija dhe dyshon. Ata që i kundërshtojnë shpalljet e Allahut, pa pasur asnjë provë, janë të urryer në sytë e Allahut dhe në sytë e atyre që besojnë. Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi e dhunuesi.”[10]
Ai u kujtoi Jusufin (a.s.), të cilin egjiptianët e shihnin si hero, pasi kishte shpëtuar të gjithë Egjiptin nga zia e bukës dhe e ushqimit. Mos harroni se Jusufi (a.s.) është gjysh i largët i Musait, dhe Musai po thotë dhe po përcjell të njëjtat fjalë si Jusufi (a.s.). Ashtu si Jusufi, edhe Musai po fton në besimin e një Zoti të vetëm dhe të vërtetë.
Fjalën e tij e ndërpret sërish faraoni, i cili e ndjente se situata po i dilte jashtë kontrollit. Me ato që thoshte, ai thjesht donte ta hutonte kushëririn e tij.
“Dhe Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një kullë që t’i arrij rrugët, rrugët e qiellit e të shoh Zotin e Musait, sepse jam i bindur se ai (Musai) gënjen.”[11]
Ai e ndërpret besimtarin dhe, duke iu drejtuar Hamanit i thotë: “Më ndërto një kullë të lartë, që të ngjitem në qiell dhe të shoh Zotin që pretendon Musai”.
Por nuk ia arriti dot këtij qëllimi, pasi besimtari e kishte përcaktuar mirë objektivin e tij. Ai nuk u ndikua nga këto fjalë, por vazhdoi duke e deklaruar besimin e tij: “Ai që ishte besimtar tha: “O populli im, më pasoni, që unë t’ju udhëzoj në rrugën e drejtë!”[12]
Nëse ju nuk i shkoni pas Musait (a.s.), atëherë më pasoni mua, pasi jam egjiptian si ju. Me këto që thotë, faraoni thjesht kërkon të humbasë kohën tonë, dashka një kullë që të shohë Zotin!
“O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është Shtëpi e përhershme.”[13]
Edhe unë jam i pasur e i kamur siç jeni ju të gjithë, por pasuritë e kësaj bote nuk vlejnë gjë tek Zoti.
A e kupton tani si duhet të jetë besimtari? Nëse i do cilësitë e besimtarit të vërtetë, lexo suren Gafir. Ai e deklaroi hapur besimin e tij: “Ata që bëjnë vepra të këqija, do të dënohen vetëm sipas veprave të bëra; ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj apo femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim. O populli im, ç’është kjo, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni në zjarr?! Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe t’i shoqëroj Atij (në adhurim) zota të tjerë, për të cilët nuk di asgjë, ndërsa unë ju bëj thirrje të adhuroni të Plotfuqishmin, Falësin e Madh. Pa dyshim, zotave drejt të cilëve më ftoni ju, nuk mund t’u lutesh, as në këtë botë, as në tjetrën; kthimi ynë është tek Allahu. Ata që e teprojnë me të këqija, do të jenë banorë të Zjarrit. Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet.”[14]
Ata donin ta vrisnin, por Zoti e mbrojti nga intrigat e tyre. Këtë e përmend Zoti një ajet më poshtë, ku thotë: “Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.”[15]
Dikush mund të pyesë: Përse nuk u vra dhe besimtari, siç u vranë dhjetëmijë magjistarë, Asija dhe shërbëtorja e vajzës së faraonit?
Me këtë, sikur Zoti na thotë: “Vetëm thoni të vërtetën, pastaj mbështetjuni Zotit! Nëse vriteni, do të jeni në xhenet, nëse jetoni u ka shpëtuar Zoti.
Nëse analizojmë arritjet e këtij besimtari me debatin që zhvilloi, themi se ai arriti:
1 – Të shpëtonte Musanë (a.s.) nga ekzekutimi.
2 – Të ndikonte që të pranishmit në sallë ta shihnin pozitivisht besimin e tij.
Kurse lidhur me dështimet, ai humbi pozitën e tij tek faraoni. Që nga kjo ditë, ai do të kthehej në shtëpinë e tij, duke humbur të gjithë ofiqet. Çdo gjë ka çmimin e saj në këtë botë, por e rëndësishme është që të radhitesh në krahun e të vërtetës dhe të drejtës.
Nëse kërkon të dish se cilat janë cilësitë e një besimtari të vërtetë, lexo suren Gafir
Autor: Amër Halid
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Tahrim: 11.
[2] – Sure Gafir: 26.
[3] – Sure Gafir: 28.
[4] – Sure Gafir: 27.
[5] – Sure Gafir: 28.
[6] – Sure Gafir: 29.
[7] – Sure Gafir: 29.
[8] – Sure Gafir: 30 – 31.
[9] – Sure Gafir: 32 – 33.
[10] – Sure Gafir: 34 – 35.
[11] – Sure Gafir: 36 – 37.
[12] – Sure Gafir: 38.
[13] – Sure Gafir: 39.
[14] – Sure Gafir: 40 – 44.
[15] – Sure Gafir: 45.



















